Lajme nga vendi
Shasivari: Nga Shkupi në botë: Gonxhe Bojaxhiu dhe mesazhi se humanizmi nuk njeh kufij
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, në 116-vjetorin e lindjes së Gonxhe Bojaxhiut, kujton figurën e saj dhe vlerat universale që ajo përfaqëson.
Kujtimi i Gonxhe Bojaxhiut, sipas Shasivarit, është një mundësi për të rikujtuar se humanizmi, dinjiteti dhe solidariteti janë vlera universale që i bashkojnë njerëzit përtej çdo kufiri.

Lajme nga vendi
BDI: Gjuha e Stojançe Angellovit shkel mbi plagët e vitit 2001 dhe flet për një mendësi të rrezikshme
BDI në një postim në Facebook, thanë se: Deklarata e Stojançe Angellovit se “në vitin 2001 e sulmonim me tanke, ndërsa sot e mbrojmë me avionë”, duke iu referuar Nikushtakut dhe komunës së Likovës, është e papranueshme.
Reagimi i plotë:
Deklarata e Stojançe Angellovit se “në vitin 2001 e sulmonim me tanke, ndërsa sot e mbrojmë me avionë”, duke iu referuar Nikushtakut dhe komunës së Likovës, është e papranueshme. Në vitin 2001, tanket nuk sulmonin vetëm fshatra, sulmonin vendbanime dhe qytetarë të këtij shteti. Pas 25 vitesh, të flasësh për ato ngjarje me këtë gjuhë do të thotë të shkelësh mbi plagët që ende mbajnë familje dhe qytetarë të këtij vendi.
Kjo është gjuhë që nxit urrejtje dhe ndarje, por mbi të gjitha flet shumë për mendësinë e Stojançe Angellovit dhe të gjithë “Stojançeve” të tjerë që, edhe një çerek shekulli më vonë, vazhdojnë ta shohin Marrëveshjen Paqësore të Ohrit jo si themelin e paqes dhe të bashkëjetesës, por si kërcënim.
Pikërisht kjo mendësi e solli luftën e vitit 2001 dhe pikërisht këtë mendësi e mposhti Marrëveshja e Ohrit. Ajo i dha fund logjikës së tankeve dhe vendosi një rend të ri, ku shteti duhet t’i mbrojë të gjithë qytetarët e vet, pa dallim etnie, gjuhe apo vendbanimi, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sot është mirë që shteti e mbron Nikushtakun nga zjarret. Por do të ishte edhe më mirë që, 25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, të gjithë ta kuptonin se Nikushtaku, Likova, Tetova, Shkupi dhe çdo vendbanim tjetër janë njësoj pjesë e këtij shteti dhe qytetarët e tyre meritojnë mbrojtje, respekt dhe dinjitet të barabartë.
Ajo që duhet të shuhet njëherë e përgjithmonë nuk është vetëm zjarri në male, por edhe gjuha e urrejtjes dhe mendësia që ende i ndan qytetarët në “ne” dhe “ata”.
Marrëveshja e Ohrit nuk është kërcënim për Maqedoninë e Veriut. Ajo është garancia që tanket e së kaluarës të mos kthehen kurrë më mes qytetarëve të saj.
Lajme nga vendi
Trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme
Trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme.
Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është rritur. Nuk ka vonesa më të gjata në pikat kufitare në anën maqedonase për hyrje dhe dalje nga vendi.
KUJDES: AMSM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Delçevë.
Lajme nga vendi
Vazhdon gjykimi për rastin “Onkologjia” – tre mjekë përballë drejtësisë
Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot vazhdon gjykimi për rastin “Onkologjia”, ku ish-drejtori i Klinikës për Radioterapi dhe Onkologji, Nino Vasev, si dhe onkologët Simonida Cërvenkova dhe Dragan Jakimovski, akuzohen për trajtim të pakujdesshëm të pacientëve.
Seancën e drejton gjykatësja Snezhana Markovska, ndërsa aktakuzën e përfaqëson prokurorja publike Marija Gjorgjeva nga Prokuroria Themelore Publike – Shkup.
Në seancën e kaluar, me propozim të mbrojtjes, u dëgjua eksperti Vladimir Danillovski. Ai sqaroi se ekspertiza e tij nuk kishte të bënte me përzgjedhjen e terapisë onkologjike, por me përcaktimin e pasojave të mundshme nga trajtimi i aplikuar.
Sipas tij, duhej të përcaktohej nëse ekzistonte dëm konkret i provuar, nëse terapia kishte çuar në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore, nëse kishte përshpejtuar përfundimin fatal dhe nëse ekzistonte lidhje e drejtpërdrejtë shkak-pasojë ndërmjet vendimit konkret të mjekut dhe pasojës së shkaktuar.
Eksperti theksoi se në raste të tilla nuk mjafton vetëm konstatimi i devijimit nga udhëzimet për dozimin ose përdorimin e barnave. Duhet të dëshmohet edhe lidhja shkakësore ndërmjet veprimit të mjekut dhe pasojës së shkaktuar te pacienti.
Vasev, Cërvenkova dhe Jakimovski akuzohen për vepra të rënda të vazhdueshme kundër shëndetit të njerëzve dhe trajtim të pakujdesshëm. Sipas aktakuzës, te gjithsej 47 pacientë janë aplikuar terapi të papërshtatshme, me devijime në dozimin e barnave dhe pa vlerësim adekuat të gjendjes së tyre shëndetësore.
Procedura fillimisht përfshinte edhe onkologen Meri Peshevska, e cila pranoi fajësinë dhe u dënua me dy vjet burg me kusht.

