Lajme nga vendi
Ulet çmimi i naftës, por jo edhe i taksive
Kompanitë e taksive për momentin nuk po mendojnë të kalojnë tek tarifa e lirë. Edhe pse çmimi i derivateve është ulur, qytetarët do të vazhdojnë të paguajnë më shtrenjtë për nisjen dhe secilin kilometër të kaluar, njësoj si në kohën kur çmimet e derivateve prekën kulmin. Taksistët arsyetohen me jostabilitetin e tregut të derivateve dhe rritjen e shpenzimeve të tjera.
“Nuk e di për këtë nuk kemi biseduar, për këtë duhet të ketë mbledhje, tek ne po shtohen shpenzimet, tani paga minimale siç po rriten, rriten edhe të harxhimet, nuk e di, nëse pranohet duhet të bëhet matematikë për gjithë këtë”, tha Gjorgje Marinovski, përfaqësues i taksistëve të Shkupit.
Para krizës me rritjen e çmimit të derivateve, qytetarët paguanin 40 denarë për nisjen dhe për çdo kilometër të kaluar nga 25 denarë. Ndërsa tani, nisja paguhet 50 apo 60 denarë, dhe çdo kilometër i kaluar nga 30 apo 35 denarë, varësisht se cila kompani në cilën tarifë ka kaluar.
“Kemi ne tre tarifa, një tarifë që e kemi pas 40 denarë starti, ajo është tarifa e parë, mirëpo derivatet e naftës që hypën, ne u detyruam të ngrisim çmimin. 40 me 25 është tarifa e parë, tarifa e dytë është 50 denarë starti 30 kilometri dhe e treta tarifë është 60 me 35. Nuk janë të mjaftueshme, se ne akoma nuk kemi besë te ky shtet, për punën e derivateve, ajo është kompani private…. Nëse ka ulje akoma për çmimin e derivateve, edhe ne do ta ulim, nuk ka problem. Ne tani jemi në tarifën e dytë, ka kompani që janë me të tretën, me 60 denarë me 35 kilometri”, deklaroi Faik Sulejmani, përfaqësues i një kompanie taksi.
Qytetarët vlerësojnë se çmimet e shërbimeve të taksive janë të larta, vozitjen me taksi e cilësojnë luks.
“Jo jo, nuk ka pare…. Shtrenjtë janë shtrenjtë”.
“Ndonjëherë, se unë jam nxënës dhe taksi tani është shumë shtrenjtë, është rritur çmimi shumë, gjithçka është shtrenjtuar, por me taksi akoma më shtrenjtë…”.
“Nuk përdor taksinë, unë jam pensioniast, kam transportin e pa pagesë”.
Por ka edhe nga ata që vlerësojnë se këto shërbime në vendin tonë janë shumë të lira krahasuar me vendet e tjera.
“Taksitë tek ne janë më të lirët në botë, nuk e di se si durojnë taksistët”.
Përndryshe, taksistët e revoltuar theksuan se nuk mund të pajisen me licenca pa poseduar tabelat e verdha, ndërsa nga ana tjetër nuk mund të marrin tabelat e verdha pa poseduar licencë. Kërkojnë që ligji i ri për trafik rrugorë, të ngrihet, që të munden për një kohë të caktuar të marrin licenca edhe me tabela të bardha, që më pas të mund të pajisen me tabelat e verdha. Për shkak të këtij problemi me procedurat, taksistët thonë se rreth 300 taksistë dhe rreth 200 vetura taksie nuk munden të ofrojnë shërbime. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

