Lajme nga rajoni
Vuçiq kërcënon me devijimin e Ibrit: Fuqi apo pafuqishmëri?
Devijimi i lumit Ibër, të cilin e përmendi Aleksandar Vuçiq, ka hapur pyetje për realizueshmërinë, motivet politike dhe pasojat për Kosovën. Presioni ndaj komunitetit serb në Kosovë dhe masat e Prishtinës kanë shkaktuar pakënaqësi në Beograd, ndërsa si një nga përgjigjet e mundshme Aleksandar Vuçiq përmendi mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. Siç deklaroi ai, në një rast të tillë, “do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”.
Sistemi ujor Ibër-Lepenac ka rëndësi strategjike për furnizimin e Kosovës me ujë të pijshëm dhe për prodhimin e energjisë elektrike. Prandaj është e kuptueshme që kjo deklaratë kërcënuese shkaktoi shqetësim të konsiderueshëm në qarqet kosovare dhe ndërkombëtare.
Prishtina thekson se e drejta ndërkombëtare dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e burimeve ujore ndërkufitare ndalojnë shprehimisht përdorimin e ujit si armë ose si mjet për presion politik. Ibri është një rrjedhë ujore ndërkombëtare që buron në Mal të Zi, kalon nëpër Kosovë dhe më pas, përmes Serbisë qendrore, derdhet në Moravën Perëndimore. Në këtë mënyrë, një ndërhyrje e mundshme do të mund të kishte pasoja edhe për shtetet e tjera në pellgun e Danubit.
Ëndrrat epike të Aleksandar Vuçiqit
Ekspertët në Serbi paralajmërojnë se bëhet fjalë për një ndërmarrje epike që mund të zgjasë me dekada. Për realizimin e saj do të nevojiteshin mjete të mëdha financiare, ndërsa devijimi i rrjedhës natyrore të lumit përmes terreneve shkëmbore dhe malore të Maleve Dinarike do të kërkonte punime masive tokësore, ndërtimin e tuneleve dhe digave.
Një ndërhyrje e tillë mund të shkaktonte edhe pasoja serioze ekologjike në të gjithë rajonin e pellgut. Profesori i pensionuar i hidroteknikës dhe hidrologjisë, Jovan Despotoviq, tha për Fonет se deklaratat e presidentit serb për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit janë “si të ecësh në gjumë” dhe se bëhet fjalë për një projekt që është i pamundur të realizohet në një kohë të shkurtër pa shembur kodra dhe male, ndërsa një gjë e tillë nuk do të lejohej as sipas rregullave evropiane.
Ide të reja megalomane dhe fantazi të vjetra nacionaliste
Kur bëhet fjalë për presidentin e Serbisë, është e vështirë të thuhet se i mungojnë idetë megalomane. Prandaj është e vështirë të vlerësohet nëse bëhet fjalë për një paraqitje tipike të destinuar për opinionin e brendshëm, e cila shpejt do të harrohet, apo nëse vërtet po mendon seriozisht për një projekt të tillë.
Në çdo rast, Vuçiq njoftoi se ka iniciuar formimin e një grupi pune të përbërë nga inxhinierë dhe ekspertë të ndërtimit, i cili do të shqyrtonte mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. Sipas tij, Serbia ka të drejtë sovrane të ndërmarrë aktivitete të tilla në territorin e saj.
Ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit është shfaqur që në vitin 1985. Meqenëse në atë periudhë po punohej edhe në Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU), kjo nismë shpesh lidhet me kontekstin politik të asaj kohe, por në fund u braktis.
Kryetari i Bordit Drejtues të Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janiq, tha për DW se “nga Vuçiqi mund të pritet gjithçka, por nuk e prisja që të kthehej në periudhën 1983-1985, kur filluan edhe fantazitë e nacionalistëve serbë. Me ndryshimin e rrjedhës së Ibrit ata donin praktikisht të hiqnin dorë nga Kosova. Kjo tregon se nuk donin të merreshin me Kosovën, përveçse në nivelin e premtimeve dhe parullave se Kosova është zemra e Serbisë”.
Sipas Janiqit, kjo është edhe një përpjekje e Vuçiqit për t’u liruar nga përgjegjësia për politikat që ka ndjekur lidhur me Kosovën dhe, përmes krijimit të zhurmës politike, të sigurojë një alibi se “nuk mund të bëhej asgjë më shumë”.
Veçanërisht shqetësuese është, shton Janiqi, se nuk bëhet fjalë për një projekt racional.
“Ky nuk është një projekt që zgjidh ndonjë problem. Është një projekt i vogël ideologjiko-propagandistik, nëse mund të quhet fare kështu, qëllimi i të cilit është të krijojë edhe më shumë konfuzion dhe zhurmë në rajon, në mënyrë që njerëzit të mendojnë se pa ju nuk ka shpëtim dhe se po vjen katastrofa”, vlerëson Janiqi për DW.
Ndoshta nuk ishte e vështirë të parashikohej se do të pasonin paralajmërime se uji i Kosovës nuk u nevojitet vetëm shqiptarëve, por edhe komunitetit serb që jeton atje.
Janiqi kujton se “kërcënimi se do t’u bëhet dëm shqiptarëve është një histori boshe, sepse kanali Danub-Tisa-Danub u ndërtua për 20 vjet në një shtet shumë më të organizuar dhe më të pasur, ndërsa për Ibrin do të duheshin të paktën 50 vjet. Prandaj Vuçiqi vështirë se do të mund të shohë se si vuajnë shqiptarët, por dëm do të pësonin edhe të gjithë banorët e tjerë të Kosovës”.
Ai paralajmëron se tashmë është dëmtuar edhe imazhi i Serbisë dhe i udhëheqjes së saj.
“Kur dilni në publik me deklarata të tilla, secili do të pyesë veten nëse ky është partner me të cilin duhet bashkëpunuar”, thotë Janiqi.
Moisiu apo Sizifi?
Sa i përket ndikimit në pozitën e serbëve në Kosovë, ai vlerëson se ajo është karakterizuar nga monopoli i Listës Serbe.
“Pozita e komunitetit serb është çimentuar me një lloj korrupsioni social ndërmjet aktorëve politikë aktivë. Në atë komunitet praktikisht nuk ka sistem shumëpartiak, ndërsa për fat të keq edhe Bashkimi Evropian ndihmoi që kjo të mos ndryshojë. Demokracia dhe pluralizmi partiak thjesht nuk ishin temë e procesit të normalizimit”, konsideron Janiqi.
Në planin e brendshëm politik, Vuçiqi është përballur me kritika të shumta. Lideri i partisë Serbia Qendra (SRCE), Zdravko Ponoš, në mënyrë ironike vërejti se “derisa Vuçiqi po ushtron të bëhet Moisi, fillimisht do të duhej të përpiqej ta zgjidhte problemin me kanalizimin në Borça”.
Megjithatë, Dushan Janiqi mendon se një krahasim tjetër është shumë më i përshtatshëm.
“Mendoj se këto paraqitje vërtet kanë një dimension epik në kuadër të fushatës parazgjedhore, por më duket se këtu më shumë bëhet fjalë për mitin e Sizifit. Prandaj edhe e gjithë politika e jashtme tani është angazhuar për ta amortizuar atë që po ndodh në planin e brendshëm dhe për ta ndihmuar të ruajë pushtetin. Problemi i tij është se i mungon forca që guri të mos e shtypë”, përfundon Janiqi për DW./DW
Lajme nga rajoni
Miniq: Serbia ka rol destabilizues. Ajo harron se i ka nisur luftërat në ish-Jugosllavi
Ish-kryetarja e Lëvizjes Evropiane në Serbi dhe ekspertja për çështjet evropiane dhe marrëdhëniet rajonale, Jelica Miniq, deklaroi për RTK-në se pushteti në Beograd nuk ka ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme me shumicën e vendeve fqinje dhe vazhdon të ndjekë politikën e balancimit.
Ajo paralajmëron se dialogu Kosovë-Serbi është praktikisht i ngrirë, ndërsa pasojat e politikave të Beogradit dhe Prishtinës më së shumti i vuajnë serbët në Kosovë.
Duke folur për kritikat gjithnjë e më të shpeshta se Serbia, përmes veprimeve të saj, po kontribuon në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, Miniq vlerësoi se Beogradi ndikon negativisht në marrëdhëniet me fqinjët dhe ende nuk ka përcaktuar qartë drejtimin e tij të politikës së jashtme.
“Kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, si një rajon i qartë me të cilin veprohet si në Bashkimin Evropian ashtu edhe në NATO, Serbia objektivisht ka një rol destabilizues”, tha Miniq.
Sipas saj, mbështetja te partnerë të largët globalë nuk mund t’i sigurojë një vendi stabilitet të qëndrueshëm, pasi ai ndërtohet para së gjithash përmes marrëdhënieve të mira me fqinjët e drejtpërdrejtë.
“Fakti që një shtet është klient i një partneri të largët, përtej oqeanit, amerikan apo aziatik, nuk i siguron atij stabilitet të qëndrueshëm”.
Se Ballkani Perëndimor ende nuk është stabilizuar në mënyrë të qëndrueshme dhe se politika e pushtetit në Beograd kontribuon në tensionet rajonale, po paralajmërojnë gjithnjë e më shpesh edhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar. Së fundmi, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, deklaroi se regjimi i presidentit Aleksandar Vuçiq është burimi kryesor i jostabilitetit në Serbi dhe në rajon.
Miniq thotë se politika e Beogradit reflektohet veçanërisht në marrëdhëniet me Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi, por edhe në përkeqësimin e marrëdhënieve me Kroacinë.
Sipas vlerësimit të saj, Serbia dhe Kroacia kontribuojnë në tensionet politike në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa Beogradi në të njëjtën kohë përpiqet të ndikojë në zhvillimet politike në Mal të Zi, i cili po përparon në procesin e integrimit evropian.
Ajo konsideron se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kroacisë janë më të këqija sesa ishin para dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjetësh. Në vend të bashkëpunimit dhe zgjidhjes së çështjeve të hapura, ato janë të ngarkuara me akuza të ndërsjella dhe rikthim të vazhdueshëm te konfliktet e së kaluarës.
Miniq paralajmëron se një politikë e tillë nuk e rrezikon vetëm stabilitetin rajonal, por e vështirëson edhe pozitën e komuniteteve serbe në shtetet fqinje.
Lajme nga rajoni
Rikthehet fruthi në Kosovë, 25 raste të reja në vetëm një javë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se vetëm gjatë javës së fundit në Kosovë janë regjistruar 25 raste të reja me fruth.
Sipas të dhënave të institutit, nga 16 prilli deri më 17 gusht 2026, në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 137 raste me fruth. Në krahasim, gjatë periudhës 2021–2024 ishin regjistruar vetëm tri raste, të gjitha të importuara.
Numri më i lartë i rasteve është shënuar në Prishtinë, me 47 raste. Përballë rritjes së rasteve, IKSHPK ka intensifikuar aktivitetet e vaksinimit në komunat më të prekura. Deri tani janë vaksinuar 276 fëmijë që nuk e kishin marrë në kohë, sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit, vaksinën MMR.
Instituti u ka bërë thirrje qytetarëve që personat me simptoma të dyshimta për fruth, si temperaturë të lartë, skuqje të lëkurës, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqiten sa më shpejt në institucionet shëndetësore. Vaksinimi konsiderohet mënyra më efektive për parandalimin e sëmundjes.
Fruthi është një nga sëmundjet më ngjitëse dhe transmetohet përmes ajrit. Rikthimi i rasteve në Kosovë lidhet ngushtë me rënien e mbulueshmërisë me vaksinën MMR.
Sipas epidemiologes së IKSHPK-së, Edita Goranci, kur mbulueshmëria me vaksinën kundër fruthit ka qenë mbi 95%, situata epidemiologjike ka qenë e qetë. Rastet e reja janë shfaqur kryesisht në zonat ku ka fëmijë të pavaksinuar.
Goranci ka shpjeguar se doza e parë e vaksinës MMR ofron mbrojtje në rreth 93% të rasteve, ndërsa pas dozës së dytë mbrojtja arrin në rreth 97%. Ajo e ka cilësuar vaksinën si një nga vaksinat më të sigurta.
Fruthi është jashtëzakonisht ngjitës. Një fëmijë i infektuar mund të infektojë rreth 90% të personave të pavaksinuar me të cilët ka kontakt. Virusi përhapet përmes ajrit gjatë të folurit, kollitjes dhe teshtitjes dhe mund të qëndrojë deri në dy orë në ajër dhe në sipërfaqe.
Simptomat e para të sëmundjes përfshijnë temperaturën, ethet, rrjedhjen e hundëve, skuqjen e syve dhe dhimbjen e fytit, ndërsa më pas shfaqet edhe skuqja karakteristike në lëkurë.
Fruthi mund të shkaktojë komplikacione të rënda dhe, në raste të caktuara, mund të jetë vdekjeprurës. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjatë vitit 2024 më shumë se 95 mijë persona humbën jetën nga fruthi në mbarë botën, shumica prej tyre fëmijë nën moshën pesë vjeç.
Lajme nga rajoni
Vuçiq sërish me deklarata lufte, a pritet reagimi ndërkombëtar?
Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka vlerësuar se bota është në fillim të një lufe të madhe që mund të zgjerohet ndjeshëm. Ai e shprehu vlerësimin e tij në podcast-in “MD MEETS” të drejtorit të “Axel Springer”, Mathias Döpfner.
Vuçiq iu përgjigj pyetjes nëse bota është në buzë të një konflikti dukshëm më të madh apo “një lufe mes Evropës dhe autokratëve si Rusia”, njoftoi 4news.mk.
“Nëse më pyetni se çfarë mendoj personalisht, dhe nuk do të shpjegoj pse, mendoj se jemi në fillim të një lufe më të madhe. Prandaj shpresoja se dikush tjetër deri më tani do të bënte diçka për të vendosur paqen. Kjo nuk ka ndodhur, e as që do të ndodhë së shpejti. Kjo do të thotë se jemi në buzë të një lufe shumë, shumë më të madhe. Urrej ta mehem këtë,” tha Vuçiq.
Ai vlerësoi se në të ardhmen shtetet do të synojnë drejt një pavarësie më të madhe dhe uljes së varësisë nga faktorët e jashtëm. Vuçiq përmendi SHBA-në dhe Kinën si aktorë kyç, ndërsa Bashkimin Evropian si një shtyllë potenciale të tretë.
“Nga njëra anë keni dy fuqi të mëdha, SHBA-në dhe Kinën. Ekziston edhe një shtyllë e tretë, e cila është ose të paktën duhet të jetë BE-ja. Nuk jam i sigurt nëse Evropa do të arrijë të imponohet si shtyllë e tretë, megjithëse shpresoj se do t’ia dalë. Si faktor i katërt janë Rusia, India dhe fuqi të tjera gjigante kontinentale apo rajonale,” tha ai.
Vuçiq gjithashtu komentoi edhe formimin e aleancave të reja. Ai beson se aleanca mes Turqisë, Pakistanit dhe Arabisë Saudite do të krijojë një “darje dhe atmosferë krejtësisht ndryshe në të gjithë botën”.
Bashkësia ndërkombëtare duhet të prononcohet për deklarimet e tilla të luftës që nxisin paqëndrueshmëri dhe tensione në rajon. (INA)
-
Lajme nga vendi3 weeks agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga vendi2 months agoZv/kryeministri Bekim Sali: Suedia mbetet mbështetëse e fuqishme e perspektivës sonë evropiane
-
Lajme nga vendi1 month agoKronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 08 Korrik

