Lajme nga vendi
Rrëshqitje të dheut në rrugën Dellçevë – Pehçevë – Berovë
Për shkak të reshjeve të dendura të shiut mëngjesin e sotëm ka pasur rrëshqitje të dheut në rrugën rajonale Dellçevë – Pehçevë – Berovë.
Rrëshqitje të dheut për momentin vërehen në afërsi të pjesës në fshatin Trabotivishtë, si dhe në vende të tjera përgjatë këtij drejtimi rrugor.
Ndërmarrja NP “Rruga e Maqedonisë” në Dellçevë deklaroi se bëhet fjalë për rrëshqitje të vogla të dheut, të cilat rregullisht pastrohen nga ekipet e kompanisë.
Nga atje u bëjnë thirrje shoferëve që të kenë kujdes me shpejtësinë e automjeteve në këtë rrugë, si dhe në rrugën Dellçevë – Makedonska Kamenicë – Koçan./Telegrafi/
Lajme nga vendi
Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tetovës pjesë e projektit ndërkombëtar CEEPUS
Në periudhën 20–26 prill 2026, në kuadër të projektit CEEPUS PL-1910-02-2526 “Supply Chains Management: From the Perspective of National Industries”, u zhvilluan aktivitete në Akademinë për Studime Ekonomike në Kishinjev, Republika e Moldavisë.
Në këto veprimtari morën pjesë përfaqësues nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tetovës: Prof. Dr. Brikend Aziri, dekan i Fakultetit Ekonomik; Prof. Dr. Vjollca Hasani Limani, prodekane për shkencë; si dhe studentet Zana Abazi dhe Era Memedi, nga cikli i parë i studimeve në programin studimor Financa dhe Kontabilitet.
Në përputhje me agjendën e projektit, u mbajt takimi i parë koordinativ i rrjetit, ku përveç UT-së, morën pjesë edhe universitete partnere nga rajoni dhe më gjerë, përfshirë: Universitetin e Tiranës (Shqipëri), Universitetin e Prishtinës (Kosovë), Universitetin e Sarajevës Lindore (Bosnje dhe Hercegovinë), Universitetin e Osijekut (Kroaci), Universitetin Edutus (Hungari), Akademinë për Studime Ekonomike të Moldavisë, Universitetin Mediteranian (Mali i Zi), Universitetin Teknologjik të Lodzit (Poloni) dhe Universitetin Perëndimor të Timisoarës (Rumani).
Në vijim të aktiviteteve, delegacioni zhvilloi një takim koordinativ edhe me Rektorin e Akademisë për Studime Ekonomike të Moldavisë, Alexandru Stratan. Gjatë këtij takimi u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, përmes formalizimit të marrëveshjeve përkatëse, me fokus në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe në shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve.
Gjatë kësaj vizite, Prof. Dr. Brikend Aziri mbajti ligjëratë me temë “The Role of Human Resources in Supply Chain Management”, ndërsa Prof. Dr. Vjollca Hasani Limani ligjëroi mbi temën “Planning and Coordinating Supply and Demand in Supply Chains”. Ndërkohë, studentet Era Memedi dhe Zana Abazi morën pjesë në Simpoziumin Rinor me Pjesëmarrje Ndërkombëtare, ku prezantuan punimin e tyre me titull “Digital Money or Cash: Are We Ready for a Cashless Society?”.
Gjithashtu, në funksion të objektivave të projektit, u realizuan vizita studimore në biznese relevante, të cilat kontribuuan në thellimin e njohurive praktike dhe në fuqizimin e dimensionit aplikativ të procesit mësimor.
Lajme nga vendi
Promovohet financimi i projekteve të BE-së! Rokas: Në 6 vitet e fundit janë mbështetur 21 komuna
Me titullin “Qeverisje Vendore e Shkëlqyer”, Ambasadori i Bashkimit Europian Mihalis Rokas promovoi financimin e projekteve të BE-së. Ai tha se në gjashtë vitet e fundit janë mbështetur 21 komuna, duke promovuar ekselencën, ndërtimin e kapaciteteve dhe trajnimin. Rokas shtoi se Bashkimi Evropian është partner i besueshëm duke përfshirë edhe komunat në këtë vend.
“Duhet të them se janë projekte shumë të suksesshme. Unë vet kam vizituar së fundmi disa komuna në Bogovinë, në Kumanovë, kam qenë në Ohër, në Strugë, kam qenë në Prilep dhe mund të shoh se ekipet e kryetarëve të komunave janë profesionale, punojnë shumë dhe përmes mbështetjes sonë të vazhdueshme kemi arritur të kemi ekipe komunale efikase dhe efektive. Sigurisht që problemet mbeten, ka shumë çështje mjedisore që komunat duhet t’i adresojnë por, siç e dini, ne jemi shumë aktivë edhe me programet ndërkufitare apo programet e bashkëpunimit rajonal”, tha Mihalis Rokas.
Lajme nga vendi
TETOVË: NJOFTIMI I FBI-së ZBULOI TREG JOLEGAL ONLINE!
Njësia e Krimit Kibernetik e Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke vepruar mbi informacionin e marrë fillimisht nga FBI-ja, kreu një hetim të përbashkët të koordinuar në lidhje me një treg të paligjshëm online të njohur si “OLVX”.
Sipas të dhënave zyrtare, tregu ka funksionuar që nga korriku i vitit 2023 dhe përmbante të dhëna personale të komprometuara për mbi 2.600 përdorues dhe 1.500 shitës, ndërsa vlera totale e transaksioneve ka tejkaluar 500.000 dollarë amerikanë.
Hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me FBI-në, sipas informacionit fillestar të marrë nga agjencia amerikane.
Mbi bazën e urdhrit gjyqësor të Gjykatës Themelore Tetovë, policia realizoi bastisje në fshatin Reçicë e Madhe, Komuna e Tetovës, te të dyshuarit 20 dhe 23 vjeçar, shtetas të Maqedonisë së Veriut, për të cilët ekziston dyshimi se janë administratorët e tregut. Ata u kapën në vendngjarje duke kryer veprën penale për të cilën dyshohen.
Gjatë kontrollit u konfiskuan kompjuterë, laptopë dhe telefona, të cilët do të analizohen për të siguruar provat e nevojshme për procedurën penale.
Sektori për krim kompjuterik ka njoftuar se hetimet vazhdojnë për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe sigurimin e provave shtesë, në përputhje me ligjet në fuqi.
-
Lajme nga bota1 month ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni1 month agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Sport1 month agoBARDHI: NËNVLERËSIMI VETËM SE NA MOTIVON KUNDËR DANIMARKËS!

