Lajme nga vendi
Spasovski: Rasti Ruskovska-Muaremi, shkakton mosbesim të qytetarëve ndaj institucioneve shtetërore
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, konsideron se akuzat ndërmjet kryetares së Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Vilma Ruskovska dhe drejtorit të Policisë Financiare, Arafat Muaremi, kanë efekt të dëmshëm në besimin qytetar tek institucionet.
“Kjo i shkakton dëm qytetarëve sepse humbet besimi në institucione dhe kushdo që mban ndonjë post duhet të mbajë përgjegjësi etike, morale… Institucionet nuk mund të lejohen të shpërbëhen nga askush dhe të gjithë duhet të qëndrojnë të vendosur për këtë, sepse nëse humbet besimi në institucione, atëherë është problemi më i madh. Pra, duhet të mendojmë pse institucionet, prokuroria, gjyqësori kanë besim tetë për qind? Nuk besoj se kjo është mënyra për të rritur besimin”, tha Spasovski në një emision televiziv.
Akuzat mes Ruskoskës dhe Muaremit kanë kohë që vazhdojnë dhe Ruskoska u ka bërë thirrje institucioneve kompetente në vend dhe institucioneve dhe ambasadave ndërkombëtare që “të kontrollojnë të gjitha faktet dhe të sqarojnë se kush në këtë vend lufton kundër krimit dhe kush e kryen krimin”.
Reagimi i saj pasoi pasi drejtori i Policisë Financiare njoftoi se do të bëjë kallëzim penal kundër saj dhe prokurorëve Ivana Trajçeva dhe Elizabeta Josifovska.
Komisioni Evropian në një deklaratë për mediat tha se po i përcjell me kujdes të gjitha zhvillimet me akuza të ndërsjella publike mes Ruskoskës dhe Muaremit dhe se kjo çështje duhet të zgjidhet nga institucionet kompetente.
Lajme nga vendi
BE-ja 16 milionë euro për Maqedoninë e Veriut, për reforma dhe projekte infrastrukturore

Bashkimi Evropian ka miratuar lëshimin e dytë të mjeteve për Maqedoninë e Veriut në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor, në vlerë totale prej 16 milionë eurosh, përcjell TV21. Shuma përfshin grante të pakthyeshme dhe hua, nga të cilat 7,4 milionë euro do të paguhen direkt në buxhetin shtetëror, ndërsa pjesa tjetër do të shfrytëzohet për projekte infrastrukturore përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Vendimi vjen pas vlerësimit pozitiv të Komisionit Evropian për reformat e Qeverisë, duke përfshirë progresin në digjitalizim, sigurinë kibernetike, dokumentet elektronike dhe luftën kundër ekonomisë joformale. Për hapat që nuk janë përmbushur plotësisht, Komisioni ka caktuar një periudhë shtesë deri në qershor 2026.
Lajme nga vendi
MPB: Mashtrim i ri në Shkup me “aksident të rremë”, një grua 71-vjeçare humb 36.300 euro

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar për një rast të ri mashtrimi në Shkup, ku një grua 71-vjeçare ka humbur 36.300 euro pas një skenari të rremë për një “aksident trafiku”, raporton alfax.mk.
Sipas MPB-së, më 16 tetor 2025, rreth orës 17:20, viktima është kontaktuar telefonikisht nga një person që është prezantuar si zyrtar policor, i cili i ka thënë se vajza e saj kishte shkaktuar një aksident të rëndë dhe se për të shpëtuar jetën e saj duhej të paguheshin para për një operacion urgjent.
Më pas, gruaja është kontaktuar sërish nga një person tjetër që është paraqitur si mjek, i cili i ka dhënë udhëzime se ku t’i dorëzonte paratë. Pas kësaj, ajo ka kuptuar se ishte mashtruar dhe ka njoftuar policinë.
Nga MPB bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e autorëve të këtij mashtrimi, ndërsa apelojnë te qytetarët që të jenë të kujdesshëm ndaj thirrjeve të tilla telefonike dhe të mos dorëzojnë para pa verifikim zyrtar.
Lajme nga vendi
VLEN dhe AKI mbyllin fushatën në Çair: Mexhiti me vizion zhvillimi, Osmani premton “tërmet ndryshimesh”

Në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, kandidatët për kryetar të Komunës së Çairit — Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN dhe Bujar Osmani nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) — e përmbyllën garën me prezantimin e vizioneve të tyre për zhvillimin e komunës.
Izet Mexhiti theksoi se Çairi po modernizohet me standarde të reja urbane, duke përmendur projektet e reja infrastrukturore që po realizohen në terren.
“Po ndërtojmë rrugë të reja, ndriçim publik, kanalizime dhe trotuare të sigurta për qytetarët. Po ashtu, është në proces zgjerimi i bulevardeve ‘Cvetan Dimov’ dhe ‘Mit’hat Frashëri’,” deklaroi Mexhiti.
Ai nënvizoi edhe investimet në arsim dhe inkluzion social, duke përmendur projektet për ndërtimin e shkollës për fëmijët me nevoja të veçanta dhe qendrën ditore për integrimin e tyre.
“Do të adaptojmë hapësirat publike me rampa, ndriçim dhe sinjalistikë universale që çdo qytetar të ndihet i lirë dhe i barabartë. Në qendër të këtij vizioni është kampusi i Universitetit ‘Nënë Tereza’, një investim historik prej 40 milionë euro, që do ta shndërrojë Çairin në qendër të arsimit të lartë në vend,” shtoi Mexhiti.
Ndërkaq, kandidati i AKI-së, Bujar Osmani, deklaroi se 100 ditët e para pas zgjedhjeve do të jenë periudhë e transformimit të Çairit, me fokus në pastrimin, urbanizimin dhe respektimin e ligjit.
“Në 100 ditët e para do ta bëjmë Çairin komunën më të pastër në Shkup. Do të bëjmë rishikimin e plotë të ndërtimeve pa leje dhe premtoj që asnjë centimetër nuk do të ndërtohet më në mënyrë të jashtëligjshme. Pas 19 tetorit, Çairit do t’i ndodhë një tërmet ndryshimesh që qytetarët i kërkojnë çdo ditë,” tha Osmani, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve për “një fillim të ri”.
Gara në Çair shihet si një nga më të ashpra të këtij cikli zgjedhor, ku Izet Mexhiti dhe Bujar Osmani, po përballen për herë të parë si rivalë politikë, duke e bërë këtë komunë njërën nga betejat më interesante mes dy kampeve shqiptare, VLEN dhe AKI.
You must be logged in to post a comment Login