Lajme nga vendi
Ahmeti lëvdon Grubin e Osmanin: “Gëzohem kur dëgjoj se janë pasqyra e shtetit”
Lëre që nuk i heq, por edhe në tubimet me qytetarët, kreu i integristëve Ali Ahmeti vazhdimisht i lëvdon zv/kryeministrin e parë Grubin, ministrin Osmani dhe ministrat e tjerë nga partia e tij. Ahmeti tha se 20 vite ka investuar në ngritjen e kuadrove që sot, sipas tij, po na e zbardhin fytyrën para shteteve, vendeve e kombeve të përparuara.
“Unë gëzohem dhe më rritet krenaria kur dëgjoj dhe më thonë të huajt nga Brukseli e Uashingtoni se këta janë pasqyra e shtetit dhe e Qeverisë dhe kjo më fisnikëron, më bën të lumtur dhe të palodhshëm që ne të vazhdojmë të ecim përpara. Në këto momente që ne flasim, Bujar Osmani po kthehet nga Ukraina. Është ministër i jashtëm i gati gjysmës së globit, do të thotë që kemi arritur dhe ato investime që kemi bërë nuk na kanë shkuar huq”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
E për kritikat që në BDI ka humbur demokracia e brendshme, Ahmeti tha se partia po funksionon për mrekulli.
“BDI, jo që unë jam kryetar i kësaj partie, por është një nga partitë më me demokraci të brendshme, lëri çka flasin ata se s’ka demokraci. Funksionojnë për mrekulli të gjithë institucionet dhe organet”, pohoi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Lëvdata për Grubin kishte edhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Tha se me këtë përbërje të ekzekutivit, e sidomos me Grubin, kanë sjellë vendime shumë të rëndësishme për qytetarët, e sidomos për shqiptarët.
“Për herë të parë është miratuar vendim i Qeverisë me iniciativë të Ministrisë për Sistem Politik ku është ministër njëkohësisht zv/kryeministri i parë që të gjitha mjetet e masave të ndryshme, programeve të ndryshme të cilat do të ndahen për qytetarët në nivel shteti të ndahen me metodologjinë e zhvillimit të barabartë rajonal. Çfarë do të thotë kjo? Nëse në një kohë, para disa dekadave, gjatë procesit të privatizimit, diskriminimeve të ndryshme ka ndodhur që rajone të ndryshme të jenë të favorizuara”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
Ndërkaq nga pyetjen e qytetarëve të Gostivarit, Grubi u pyet se a do të tërhiqej për hir të bashkimit të partisë. Ai tha se kjo pyetje për të është shumë e lehtë.
“Ne e kemi vetëm një misionar në vendin tonë dhe jemi rreshtuar pas këtij misionari dhe për mua nuk ka dy standarde. Ja këtu jemi, ja le të më shohin edhe fëmijët e mi, për mua fjala Ali Ahmetit është e fundit”, tha Artan Grubi, zv/kryeministër i parë.
Kjo është dita e katërt që Ahmeti bashkë me funksionarë të BDI-së të nivelit lokal e qendror po takohet me qytetarët nën moton “Bashkë për Europë”. Takime paralelisht mban edhe grupi i zjarrit, ku sot nënkryetari i BDI, Izet Mexhiti dhe sekretari organizativ i BDI-së Blerim Bexheti do të mbajnë takim me të rinjtë nga Shkupi.tv21.
Lajme nga vendi
FILIPÇE: INSPEKTIME NË TË GJITHA SISTEMET E UJËSJELLËSIT NË VEND
Rasti në Gostivar nuk është i izoluar, por bëhet fjalë për dobësi sistematike dhe joefikasitet institucional, deklaroi kryetari i LSDM-së, Venco Filipçe.
Në konferencën e sotme për media ai tha se ka informacione se edhe në vende të tjera të vendit ka probleme me cilësinë e ujit, ndërsa institucionet nuk po reagojnë.
Duke iu referuar një raporti të siguruar nga informatorë, Filipçe deklaroi se uji në Spitalin e Specializuar për Sëmundje të Mushkërive dhe Tuberkuloz në Leshkë ka rezultuar i ndotur.
“Askush nuk ka reaguar. Bëhet fjalë për dokumente zyrtare të Qendrës për Shëndet Publik në Tetovë. Mostra e marrë nga çezma e spitalit në Leshok, ku trajtohen pacientët, ka treguar 51 baktere koliforme në 100 mililitra ujë. Në raport thuhet se uji nuk i plotëson standardet e cilësisë për ujë të pijshëm. A e dinë këta njerëz se çfarë po bëjnë? Çfarë lloj menaxhimi i institucioneve është ky? A është qëllimi të rrezikohet shëndeti i të gjithë qytetarëve në vend?”
Lideri socialdemokrat bëri thirrje që analizat dhe kontrollet të kryhen menjëherë, ndërsa kërkoi dorëheqje dhe përgjegjësi penale për drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit të Shëndetit Publik, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe të Prokurorisë, duke i akuzuar se kanë vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve.
Lajme nga vendi
Pas zënkës me gruan, merr fëmijën 10-muajsh pa leje dhe largohet për në Zvicër
Dje në orën 08:10 në DPB Gostivar, një 21-vjeçare nga një fshat i Gostivarit ka denoncuar se, pas një mosmarrëveshjeje paraprake në shtëpinë familjare, bashkëshorti i saj kundërligjshëm dhe pa pëlqimin e saj ka marrë fëmijën e tyre 10-muajsh për në Zvicër. Për rastin janë njoftuar shërbimet kompetente dhe Qendra për Punë Sociale në Gostivar për zbardhjen e plotë të rastit.
Lajme nga vendi
16-vjeçari pa leje drejtimi me veturë përfshihet në aksident,i konfiskohet automjeti
Dje rreth orës 14:00 në një hapësirë parkingu në rrugën “Bllagoja Toska” në Tetovë, zyrtarë policorë kanë privuar nga liria një të mitur 16-vjeçar nga fshati Poroj. Paraprakisht, ai pa leje drejtimi ka drejtuar automjetin e udhëtarëve “Smart” me targa të Tetovës dhe me automjetin ka qenë i përfshirë në një aksident komunikacioni. Automjeti është konfiskuar dhe ndaluar në stacionin policor, ndërsa biseda zyrtare me të është kryer në prani të inspektorit për delikuencë të të miturve dhe kujdestarit të tij. Pas dokumentimit të rastit, ndaj personit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.

