Lajme nga vendi
MALI SHARR: 30 MIJË FIDANË TË RINJ, PYLLËZOHEN 12 HEKTARË!
Institucioni Publik Parku Kombëtar „Mali Sharr“ nënshkroi marrëveshje donacioni me Shoqërinë për agrikulturë Pure Promise SHPK Tetovë, me të cilën do të pyllëzohen 12 hektarë në lokacione të ndryshme brenda parkut. Do të mbillen 30.000 fidanë nga lloje autoktone pyjore, ndër të cilët: bredh, pishë e bardhë, ah dhe panjë. Pyllëzimi do të realizohet gjatë periudhës së qetësisë së vegjetacionit – nga vjeshta deri në pranverë.
Bashkëpunimi ndërmjet Parkut Kombëtar “Mali Sharr” dhe Shoqata për Agrikulturë PURE PROMISE vazhdon me një aktivitet të ri dhe të rëndësishëm për rigjenerimin e ekosistemeve pyjore të Malit Sharr.
Është nënshkruar një marrëveshje e re donacioni, e cila parasheh pyllëzimin e 12 hektarëve me gjithsej 30.000 fidanë, përkatësisht 2.500 fidanë për hektar.
EVZAL ELMAZI – Drejtor i Parkut Kombëtar “Mali Sharr”
Veçanërisht e rëndësishme është se bashkëpunimi nuk përfundon me mbjelljen. Është paraparë edhe mirëmbajtja dyvjeçare e sipërfaqeve të pyllëzuara, me qëllim që të sigurohet pranimi sa më i mirë i fidanëve, zhvillimi i tyre dhe suksesi afatgjatë i pyllëzimit.
Parku Kombëtar “Mali Sharr” ka falënderuar PURE PROMISE për vazhdimin e mbështetjes dhe për investimin.
SASKIA BONTJE – Pure Promise – Holandë
“Ne punojmë për një të ardhme më të gjelbër. Ideja është shumë e thjeshtë. Do ta bëjmë skip pastrimin rutinor të dhomës, dhe me paratë që do të kursejmë do të mbjellim drunjë këtu, në malin e bukur Sharr, në Maqedoni të Veriut . Ne kemi punuar në këtë projekt për 3 vjet dhe tani më kemi mbjellur 30 hektar të vegjetacioneve të reja dhe kjo është diçka për të cilën ne jemi shumë shumë krenar. Çka e bën këtë projekt me të vërtetë speical, është partnershipi unik i zinxhirit të hotelit, dhe parkut nacional, ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë, dhe shpresojmë që ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe shumë vite në të ardhmen. Një njeri shumë i rëndësishëm në këtë projekt është Leonora, ajo i ka rrënjët këtu në Maqedoni ndërsa jeton në Hollandë”
LEONORA EMËRLLAHU – Pure Promise – Tetovë
Aktivitetet janë pjesë e sanimit të sipërfaqeve që kanë pësuar dëmtime nga ndikimet biotike dhe abiotike, në përputhje me dokumentacionin planor të Parkut Kombëtar, përmes rigjenerimit të pyjeve me lloje autoktone drurësh.
Për sipërfaqet e mbjella Parku “Mali Sharr” do të kujdeset gjatë viteve në vijim, me ndjekje të rregullt dhe mbushje të vendeve ku fidanët nuk janë pranuar.
Ripërtëritja e pyjeve nuk nënkupton vetëm mbjelljen e pemëve. Ajo është një proces afatgjatë i rigjenerimit të habitateve, përmirësimit të gjendjes së ekosistemeve pyjore dhe rritjes së qëndrueshmërisë së tyre, thonë nga Parku Kombëtar “Mali Sharr”./Tv Koha/
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 09 Nëntor
Dje në ora 11:45 në SPB Tetovë është raportuar se në bulevardin “Ilinden” në Tetovë, një trotinet elektrik (monopatinë elektrike) ka goditur një 17-vjeçare nga Kosova dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Në aksident, e mitura ka pësuar lëndime të rënda trupore, të cilat janë konfirmuar në Qendrën Urgjente të Tetovës. Është kryer inspektim nga ekipi hetimor i SPB Tetovë dhe po merren masa për gjetjen e personit dhe zbardhjen e plotë të rastit.
……Dje në ora 14:00 në Tetovë, punonjësit e policisë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 40-vjeçar nga një fshat i Tetovës, duke vepruar sipas një denoncimi paraprak se gjatë muajit të fundit e ka përgjuar vazhdimisht dhe e ka ngacmuar ish-partneren e tij 40-vjeçare nga një fshat i Tetovës. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të bëhet kallëzim përkatës.
…….Dje në ora 18:10, punonjësit e policisë nga Stacioni Policor Grupçin kanë privuar nga liria një 51-vjeçar nga f. Trebosh. Sipas denoncimit, rreth orës 09:00, gjatë pushimit të madh, ai ka hyrë në ambientet e shkollës fillore në fshatin Trebosh, ka sulmuar fizikisht dy nxënës të mitur dhe u ka drejtuar kërcënime verbale. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të pasojë kallëzimi përkatës.
……Dje në ora 10:30 në Stacionin Policor Jegunovcë, një 43-vjeçar nga f. Prelubisht ka denoncuar se rreth orës 07:15 në një furgon për transportin e nxënësve të shkollës fillore në f. Shemshovë, një i mitur tjetër nga f. Kopanicë i ka kërkuar para djalit të tij të mitur dhe e ka sulmuar fizikisht. Po merren masa për zbardhjen e ngjarjes.
……Dje në ora 21:30 në rrugën “107” në Tetovë, punonjësit e policisë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 27 dhe një 19-vjeçar, të dy nga Tetova, sepse gjatë një kontrolli tek ata është gjetur dhe konfiskuar marihuanë. Ndërkohë, gjatë ndërmarrjes së veprimeve zyrtare, njëri ka sulmuar fizikisht punonjësit e policisë. Të dy janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tyre do të ngrihen kallëzimet përkatëse.
……Dje në ora 23:00 në f. Bërvenicë, punonjësit e policisë nga SPB Tetovë i kanë marrë një 38-vjeçari nga f. Radiovcë një automjet pasagjerësh “Volksvagen Golf”, një rimorkio të ngarkuar me dru zjarri pa dokumente dhe dy sharrë motorike. Personi është privuar nga liria, kurse sendet i janë dorëzuar Stacionit Policor Zherovjan për procedurë të mëtejshme.
……Më 5 Nëntor, në SPB Tetovë, një 74-vjeçar nga një fshat i Tetovës ka denoncuar se është mashtruar nga një person nga f. Dobrosht. Sipas denoncimit, gjatë muajit shkurt 2026, personi i ka ofruar ndërmjetësim për të realizuar të drejtën e kompensimit monetar për ndihmë dhe kujdes nga një person tjetër përmes Qendrës për Punë Sociale Tetovë, me ç’rast për shërbimin i ka marrë 400 euro. Meqenëse i dëmtuari prej muajsh nuk ka marrë asnjë përgjigje, e as i janë kthyer mjetet, ai e ka kuptuar se është mashtruar. Po merren masa për zbardhjen e plotë të rastit.
……Dje në ora 15:20 në DPB Gostivar, një punonjëse e Prokurorisë Themelore Publike Gostivar ka denoncuar se në dy raste, në orën 09:00 dhe në orën 14:00, në vendin e saj të punës kishte shkuar një person nga Gostivari dhe gjatë dorëzimit të dokumenteve është sjellë në mënyrë agresive ndaj saj dhe ka drejtuar fyerje ndaj saj dhe institucioneve shtetërore. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
……Dje në ora 23:00 në Stacionin Policor Gallatë, një 28-vjeçare nga f. Gradec ka denoncuar se rreth orës 17:25 në oborrin e shkollës fillore në f. Gradec, pas një fjalosjeje dhe përleshjeje fizike paraprake midis djalit të saj të mitur dhe një të mituri tjetër, gjyshi i të miturit të dytë, nga i njëjti fshat, ka sulmuar fizikisht djalin e saj. Po merren masa për zbardhjen e rastit
Lajme nga vendi
Kasami priti çiftin që vullnetarisht çdo ditë pastrojnë Banjën e Tetovës: Ziber dhe Fatime Memeti, shembull qytetarie!
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka pritur sot në zyrën e tij Ziber dhe Fatime Memetin, dy pensionistët që prej më shumë se një muaji kujdesen vullnetarisht për pastërtinë e Banjës së Tetovës.
Pavarësisht moshës, çifti zgjohet herët çdo mëngjes dhe mbledh mbeturinat që vizitorët lënë pas në këtë hapësirë. Nisma e tyre është mirëpritur si dëshmi e dashurisë për natyrën dhe e përgjegjësisë ndaj komunitetit, por edhe si mesazh se një mjedis më i pastër nuk arrihet vetëm me ankesa, por me punë konkrete.
Pas takimit, Kasami i cilësoi dy pensionistët si qytetarë të ndershëm dhe të kujdesshëm për mjedisin, duke theksuar se ata tregojnë që ambienti ruhet vetëm kur kujdesemi të gjithë së bashku.
“Shembullin e Ziberit dhe shoqes së tij, si dhe të gjithë qytetarëve të tjerë që kujdesen për hapësirat tona publike, duhet ta ndjekim të gjithë”, u shpreh kreu i Tetovës./TV21
Lajme nga vendi
Nga 15 nëntori obligohet pajisja dimërore në automjete, gjobë prej 45 eurosh për shoferët që nuk e respektojnë ligjin
Nga 15 nëntori 2026 deri më 15 mars 2027, në Maqedoninë e Veriut hyn në fuqi detyrimi ligjor për posedimin e pajisjeve dimërore në automjete.
Shoferët që nuk e respektojnë këtë obligim rrezikojnë gjobë prej 45 eurosh në kundërvlerë denari.
Për automjetet e udhëtarëve me masë maksimale të lejuar deri në 3.500 kilogramë, ligji parasheh dy mundësi për përmbushjen e këtij detyrimi:
Goma dimërore në të katër rrotat, me thellësi minimale të profilit prej 4 milimetrash.
Goma verore me profil minimal prej 4 milimetrash, por me kusht që automjeti të ketë zinxhirë bore të përshtatshëm për rrotat lëvizëse.
Pra, përdorimi i gomave dimërore nuk është kushti i vetëm ligjor, pasi lejohet edhe përdorimi i gomave verore, nëse plotësohet kushti për zinxhirët e borës.
Autoritetet rikujtojnë se pajisjet dimërore nuk janë të rëndësishme vetëm për të shmangur gjobat, por mbi të gjitha për sigurinë në komunikacion, veçanërisht gjatë temperaturave të ulëta, reshjeve të shiut dhe borës.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

