Connect with us

Lajme nga vendi

Ish-zyrtari maqedonas me deklaratë të fortë: Vdekja e presidentit Trajkovski ishte atentat, jo aksident

Published

on

Ish-ministri i mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Trajan Gocevski ka nxjerrë një pretendim të fortë se vdekja e presidentit Boris Trajkovski në aksidentin ajror të vitit 2004 nuk ishte një ngjarje fatkeqe, por një atentat i mirëfilltë.

„Boris Trajkovskit i bënë atentat“, deklaroi Gocevski gjatë një interviste për 4TV, duke theksuar se, sipas tij, rasti duhet të rihapet dhe të shqyrtohet sërish në kontekstin e krizave politike dhe të sigurisë që kaloi Maqedonia në vitet 1999 dhe 2001.

Ai vlerëson se ekzistojnë rrethana të shumta të cilat ngrenë dyshime për një lidhje të mundshme mes rrëzimit të avionit dhe ngjarjeve të asaj periudhe.

Gocevski u ndal edhe te çështjet që lidhen me hetimin e rrëzimit të avionit me të cilin udhëtonte Trajkovski. Sipas tij, në hetim u angazhuan navigatorë dhe oficerë të huaj, por roli i tyre i mëtejshëm, siç pretendon ai, nuk u sqarua kurrë mjaftueshëm.

„Ka shumë gjëra që mbetën pezull dhe ne si shtet nuk arritëm të imponoheshim për t’i zbardhur — gjë që është e rëndësishme si për familjet e tyre, ashtu edhe për ne si shtet“, deklaroi Gocevski.

Advertisement

Ai vlerësoi se në Maqedoni ka edhe raste të tjera të personave të humbur dhe ngjarjeve të pazbardhura që nuk kanë marrë vëmendjen e duhur institucionale.

Pretendimi se aksidenti ajror ku humbi jetën Boris Trajkovski ishte atentat mbetet një qëndrim personal i Gocevskit, ndërsa në deklaratën e tij nuk janë paraqitur prova me të cilat kjo do të konfirmohej.(INA)

Lajme nga vendi

Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 13 Shtator

Published

on

Dje në ora 17:00 në fshatin Jegunocë të Tetovës, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Jegunocë kanë privuar nga liria një 49 dhe një 48 vjeçar, një të mitur 15-vjeçar nga fshati Siriçinë i Tetovës dhe dy 15-vjeçar nga fshati Jegunocë, pasi kanë prishur rendin dhe qetësinë publike me një përleshje fizike mes vete. Po merren masa për zbardhjen e plotë të rastit.

……Dje në ora 19:10, zyrtarë policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria një 52-vjeçar nga Gostivari, duke vepruar sipas denoncimit paraprak nga një 24-vjeçar nga Gostivari se rreth orës 18:50 në vendin e saj të punës në një objekt hotelerik, ai është sjellë në mënyrë agresive dhe e ka sulmuar fizikisht. Gjatë alkooltestit të kryer, tek ai është konstatuar prani e alkoolit në gjak prej 0,98 promilësh, pas çka është ndaluar në stacionin policor. Pas dokumentimit të rastit, ndaj tij do të vijojë parashtresë përkatëse.

……Dje në ora 22:10 në fshatin Palçisht i Poshtëm të Tetovës, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Kamjan kanë privuar nga liria një 19-vjeçar nga po i njëjti fshat. Gjatë një kontrolli në trafik, zyrtarët policorë kanë ndaluar një automjet pasagjerësh “Volksvagen Golf” me targa të Tetovës, të cilin ai e drejtonte, dhe pas masave të ndërmarra është konstatuar se e drejtonte automjetin pa pasur leje drejtimi (patente shoferi). Automjeti është konfiskuar dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresë përkatëse.

……Pas mesnate në ora 01:30 në SPB Tetovë, një 35-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se më 13.09.2026 rreth orës 21:18 në rrugën “Shtipska” është sulmuar fizikisht nga katër persona, me ç’rast njëri prej tyre ka përdorur një send prej druri dhe i ka dëmtuar automjetin e tij. Po merren masa për zbardhjen e rastit.

……Dje në ora 17:40 në SPB Tetovë, një 19-vjeçar nga fshati Poroj i Tetovës, ka denoncuar se më 10.09.2026 rreth orës 18:30 në shtëpinë familjare, është sulmuar fizikisht nga i afërmi i tij. Po merren masa për zbardhjen e rastit.

Advertisement

……Pas mesnate në ora 02:20 në SPB Tetovë, një 22-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 00:20 në rrugën “Bllagoja Toska” është zënë në pritë nga pesë persona, prej të cilëve njëri e ka sulmuar fizikisht, pas çka i janë marrë para. Po merren masa për gjetjen e kryerësve dhe për zbardhjen e rastit.

……Dje në ora 10:00 në SPB Tetovë, një 44-vjeçar nga fshati Gllogjë i Tetovës, ka denoncuar se afër stadiumit në fshatin Gllogjë i është shkaktuar zjarr një makine pune (ekskavator) i parkuar, pronë e bashkësisë lokale. Nga zjarri është kapur brendësia, përkatësisht kabina e makines së punës dhe instalimi në kabinë. Zjarri është lokalizuar nga denoncuesi dhe persona të tjerë. Nuk ka persona të lënduar, ndërsa këqyrjen e vendit të ngjarjes e ka kryer ekipi i SPB Tetovë.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Kërkohet të bëhen analiza urgjente të ujit, ngordhin peshqi në Lumin Treska

Published

on

Në lumin Treska në rajonin e Kërçovës janë regjistruar ngordhje peshqish, njoftoi mbrëmë Shoqata e Peshkimit Sportiv “Hunter Fish”, duke kërkuar një reagim të menjëhershëm nga institucionet kompetente.

Nga Shoqata thonë se shkaku i ngordhjeve ende nuk është përcaktuar dhe kërkon që menjëherë të merren mostra të ujit dhe peshqve të ngordhur dhe të kryhen analiza laboratorike.

Sipas tyre, është e nevojshme të hetohen të gjitha shkaqet e mundshme, përfshirë ndotjen e mundshme ose ndërhyrje të tjera që mund të rrezikojnë botën e gjallë në lumë.

“Çdo ndotje, helmim ose ndërhyrje tjetër që kërcënon jetën në lumë duhet të hetohet plotësisht dhe të përcaktohet shkaku dhe përgjegjësia”, thonë nga “Hunter Fish”.

Shoqata u kërkon institucioneve kompetente të marrin masa për të mbrojtur Treskën në mënyrë që të parandalohen raste të ngjashme në të ardhmen. përcjell Zhurnal.mk .

Advertisement
Continue Reading

Lajme nga vendi

“Republika e Re” shënon njëvjetorin, promovon projektligjin për konfiskimin e pasurisë kriminale

Published

on

Partia “Republika e Re” shënoi njëvjetorin e themelimit, ndërsa kryetari i saj, Ivon Veliçkovski, prezantoi draftin e parë të Ligjit për konfiskimin e zgjeruar të pasurisë së fituar në mënyrë kriminale, shkruan gazeta KOHA.

Në fjalimin e tij, Veliçkovski tha se misioni i partisë është ndërtimi i një kombi të bashkuar dhe të suksesshëm, si dhe i një shteti të sigurt e të zhvilluar, të integruar në Bashkimin Evropian dhe aleat konsekuent i NATO-s.

Ai theksoi se partia angazhohet për sundimin e ligjit, veting në gjyqësor, parti politike, shërbime të sigurisë, diplomaci, media dhe administratë, si dhe për hapjen e arkivave të shërbimeve sekrete jugosllave.

Ndër prioritetet e përmendura janë zgjerimi i masave kufizuese të vendosura nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Kanadaja dhe vendet evropiane, si dhe rregullimi ligjor i tregut të kriptovalutave.

Sipas Veliçkovskit, partitë parlamentare dhe oligarkia e vendit kundërshtojnë ndryshimet, pasi synojnë ta ruajnë status quo-në dhe privilegjet e një numri të vogël familjesh.

Advertisement

Ai propozoi investimin e Maqedonisë së Veriut në reaktorët bërthamorë në Bullgari, me qëllim sigurimin e energjisë elektrike më të lirë për bizneset dhe familjet.
Kreu i “Republikës së Re” kërkoi zbatim konsekuent të Marrëveshjes së Prespës dhe Kornizës Negociuese, në mënyrë që vendi të përfshihet në valën e zgjerimit të BE-së së bashku me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Moldavinë.

Veliçkovski paralajmëroi se, nëse opozita parlamentare nuk i propozon ndryshimet kushtetuese brenda tre muajve, partia e tij do të nisë gjatë vitit 2027 mbledhjen e 150 mijë nënshkrimeve për inicimin e këtij procesi.

Ai u angazhua gjithashtu për rizgjedhje të njëhershme të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Kuvend, duke vlerësuar se lufta kundër korrupsionit kërkon institucione të drejtësisë me integritet.

Në fushën e infrastrukturës, Veliçkovski kërkoi përqendrim te lidhjet rrugore dhe hekurudhore përgjatë Korridorit 8, si dhe rehabilitimin e hekurudhës në Korridorin 10.

Ai propozoi edhe zvogëlimin e administratës shtetërore dhe publike, duke theksuar se në epokën e digjitalizimit nuk ka vend për administratë të mbingarkuar.
Në përfundim, Veliçkovski bëri thirrje për bashkimin e partive, qytetarëve, listave të pavarura dhe platformave me orientim qytetar, sipërmarrës, evropian dhe euroatlantik, nën moton: “Liri, rend dhe prosperitet”.

Advertisement
Continue Reading

Më të lexuarat