Lajme nga vendi
Metodë e re e vlerësimit të nxënësve
Përmes këtyre risive, nxënësit e ardhshëm nga klasa e dytë do të duhet të mësojnë se si të merren dhe si të njohin emocionet, ndërsa për lëndën Shoqëria do të duhet të identifikojnë identitetet, sipas konceptit të ri për arsimin fillor
Zenel MIFTARI
Nga ky vit shkollor do të kemi metodologji të re të vlerësimit të nxënëseve dhe risia tjetër do të jetë bashkimi i lëndëve të Historisë dhe Shoqërisë në një lëndë ku do të kombinohen, ndërsa nxënësit e klasës së dytë do të mësojnë edhe për identitetin gjinor, etnik dhe kombëtar. Sipas metodës së re mësuesi do të monitoroj dhe vlerësoj aktivitetin e nxënëseve përbrenda të gjithë vitit shkollor. Në vlerësimin dhe vendosjen e notës përfundimtare nga mësuesi te nxënësit do të vlerësohen përgjigjet me gojë të pyetjeve, kontributi në aktivitetet në grup, pjesëmarrjen në hulumtime, krijimin e projekteve, përgjigjet gjatë kuzeve, kontributi në nxjerrjen e konkluzioneve, punimet në fletoren e punës dhe detyrat e shtëpisë. Pra sipas planprogramit, të gjithë vlerësimet të mbledhura nga këto aktivitete do të nxirret një notë të cilën do ta merr nxënësi.
Përmes këtyre risive, nxënësit e ardhshëm nga klasa e dytë do të duhet të mësojnë se si të merren dhe si të njohin emocionet, ndërsa për lëndën Shoqëria do të duhet të identifikojnë identitetet, sipas konceptit të ri për arsimin fillor. “Nxënësi duhet të identifikojë komponentët e ndryshëm të identitetit të tij, i cili ndërtohet mbi bazën e përkatësisë në grupe të ndryshme shoqërore, si gjinia, identiteti etnik dhe kombëtar dhe rolet e ndryshme që ka në jetë”, thuhet në planprogramin për klasën e dytë.
Për lëndën Shoqëria për klasën e dytë, në rubrikën e shkrim-leximit dixhital, zhvillim personal dhe social dhe teknikë dhe teknologji, thuhet se nxënësi do të duhet të jetë i aftë të vlerësojë se kur dhe në çfarë mënyre përdoret teknologjia e informacionit dhe komunikimit dhe është e nevojshme për të zgjidhur një detyrë të caktuar.
Në mënyrë që edukatorët të zbatojnë digjitalizimin, kurrikula parashikon përdorimin e kompjuterëve, projektorëve dhe pajisjeve të tjera digjitale, si dhe enigmave dhe lojërave tjera logjike. Një risi për nxënësit e klasave të pesta do të jetë shkrirja e lëndëve Histori dhe Shoqëri, të cilat në vend që të jenë të ndara si më parë, do të mësohen në një lëndë shkollore. Kurrikula thotë se deri në fund të vitit nxënësit duhet të kenë ndjenjën e përkatësisë ndaj vendit. “Nxënësit duhet të dijë të identifikojë dhe respektojë të gjitha simbolet kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të shfaqë ndjenjën e përkatësisë ndaj vendit. Nxënësi duhet të identifikojë veçoritë gjeografike të kontinenteve, rajoneve dhe vendeve të botës dhe t’i lidhë ato me zhvillimin e tyre shoqëror”, thuhet në plan programin e ri .
Mësimdhënësit, sipas planprogramit, do të duhet të sigurojnë përfshirjen e të gjithë nxënësve. Sipas informacioneve të siguruara, tekstet shkollore ende nuk janë shtypur, ndërsa nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka informacion nëse të gjitha shkollat janë të pajisura me mjete ndihmëse tekniko-teknologjike. Për t’i mundësuar nxënësve arritjen e standardeve të pritura të vlerësimit, mësuesi monitoron vazhdimisht aktivitetet dhe pjesëmarrjen e nxënësve gjatë mësimdhënies dhe mësimnxënies dhe mbledh informacion për përparimin dhe arritjet e nxënësve. Sipas MASH-it, përmes këtyre risive tentohet të rritet cilësia në arsimin e vendit tonë dhe të jenë në hap me ndryshimet shoqërore që po ndodhin. Gjithashtu këto risi janë komentuar si pozitive nga njohësit e fushës së arsimit. (koha.mk)
Lajme nga vendi
ÇFARË DO TË THOTË SHPALLJA E GJENDJES SË KRIZËS NË GOSTIVAR ?
Qeveria ka shpallur gjendje krize 30-ditore në Komunën e Gostivarit më 21 korrik 2026, pasi vetëqeverisja lokale nuk ka kapacitet të përballet në mënyrë të pavarur me ndotjen serioze të ujit të pijshëm dhe përhapjen e epidemisë në qytet.
Çfarë do të thotë shpallja e gjendjes së krizës?
Gjendja e krizës shpallet kur ekzistojnë rreziqe që kërcënojnë seriozisht të mirat materialo-teknike, shëndetin dhe jetën e njerëzve, kurse parandalimi i tyre kërkon volum më të madh të burimeve dhe menaxhim të centralizuar. Në rastin e Gostivarit, ky vendim nënkupton:
-Marrja e kontrollit: Qeveria qendrore merr përgjegjësinë për menaxhimin e krizës, pasi ndërmarrjet lokale dështuan në sanimin e situatës.
-Mobilizimi maksimal: Të gjitha institucionet shtetërore, ndërmarrjet publike dhe burimet në dispozicion vihen në funksion të zgjidhjes së problemit me furnizimin me ujë.
-Aktivizimi i QMK-së: Aktivizohet Shtabi Kryesor pranë Qendrës për Menaxhim me Kriza, i cili mblidhet vazhdimisht dhe koordinon të gjitha aktivitetet në terren.
Cilat masa po ndërmerren në Gostivar?
Qëllimi i gjendjes së shpallur të krizës është vënia urgjente në funksion e një sistemi të sigurt të furnizimit me ujë përmes këtyre masave:
-Sanim urgjent: Inxhinierët dhe ekspertët shtetërorë marrin menjëherë përsipër pastrimin, dezinfektimin dhe aftësimin e ujësjellësit të qytetit.
-Sigurimi i ujit alternativ: Vazhdon shpërndarja urgjente e 50.000 litrave ujë të pijshëm falas në ditë përmes pikave të posaçme për qytetarët.
-Inspektime dhe hetime të rrepta: Inspektoratet shtetërore kryejnë kontrolle të jashtëzakonshme në punën e ndërmarrjes lokale, ndërsa Prokuroria Publike po zhvillon një hetim të detajuar për të përcaktuar përgjegjësinë penale për rrezikimin e shëndetit të qytetarëve.
-Angazhimi i burimeve: Nëse lind nevoja, shteti mund të angazhojë edhe burimet e Direksionit për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) dhe të Armatës.
Kur shpallet ligjërisht gjendja e krizës?
Sipas Ligjit për Menaxhim me Kriza, Qeveria me propozim të Komitetit Drejtues e merr këtë vendim kur plotësohen kushtet e mëposhtme:
-Intensitet i lartë i rrezikut: Kur ka rrezik akut për shëndetin (epidemi, burime të helmuara), katastrofa natyrore (zjarre, përmbytje) ose kërcënime të sigurisë.
-Ezaurimi i burimeve lokale: Kur organet e vetëqeverisjes lokale (komuna dhe shtabi i krizës i qytetit) nuk kanë kapacitet, makineri ose financa të mjaftueshme për të lokalizuar dëmin vetë.
-Nevoja për procedura të shpejta administrative: Mundëson furnizimin urgjent me materiale (klor, filtra, gypa) pa procedura të gjata dhe të ndërlikuara burokratike apo tendera, me qëllim që të parandalohen pasojat e mëtejshme.
-Gjendja e krizës në një rajon mund të zgjasë më së shumti 30 ditë, ndërsa nëse ka nevojë për zgjatjen e saj, Qeveria duhet të kërkojë miratimin e Kuvendit.
Lajme nga vendi
QEVERIA SHPALL GJENDJE KRIZE 30-DITORE NË KOMUNËN E GOSTIVARIT
Në mbledhjen e sotme të 195-të, Qeveria, me propozim të Komitetit Drejtues, të përbërë nga ministri i Mbrojtjes Vlado Misajllovski, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski, ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski dhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim Stojançe Angellov, si dhe anëtarët e jashtëm – ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Muhamed Hoxha, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Borçe Serafimovski, drejtori i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta Ivica Tomovski, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Marija Andonovska, drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari Oliver Milanov, drejtoresha e Inspektoratit të Mjedisit Jetësor Ivana Ginovska dhe kryetari i BNJVL-së dhe njëherësh kryetar i Qytetit të Shkupit Orce Gjorgjievski, mori vendim për shpalljen e gjendjes së krizës në Komunën e Gostivarit për një periudhë prej 30 ditësh.
Duke qenë se vetëqeverisja lokale nuk është në gjendje të përballet me situatën e krijuar në Komunën e Gostivarit, sic thuhet në komunikatë, Qeveria mori këtë vendim me qëllim të koordinimit më të shpejtë të institucioneve, rikthimit në funksion të sistemit të furnizimit me ujë dhe sigurimit të ujit të pijshëm për qytetarët në afatin sa më të shkurtër.
Shëndeti i qytetarëve të Komunës së Gostivarit mbetet prioritet i Qeverisë dhe institucionet janë të përkushtuara për zgjidhjen e plotë të këtij problemi – thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Njëkohësisht, Qeveria pret që Prokuroria Publike të zhvillojë një hetim të detajuar dhe ta zbardhë plotësisht rastin, duke theksuar se duhet të ketë përgjegjësi për secilin që ka rrezikuar shëndetin dhe jetën e qytetarëve të Gostivarit.
Lajme nga vendi
“TETOVA N`FESTË”: TETOVA FESTOI ME FËMIJËT!
Në kuadër të manifestimit “Tetova n’Festë”, mbrëmë fëmijët por edhe shumë qytetarë të rajonit të Tetovës dhe jo vetëm, patën mundësinë të shijojnë një mbrëmje të veçantë me SHKA “Xheladin Zeqiri”, maskota të dashura dhe shumë lojëra argëtuese, ku kaluan çaste të bukura plot buzëqeshje, argëtim dhe atmosferë festive në zemër të Tetovës.
Mbrëmja u organizua nga Komuna e Tetovës kurse organizatorët e kësaj mbrëmjeje ishin Elez Mema dhe Albin Ajredini, të cilët me shumë përkushtim kishin bërë të mundur realizimin e këtij aktiviteti.
Valle e Shqipërisë së Mesme nga Grupi i fëmijëve, këngë për fëmijë, SH.K.A “Xheladin zeqiri” Vallja “Kongresi i Manastirit” dhe “14 Marsi”, këngët “Tetova qyteti im”, “Kitara ime”, “Fjalët e Qiririt”, “Ndalu Vlla ta Puthi Pushkën”, Xhamadani Kuq si Gjaku” si dhe Koreodrama “ Kur dasma u be luft e lufta Liri” nga Grupi i vajzave entuziazmuan publikun dhe fëmijtë e pranishëm në Sheshin e Tetovës.
Kjo natë e bukur u përmbyll me interpretimin e fundit nga Adea Munishi me këngën “Lulkuqja e Gjakovës” ku të gjithë fëmijët u bashkuan në skenë dhe kënduan së bashku.
Mbrëmë skena u takoi fëmijëve. Ata na dhuruan këngë, valle dhe emocione të bukura, një mbrëmjen e mbushur me emocione, buzëqeshje dhe shumë talent, duke dëshmuar se fëmijët tanë janë pasuria më e madhe dhe se arti është gjuha më e bukur për të shprehur ëndrrat, dashurinë dhe kulturën tonë./Tv Koha/


You must be logged in to post a comment Login