Lajme nga vendi
Shasivari hap procesin ligjvënës ndaj publikut – Kodi i Ri Penal dhe Ligji për Procedurën Penale publikohen në ENER
Transparencë, llogaridhënie dhe përfshirje e ekspertizës publike në reformën e drejtësisë. Ministri Shasivari hap dy projektligjet më të rëndësishme penale për debat dhe konsultim publik.
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, po e vendos transparencën dhe konsultimin publik në qendër të reformës së legjislacionit penal.
Projekt Kodi i ri Penal dhe Projektligji i ri për Procedurën Penale janë publikuar në platformën elektronike ENER, duke u hapur rrugë ekspertëve juridikë, institucioneve, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve që të japin mendimet, komentet dhe propozimet e tyre.
Me këtë hap, Ministria e Drejtësisë nën drejtimin e Shasivarit dëshmon se reformat e mëdha nuk duhet të hartohen pas dyerve të mbyllura, por përmes transparencës, debatit profesional dhe pjesëmarrjes së publikut.
Ministri Shasivari u ka bërë thirrje gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, profesorëve universitarë dhe të gjithë qytetarëve të interesuar që t’i shqyrtojnë projekttekstet dhe të kontribuojnë në përmirësimin e tyre.
Në kuadër të këtij procesi, Ministria do të organizojë edhe debate publike profesionale, ndërsa të dy projektligjet tashmë i janë dorëzuar Komisionit Evropian për mendim.
Kjo qasje synon të sigurojë që legjislacioni i ri penal të ndërtohet mbi bazën e ekspertizës vendore, standardeve evropiane dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.
Mesazhi i ministrit Shasivari është i qartë: drejtësia nuk ndërtohet me vendime të mbyllura, por me transparencë, përgjegjësi dhe dialog. Publiku nuk është vetëm vëzhgues i reformës, por pjesë e saj.(INA)
Lajme nga vendi
ADIL ADEMI NË KRYE TË POLICISË SË GOSTIVARIT, MERR MBËSHTETJE UNANIME NGA KËSHILLTARËT
Adil Ademi është zgjedhur komandant i Stacionit Policor në Gostivar, me mbështetjen unanime të Këshillit Komunal. Vendimi është marrë në seancën e sotme, ku para këshilltarëve ishte paraqitur lista me tre kandidatë për këtë pozitë.
Ademi ishte emëruar në këtë detyrë nga Ministria e Punëve të Brendshme më 28 maj 2025, ndërsa me votimin e sotëm merr edhe mbështetjen zyrtare të Këshillit Komunal, në përputhje me procedurën e paraparë në Ligjin për Policinë.
Sipas nenit 24 të këtij ligji, zgjedhja e komandantit të stacionit policor bëhet nga Këshilli Komunal, i cili përzgjedh një nga kandidatët e propozuar nga ministri i Punëve të Brendshme.
Me këtë vendim, Adil Ademi vazhdon drejtimin e Stacionit Policor në Gostivar, tashmë me përkrahjen edhe të përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve në Këshillin Komunal.
Komandanti i policisë kujdeset për sigurinë e qytetarëve, andaj me rëndësi të madhe është të zgjidhet një profesionist i dëshmuar i cili do të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë.
Lajme nga vendi
ALBI QAMILI: VITI 2027 I GJENË STUDENTËT ME TRANSPORT PUBLIK FALAS!
Premtimi ynë po bëhet realitet. Sot bëmë një hap konkret: përcaktuam detajet teknike që transporti falas për studentët të hyjë në funksion.
Kështu ka shkruar në Facebook, Zv/Kryetari i Tetovës, Albi Qamili, teksa ka njoftuar se bashkë me drejtorin operativ të NP “Tetova Transport”, Arbër Ajdini, dhe drejtorin e “Te Klik”, Endrit Hasani, janë ulur në tryezë, siç thotë, me ata që i njohin më mirë nevojat e studentëve: kryetarin e Parlamentit Studentor të Universitetit të Tetovës, Gent Kurtishi, përfaqësuesin e Rektoratit të UT, Ibrahim Neziri; sekretarin e Unionit Studentor të UEJL, Blin Memeti; dhe anëtarin e Unionit, Egzon Ziberi.
Sot gjatë një deklarate për Tv Koha, Zv/Kryetari, Albi Qamili, u zotua se viti 2027 do t`i gjejë studentët me transport publik falas.
Me këtë hap, Komuna e Tetovës synon të lehtësojë shpenzimet e studentëve dhe të nxisë përdorimin e transportit publik. Sipas paralajmërimit të zëvendëskryetarit Albi Qamili, viti 2027 pritet t’i gjejë studentët me transport publik falas, ndërsa mbetet të përcaktohen detajet për zbatimin e kësaj mase.
Lajme nga vendi
DITA E ALFABETIT: KRYEMINISTRI RAMA ZBARKON NË MANASTIR?!
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pritet të qëndrojë në Shkup më 22 nëntor, me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, ndërsa gjatë vizitës parashikohet të zhvillojë takime me liderët e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, raporton KDP duke u thirrur në burime të besueshme partiake.
Vizita e kryeministrit shqiptar përkon me 118-vjetorin e Kongresit të Manastirit, ngjarjes historike të vitit 1908 që vendosi themelet e alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe.
Kjo do të jetë hera e parë që Kryeministri Shqiptar Edi Rama do të vizitojë Qytetin e Alfabetit Shqip – Manastirin.
Por, këtë datë, Edi Rama e ka përkujtuar gjithmonë përmes rrjeve sociale, kurse në Samitin e Diasporës në Tiranë, propozoi që 22 Nëntori të jetë festë kombëtare edhe në Shqipëri.
Vitin e kaluar, historia e lindjes së alfabetit shqip dhe Kongresi i Manastirit ishin sjellë në një video të realizuar përmes AI dhe të postuar në Facebook nga kryeministri Edi Rama. Në të tregohet rëndësia e alfabetit në formësimin e gjuhës dhe identitetit shqiptar dhe njerëzit që e krijuan atë.
Përveç karakterit përkujtimor, vizita e Kryeministrit Rama në Manastir, pritet të ketë edhe dimension politik, për shkak të takimeve të paralajmëruara me përfaqësuesit e partive shqiptare.
Ardhja e Ramës vjen në një periudhë debatesh politike për përdorimin e gjuhës shqipe, pozitën institucionale të shqiptarëve dhe marrëdhëniet ndërmjet subjekteve politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Megjithatë, ende nuk është bërë e ditur nëse këto çështje do të jenë pjesë e diskutimeve të Ramës me liderët shqiptarë.
Më 22 nëntor shënohet përvjetori i përfundimit të Kongresit të Manastirit, i cili u mbajt nga 14 deri më 22 nëntor 1908 dhe bashkoi përfaqësues të trevave të ndryshme shqiptare për të njësuar alfabetin e gjuhës shqipe.
Kongresi konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e arsimit, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar.
Në Maqedoninë e Veriut, Dita e Alfabetit është festë zyrtare për pjesëtarët e komunitetit shqiptar./Tv Koha/
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13
-
Lajme nga vendi2 months agoSot protestohet në Shkup për katërshen e UÇK-së

