Lajme nga vendi
Zv/kryeministri Bekim Sali: Suedia mbetet mbështetëse e fuqishme e perspektivës sonë evropiane
Zv/kryeministri i parë Bekim Sali ka njoftuar se ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Suedisë në Maqedoninë e Veriut, ku është diskutuar për integrimin evropian, reformat dhe bashkëpunimin rajonal.
“Sot zhvilluam një takim miqësor dhe konstruktiv me Ambasadorin e Suedisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Gjatë takimit diskutuam për procesin e integrimit evropian të vendit, zbatimin e Reform Agenda dhe Planit të Rritjes, zhvillimet aktuale në procesin e zgjerimit të BE-së, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal përmes iniciativave si EUSAIR.
Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e vazhdueshme që Suedia i jep perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe reformave tona në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Njëkohësisht, shpreha mirënjohjen time të veçantë për gjestin miqësor të Ambasadorit dhe dhuratën simbolike – fanellën e Kombëtares së Suedisë – si një shenjë e marrëdhënieve të shkëlqyera dhe miqësisë ndërmjet dy vendeve tona.”, ka deklaraur Sali.
Lajme nga vendi
Fondi: Pensionet do të paguhen rregullisht pavarësisht mungesës në buxhet
Nga ky institucion thonë se pensionet dhe sigurimi shëndetësor i pensionistëve janë të garantuara dhe se sistemi funksionon pa pengesa.
“Në asnjë moment nuk është vënë në pikëpyetje e drejta për sigurim shëndetësor”, thonë nga Fondi, duke shtuar se pensionistët vazhdojnë të marrin të gjitha shërbimet shëndetësore pa ndërprerje.
Sipas Fondit, rritja e pensioneve ka ndikuar drejtpërdrejt në detyrimet ndaj Fondit të Sigurimit Shëndetësor (11,8 për qind e pensionit) dhe Shtyllës së Dytë Pensionale (6 për qind e kontributeve).
Sipas tyre, rritja e pensioneve është arsyeja e shtimit të detyrimeve financiare, e jo mosfunksionimi i sistemit.
Ata theksojnë se rekomandimet e revizionit janë pranuar dhe po zbatohen në mënyrë aktive.
Në Revizionin e kryer në Fondin e Sigurimit Pensional dhe Invalidor të Maqedonisë së Veriut u konstatua se të ardhurat e rritura nuk janë të mjaftueshme për mbulimin e deficitit për pagesën e pensioneve në vitin 2024 dhe për këtë arsye, kryhen transfere nga Buxheti i shtetit, të cilat përbëjnë 36,71% të të ardhurave totale të Fondit.
Sipas raportit, gjatë viteve 2024 dhe 2025, kontributet janë kryer me vonesë prej disa muajsh, ndërsa deri më 28.02.2026 kontributet paguhen me vonesë deri në tetë muaj.
Lajme nga vendi
Janevska; Në sistemin arsimor nuk do të ketë largime nga puna të mësimdhënësve pavarësisht se numri i nxënësve është ulur
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka siguruar se procesi i paralajmëruar i optimizmit të rrjetit të shkollave nuk do të reflektohet me shkurtimin e kuadrit mësimdhënës. Në një prononcim për mediat të mërkurën ajo ka deklaruar se në sistemin arsimor nuk do të ketë largime nga puna të mësimdhënësve, pavarësisht se në shtatë vitet e fundit numri i nxënësve në vend është ulur për rreth 17 mijë dhe raporti mësues-nxënës po zvogëlohet. Sipas saj, Ministria po punon në optimizimin e rrjetit të shkollave, që nënkupton riorganizim të klasave dhe paraleleve, shpërndarje më efikase të orëve mësimore, përdorim më racional të kuadrit arsimor.
Janevska tha se qëllimi është që sistemi të bëhet më efikas, por pa dëmtuar punonjësit e arsimit. Arsimi dhe shkenca janë shtylla të zhvillimit, tha ministrja në një konferencë për shtyp në Qeveri, ku raportoi për punën e bërë në dy vitet e fundit. “Kemi punuar shumë, edhe për mësuesit. Kemi siguruar stabilitet ekonomik afatgjatë”, tha ministrja duke iu referuar marrëveshjes për rritjen e pagave gjatë një periudhe katërvjeçare me 40 deri në 60 përqind.
Avancimi në karrierë i mësuesve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë në arsimin fillor vazhdon, siç tha ajo, dhe për herë të parë këtë vit është futur në arsimin e mesëm. Me ditarin e ri elektronik, mësuesit lirohen nga detyrime të shumta administrative dhe mbrohen nga presionet për të ndryshuar notat. Gjithashtu ka filluar futja graduale e certifikatave elektronike, këtë vit nga klasa e parë deri në të tretën. Në arsimin e lartë dhe shkencën, buxheti për universitetet është rritur nga 3 miliardë denarë në vitin 2022 në 8 miliardë denarë në vitin 2026, ndërsa buxheti për shkencën është rritur nga 380 në 773 milionë denarë.
Në vitin 2025, mbi 370 milionë denarë u ndanë për projekte kërkimore shkencore, si dhe është siguruar qasje falas në bazat e të dhënave Web of Science dhe Scopus. Në fushën e arsimit profesional, ajo informoi se është përmirësuar modeli i arsimit të dyfishtë me rreth 1000 kompani të përfshira, si dhe se janë krijuar shtatë qendra rajonale, me njoftime për hapjen e tetë prej tyre.
Janevska theksoi se për herë të parë në një periudhë të gjatë, tekstet shkollore po sigurohen në kohë, para fillimit të vitit shkollor, përfshirë tekstet shkollore në gjuhë të huaja. Lidhur me infrastrukturën, ajo theksoi se rreth 70 milionë euro janë investuar në më shumë se 90 projekte, me shkolla, palestra sportive dhe konvikte studentore që po ndërtohen dhe rindërtohen, dhe disa nga objektet së shpejti do të vihen përsëri në funksion. Janevska informoi gjithashtu për dixhitalizimin e arsimit, duke deklaruar se në shkolla janë futur pajisje të reja IT, internet i sigurt dhe trajnim për mësuesit mbi përdorimin e teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale.
Lajme nga vendi
NDRYSHIME LIGJORE: ME TROTINET VETËM PERSONAT MBI 18 VJEÇ!
Trotinetët elektrik do të mund t’i drejtojnë vetëm personat mbi moshën 18-vjeçare, shpejtësia maksimale do të kufizohet në 20 kilometra në orë, ndërsa do të ashpërsohen edhe dënimet. Përveç gjobës, do të parashihet edhe konfiskimi i përkohshëm i trotinetit për një periudhë prej 30 ditësh.
Këto janë ndryshimet e reja në Ligjin për Sigurinë në Komunikacion, të propozuara nga shumica parlamentare, të cilat Kuvendi i ka vendosur në rend dite në seancën plenare.
Propozuesi i ndryshimeve VMRO-DPMNE-ja, potencoi se këto ndryshime po propozohen pasi analizat kanë treguar se gjatë dy viteve e gjysmë, në aksidente trafiku kanë qenë të përfshirë rreth 2.000 persona. Prej tyre, 46 kanë humbur jetën, ndërsa 556 kanë pësuar lëndime të rënda.
Sipas tij, për shkak të këtyre statistikave është e nevojshme një rregullim sistematik i mjeteve të lehta elektrike, përkatësisht i trotinetëve elektrikë.
Trotinetet elektrikë po kthehen në një rrezik serioz për shëndetin e fëmijëve në Tetovë. Brenda një jave, mesatarisht katër deri në pesë fëmijë përfundojnë me lëndime të rënda në Repartin e Ortopedisë, ku mjekët alarmojnë se këto thyerje mund të lënë pasoja të përhershme në rritjen e tyre.
Paralelisht, Sektori i Punëve të Brendshme ka ndërmarrë një aksion të gjerë duke ndëshkuar drejtuesit e papërgjegjshëm dhe duke konfiskuar mjete.
Bilanci total i aksioneve të fundit nga njësiti mobil kap shifrën e 71 masave të shqiptuara për kundërvajtje dhe vepra penale në trafik. Autoritetet paralajmërojnë se kontrollet e rrepta do të jenë të vazhdueshme. Qëllimi është parandalimi i aksidenteve me pasoja fatale, përpara se trotinetet dhe motorët të marrin jetë njerëzish.

