Connect with us

Lajme nga rajoni

Krerët shtetërorë nënshkruan aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në BE

Published

on

Krerët shtetërorë të Kosovës kanë nënshkruar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Aplikimi u nënshkrua nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti, transmeton REL.

Presidentja Osmani e cilësoi si “historike” nënshkrimin e aplikimit të anëtarësimit në bllokun evropian.

“Po marrim një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës sonë kolektive e ambicies sonë të patjetërsueshme”, tha Osmani duke shtuar se aplikimi për anëtarësim në BE është një hap drejt përmbushjes së ambicieve evropiane të Kosovës.

Dorëzimi i aplikimit pritet të bëhet më 15 dhjetor në Pragë të Çekisë, shtetit që aktualisht kryeson presidencën e bllokut evropian.

Presidentja Osmani tha se për Kosovën nuk ka pasur asnjëherë alternativë tjetër pos BE-së.

Advertisement

“Kosova sot është mishërim i vlerave mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian dhe frymon me shpirtin evropian”, tha ajo dhe theksoi se shteti e meriton të jetë pjesë e BE-së.

“Rruga jonë përpara është e qartë, procesi i anëtarësimit në BE nuk është i njëtrajtshëm dhe procesi në tërësi mund të jetë afatgjatë. Por, ne jemi të vendosur që t’ia dalim me sukses”, tha e para e vendit.

Kryeparlamenti Konjufca tha se për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor anëtarësimi në BE është i rëndësishëm, sepse, sipas tij, blloku ofron stabilitet, siguri, demokraci dhe prosperitet zhvillimor.

Ai tha se pret që pas dorëzimit të aplikimit, Komisioni Evropian të rekomandojë dhënien e statusit të vendit kandidat, dhe më pas shtetet anëtare të bllokut të mbështesin anëtarësimin e Kosovës.

“Marrja e statusit të vendit kandidat ka peshë të konsiderueshme dhe me të drejtë konsiderohet si vula e parë e perspektivës evropiane. Për këtë arsye, e ftojmë Parlamentin Evropian, Këshillin Evropian, Komisionin Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së që ta demonstrojnë përkushtimin dhe përkrahjen e tyre ndaj Kosovës, por edhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e miratuar unanimisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim”, tha Konjufca.

Advertisement

Kryeministri Kurti tha se ky “moment historik” synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin e Kosovës dhe shoqërinë kosovare.

“Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe transformuese të cilat e avancojnë demokracinë, e forcojnë sundimin e ligjit dhe e zhvillojnë ekonominë tonë. Shpejtësia me të cilën do të ecim, do të varet nga ne, andaj angazhimi i të gjithëve është i nevojshëm dhe përkushtimi i secilit, i domosdoshëm”, tha Kurti.

Kosova deri më tani ka vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

Nga 27 shtetet anëtare të bllokut, pesë prej tyre ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Shtetet mosnjohëse janë: Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.

Nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtetet që kanë bërë më shumë përparim drejt anëtarësimit në bllok, pasi deri më tani kanë hapur disa kapituj në bisedimet për anëtarësim.

Advertisement

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria gjatë këtij viti nisën procesin e bisedimeve, ndërkaq Bosnjë e Hercegovina këtë javë ka marrë statusin e vendit kandidat.

Kosova po ashtu është shteti i vetëm që nuk ka liberalizim të vizave me BE-në.

Advertisement

Lajme nga rajoni

LVV nënshkruan koalicionin parazgjedhor me tri parti

Published

on

Lëvizja Vetëvendosje, Partia Guxo, Partia Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane kanë nënshkruar marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor, duke e cilësuar atë si vazhdim të një rruge të përbashkët politike dhe angazhim të qartë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Sipas Partisë Guxo, ky koalicion nuk paraqet një bashkim të përkohshëm, por një qëndrim politik të vendosur për të qeverisur me përgjegjësi, për të mbrojtur interesin shtetëror dhe për ta vendosur qytetarin në qendër të çdo vendimi.

“Ne hyjmë në këtë marrëveshje me bindjen se shteti forcohet vetëm përmes drejtësisë që vepron, institucioneve që funksionojnë dhe një qeverisjeje që nuk i shmanget llogaridhënies”, thuhet në postimin e publikuar në Facebook, transmeton INA.

Në reagim thuhet se lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia qytetare nuk janë vetëm premtime politike, por detyrime që burojnë nga besimi i qytetarëve.

Po ashtu, partitë vlerësojnë se ky koalicion përfaqëson stabilitet, drejtim dhe qartësi politike, me synim një Republikë më të fortë brenda vendit dhe më të sigurt në arenën ndërkombëtare, me orientim të palëkundur euroatlantik dhe partneritete strategjike të konsoliduara.

Advertisement

“Partia GUXO qëndron në këtë bashkim me përgjegjësi të plotë, për të garantuar se politika nuk mbetet fjalë, por kthehet në veprim që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

Continue Reading

Lajme nga rajoni

KQZ ka bërë të ditur se AKR dhe Nisma Socialdemokrate nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Nisma Socialdemokrate nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.

Sipas njoftimit të KQZ-së, deri në përfundim të afatit zyrtar më 7 maj në orën 24:00, këto dy subjekte politike kanë njoftuar zyrtarisht mospjesëmarrjen në procesin zgjedhor.

“Në listën e partive që kanë konfirmuar se nuk do të garojnë në zgjedhje janë gjithsej nëntë subjekte politike, ndërsa AKR dhe Nisma Socialdemokrate janë ndër partitë më të njohura që kanë vendosur të mos jenë pjesë e garës elektorale”.

Sipas KQZ, Partitë politike që kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Demokratike e Unitetit; 2. Balli Kombëtar i Kosovës; 3. Lëvizja Qytetare Vatra; 4. Bashkimi për Ndryshim Anamorava; 5. Partia e Drejtësisë; 6. Srpski Narodni Pokret; 7. Partia Reforma Demokratike; 8. Aleanca Kosova e Re; dhe 9. Nisma Socialdemokrate”.

Afati për njoftimin e pjesëmarrjes, mospjesëmarrjes apo formimit të koalicioneve ka qenë i hapur nga 1 deri më 7 maj 2026 dhe ka vlejtur për 53 partitë politike të regjistruara në Republikën e Kosovës./Periskopi

Advertisement
Continue Reading

Lajme nga rajoni

Kapen mbi 250 kg suxhuk në Shtutgart në autobusin e Kosovës

Published

on

Më shumë se 250 kilogramë sudxuk dhe produkte mishi u sekuestruan dje në Shtutgart Stuttgart në një autobus nga Kosova, raportuan mediat në Prishtina, duke iu referuar mediave gjermane.

Policia gjermani njoftoi se produktet e mishit u ekspozuan nga era.

“Era e fortë që vinte nga disa çanta në zonën e ngarkesës konfirmoi shpejt dyshimin e tyre për produkte ushqimore të paligjshme. Në total, oficerët sekuestruan 252,8 kg produkte mishi gjatë inspektimit”, raportojnë mediat e Kosovës.

Në të njëjtin autobus u gjetën edhe mallra të tjera, të dyshuara si të kontrabanduara.

Sipas këtyre mediave, kishte cigare, dritare alumini dhe një kondicioner.

Advertisement

Përveç kësaj, u sekuestrua edhe një qen.

Janë nisur procedura për shmangie nga taksat kundër dy shoferëve të autobusëve dhe një mbledhësi mallrash në stacionin e autobusëve.

Shoferët e autobusëve do të përballen gjithashtu me gjoba për importimin ilegal të produkteve të mishit.(INA)

Continue Reading

Më të lexuarat