Lajme nga vendi
EShS: Mungesa e kuadrit nuk varet nga ne, por nga institucione tjera
Enti Shtetëror i Statistikave do ta ketë të vështirë ta kapërcejë problemin e mungesës së kuadrit, diçka që nga Komisioni Evropian në raportin e vitit 2022 u kërkua të zgjidhet në mënyrë urgjente. KE-ja kërkoi gjithashtu edhe sigurimin e burimeve të mjaftueshme financiare për EShS-në. Nga ky institucion shprehen se në katër vitet e fundit nuk ka pasur as edhe një punësim, kurse ka pasur dalje të madhe të stafit. Në dhjetor të vitit që lam pas, EShS, shpalli konkurs për punësim, i cili pritet të zbusë sadopak këtë problematikë.
“Në lidhje me konkursin, procedura ka përfunduar më 9 janar dhe janë shpallur vendimet për pranimin e 39 kandidatëve (shpallja është paraqitur për 45 punësime të reja, por 6 nuk janë zbatuar për arsye të ndryshme). Për shkak të shtyrjes së procedurës së përzgjedhjes, zbatimi i plotë u zhvendos për në vitin 2023, kështu që aktualisht jemi në pritje të sërishme të pëlqimit financiar nga Ministria e Financave për t’u dhënë zyrtarisht vendimet punonjësve të rinj dhe të fillojnë punën”, thonë për Portalb.mk nga Enti i statistikave.
Në Entin e Statistikave ka ende mungesë të personelit (edhe përkundër këtyre 39 punësimeve të reja), duke pasur parasysh se në 4 vitet e fundit ka pasur një dalje të madhe të kuadrit dhe asnjë punësim të vetëm, thonë nga EShS.
“Plani i Entit është të vazhdojë me procedurat e rregullta për punësime të reja përmes planit të punësimit që e përgatisim çdo vit. Nëse ai plan do të zbatohet apo jo, varet nga institucionet e tjera, jo nga EShS. Nuk ka asnjë mundësi tjetër për të plotësuar nevojat e stafit të ri”, theksojnë nga EShS.
Në aspektin financiar, shtojnë ata, EShS financohet nga Buxheti i RMV-së dhe nga mjetet e ndara për vitin 2023, mund të konstatohet se ato janë të mjaftueshme për nevojat themelore të institucionit – pagat dhe komunalet.
“Nga këtu, sa i përket fondeve për hulumtime statistikore ekzistuese, punësime të reja, zhvillim dhe zbatim të hulumtimeve të reja statistikore – nuk mund të flasim fare për plotësimin e nevojave të Entit”, nënvizojnë në EShS.
Kujtojmë se ashtu si edhe në kapitujt tjerë, edhe në kapitullin 18 që ka të bëjë me statistikat, nuk është vërejtur ndonjë përparim i madh në raportin e Komisionit Evropian (KE) për Maqedoninë e Veriut. Vendi vazhdon të mbetet mesatarisht i përgatitur. KE-ja e sheh si urgjente nevojën e sigurimit të stafit adekuat dhe burimeve të mjaftueshme financiare për Entin shtetëror të statistikave, si dhe që ky institucion në vijim të publikojë tërësisht rezultatet e regjistrimit të popullsisë që u zhvillua në vitin 2021.
Komisioni nënvizoi se është bërë përparim i mirë, veçanërisht me publikimin e grupit të parë të të dhënave të regjistrimit të popullsisë në pranverën e vitit 2022. Përmirësime janë vërejtur në të gjitha fushat statistikore dhe në përafrimin e mëtejshëm të statistikave sektoriale me standardet e BE-së, duke përfshirë përdorimin e zgjeruar të burimeve administrative.
Theksohet se nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar shtrirjen dhe cilësinë e të dhënave të statistikave makroekonomike dhe sociale.
Për shkak se vendi rekomandimet e vitit të kaluar nuk i zbatoi plotësisht, në vitin e ardhshëm, duhet në veçanti të:
publikojë të gjitha rezultatet e regjistrimit të popullsisë deri në fund të vitit 2022 dhe të sigurohet që rezultatet e regjistrimit të merren parasysh në vendimmarrje dhe shpërndarjen e burimeve;
sigurohet urgjentisht personel adekuat dhe burime të mjaftueshme financiare për Entin Shtetëror të Statistikave;
vazhdojë përafrimi i llogarive financiare dhe llogarive kombëtare tremujore me Sistemin evropian të llogarive 2010 (ESA 2010).
Rregullat e BE-së kërkojnë që Shtetet Anëtare të jenë në gjendje të prodhojnë statistika të cilësisë së mirë në përputhje me parimet e Kodit të praktikës së Statistikave evropiane dhe bazuar në pavarësinë profesionale, paanshmërinë, besueshmërinë, transparencën dhe konfidencialitetin. Janë parashikuar rregulla të përbashkëta për metodologjinë, prodhimin dhe shpërndarjen e informacionit statistikor.
Sidoqoftë, nëse vendi nuk do të kishte zbatuar regjistrimin e pupullësisë në vitin 2021, vështirë se do të merrte lëvdatat që i ka aktualisht në këtë kapitull. Maqedonia nuk arriti të bëjë regjistrimin për rreth 20 vite, ai paraprak, gjejgësisht para vitit 2021 ishte realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë. Ishin shpenzuar dy milionë euro, ndërsa pati edhe një procedurë parahetimore kundër dy drejtuesve të koalicionit të atëhershëm qeveritar, Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit për ndërprerjen e regjistrimit, por kjo procedurë ka përfunduar pa epilog gjyqësor. /Portalb
Lajme nga vendi
MPB: Brenda 24 orëve, sistemi “Safe City” në Shkup ka regjistruar 50.652 shkelje
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se gjatë ditës së djeshme, respektivisht brenda 24 orëve të kaluara, janë regjistruar gjithsej 50.652 kundërvajtje nga ana e sistemit “Safe City”, përcjell TV21. Kundërvajtjet janë regjistruar në rajonin e Sektorit të Punëve të Brendshme në Shkup.
Më 02.12.2025 janë regjistruar gjithsej 50.652 shkelje, nga të cilat 48.861 për shpejtësi, 1.366 për kalim në semafor të kuqe dhe 425 për automjete të paregjistruara”, thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Shënimi i 3 Dhjetorit – Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot në Qeveri mori pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, së bashku me zëvendëskryrministrin e Qeverisë për sistemin politik, Ljupço Dimovski, ministrin për politikë sociale, demografi dhe rini, Fatmir Limani, si dhe Armen Grigorjan, ushtrues detyre koordinator i përhershëm i OKB-së.
“Së bashku me Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, dhe në mënyrë aktive edhe me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, po punojmë në vendosjen e një sistemi të ndërhyrjes së hershme të orientuar drejt familjes. Vitet e para të jetës janë vendimtare për zhvillimin e çdo fëmije. Sistemi shëndetësor duhet të jetë i aftë të identifikojë çdo vështirësi të hershme në zhvillim, prandaj po trajnohen ekipe në institucionet publike shëndetësore në Shkup, të cilat tashmë ofrojnë shërbime të orientuara drejt familjes. Paralelisht, Ministria po punon në zhvillimin e një sistemi universal të skriningut për të gjithë fëmijët deri në moshën gjashtëvjeçare, me ç’rast çdo fëmijë do të ketë qasje në vlerësim të hershëm, pavarësisht se ku jeton,” theksoi ministri Aliu.
Ministria e Shëndetësisë, së bashku me Ministrinë e Politikës Sociale dhe me mbështetjen e Bankës Botërore, po punon për nisjen e një projekti të përbashkët pilot për vendosjen e një sistemi të gjithanshëm për vlerësimin e personave me aftësi të kufizuara. Ky është hapi i parë drejt krijimit të një regjistri unik dhe përmirësimit të kornizës ligjore për vlerësimin dhe sigurimin e të drejtës për kompensim për ndihmë dhe kujdes nga një person tjetër.

Lajme nga vendi
Kryetari i PDSH-së, z. Menduh Thaçi, priti në takim Ambasadorin e Republikës Çeke
Sot, në selinë e Partisë Demokratike Shqiptare, Kryetari i PDSH-së, z. Menduh Thaçi, priti në takim Ambasadorin e Republikës Çeke në Shkup, Shkëlqesinë e Tij z. Jaroslav Ludva, i shoqëruar nga bashkëpunëtori i tij, z. Veton Kodra.
Gjatë takimit u zhvillua një diskutim i hapur dhe konstruktiv mbi situatën aktuale politike në vend, me theks të veçantë në proceset integruese drejt Bashkimit Evropian. Kryetari Thaçi vlerësoi lart rolin dhe kontributin e Republikës Çeke, si dhe të partnerëve të tjerë evropianë, për mbështetjen e vazhdueshme që i ofrojnë këtyre proceseve.
Ai shprehu shqetësimin e tij për ngecjet në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt hapjes së negociatave me BE-në, duke theksuar nevojën e domosdoshme për ndërmarrjen e hapave urgjentë që do të mundësonin zhbllokimin e këtij procesi. Kryetari Thaçi ritheksoi se PDSH-ja do të vazhdojë të jetë një zë i qartë dhe kritik ndaj çdo pengese që ndikon negativisht në perspektivën evropiane të vendit.
-
Lajme nga vendi1 month agoBilall Kasami : Mega projekti që po bëhet realitet investim prej 70 milionë denarëve Tetova po transformohet
-
Lajme nga vendi4 weeks agoUniversiteti i Tetovës shpreh ngushëllime për vdekjen e studentes Daorsa Spahija
-
Lajme nga vendi2 months agoFatmir Limani: Diaspora do të jetë pjesë integrale e projektit tim politik

