Lajme nga vendi
Edi Rama sot pritet të mbledh liderët e partive politike në Maqedoninë e Veriut
Liderët e partive politike të shqiptarëve në vend sot pritet të shkojnë në një takim në Tiranë me ftesë të kryeministrit shqiptar Edi Rama.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, deklaroi dje se takimi i sotëm në Tiranë është një takim i Vitit të Ri me qëllim të shkëmbimit të mendimeve për çështjet aktuale në rajon dhe duke uruar suksese në vitin në vazhdim dhe apeloi që të mos krijohet “një lloj konspiracioni” në lidhje me të.
Sipas Osmanit, për takimin nuk ka agjendë të caktuar prej më herët, që do të diskutohet dhe do të jetë një mundësi për të komunikuar dhe shkëmbyer ide, informacione dhe pikëpamje në të mirë të rajonit, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
“Mund të them se kryeministri i Shqipërisë është një mik i dëshmuar i Republikës së Maqedonisë së Veriut, ai e dëshmoi veçanërisht gjatë këtyre viteve dhe muajve të negociatave me Republikën e Bullgarisë, kur fjalë për fjalë ndonjëherë në kurriz të interesave të Shqipërisë, i ka shprehur qëndrimet e Republikës së Maqedonisë së Veriut në atë pjesë. Realisht nuk mendoj se duhet të krijohet ndonjë konspiracion lidhur me këto takime”, tha Osmani.
Deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli dje deklaroi se partia e tij ka marrë ftesë për takimin e njerëzve të parë të partive shqiptare në vend me kryeministrin shqiptar Edi Rama, por tha se ata nuk do të marrin pjesë në të. Ai vlerësoi se ky takim është në dobi të BDI-së dhe se gjithmonë kur kjo parti ka probleme të brendshme mbahen takime të tilla në Tiranë.
“Kemi ftesë nga kryeministri i Shqipërisë për takimin e nesërm. Kryesia qendrore vendosi që ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Republikën e Shqipërisë dhe kryeministrin Rama, por si parti politike Lëvizja Besa nuk jemi gati të ulemi në të njëjtën tryezë me BDI-në. BDI-së në këtë moment i duhet një takim në Tiranë. Nuk shohim që dikush tjetër ka nevojë për një takim të tillë. BDI ka interes për një takim të tillë siç e ka keqpërdorur në vitin 2017 për qëllimet e veta. Sa herë që kanë problemet e tyre të brendshme me kundërshtarët e tyre të brendshëm, (BDI) kërkojnë ndihmë nga rajoni. Ne nuk shohim se duhet t’u vijmë në ndihmë tani”, tha Zendeli.
Ai potencoi se kur partitë politike të shqiptarëve kanë kërkuar të ulen në tryezë që të dakordohen disa çështje, lideri i BDI-së nuk ka qenë i gatshëm të ulen në tryezë dhe të dakordohen për disa çështje, lideri i BDI-së asnjëherë nuk ka qenë i gatshëm të flasë me ta, ndërsa edhe në disa media i ka ofenduar ata.
“Nëse jemi të poshtër, atëherë nuk shohim arsye të ulemi me të në të njëjtën tavolinë kur ai ka nevojë”, tha deputeti i Besës, duke shtuar se do të kenë takim me kryeministrin e Shqipërisë, por jo kur është vetëm në interes të BDI-së.
Nga Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët kanë konfirmuar për MIA-në se kanë marrë ftesë për takimin dhe se do të marrin pjesë në të, pa saktësuar hollësira.
“Ashtu siç u jemi përgjigjur pozitivisht të gjitha ftesave për takime dhe në këtë rast konfirmojmë ftesën, si dhe prezencën tonë në darkën e organizuar nga kryeministri Edi Rama”, thanë për MIA-n nga Aleanca për Shqiptarët.
Nga Alternativa konfirmuan se në takim do të marrë pjesë edhe kryetari i partisë Afrim Gashi, por nuk dihet se për çfarë do të diskutohet.
Rama organizoi një takim në të njëjtin format me Ali Ahmetin, Zijadin Selën dhe Bilal Kasamin më 29 dhjetor 2016 në Tiranë, i cili rezultoi me një Deklaratë të përbashkët të partive politike shqiptare për ruajtjen e interesave të shqiptarëve. Ai parashikonte barazi të plotë gjuhësore, duke përfshirë statusin e gjuhës shqipe në Kushtetutë, zhvillim të barabartë rajonal, komisione ndërkombëtare për spastrimin e plotë të rasteve të montuara gjyqësore, si dhe debat gjithëpërfshirës për flamurin kombëtar, himnin, dhe stemën në një mënyrë që simbolet shtetërore të pasqyrojnë multietnicitetin social dhe barazinë. Liderët nënshkrues të Deklaratës u zotuan gjithashtu se do të vazhdojnë punën për përmbushjen e këtyre angazhimeve.
Takimi i fundit i palëve nënshkruese të Deklaratës së përbashkët është mbajtur në korrik të vitit 2017. Pas kësaj, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, konvokoi edhe një mbledhje, por ajo u bojkotua nga liderët e tjerë për shkak të deklaratës së tij publike se “nuk ulet me të poshtër”. Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilal Kasami, bëri një tjetër përpjekje për t’u ulur së bashku liderët e partive shqiptare më 7 nëntor të vitit të kaluar për të diskutuar ndryshimet në amendamentin 5 të Kushtetutës, i cili do të ndryshonte formulimin “gjuha e folur nga 20 për qind të qytetarëve” me “gjuhë shqipe”, por tentativa e tij përfundoi pa sukses.zhurnal.
Lajme nga vendi
Mexhiti në takimin me OEMVP: Partneriteti mes komunave dhe biznesit është çelësi i zhvillimit ekonomik

Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Çairit dhe njëri nga liderët e koalicionit, Izet Mexhiti mori pjesë në takimin e organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) me liderët e koalicionit VLEN dhe kandidatët e këtij koalicioni për kryetarë komunash.
Në fjalën e tij, Mexhiti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis komunave, Qeverisë dhe sektorit të biznesit, si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në komunat shqiptare. Ai rikujtoi se ditët e fundit është mbajtur edhe një takim i veçantë për zonën e Vizbegut, e cila sipas tij meriton vëmendje të shtuar institucionale për shkak të kontributit të madh ekonomik që jep.
“Vizbegu është zonë që jep më së shumti dhe e mbush arkën e shtetit përmes tatimeve të kompanive dhe mijëra punëtorëve që punojnë aty. Kjo zonë ka nevojë për infrastrukturë të denjë, për rrugë të rekonstruuara si ‘Hasan Prishtina’ e ‘rruga e Kaçanikut’, që të jenë në funksion të ndërmarrjeve ekonomike. Këtu duhet bashkëpunim mes komunave përreth, Qeverisë dhe një kryetari të ri të Qytetit të Shkupit që e kupton rëndësinë e zhvillimit ekonomik vendor”, theksoi Mexhiti.
Ai shtoi se takimi me Odën Ekonomike Veri-Perëndimore shërben për të harmonizuar qëndrimet dhe për të krijuar një partneritet afatgjatë midis institucioneve lokale dhe komunitetit të biznesit.
“Si koalicion VLEN kemi ardhur në formë respekti, të gjithë liderët dhe kandidatët me idetë dhe programet e tyre. Ramë dakord që pas zgjedhjeve të mbahet një takim i dytë me kandidatët e zgjedhur për të harmonizuar qëndrimet, edhe pse në fakt kemi shumë pak për të harmonizuar sepse Oda e përkrah decentralizimin dhe idenë që mjetet buxhetore të përdoren për projekte ekonomike dhe jo për përmendore”, u shpreh Mexhiti.
Në përfundim, Mexhiti nënvizoi se ky bashkëpunim është edhe një “infuzion” për kompanitë vendore të vogla dhe të mesme që veprojnë në komunat përkatëse, si dhe një mundësi për të avancuar digjitalizimin, turizmin dhe zhvillimin e zonave ekonomike në Saraj, Tetovë, Strugë e më gjerë.
“Platforma e VLEN-it është në një vijë me atë të Odës Ekonomike Veri-Perëndimore. Ideja është që edhe pas zgjedhjeve të vazhdojmë ta thellojmë këtë bashkëpunim, sepse është në interes të përbashkët të komunave dhe bizneseve”, përfundoi Mexhiti.
Video
https://drive.google.com/file/d/1-EqazBYt3JgVoyks-hCEp0gVvuRybqB7/view?usp=sharing
Lajme nga vendi
Aliu paralajmëron ndryshime ligjore: Mjekët dhe personeli mjekësor do t’i nënshtrohen testit anti-drogë

Mes ligjeve të cilat po përpilohen nga 12 grupet e punës në ministrinë e shëndetësisë, është paraparë edhe një ligj i cili do të obligonte punonjësit shëndetësor të kryejnë test anti-drogë. Grupet e punës kanë kujdes që të mos ketë përplasje mes ligjeve por të jenë të sinkronizuara dhe të zbatueshme.
“Po definitivisht ne kemi 12 grupe punuese të cilat punojnë siç e dini për ndryshimin apo sinkronizimin e atyre ligjeve që të jenë që të mos ketë përplasje mes ligjeve. Një nga mundësitë që do ta shqyrtojmë është nëse mundet në ndonjërin prej ligjeve të jetë, do të jetë edhe ai nen i ligjit”, tha Azir Aliu – Ministër i Shëndetësisë.
Por çfarë sanksionesh parashihen për mjekët që mund të rezultojnë pozitiv? Ministri Aliu ende nuk ka detaje.
“Për këtë juristët me siguri kur krijohet ligj ka edhe proces se si duhet të ndjekësh indikatorët dhe nëse nuk janë në përputhje me ligjin normalisht se do të ketë edhe pasoja”, deklaroi Azir Aliu – Ministër i Shëndetësisë.
Kjo ide vjen pasi drejtori i shkarkuar i Neurologjisë, Igor Kuzmanovski, ishte incizuar duke shfrytëzuar lëndë narkotike. Kërkesë për testim anti drogë pati pasur edhe për deputetët në vitin 2019. Grupi i pavarur i atëhershëm i deputetëve nga VMRO-DPMNE-ja patën kërkuar nga Kuvendi që të bëjë test për përdorimin e lëndëve narkotike për të gjithë 120 deputetët ndërsa patën bërë thirrje që këtë ta realizojnë edhe funksionarët e tjerë sikurse gjykatësit, prokurorët, kryetarët e komunave e të tjerë. Kjo kërkesë pati ardhur pas publikimit të një bisede të përgjuar të deputetit të atëhershëm të LSDM-së, Pavle Bogoevski i cili dëgjohej duke porositur lëndë narkotike kokainë.
Paraprakisht policia kishte zbatuar testimin për anti-drogë te disa punonjës. Numri i tyre i vërtetë asnjëherë nuk u kumtua, por disa ishin suspenduar, madje edhe pjesëtarë të njësive elitare. Ky mekanizëm hyri në funksion nga viti 2015 kur të paktën 13 policë nga një aksion i brendshëm i MPB-së, rezultuan pozitiv në testet e drogës. Në vitin 2020 në metodologjinë e re për test integriteti ishte përfshirë edhe kontrolli i domosdoshëm për policët gjatë aplikimit për punë. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Erasmus/ Rreth 7 milionë euro fonde nga Bashkimi Evropian do tu ndahen 270 institucioneve dhe organizatave

Rreth 7 milionë euro fonde nga Bashkimi Evropian do tu ndahen 270 institucioneve dhe organizatave në vend në kuadër të programit Erasmus për vitin 2025. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha se interesimi për këtë program është rritur për 100 % kundrejt disa viteve më parë ku ishte vënë në pikëpyetje kredibiliteti i Agjencisë Kombëtare për Programe Arsimore
Evropiane dhe Mobilitet, për shkak të parregullsive të konstatuara në punën e saj. Drejtuesja e Agjencisë, Ana Mihajllov tha se realizimi i projekteve ka të bëj me metodat e reja të të mësuarit dhe mësimdhënies, transformimit digjital dhe demokracisë.
“Këtë vit numri i aplikimeve për projekte të mobilitetit të nxënësve dhe mësimdhënësve në kuadër të Erasmus është rritur mbi 100% krahasuar me vitin e kaluar. Nëse në vitin 2024 ishin parashtruar rreth 150 aplikime, këtë vit janë parashtruar mbi 300. Do të nënshkruhen kontrata për 161 projekte me vlerë rreth 7 milionë euro, kryesisht në fushat e gjithpërfshirjes, metodave të reja të të mësuarit dhe mësimdhënies, transformimit digjital dhe demokracisë, ndërsa do të përfshihen 270 institucione dhe organizata nga Maqedonia”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
“Kemi realizuar mbi 200 takime me shfrytëzuesit potencial të cilët I kemi siguruar se Agjencia Kombëtare po punon me përkushtim, domethënë po forcon proceset dhe kapacitetet në mënyrë që Agjencia Kombëtare të funksionojë normalisht. Jemi në korrelacion të vazhdueshëm me Komisionin Evropian kemi dhe kemi qëllimin e vetëm që ta kthejmë agjencinë në rrugën evropiane aty ku e meriton”, theksoi Ana Mihajllov, drejtore e Agjencisë Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet./ Alsat.mk