Lajme nga vendi
GOSTIVAR: AUV – OPERATORËT E USHQIMIT RESPEKTUAN NDALIMIN E PËRDORIMIT TË UJIT!
Shërbimet inspektuese të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari kanë realizuar 70 kontrolle të jashtëzakonshme në rajonin e Gostivarit, ku është konstatuar se operatorët e ushqimit e respektojnë ndalimin për përdorimin e ujit nga sistemi publik i ujësjellësit.
Njëkohësisht, inspektorët kanë evidentuar edhe parregullsi të tjera, për të cilat janë shqiptuar 30 gjoba në vlerë totale prej 7.750 eurosh në kundërvlerë me denarë.
Kontrollet përfshinë markete, kafene, piceri, furra buke, ëmbëltore, lokale sanduiçesh, qebaptore, prodhues dhe paketues të frutave e perimeve, si dhe operatorë të tjerë të ushqimit.
Nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari njoftojnë se te asnjë nga subjektet e kontrolluara nuk janë konstatuar shkelje të ndalimit për përdorimin e ujit nga ujësjellësi i Gostivarit. Për përgatitjen dhe shërbimin e ushqimit, si dhe për larjen e enëve, sipërfaqeve të punës dhe pajisjeve, është përdorur ujë i ambalazhuar ose ujë tjetër i sigurt, ndërsa në objektet hotelierike mysafirët janë shërbyer me gota dhe mjete plastike ose prej letre.
Sipas rezultateve të djeshme të analizave të mostrave të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), uji nga rrjeti i ujësjellësit në Gostivar ende nuk është i përshtatshëm për pije dhe as për përdorim teknik. Qytetarëve u bëhet thirrje të respektojnë me përpikëri rekomandimet e institucioneve kompetente dhe, deri në njoftimin e radhës, të mos e përdorin ujin nga rrjeti i ujësjellësit.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë inaugurimit të pishinës së rikonstruktuar në Kavadar, se pret që deri në fund të kësaj jave Gostivari të ketë ujë teknikisht të rregullt, ndërsa në fund të javës së ardhshme ai të jetë i sigurt edhe për pije.
Ndryshe, gjatë ditëve të fundit për krizën shëndetësore në Gostivar kanë raportuar të paktën 30 media nga Franca, Italia, Rusia, Gjermania, Austria, Zvicra, Shqipëria, Malta, Kroacia, Serbia, Bullgaria, Turqia, Ukraina, Azerbajxhani, Malajzia, Katari dhe vende të tjera, duke e bërë ngjarjen e Gostivarit lajm botëror./Tv Koha/
Lajme nga vendi
BENJAMIN IMERI REGJISTROI FITOREN E 15-të NË BOKSIN PROFESIONAL
Gostivari ishte nikoqire e spektaklit të madh të boksit, ku u hvilluan tre duelke të boksit amator dhe katër në boksin profesional. Dulei i mbrëmjes ishte ajo në kategorinë cruiser mes Benjamin Imerit nga Gradeci dhe Edvin Moquera nga Kolumbia.
Mbrëmë në palestrën e sportit ‘Rinia’ në Gostivar u mbajt një spektakël i madh i boksit profesional “GLOBAL IMMOBILIEN NIGHT FIGHT” i përkrahur nga familja Tairi nga Dobërdolli.
Në këtë mbrëmje u zhvilluan katër duele të boksit profesional, ndërsa lufta kryesore ishte ajo në kategorinë cruiser mes boksierit Benjamin Imerit dhe Edvin Moquera nga Kolumbia që përfundoi me fitoren e Imerit në raundin e tretë me nokaut.
Kujtojmë se boksieri 23-vjeçar Benjamin Imeri, i cili ka 15 fitore në boksin profesional, është boksieri i parë shqiptar që ka fituar titullin WBA Junior Champion.
Pas fitores boksieri Benjamin Imeri ekskluzivisht për TV Koha tha se ndihet i lumtur por ka edhe shumë punë për të bërë.
‘’Ndihem i lumtur por por jo i plotësuar mund të them. Kam ende shumë punë për të bërë, më presin shumë punë. Tani me këtë fitore shpresoj të jemë në top 40 e botës . Tani duhet me shtuar edhe punën më shumë dhe të përgatitem , të hy në kampin stërvitore sa më shpejt dhe do vazhdoj prapë me stërvitje derisa të mbrujë numri një i Botës. Qëllimi është si të gjithë boksierët që jem kampion i Botës’’ deklaroi Benjamin Imeri
Benjamin Imeri deri më tani ka 15 luftëra, të gjitha fitore, prej të cilave 13 me nokaut, ndërsa për duelin e radhës do të vendosin menaxheri dhe promotori i tij. Ai tha se fitoren e 15 u dedikon Gostivarit
‘’Këtë fitore ia dedikoi Gostivarit që më ka përkrahur dhe i falënderoi shumë’’ tha ai
Në luftërat tjera të boksit profesional, Ervis Lala që jeton në Itali mundi Srgjan Nikoliq nga Bosnja me nokaut në raundin e tretë, meksikani Anthony El Moeti mundi spanjollin Christian Narvaez me nokaut në raundin e dytë dhe boksieri nga Shqipëria Aldjon Koladani me nokaut në raundin e parë mundi boshnjakun Milosh Vuletiq.
Lajme nga vendi
Stuhia po i afrohet Greqisë: Alarm i kuq për Halkidikin dhe Selanikun, paralajmërim për turistët
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik Grek (EMY) ka lëshuar alarm të kuq për shkak të përkeqësimit të menjëhershëm të kushteve atmosferike, të cilat do të prekin vendin në periudhën nga 23 deri më 25 korrik. Pas disa ditësh valë ekstreme të nxehtësisë, pritet stuhie e fortë e shoqëruar me shi të rrëmbyeshëm, bubullima, erë të fortë dhe shfaqje lokale të breshërit.
Sipas parashikimeve, situata më kritike do të jetë të premten, kur moti i paqëndrueshëm do të godasë Halkidikin dhe Selanikun – rajone ku në këtë periudhë qëndrojnë një numër i madh turistësh maqedonas. Meteorologët paralajmërojnë për reshje të bollshme dhe goditje të forta të erës, të cilat mund të shkaktojnë probleme në trafik, si dhe kushte të rrezikshme përgjatë bregdetit dhe në plazhe.
Shërbimet kompetente u bëjnë thirrje qytetarëve dhe turistëve të jenë veçanërisht të kujdesshëm. Nëse vëreni re të errëta, bubullima ose shenja stuhie, rekomandohet që menjëherë të largohemi nga plazhet dhe deti. Shoferët duhet të shmangin udhëtimet gjatë reshjeve më të forta për shkak të uljes së dukshmërisë dhe mundësisë së rrugëve të përmbytura.
Në të njëjtën kohë, këshillohet ndjekja e rregullt e parashikimeve zyrtare të motit dhe respektimi i udhëzimeve të autoriteteve lokale.
Edhe pse stuhia nuk do t’i prekë njëkohësisht të gjitha pjesët e Greqisë, rreziku më i madh pritet në pjesën veriore të vendit, prandaj rekomandohet kujdes i shtuar për të gjithë ata që udhëtojnë ose qëndrojnë në këtë rajon.
Lajme nga vendi
Sejdini u lirua pasiqë paraprakisht u ofrua garanca prej 1.1 milion eurosh
Gjykata Themelore Penale në Shkup ka hequr urdhrin e paraburgimit për ish-presidentin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muamed Sejdini, pasi një gjyqtar në një procedurë paraprake pranoi garancinë e ofruar me vlerë mbi 1,150,000 euro.
Siç njoftoi Gjykata, garancia përbëhet nga një hipotekë mbi pasurinë e paluajtshme. Njëkohësisht, për të siguruar praninë e tij në rrjedhën e mëtejshme të procedurës, Sejdinit i është urdhëruar të marrë një masë paraprake – konfiskim i dokumentit të udhëtimit, shkruan “sportmedia.mk”.
Sejdini u paraburgos me propozim të Prokurorisë Themelore Publike në Shkup, dhe më 24 prill të këtij viti, atij iu caktua paraburgim prej 30 ditësh për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë së ndikimit te dëshmitarët në hetim. Më vonë, masa u zgjat me vendim të Këshillit Penal.
Prokuroria dyshon Sejdinin për përvetësim prej më shumë se 700,000 eurosh në lidhje me ndërtimin e tribunës në stadiumin e Ohrit, si dhe për abuzime financiare me vlerë miliona dollarë në Federatën e Futbollit të Maqedonisë. (Open-TV)

