Lajme nga vendi
Punonjësit shqiptarë më punëtorët e Evropës, renditen të parët për orët më të gjata të punës
Punonjësit shqiptarë, si meshkuj, ashtu dhe femra, kanë oraret më të gjata të punës në Evropë, që arrijnë deri në 50 orë në javë. Gjetjet për orët e punës janë publikuar në një raport të fundit të Komisionit Evropian për kushtet e punës dhe implikimet në të ardhmen. Sondazhi realizohet një herë në pesë vjet nëpërmjet anketimeve me 70,000 punëtorë në 36 vende evropiane.
Këtu përfshihen shtetet anëtare të BE-së, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Zvicra, Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Meshkujt shqiptarë punojnë rreth 50 orë në javë, ndërsa femrat rreth 45 orë në javë. Pas shqiptarëve renditen grekët, serbët, malazezët, rumunët dhe shtetasit e Kosovës.
Orët e larta të punës në Shqipëri duken të lidhura me dy faktorë, së pari puna edhe gjatë fundjavave dhe së dyti niveli i lartë i të vetëpunësuarve, që Shqipëria e ka rekord në rajon me rreth 36% të totalit të të punësuarve (shënim i Monitor).
Sipas raportit, mesatarisht, në BE-27 burrat raportuan se punonin pak më shumë se 42 orë në javë, ndërsa gratë punonin afërsisht 37 orë. Java klasike 40-orëshe mbeti standard në vitin 2021 në shumicën dërrmuese të vendeve, përveç Francës (35 orë), Danimarkës (37 orë), Norvegjisë (38 orë) dhe Zvicrës (42 orë). Rreth 20% e të gjithë punëtorëve (31% e grave dhe 12% e burrave) punonin 34 orë ose më pak në javë.
Në vitin 2021, rreth gjysma e burrave dhe grave punonin midis 35 dhe 40 orë në javë. Mesatarisht, të vetëpunësuarit shpenzuan 6.4 orë më shumë në punë me pagesë (4.3 orë më shumë për gratë dhe 6.9 orë më shumë për burrat) sesa punonjësit.
Raporti thekson se orët e gjata të punës shoqërohen me kushte shëndetësore si depresioni, ankthi, çrregullimet e gjumit dhe sëmundjet koronare të zemrës dhe mund të ndikojnë ekuilibrin midis punës dhe aspekteve të tjera të jetës.
Në vitin 2021, 19% e punëtorëve në BE27 (13% e femrave dhe 24% e meshkujve) raportuan se punonin 48 orë ose më shumë në javë. Përqindjet mes të vetëpunësuarve ishin më të mëdha: 52% e meshkujve dhe 35% e femrave.
Orari i zgjatur i punës është raportuar nga më shumë se gjysma (58%) e të vetëpunësuarve me të punësuar, 40% e të vetëpunësuarve të vetëm dhe rreth 14% e të punësuarve.
Orët e gjata janë raportuar më shpesh nga punëtorët në bujqësi, menaxherët dhe operatorët e impianteve dhe makinerive, si dhe në sektorët e bujqësisë, transportit dhe ndërtimit. Orët e gjata ishin gjithashtu më të zakonshme në mikro-vendet e punës sesa në vendet më të mëdha të punës.
Përqindja e punëtorëve që raportuan se punonin 48 orë ose më shumë në javë ndryshonte shumë sipas vendit: 34% e punëtorëve në Greqi, 26% në Rumani, 24% në Poloni dhe 23% në Çeki, por vetëm 10% e punëtorëve në Holandë dhe 9% në Danimarkë.
Në vitin 2021, një javë pune pesë-ditore ishte normë për burrat dhe gratë në të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së.
Gratë në Holandë janë një përjashtim, pasi shumica e tyre zakonisht punojnë katër ditë në javë.
Shumica dërrmuese e punëtorëve (70%) raportuan se kishin një javë pune pesë-ditore, ndërsa pjesa tjetër ndahej pothuajse në mënyrë të barabartë midis punës katër ditë ose më pak (16%) dhe punës gjashtë ose shtatë ditë (15%) në javë.
Një javë pune katër-ditore, e cila është diskutuar kryesisht si një mekanizëm për të përmirësuar mirëqenien e punëtorëve dhe ekuilibrin punë-jetë dhe për të krijuar potencialisht më shumë vende pune dhe për të reduktuar papunësinë, u raportua nga afërsisht 8 % e punëtorëve në BE27 (6% e burrave dhe 10% e grave)./Monitor
Lajme nga vendi
SHASIVARI: NË TETOR TAKIME ME STUDENTËT SHQIPTARË!
Kur do të mund ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe studentët shqiptarë? Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, thotë se kjo nuk është çështje etnike apo politike, por juridike dhe institucionale. Ai paralajmëroi takim me organizatat studentore në tetor, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për dhënien e provimit në gjuhët e përcaktuara me ligj.
Provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe sërish në fokus të Kuvendit.
Pyetjes së deputetes Diana Toska se kur studentët do të mund ta japin këtë provim në shqip, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, iu përgjigj se gjuha mund të jetë e ndryshme, por kriteret duhet të jenë të njëjta për të gjithë.
Në Ministrinë e Drejtësisë, sipas Shasivarit, tashmë kanë arritur kërkesa nga pesë organizata studentore për mundësinë e dhënies së provimit në gjuhë të tjera.
Mes tyre janë edhe Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Tetovës, të cilat kërkojnë mundësinë e dhënies së provimit në gjuhën shqipe.
Shasivari thotë se kërkesat e studentëve duhet të merren seriozisht, pasi bëhet fjalë për të rinj që në të ardhmen do të jenë pjesë e sistemit juridik.
Ai paralajmëroi se në tetor do t’i ftojë përfaqësuesit e organizatave studentore në një takim koordinues, ku do të diskutohen kërkesat dhe do të kërkohet një zgjidhje institucionale për provimin e jurisprudencës në gjuhët e përcaktuara me ligj.
Lajme nga vendi
Mexhiti: Premtuam t’ia rikthejmë shkëlqimin Çarshisë, sot rezultati po shihet
Rikonstruimi i Çarshisë së Vjetër të Shkupit po hyn në fazën përfundimtare, ndërsa pjesa më e madhe e punimeve tashmë është realizuar. Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, theksoi se projekti po i jep Çarshisë një pamje të re, duke ruajtur njëkohësisht identitetin dhe karakterin e saj tradicional.
Në një sipërfaqe prej 1.567 m², ndërhyrjet kanë përfshirë infrastrukturën nëntokësore dhe rregullimin e hapësirës mbi tokë: rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, rrjetin elektrik dhe fibrat optike, restaurimin e kalldrëmit me gur travertin, vendosjen e ndriçimit të ri tradicional dhe rregullimin e hapësirave për këmbësorët.
“Premtuam t’ia rikthejmë shkëlqimin Çarshisë dhe sot rezultati po shihet. Pas më shumë se pesë dekadash, po realizojmë një ndërhyrje rrënjësore, nga infrastruktura nëntokësore deri te pamja përfundimtare, duke ruajtur identitetin që e bën Çarshinë të veçantë. Me mbi 28 milionë denarë investim, po krijojmë kushte më të mira për qytetarët, zejtarët, bizneset dhe vizitorët,” deklaroi Mexhiti.
Me përfundimin e projektit, Çarshia e Vjetër do të ketë infrastrukturë të modernizuar dhe hapësira publike më funksionale, duke ruajtur në të njëjtën kohë vlerat e saj historike dhe autentike.
Lajme nga vendi
RASTI I LLASKARCËS ËSHTË FYTYRA E DËSHTIMIT TË GJYQËSORIT
Shtatë vjet pas tragjedisë në Llaskarcë, familjet e 16 viktimave ende presin drejtësi. Shfuqizimi i aktgjykimit të Apelit dhe kthimi i lëndës për rivendosje hapin përsëri mundësinë që ky proces të zvarritet pa fund.
Edhe në dhjetor paralajmëruam se “Durmo Turs”, bashkë me shumë raste të tjera, është dëshmi e gjallë e dështimit të sistemit. Pamë shtyrje të dyshimta, raporte mjekësore dhe moszbatim të vendimeve.
Besimi në gjyqësor, që ka rënë deri në dy për qind, nuk ra nga qielli. Vetëm superekspertiza për rastin e Llaskarcës qëndroi 315 ditë në Byronë për ekspertiza gjyqësore. Në krye të Byrosë ishte Valdet Xhaferi, funksionar i BDI-së. Pra, lënda nuk u zvarrit vetë.
Gjyqësori duhet reformuar nga rrënjët dhe ministri i ri i Drejtësisë e ka nisur mbarë këtë punë, me vendosmërinë që raste si Llaskarca të mos mbeten më peng i sistemit.
Kërkojmë publikimin e shpejtë të arsyetimit dhe trajtimin me përparësi të lëndës, pa lojëra të reja procedurale. Familjet e viktimave nuk duhet të kthehen përsëri në pikën zero.
-
Lajme nga vendi1 month agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize

