Lajme nga vendi
Shfrytëzimi i energjisë diellore në Maqedoninë e Veriut
Përdorimi i teknologjisë diellore për nxehtësi duhet të ishte krejt i thjeshtë në Maqedoninë e Veriut. Por subvencionet e pakta dhe rregulloret e pamjaftueshme pengojnë projektet megjithë përfitimet ekonomike.
Menaxheri i hotelit, Krste Blazheski, i tha DW se rritja me 10% e energjisë elektrike këtë vit, u kushtoi atyre një investim prej 170.000 eurosh, që u deshën për të instaluar sistemin e ri të paneleve diellore dhe fotovoltaike. “Fitimet nga ky investim mund të merren pas 3 ose 4 vitesh” – thotë Blazheski. “Atëherë do të kemi energji falas”.
Megjithatë, investimi i “Drim” në teknologjinë diellore termike e kalon atë automatikisht tek pakica. Sipas hulumtimit të Deutsche Welle, sponsorizuar nga “European Journalism Fund”, shumë kompani dhe qytetarë janë të etur për tranzicion, nga energjia tradicionale, tek ajo e rinovueshme. Por subvencionet e pakta të qeverisë për investime të këtij lloji, përfshirë këtu edhe kontraktorët e palicencuar që bllokojnë tregun me mallra dhe shërbim nën kosto, e zbehin optimizmin.
“Diell maqedonas për energjinë maqedonase”: kështu njoftoi në vitin 2018 ish-kryeministri Zoran Zaev, duke theksuar se vendi duhet të përdorë diellin bujar, me qëllim që të përfitojë ekonomikisht. Katër vite më vonë, shteti ballkanik, flamuri i të cilit ka në përbërje një diell vezullues – po ecën me vështirësi drejt synimeve ambicioze për prodhimin e energjisë elektrike nga panelet diellore dhe fotovoltaike.
Një ndër vendet me më shumë diell në botë
Sipas Zyrës Shtetërore të Statistikave familjet maqedonase instaluan gjatë vitit 2019 rreth 80 mijë panele diellore. Një zgjerim më masiv është i mundshëm, sepse me 280 ditë me diell në vit, Maqedonia e Veriut ka të drejtë të krenohet më shumë se vendet e tjera. Megjithatë raporti më i fundit i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë së Rinovueshme bëri të ditur se më pak se 2% e energjisë vendase prodhohet aktualisht nga energjia diellore, një nga nivelet më të ulëta në Europë.
“Eko-svest”, organizata jo-fitmprurëse për informacion dhe kërkim mjedisor, e cila kohët e fundit nisi fushatën për planifikimin e energjisë inteligjente, pretendon se instalimi i paneleve diellore në vetëm 1% të territorit të vendit, mund ta bëjë të pavarur energjinë e vendit. Me sa duket, interesi i qytetarëve nuk mungon.
“90% e qytetarëve besojnë se energjia diellore mund të përdoret shumë më tepër për të përmbushur nevojat që kemi” – thotë Ana Colovikj Leshoska, drejtuese e “Eko-Svest”. Dhe afërsisht e njëjta përqindje beson se duhet të ketë më shumë investime në pavarësinë e energjisë, shton ajo.
Shumë pak subvencione
Mbështetja e pamjaftueshme për investitorët është një pengesë e madhe, thonë njëzëri ekspertët dhe sipërmarrësit. Deri tani, subvencionet kanë qenë të vogla. Rreth 80 mijë euro në vit u janë shpërndarë familjeve që kanë instaluar panele diellore, që do të thotë se një familje merr nga 150-300 euro për të mbuluar kostot e instalimit.
Sistemet shtëpiake, që zakonisht përbëhen nga një ose dy module, kushtojnë rreth 500 euro për panel. Një kolektor i vetëm mundëson afërsisht 150 litra ujë të nxehtë në ditë. “Kjo nuk është asgjë, duke marrë parasysh nevojat e vendit” – thotë Ilija Nasov, drejtor i grupit lobues industrial “Solar Maqedonia”. Për më tepër, si rezultat i kufizimeve të vendosura në fondet e shtetit nga pandemia COVID-19,
Ministria e Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut ka konfirmuar se nuk do të ketë ndihmë shtetërore për sistemet termike diellore gjatë gjithë këtij viti.
Kostoja e teknologjisë së paneleve diellore ka çuar në krijimin e të ashtuquajturave “kompani fantazmë”, të cilat ofrojnë një punë të dobët, me materiale me cilësi të ulët, kryesisht të prodhuar në Kinë. “Njerëzit duan që t’i blejnë këto pajisje sa më lirë që të jetë e mundur. Shpeshherë ata bëjnë gabimin e investimit në cilësi shumë të ulët” – thotë Sanja Popovska Vasilevska, nga Agjencia maqedonase e Mbrojtjes së Konsumatorit. Kompanitë “mbijnë” nga hiçi, përfundojnë punën dhe ditën tjetër zhduken nga qarkullimi, thotë ajo. Shumë shpejt, sistemi i tubacioneve digjet ose del jashtë funksionit. Kur konsumatorët shkojnë të zhgënjyer tek agjencia, është thuajse e pamundur për t’i gjurmuar këto kompani, ndërkohë që klientët humbin paratë e tyre, thotë Popovska Vasilevska.
Ligje të reja për furnizuesit e pandershëm
Ilija Nasov nga “Solar Macedonia” ka bindjen se legjislacioni aktual ka nevojë për ndryshime urgjente. Sipërmarrësit e palicensuar nga shteti nuk duhet të përfitojnë asnjë subvencion. Ai gjithashtu thekson se tregtarët e pandershëm, të cilët importojnë materiale me cilësi të ulët për panelet të mos pranohen në dogana, ndërkohë që prodhuesit vendas si “Camel Solar” dhe “Plasma” paguajnë taksë prej 18% për importin e lëndëve të para që nevojiten për panelet diellore.
“Nuk ka mekanizma kontrollues” – evidenton Nasov. Grupi lobues i industrisë organizon kurse dhe lëshon certifikata për instaluesit e licensuar. 80 vetë janë trajnuar gjatë 3 viteve të fundit. Megjithatë, 200 instalues të licensuar në shkallë vendi janë shumë pak, thotë shoqata.
“Kur instalohen sisteme fotovoltaike, situata ndryshon krejtësisht” – shpjegon Marko Bislimoski, kreu i Komisionit Rregullator të Energjisë në Maqedoninë e Veriut. Para se t’i drejtohen Komisionit për aplikimin e licensave të prodhimit të energjisë, kompanive u nevojiten një sërë dokumentesh dhe lejesh ndërtimi. Ndërtuesit ankohen për shiritin e kuq, por ai i siguron investitorët që të mos përballen me të njëjtat rreziqe si konsumatorët që blejnë sisteme termike jocilësore.
Pavarësisht problemeve, ka një nxitje të madhe për energjinë e rinovueshme në Maqedoninë e Veriut, mbështetur nga Bashkimi Evropian. Synimi për prodhimin e energjisë së rinovueshme në konsumin total të energjisë bruto parashikohet të jetë 40% deri në vitin 2030 dhe 45% deri në 2040-ën. Që nga viti 2018, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka financuar rreth 27 milionë euro për prodhimin e energjisë diellore dhe hidroelektrike. “BERZH ka mbështetur investime të konsiderueshme në rrjetin e transmetimit dhe shpërndarjes, sigurinë e furnizimit dhe përdorimin e burimeve të energjisë së rinovueshme” – thotë Andi Aranitasi, kreu i BERZH në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, ekspertët pajtohen se pavarësisht synimit të mirë, nuk ka gjasa që fondet ndërkombëtare të ndihmojnë Maqedoninë e Veriut të arrijë objektivat e saj ambicioze në kohë.
Lajme nga vendi
Rritje e re e çmimeve të cigareve, 10 denarë plus për secilën kuti

Nga 1 shtatori, një kuti cigaresh në Maqedoni do të shtrenjtoheg për 10 denarë. Rritja është rezultat i harmonizimit të parashikuar të akcizave me standardet evropiane, proces që do të zbatohet gradualisht deri në vitin 2030
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Maqedonia ka rreth 45% duhanpirës aktivë, duke e renditur ndër vendet me përqindjen më të lartë të varësisë nga duhani në Evropë.
Qëllimi i politikës së re të akcizave është reduktimi gradual i numrit të duhanpirësve dhe afrimi me mesataren evropiane, e cila deri në fund të këtij viti pritet të jetë rreth 15.4%.
Ndërkohë në Maqedoni, pasojat e pirjes së duhanit shkaktojnë rreth 4000 vdekje në vit, ndërsa me këtë masë pritet që një pjesë e qytetarëve të vendosin ta lënë duhanin.
Rritja e çmimeve është pjesë e një strategjie më të gjerë për përmirësimin e shëndetit publik dhe harmonizimin me rregullativat evropiane.
Lajme nga vendi
Tetova në “luftë” me deponitë ilegale/ Kamera për monitorimin e qytetarëve të pandërgjegjshëm

Në kuadër të projekti “Për një Tetovë më të pastër”, Komuna e Tetovës, sot bashkë me Ministrinë e Ekologjisë dhe operatorin Saubermacher, kanë shpërndarë kontejnerë për selektimin e mbeturinave për 205 familje të lagjes “Tetovarja”.
“Çdo familje do të ketë nga tre kosha të mbeturinave, njëra për selektim të plastikës, njëra për letrën dhe një për mbetjet komunale. Po ashtu me këtë projekt është bashkëngjitur edhe operatori privat, i cili ka shpërndarë kosha që janë për mbetjet komunale dhe po ashtu do bëj edhe menaxhimin e kësaj pjese”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.
Kasami paralajmëroi vendosjen e kamerave të sigurisë, me qëllim ruajtjen e pastërtisë në qytet.
“Bëj thirrje deri tek qytetarët që të ruajnë hapësirën publike dhe të mos hedhin mbetje aty ku nuk e kanë vendin, sepse po sot ishim dëshmitarë të një situate të pakëndshme në rrugën e banjës, ku punëtorët e ndërmarrjes komunale dolën për të ndihmuar operativën për pastrimin e kësaj pjese të bukur të qytetit”, u shpreh Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.
Komuna e Tetovës ka nisur procedurën ligjore dhe po pret miratimin nga institucionet ligj-zbatuese për vendosjen e kamerave të sigurinë nëpër hapësirat ku dyshohet se qytetarët hedhin mbeturina. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Pesë kandidatë të pavarur për kryetar komune dhe tre lista të pavarura për këshilltarë në Strugë

Pesë kandidatë të pavarur për kryetar komune dhe tre lista të pavarura për këshilltarë janë parashtruar në njësinë rajonale të Komisionit shtetëror zgjedhor në Strugë, konfirmuan për MIA-n nga KSHZ-Strugë.
Afati për grumbullim të nënshkrimeve për kandidatura të pavarura për Zgjedhjet lokale 2025, të cilat janë caktuar për më 19 tetor skadon sonte.
Parashtrimi i kandidaturave për garën për kryetar komune dhe lista të këshilltarëve të mbështetur nga partitë politike është deri më 13 shtator. Pas skadimit, publikisht do të publikohen të gjitha listst e konfirmuara.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi3 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve
You must be logged in to post a comment Login