Lajme nga vendi
TËRMETI: TETOVARËT TË SHQETËSUAR – EKSPERTËT QETËSOJNË SITUATËN!
Mbrëmë rreth orës 22:05 territori I RMV-së u godit nga një tërmet me epiqendër në Kosovën fqinje, rreth 45 kilometra në veriperëndim të Shkupit. Sipas të dhënave të Opservatorit Sizmologjik pranë FSHMN-së në Shkup, tërmeti ka qenë me manjitudë me 4.6 sipas shkallës Rihter.
Rajoni I Tetovës, Gostivarit dhe Shkupit mbrëmë përjetuan makth të vërtetë. Bashkë me disa rajone të Kosovës u ndjenë lëkundjet më të fuqishme dhe sipas të dhënave zyrtare intensiteti ka qenë 5 ballë sipas Shkallës Makrosizmike Evropiane.
Sizmologët thonë se tërmeti ka qenë aq I fuqishëm që të ndjehet nga një numër I madh I qytetarëve, por fatmirësisht deri tani nuk ka denoncime për dëme materiale ose të lënduar.
Lëkundjet e tërmetit në Tetovë mbrëmë detyruan që shumë njerëz të largohen nga objektet e banimit, nga frika e goditjeve tjera, kurse nëpër rrjetet sociale janë shpërndarë pamje të kamerave të sigurisë që tregojnë intensitetin e tërmetit.
Mbrëmë Tetova përjetoi një makth të vërtetë. Lëkundjet e tërmetit shqetësuan shumë banorë. Shumë prej tyre dolën para objekteve të banimit, për të shmangur goditjet tjera eventuale.
Por, c`thonë qytetarët e Tetovës? Si e përjetuan ata natën e mbrëmshme?
“Pata pak frikë, por u tejkalua se u ndal për fat të mirë”
“Si do të përjetosh, pak zgjati dhe kaloi”
“Si zakonisht, tërmeti është tërmet, s`ka paralajmërim. Dolëm në rrugë dhe u kthyem menjëherë”
“Mos më pyet se ende nuk mund të qetësohem”
“Nuk dolëm nga shtëpia, por u përgatitëm të jemi të gatshëm me iukë nëse ndodh edhe faza e dytë”
Pas tërmetit të orës 22.05, sizmologët thonë se janë shënuar edhe lëkundje tjera apo aftershock, që janë të zakonshme pas valës së parë të tërmetit.
Profesori i rregullt I Institutit për Gjeografi, Dr.Ivica Milevski, ka dhënë mesazhe qetësuese duke pohuar se nuk ka hapësirë për shqetësime duke shtuar bëhet fjalë për procese natyrore gjeologjike.
“Asgjë e tmerrshme, Mali Sharr jo I qetë akoma po rritet, madje edhe për disa milimetra (që nuk është edhe pak). Le ta bëjë punën që e ka bërë me miliona vite, pak nga pak, kurse ne mund të pushojmë” – ka shkruar në rrjetet sociale profesori Milevski.
Në këtë rajon edhe para dy ditëve u shënuan lëkundje sizmike me 3 ballë sipas Shkallës Makrosizmike Evropiane.
Edhe pse tërmetet ishin me manjitudë mesatare dhe nuk kanë shkaktuar dëme, sërish rikujtojnë se ky rajon mbetet me aktivitet sizmik.
Lajme nga vendi
VAPA AFRIKANE – MJEKËT BËJNË THIRRJE PËR KUJDES NDAJ SHËNDETIT!
Rikthimi i temperaturave të larta përvëluese ka bërë që mjekët të vazhdojnë me apelet për kujdes të shtuar, veçanërisht për grupet më të rrezikuara.
Mjeku Harkan Memedi, në një prononcim për TV Koha, ka theksuar se temperaturat e larta mund të shkaktojnë pasoja serioze për shëndetin.
Ai u bën thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të respektojnë rekomandimet e mjekëve.
Sipas Memedit, kujdes i shtuar duhet të kenë edhe të rinjtë. Ai paralajmëron se konsumimi i tepërt i pijeve energjetike, veçanërisht gjatë ditëve me temperatura ekstreme, mund të ketë pasoja negative për organizmin, duke rritur rrezikun e dehidratimit dhe problemeve kardiovaskulare.
Ndryshe, sipas parashikimeve meteorologjike, vala e të nxehtit pritet të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim, me temperatura që në disa zona do të tejkalojnë 40 gradë Celsius.
Autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë masat mbrojtëse dhe rekomandimet e mjekëve për të shmangur pasojat që mund të shkaktojë moti ekstrem./Tv Koha – Shkup/
Lajme nga vendi
UEFA ME GODITJE TJETËR PËR INFANTINON – KAMPIONAT ALTERNATIV BOTËROR?!
Vazhdon përplasja mes UEFA-s dhe konfederatave të tjera kontinentale kundër presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, i cili synon të mbetet në krye të organizatës edhe pas zgjedhjeve të ardhshme që do të mbahen në mars të vitit të ardhshëm.
UEFA po përgatit një goditje të re ndaj Infantinos. Së bashku me konfederatat e tjera kontinentale, ajo ka paralajmëruar se mund të krijojë një kompeticion të ri ndërkombëtar për kombëtaret si kundërpërgjigje ndaj Kupës së Botës, nëse Infantino nuk heq dorë nga kandidatura për një mandat tjetër.
Kujtojmë se Infantino shkaktoi reagime të forta me planin për shitjen e aksioneve të Kupës së Botës investitorëve privatë, por më pas u detyrua të tërhiqej nga kjo nismë.
Përveç kësaj, presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, së bashku me drejtuesit e CONCACAF-it dhe Konfederatës Aziatike të Futbollit, po kërkojnë dorëheqjen e Infantinos.
Sipas gazetës The Times, është krijuar një aleancë me synimin për ta larguar Infantinon dhe për ta “paralizuar FIFA-n”. Nëse ai këmbëngul të rikandidojë në zgjedhjet e marsit, aleanca po shqyrton organizimin e garave të veta ndërkombëtare.
UEFA tashmë ka një plan për një Ligë Globale të Kombeve, projekt i nisur që në vitin 2017, i cili do të konkurronte drejtpërdrejt me Kupën e Botës. Kundërshtarët e Infantinos po ashtu janë të gatshëm të bojkotojnë mbledhjet e Këshillit dhe komiteteve të FIFA-s, si dhe të refuzojnë ratifikimin e vendimeve të saj.
Sipas raportimit, Infantino ka siguruar mbështetjen e vetëm 15 nga 211 federatat anëtare të FIFA-s, pasi projekti i tij i diskutueshëm doli në publik.
Lajme nga vendi
Shqipëria shpall si “të padëshiruar” dy shtetas të Maqedonisë përmes rrjeteve sociale është prononcuar edhe Valon Bela
Në Shqipëri, me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, dy shqiptarë nga Maqedonia e Veriut janë shpallur non-grata në Shqipëri për 10 vite.
Sipas mediave shqiptare, Valon Bela dhe Bekir Halimi dyshohen se janë përfshirë në veprimtari të dyshimta ndaj shtetit shqiptar.
Gjithashtu për Valon Belan është lëshuar dhe një urdhër dëbimi nga Shqipëria.
Ky vendim i fundit është firmosur nga Lamallari, sic thonë mediat shqiptare, pas informacioneve të përcjella nga shërbimet informative të shtetit ku bëhet fjalë për lidhje të Valon Belas dhe Bekir Halimit me veprimtari që përbëjnë rrezik dhe kërcënim për Shqipërinë.
Pas këtij vendimi, përmes rrjeteve sociale është prononcuar edhe Valon Bela. Gjatë një postimi në Facebook, ai thotë se “një vendim administrativ nuk mund ta shpallë “non grata” historinë, sakrificën dhe kontributin e një shqiptari”.
Nëse një luftëtar i tri luftërave kombëtare shqiptare shpallet i padëshiruar në shtetin shqiptar, atëherë pyetja nuk është vetëm se kush u shpall “non grata”, por çfarë mesazhi po i jepet kujtesës sonë kombëtare.
Shqiptarët nuk janë ndarë kurrë në ata “brenda” dhe “jashtë” kufirit shtetëror kur ka qenë fjala për idealet kombëtare. Ata që kanë sakrifikuar për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve nuk mund të gjykohen vetëm me vendime administrative, sidomos kur mungon transparenca dhe një shpjegim i qartë publik.
Asnjë qeveri nuk është mbi kombin dhe asnjë mandat politik nuk është i përjetshëm. Qeveritë vijnë e shkojnë, ndërsa historia mbetet. Ata që sot marrin vendime përjashtuese duhet të jenë të vetëdijshëm se do të gjykohen jo vetëm nga bashkëkohësit, por edhe nga brezat që do të vlerësojnë nëse kanë mbrojtur interesin kombëtar apo interesat e ditës. E sidomos kur një qeveri fyen rëndë Kosovën, pret me tepih të kuq Vuçiqin dhe malltreton e rrah brutalisht popullin e tij që mendon ndryshe.
Dinjiteti i një luftëtari nuk matet me të drejtën për të hyrë ose jo në një shtet, por me veprën që ka lënë pas dhe me respektin që gëzon në mesin e popullit, ndryshe nga qeveria aktuale që gëzon respekt vetëm nga foshnjëvrasësit. Dhe mu në sinkron të plotë, Rama & Vuçiq më fusin në listën e padëshiruarve. Kjo flet shumë! – shkruan Valon Bela në Facebook.
Në qershor, Lamallari shpalli ‘person të padëshiruar në Shqipëri’, Ikballe Huduti Berisha për një periudhë 15-vjeçare, pasi u bë pjesë e protestave në Tiranë. Huduti akuzohet për lidhje të forta me regjimin iranian ndërsa publike është bërë dhe një fotografi e saj krah ish-presidentit të Iranit Mahmud Ahmadinexhad.

