Connect with us

Lajme nga vendi

Maqedonia e Veriut i filloi bisedimet, por nuk do t’i vazhdojë pa ndryshimet kushtetuese

Published

on

Maqedonia e Veriut vitin e kaluar pas 17 viteve në dhomën e pritjes së BE-së formalisht e filloi procesin e bisedimeve me Unionin me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Skriningu shpjegues dhe dypalësh për harmonizimin e legjislacionit evropian po vijon dhe ky proces pritet të përfundojë në nëntor të këtij viti. Megjithatë që të vazhdojë rruga evropiane e shtetit, janë të nevojshme ndryshimet kushtetuese me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, për çka pushteti dhe opozita kanë qëndrime diametralisht të kundërta. Megjithatë, edhe krahas gjithë kësaj, projeksionet e pushtetit janë se deri në vitin 2030 shteti ynë do të duhej të bëhej anëtar i BE-së. Përfundimi është se ky vit 2023 do të jetë kyç për vazhdimin e rrugës së integrimeve evropiane të shtetit.

Me pranimin e të a.q. “propozim francez” më 17 korrik vitin e kaluar Maqedonia e Veriut pas 17 viteve me status kandidat për anëtarësim në BE e mbajti konferencën e parë ndërqeveritare me Unionin, me çka formalisht filloi procesi i bisedimeve me BE-në.

Kushtin për vazhdimin e procesit të integrimeve evropiane dhe mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare, me çka do të hapet edhe Klasteri i parë negociues, ndërsa me këtë edhe ndryshimet kushtetuese, e përmban Protokolli Dypalësh, të cilin e nënshkruan shefat e diplomacive të Shkupit dhe Sofjes, Bujar Osmani dhe Ekaterina Zaharieva më 19 korrik të vitit të kaluar. Në propozim – përfundimet e presidencës franceze ishte theksuar se Protokolli është pjesë e pandashme e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe se BE-ja do ta ndjekë përparimin rreth saj.

Që në fakt të hapen bisedimet, së pari duhet të përfundojë procesi i skriningut të legjislacionit të vendit.

Në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut deri më tani nuk është siguruar shumica prej dy të tretave për ndryshim të Kushtetutës, përderisa disa parti e kushtëzojnë votimin për ndryshimet kushtetuese me zgjedhje të parakohshme. Kryeministri Dimitar Kovaçevski disa herë u bëri thirrje të gjithë 120 deputetëve që të tregojnë përgjegjësi për gjeneratat e tashme dhe të ardhshme dhe ta mbështesin anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, ndërsa interesat partiake t’i lënë në një anë, sepse tha “qytetarët duan të jenë pjesë e BE-së, ndërsa e ardhmja e qytetarëve është detyrim i barabartë i të gjitha partive politike në Parlament”.

Advertisement

Pasi Qeveria e pranoi “propozimin francez” për fillim të bisedimeve në korrik të vitit të kaluar, VMRO-DPMNE-ja opozitare tha se nuk do të votojnë për hapjen e Kushtetutës dhe për përfshirjen e bullgarëve në të. Pas votimit të propozimit në Kuvend, lideri i opozitës Hristian Mickoski tregoi edhe deklaratat e vërtetuara në noter nga të gjithë anëtarët e grupit të tyre parlamentar, me të cilat ata angazhohen se nuk do të lejojnë ndryshime kushtetuese.

Opozita në shtator kërkoi mbajtjen e referendumit për shfuqizimin e Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë, gjë të cilën kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi e hodhi poshtë si jokushtetuese. Më vonë referendum kërkoi edhe partia E majta, i cili gjithashtu ishte refuzuar nga Xhaferi.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Mickoski në tetor, dhjetë ditë pas publikimit të Raportit të KE-së për përparimin e vendit, tha se nuk do të mbështesin hapjen dhe intervenimet në Kushtetutë derisa Bashkimi Evropian nuk jep garanci se vendi do të hyjë në Union dhe se nuk do të jetë mjet i një vetoje të re nga Bullgaria.

“Kur dikush nga Evropa dhe nga Brukseli do të vijë dhe të japë garanci të qartë para popullit maqedonas dhe para qytetarëve të Maqedonisë atëherë do të mund të ulemi dhe të bisedojmë. Deri atëherë nuk ka ndryshim të Preambulës dhe nuk ka intervenime në Kushtetutë”, tha atëherë Mickoski.

Disa parti nga blloku shqiptar, ndryshimet kushtetuese i kushtëzojnë me fshirjen e normës “20 për qind” nga Kushtetuta, gjegjësisht gjuha shqipe të bëhet e barabartë me atë maqedonase.

Advertisement

Për integrimet evropiane vitin e kaluar, për atë çka mund të presim këtë vit në atë plan MIA bisedoi me analistin politik Marko Troshanovski, kryetar i Institutit për Demokraci Societas Civilis – Shkup.

Troshanovski vlerëson se viti i kaluar ndoshta ishte kulmi i frustrimeve që ky vend i përjetoi përgjatë procesit të integrimeve evropiane gjatë 15 viteve të kaluara, dhe si i tillë shkaktoi polarizim të madh në shoqëri, gjegjësisht rënie të konsiderueshme të besimit në BE dhe perceptim për të njëjtën, edhe pse sipas anketave megjithatë mbështetja është e lartë.

“Megjithatë nëse hyhet më thellë në rezultatet mund të shihet se njerëzit gjithnjë e më shumë konsiderojnë se reformat nuk janë kyçe për përparimin në proces dhe gjithashtu më pak do të bëjnë presion drejt elitave politike që të ofrojnë reforma thelbësore”, vlerësoi Troshanovski për MIA-n.

Ai përkujton se përfshirja e çështjeve dypalëshe me Bullgarinë në Kornizën Negociuese është fakt dhe diçka që më tutje potencialisht do ta problematizojë procesin e anëtarësimit në BE.

“Procesi edhe ashtu nuk do të jetë i lehtë dhe do të hasë në rezistencë të madhe në shoqëri, që është rast në të gjitha vendet anëtare që më parë kanë pasur negociata me Bashkimin Evropian – gjatë bisedimeve është ulur imazhi i BE-së te ata, sepse një pjesë e atyre reformave janë të dhimbshme, por në rastin tonë bëhet fjalë edhe për tema shumë emocionale, të ndjeshme, identitare, të cilat nëse nga partnerët tanë euroatlantikë nuk arrihet që të shtypen në margjinat dhe anash dhe nuk e kushtëzojnë procesin, atëherë ka mundësi që ky proces të jetë më thelbësisht dhe të jetë pozitiv për vendin, në të kundërtën do të jetë vetëm harmonizim formal i pozicioneve negociuese dhe legjislacionit, megjithatë, njerëzit nuk do ta ndjejnë si të tyrin dhe shoqëria nuk do ta ndjejë si të tijin që është një nga qëllimet kryesore të anëtarësimit drejt BE-së”, thotë Troshanovski.

Advertisement

Nga aspekti i asaj se çka mund të presim nga integrimet evropiane në vitin 2023, ai e thekson përfundimin e skriningut, raportin për skriningun shpjegues dhe Raportin e BE-së për atë se si qëndrojmë në atë fushë.

“Megjithatë, vazhdimi i bisedimeve dhe konferenca e dytë ndërqeveritare është gjithsesi e kushtëzuar nga përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë dhe është korrekte dhe objektive të thuhet se i kemi filluar bisedimet, megjithatë se nuk do t’i vazhdojmë, nëse nuk ndodh ajo”, theksoi Troshanovski.

Ai përkujton se si shtet dhe si shoqëri kemi afat që deri në nëntor ta bëjmë këtë, në të kundërtën, thekson Troshanovski, ekziston mundësia për ndarjen e vendit nga Shqipëria dhe përsëri hyrje në një spiralë të pritjes, të pasigurisë.

“Ajo i nevojitet më së paku vendit në këtë periudhë të krizës të cilën po e jetojmë tashmë disa vite, krizë nga të gjitha aspektet, nga sundimi vendor i drejtësisë dhe menaxhimi i mirë, e deri në krizë ekonomike, shëndetësore dhe të luftës”, theksoi Troshanovski për MIA-n.

Në lidhje me atë a mundemi të presim bllokada shtesë nga Sofja, thotë se mundësia se do të kemi bllokada shtesë nga Bullgaria, përgjatë procesit të bisedimeve është e madhe dhe e konsiderueshme.

Advertisement

“Garancitë që i kërkon opozita i kërkon edhe një pjesë e qytetarëve se kjo nuk do të ndodhë, askush nuk mund t’i japë dhe mbetet në domenin e manovrave politike fuqia e butë e BE-së dhe ngjashëm, të pamundësojë që të devalvojë procesi i negociatave përmes temave të panevojshme për identitetin, historinë”, thekson Troshanovski.

Sipas tij, duke pasur parasysh momentin politik në Bullgari, gjegjësisht krizën politike dhe ndarjet e mëdha në arenën politike, mund të presim që partitë edhe një kohë të gjatë do të bëjnë pikë politike në këtë temë dhe se janë të mundshme bllokada edhe më tutje, më së shumti për pikë të brendshme politike, por edhe në përputhje me pocizionimin e gjatë strategjik të Bullgarisë kundër maqedonizmit dhe çështjes maqedonase.

Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani në brifingun vjetor me gazetarët në fund të dhjetorit, në lidhje me mundësinë për bllokada të reja nga ana e Bullgarisë edhe nëse bëhet ndryshimi i Kushtetutës tha se në dokumentet të cilat i kanë nënshkruar dhe në kornizë nuk ka bazë për atë, por shtoi se jo vetëm Sofja, por edhe anëtaret e tjera mund të na bllokojnë, nëse duan, duke pasur parasysh atë që vendimet në BE merren me konsensus. Ai shtoi se pikërisht për këtë për momentin ndërtohet kjo sjellje me Bullgarinë, me qëllim që në të ardhmen të mos ekzistojë asnjë argument për bllokada të reja.

Për ndryshimet kushtetuese, Osmani shprehu bindje se vitin e ardhshëm do të miratohen, duke theksuar se nuk ka asgjë kontroverse në atë që bullgarët, malazezët dhe kroatët të përfshihen në Kushtetutë, ndërsa vërejtjet e disa subjekteve politike i vlerësoi si koreografi ditore – politike në përpjekje që të fitohet edhe ndonjë pikë politike plus. Osmani potencoi se që nga fillimi i janarit do të intensifikohen bisedimet për sigurimin e shumicës prej dy të tretave, që është e nevojshme që të votohet nevoja për hapjen e Kushtetutës.

Advertisement
Advertisement

Lajme nga vendi

Zherovjan, asfaltohet rruga në hyrje të fshatit nga bizneset lokale (VIDEO)

Published

on

Në mungesë të investimeve nga institucionet lokale dhe qendrore, banorët e fshatit Zherovjan të komunës së Bogovinës, me ndihmën e afaristëve kanë asfaltuar vet rrugën në hyrje të fshatit. Hyrja në këtë fshat ishte lënë pasdore dhe ishte dëmtuar shumë ndër vite dhe kjo detyroi që banorët të vet organizohen dhe afaristët e fshatit kontribuan me rreth gjashtë mijë euro duke asfaltuar këtë pjesë të rrugës në hyrje të fshatit Zherovjan.
“ Ishte një iniciativë e shumë bizneseve që kanë kontribuar në bashkëpunim me Bashkësisë Lokale për ta rregulluar këtë rrugë, ose me mirë të themi një plagë që me vite qëndron e hapur këtu dhe është një rrugë që lidh dy regjione, pra pjesën e fshatrave rrëzë Malit Sharr dhe pjesën e fshatrave rreth Malit të Thatë, ose konkretisht I lidh dy komuna, atë të Bogovinës dhe Bërvenicës dhe është një nyje që lidhet me autostradën Tetovë-Gostivar. Ishte kjo një iniciativë e Bashkësisë Lokale, bizneseve dhe njerëzve të vullnetit të mirë, të cilët kanë financiuar asfaltimin e rrugës dhe uroj ta shfrytëzojnë të gjithë banorët e këtij rajoni dhe jo vetëm banorët e fshatit Zherovjan”, deklaroi Ismail Ferati, Kryetar i Bashkësisë Lokale të fshatit Zherovjan.
Por, infrastruktura në këtë fshat ka nevojë për ndërhyrje tjera. Nënkalimi për hyrje në fshatit Zherovjan është vetëm për një veturë. Kjo krijon kaos të vërtetë gjatë tërë kohës pasi që vozitësit janë të detyruar të presin derisa të lirohet nënkalimi dhe më pas të hyjnë ose dalin prej fshati. Situata paraqitet edhe më e rëndë gjatë muajve të verës, kur kolonat e veturave janë të gjata në këtë pritje për të kaluar nënkalimin.
“Është këtu një rrugë njëkahshe, ku sipër nënkalimit është hekurudha. Është ndërtuar në vitet e 50 ndoshta dhe tash nuk I përshtat aspak zhvillimit të fshatit apo rajonit dhe kështu me rradhë. Kemi pasur disa kërkesa deri tek Ministria e Transportit dhe drejtoritë përkatëse, do t`i drejtohemi edhe kompanisë e cila aktualisht punon në Korridorin 8 në segmentin e autostradës Tetoë-Gostivar të gjejnë një zgjidhje. Këtu gjatë verës bëhet një kaos i vërtetë. Nëse eventualisht ndërtohet edhe një nyje tjetër afër këtu, kjo do ta rëndojë edhe më shumë kaosin në hyrje të fshatit” deklaroi Ferati.
Banorët shpresojnë se do të hasin në mirëkuptim nga institucionet sepse ky nënkalim njëkahësh shkakton probleme për shumë fshatra, duke përfshirë fshatin Bogovinë, Zherovjan, Radiofcë, Tenovë, fshatra që lidhen përmes një rruge të vetme por që detyrimisht duhet të kalojnë përmes këtij nënkalimi. Nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen të organizohen edhe protesta nga banorët për të gjetur zgjidhje për këtë nënkalim problematik.

 

 

Continue Reading

Lajme nga vendi

Në gjimnazin “7 Marsi” në Tetovë është regjistruar vetëm një nxënës

Published

on

Në gjimnazin “7 Marsi” në Tetovë është regjistruar vetëm një nxënës. Udhëheqësia e shkollës pret që me uljen e kritereve në afatet tjera, të shtohet numri i nxënësve. Por, edhe pse është një ndër shkollat më të bukura dhe më të pajisura nga të tjerat, si me kabinete, amfiteatro dhe kushte moderne, megjithatë në gjimnazin “7 Marsi”, interesimi i nxënësve për t’u regjistruar është tejet i dobët. Arsye për mos interesimin e nxënësve është distanca dhe vendndodhja e kësaj shkolle. Drejtori thotë se vitin e ardhshëm do të ndërtohet objekt i ri në lokacion tjetër. Ismail Vllashi beson se në afatet tjera do të ulen kriteret dhe do të rritet numri i nxënësve.
“Në fillim patëm 14 nxënës që u paraqitën dhe vetëm njëri ka plotësuar kushtet për tu pranuar në shkollën tonë pra kishte mbi 60 pikë, dhe në aplikimin e dytë ka më tepër pak të interesuar. Gjithsej kemi paraparë 242 nxënës që kemi paraparë për tetë paralele, ndërsa e dini vetëm një nxënës është pranuar deri tani”, tha Ismail Vllashi, drejtor i gjimnazit “7 Marsi”.
Ndryshe nga gjimnazi “7 Marsi”, në shkollën e mesme të mjekësisë, interesimin është tejet i madh.
“Interesimi është shumë i madh, në afatin e parë kemi pranuar 403 nxënës. Drejtimi për motër infermiere është mbyllur më aplikimi si dhe kozmetika. Vende të lira ka në teknik, farmacie, fizioterapi, teknik dhëmbësh asistent dentar dhe laborant”, tha Malësore Ramadani, drejtoreshë e SH.M.M “Nikolla Shtejn”.
Ndryshe, në gjitha shkollat e mesme të Tetovës kanë mbetur edhe rreth 730 vende të lira për regjistrimin e nxënësve, shumica prej tyre në “7 Marsi” dhe shkollat profesionale.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Nga viti i ardhshëm, dëftesat shkollore do të shpërndahen vetëm në mënyrë elektronike

Published

on

Nga viti shkollor 2025/2026, dëftesat për arsimin fillor nuk do të jenë më të shtypura, por do të lëshohen në formë elektronike. Ato do të jenë të qasshme në mënyrë digjitale për shkollat e mesme, kur nxënësit do të aplikojnë për regjistrim. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, e cila tha se sistemi për lëshimin e dëftesave elektronike është tashmë funksional përmes ditarit elektronik, por zbatimi i plotë do të nisë nga viti i ardhshëm për të lejuar kohë informimi dhe përgatitjeje për prindërit dhe nxënësit.

“Fëmijët dhe prindërit realisht nuk kanë nevojë ta kenë dëftesën në dorë – është më shumë një dokument simbolik për të festuar ose për të reflektuar. Nuk po e zbatojmë këtë vit jo sepse nuk mundemi, por sepse shumë prindër dhe nxënës, sidomos në zonat rurale, nuk kanë pajisje ose qasje në internet. Njohuritë digjitale duhet të përmirësohen. Besoj se vitin e ardhshëm mbi 90% do të jenë në gjendje ta përfundojnë këtë proces në mënyrë elektronike”, deklaroi Janevska.

Continue Reading

Më të lexuarat