Lajme nga vendi
Moti sot me reshje shiu, borë në zonat malore
Moti sot do të jetë pjesërisht me vranësira me reshje shiu, borë në male dhe në zonat më të larta. Në orët e paradites në pjesët perëndimore reshjet do të kalojnë në borë në disa zona më të ulëta.
Në pjesët juglindore reshjet do të jenë të rrëmbyeshme. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare.
Në Shkup moti do të jetë me vranësira të pjesshme me reshje të kohëpaskohshme shiu, sidomos paradite. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi juglindor.
Lajme nga vendi
“FORUMI I KARRIERËS 26” – NË FOKUS PUNËSIMI I TË RINJVE DHE PRAKTIKA PROFESIONALE
Në Tetovë u organizua “Forumi i Karrierës 26”, i cili mblodhi përfaqësues të institucioneve, universiteteve, sektorit privat dhe organizatave, me qëllim diskutimin e sfidave me të cilat përballen të rinjtë gjatë kalimit nga arsimi në tregun e punës. Forumi u organizua nga Instituti për Lidership dhe Politika Publike (ILPP), në kuadër të projektit “NextGen CareerUp”, me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Maqedoninë e Veriut. Në fokus të diskutimit ishin mundësitë për punësim, zhvillimi i aftësive profesionale dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore dhe bizneseve.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, theksoi rëndësinë e krijimit të mundësive që studentët, pas përfundimit të studimeve, të përfshihen më lehtë në tregun e punës. Ai bëri të ditur se Ministria po zbaton një plan operativ që u mundëson të rinjve të aplikojnë për praktikë profesionale dhe të fitojnë përvojën e nevojshme për punësim.
BESAR DURMISHI – MINISTËR I EKONOMISË
“Ky forum organizohet për interes të të rinjëve të vendit tonë, posaqërisht, studentët. Organizohet në një format ku do të marrin pjesë edhe përfaqësues të universitetetve, por edhe të sektorit privat, pra se si mund të bëhet një sinkronizim i tillë, se si mund të rinjët dhe të rejat sapo e kryejnë fakulltetin të arijnë të inkuadrohen nëpër vendet e punës dhe në tregun e punës. Unë në kuadër të sektorit që e udhëheq, Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës do të prezantoj planin operativ i cili është në realizim e sipër ku të gjithë të rinjtë dhe të rejat do të mund të apikojnë për praktikim për të marr përvojën e duhur dhe të mund të përgatitien për tu kyçur në tregun e punës”.
Drejtoresha ekzekutive e ILPP-së, Pranvera Kasami, vuri në pah se integrimi i të rinjve në tregun e punës është një sfidë që kërkon angazhimin e përbashkët të institucioneve, arsimit dhe sektorit privat. Ajo prezantoi të dhëna që, sipas saj, tregojnë mospërputhjen ndërmjet përgatitjes universitare dhe pritshmërive të tregut të punës.
PRANVERA KASAMI – Drejtoreshë ekzekutive e ILPP-së
“Kur flasim për integerimin e të rinjëve në tregun e punës, flasim për një sfidë shumë më të madhe se mund ta zgjidh një projekt apo një institucion i vetëm. Në Maqeodninë e Veriut papunësia te të rinjtë e moshës 15-24 vjet gjatë vitit 2025 ishte rreth 29%, por ajo që na shqetëson nuk është vetëm papunësia, por edhe distanca mes arsimit dhe mundësive reale. Në hulumtimin tonë vetëm 21% e punëdhënsve e vlerësojnë arsimin universitar si kryesisht ose të përshtatur me kërkesat e tregut të punës, kurse 67% të studentëve vlerësojnë kështu. Kjo diferenve flet shumë. Dhe këtu kemi zgjedhur të veprojmë”.
Ambasadorja e Holandës në Maqedoninë e Veriut, Ozlem Canel, theksoi se vështirësitë gjatë kalimit nga arsimi në punësim janë të pranishme në mbarë Evropën. Ajo nënvizoi se diplomat nuk garantojnë gjithmonë punësim të përshtatshëm dhe se mungesa e mundësive profesionale i shtyn shumë të rinj të mendojnë për largimin nga vendi.
OZLEM CANEL – Ambasadore e Holandës në RMV
“Në të gjithë Evropën e sidomos këtu, të rinjtë përballen me një tranzicion të rëndë nga edukumi te punësimi. Shumë shpesh, diplomat nuk vlejnë për të përfituar punë adekuate, njohuritë nuk i përshtaten tregut dhe fatkeqësisht shumë të rinjë ndjejnë se migrimi është e vetmja zgjidhje! Me “NextGen CareerUp” ne duam t’u tregojmë një tjetër rrugëzgjidhje, një rrugë ku të rinjtë mund ta shohin të ardhmen për vetën e tyre këtu, bazuar në njohuritë, mundësinë dhe mbështetjen”.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, u shpreh se sfida nuk qëndron vetëm në përfundimin e arsimit, por edhe në shndërrimin e njohurive të fituara në mundësi konkrete punësimi. Ai vlerësoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, universiteteve, shkollave dhe bizneseve është thelbësor për t’u ofruar të rinjve praktikë profesionale dhe qasje më të lehtë në tregun e punës.
VALBON LIMANI – Kryetar i Komunës së Gostivarit
“Sot sfida nuk është që të rinjtë vetëm të përfundojnë arsimin, por që njohuritë e fituara t’i shndërrojnë në mungësi konkrete punësimi. Për këtë arsye, bashkëpunimi në mes të institucioneve, universiteteve dhe shkollave dhe bizneseve është thelbësor. Të rinjëve duhet të u ofrohet mundësi për praktik, për përvojë profesionale dhe qasje më e lehtë në tregun e punës”.
Në kuadër të forumit u ndanë edhe mirënjohje për bizneset që kanë pranuar praktikantë në kuadër të programit të praktikës profesionale, duke vlerësuar kontributin e tyre në krijimin e mundësive për përvojë pune dhe zhvillim profesional të të rinjve. Forumi shërbeu si hapësirë për dialog ndërmjet të rinjve dhe aktorëve kryesorë të punësimit, me synimin që njohuritë e fituara gjatë arsimimit të përkthehen në aftësi praktike dhe mundësi konkrete për të ardhmen profesionale./Tv Koha/
Lajme nga vendi
Deputeti gjerman i CDU-së mbështet studentët: shqiptarët me vlera europiane kërkojnë fundin e korrupsionit.
Revolta studentore në Shqipëri ka tërhequr vëmendjen edhe në Gjermani. Knut Abraham, deputet i CDU-së në Bundestagun gjerman dhe ish-këshilltar i kancelares Angela Merkel, ka reaguar për protestat në Tiranë, duke shprehur shqetësimin e tij të thellë për zhvillimet dhe duke vënë në dukje kërkesat e qytetarëve shqiptarë kundër korrupsionit dhe lidhjeve mes politikës e krimit të organizuar.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, Abraham thekson se kërkesat e protestuesve pasqyrojnë vlerat europiane që Shqipëria është zotuar të mbështesë. Deklarata e deputetit gjerman vjen në ditën e tetë të revoltës studentore, ndërsa të rinjtë vijojnë protestat duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Lajme nga vendi
Akademik Kambovski: Propozimi për provimin e jurisprudencës është racional
Propozimi i Ministrit të Drejtësisë Jeton Shasivari është racional, deklaroi akademiku Vllado Kambovski sot për „Sloboden Peçat”, pasi studentët shqiptarë e refuzuan atë dhe këmbëngulën që i gjithë provimi të zhvillohet në gjuhën shqipe, në të kundërtën do të protestojnë sërish.
Kryeministri Hristijan Mickoski këmbëngul se pjesa me shkrim e provimit duhet të mbetet në gjuhën maqedonase, përkatësisht se gjuha e përbashkët e sistemit të drejtësisë është maqedonishtja.
Ndërkaq, Kambovski konsideron se më e rëndësishme është harmonizimi i terminologjisë juridike dhe i programeve mësimore në fakultetet juridike. Ai propozoi një nismë për unifikimin e terminologjisë dhe të literaturës së detyrueshme.
„Në kushtet aktuale, ky propozim duket racional, nëse kemi parasysh se pikërisht këto fusha janë ndër më të ndjeshmet në të drejtën, ku është jashtëzakonisht e rëndësishme të ekzistojë terminologji juridike e harmonizuar, si dhe përdorimi i kësaj terminologjie në gjuhë të ndryshme.
Terminologjia juridike në vendin tonë nuk është përpunuar dhe zhvilluar mjaftueshëm në të gjitha gjuhët në të cilat kërkohet të jepet provimi. Nga ana tjetër, nevojitet harmonizimi i programeve mësimore në të gjitha fakultetet juridike, jo vetëm për këto dy lëndë, por edhe për lëndët e tjera.
Prandaj, Ministrit të Drejtësisë dhe kolegëve të tjerë u propozova që të ndërmerret një nismë në të gjitha fakultetet juridike, pavarësisht nga gjuha në të cilën zhvillohet mësimi, në mënyrë që të ekzistojë një fond i përbashkët i njësive programore dhe lëndëve të detyrueshme, me përmbajtje të harmonizuar të programeve dhe literaturë të detyrueshme të unifikuar për të gjitha lëndët, pavarësisht nëse ato zhvillohen në gjuhën maqedonase, angleze, shqipe apo në ndonjë gjuhë tjetër”, deklaroi Kambovski.
Akademiku konsideron se në këtë mënyrë do të tejkalohen problemet, dhe jo vetëm çështja se në cilën gjuhë duhet të jepet provimi.
Sipas tij, më e rëndësishmja është se me çfarë njohurish të zbatueshme do të hyjnë nesër studentët në sistemin e drejtësisë dhe si do të ushtrojnë profesionet juridike, në mënyrë që të realizohen qëllimet e së drejtës, e mbi të gjitha drejtësia.
„Kemi probleme të mëdha në përvetësimin e terminologjisë juridike. Gabimet në këtë fushë, përdorimi i kuptimeve të ndryshme për të njëjtin nocion, term apo shprehje, veçanërisht në të drejtën penale, mund të jenë fatale.
Në fund të fundit, përdorimi i gjuhës duhet t’u nënshtrohet disa parimeve themelore. Në procedurën penale, për shembull, qëllimi është të zbulohet e vërteta, të dënohet ai që është fajtor dhe të lirohet ai që nuk është fajtor.
Nëse kjo vonohet për shkak të komplikimeve gjuhësore, përkthimeve e të ngjashme, atëherë do të kemi problem edhe me drejtësinë.
Problemi është mjaft kompleks që të zgjidhet në një mënyrë të tillë, në dukje të thjeshtë: nëse provimi do të jepet në këtë apo në atë gjuhë.
Duhet të mendohet për tërësinë e çështjes, pra për harmonizimin e të gjitha objektivave që duhet të merren parasysh dhe të arrihen, pa e kufizuar të drejtën për ta dhënë provimin në gjuhën amtare, por pa krijuar njëkohësisht konflikt ndërmjet kësaj të drejte dhe të drejtave të tjera që realizohen në procedura, siç janë përcaktimi i drejtësisë dhe i së vërtetës”, vlerëson Kambovski.
Me kë kanë komunikuar studentët?
Sipas informacioneve jozyrtare të mediumit, studentët në takimin e zhvilluar fillimisht e kishin pranuar propozimin Ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, por më pas, për shkak të udhëzimeve politike, në paraqitjet publike këmbëngulën që i gjithë provimi të zhvillohet në gjuhën shqipe.
Sipas informacioneve të „Sloboden Peçat”, biseda në takim ishte konstruktive dhe studentët ishin pajtuar me propozimin e Shasivarit. Megjithatë, mediumi vlerëson se ishte simptomatike që ata komunikonin vazhdimisht përmes telefonave, sikur të merrnin udhëzime politike.
Sipas artikullit, ishte veçanërisht e dukshme që studentët e cilësuan si sukses të tyre propozimin e Shasivarit, sipas të cilit pjesa teorike e provimit, përkatësisht 12 lëndë mësimore, do të jepen në gjuhën shqipe.
-
Lajme nga rajoni2 months agoKrimi i rëndë në Kosovë/ Kjo është 25-vjeçarja që u vra me armë zjarri, dyshohet se u qëllua nga bashkëshorti i saj, ishte në javën e 34 të shtatzënisë
-
Lajme nga rajoni1 month agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga vendi2 months agoNdahen 109 vendime pune në Spitalin Klinik të Tetovës

