Lajme nga vendi
MPPS: Ndërtimi i korridoreve siguron vende të reja pune dhe respektim të të drejtave të punëtorëve të mbrojtura me ligj
Puna jashtë orarit nuk do të thotë 60 orë në javë, por nuk do të thotë se do të ketë punë jashtë orarit gjatë gjithë vitit, do të varet nga kushtet e motit për punë në terren, përkatësisht punë më intensive do të bëhet në muajt e pranverës, verës dhe në mes të vjeshtës, por jo 60 orë në javë, thonë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) lidhur me angazhimin e punëtorëve në ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d.
Siç theksojnë nga MPPS, puna jashtë orarit do të varet edhe nga aktivitetet dhe proceset e punës së traseve, që do të thotë se ka edhe ditë kur aspak nuk do të ketë nevojë nga puna jashtë orarit.
MPPS përsërit se angazhimi i fuqisë punëtore për ndërtimin e Korridorit 8 dhe Korridorit 10d, do të realizohet sipas ligjit ekzistues, përkatësisht, sipas Ligjit për konfirmimin e interesit publik, me të cilin rregullohet angazhimi i punëtorëve dhe qartë qëndron obligimi, partneri strategjik të shfrytëzojë të paktën 51 për qind të burimeve vendore.
Projekti, sipas Ministrisë, ka për qëllim të punësojë sa më shumë punëtorë nga Maqedonia e Veriut, të cilët do të kenë mundësi edhe për trajnim nga ana e kontraktorit.
“Kjo do të thotë se nëse vendi ynë ka burime të mjaftueshme vendore, pra fuqi punëtore, numri i burimeve të angazhuara në vend mund të jetë më i madh se 51 për qind. Ligjet ekzistojnë për të mbrojtur qytetarët. Punëtorët që do të angazhohen në këtë projekt, dhe sipas nevojave në punë ndërtimore jashtë orarit, çdo orë jashtë orarit do të paguhet 35 për qind sipas Ligjit dhe marrëveshjes kolektive. Çdo punëtor do të nënshkruajë një deklaratë nëse dëshiron të punojë jashtë orarit dhe nëse nuk dëshiron nuk do të detyrohet të punojë jashtë orarit. Sipas ligjit, punëtorët do të kenë edhe ditë pushimi”, thekson MPPS.
Sipas Ministrisë, përfitimet nga ndërtimi i tij janë të mëdha, sepse lidhshmëria e vendit me rajonin dhe Evropën siguron zhvillim rajonal të barabartë, nxitjen e ekonomisë së vendit, përmirësimin e klimës së biznesit, rritjen e investimeve të huaja, transfer më të shpejtë të njerëzve dhe mallrave, hapje të tregjeve të reja dhe lidhshmëri më të mirë me partnerët ndërkombëtarë dhe tregtarë.
“Kjo nënkupton edhe sigurimin e vendeve të reja të punës për qytetarët tanë sepse rrugët ku do të ndërtohen seksionet hapin mundësi shtesë për ndërtimin e objekteve të reja nga veprimtari të ndryshme, si pika karburanti, restorante, hotele, resorte, objekte biznesi. Këto janë mundësi të reja për hapjen e vendeve të reja të punës, për punësimin e banorëve të qarqeve ku do të kalojnë autostradat e korridoreve. Nga ana tjetër, bëhet fjalë për tatimpagues të rinj dhe hyrje të reja në thesarin e buxhetit të shtetit”, thekson MPPS.
Lajme nga vendi
Kasami: Me investim prej 200 mijë euro transformuam rrugën e Potokut
Kandidati i VLEN-it, për komunën e Tetovës, Bilall Kasami, në një deklaratë për media, ka thënë se Tetova dëshmoi se e vlerëson punën dhe dëshiron që ky zhvillim të vazhdojë edhe më fuqishëm.
“Sot jemi në Rrugën e Potokut, ku bashkë me rrugën 134 dhe Prohorpçinski u asfaltuan tërësisht dhe sipas standardeve bashkëkohore.
Ndërtuam rrugë të re moderne në gjatësi gati një kilometër, asfaltim i rrugës diku mbi 5.000 m2. Me investim gati 200 mijë euro apo rreth 12 milionë denarë e transformuam këtë lagje pranë çerdhes së Potokut, duke i dhënë pamje evropiane. Të dashur qytetarë të Tetovës,
Tetova e meriton këtë transformim. Tetova meriton rrugë moderne, shkolla, çerdhe, pishina dhe të gjitha kushtet për një qytet funksional, të pastër dhe modern. Punët e mira për Tetovën duhet të vazhdojnë edhe më shumë, edhe më mirë, edhe më fuqishëm me Kapitullin e Dytë të zhvillimit”, ka deklaruar Kasami.
Lajme nga vendi
Uji në Tetovë vazhdon të mos jetë i pijshëm, priten analiza më të detajuara mikrobiologjike
Në Tetovë uji vazhdon të mos jetë i pijshëm. Analizat kanë treguar se i njëjti nuk preferohet për pije, ndërsa burimi i Leshnicës vazhdon të jetë jashtë funksionit, shkaku se uji është i turbullt.
Sipas drejtorit të NPK Sharri, Valon Zeqiri, për momentin kemi 240 litra ujë në sekondë, ndërsa mungesë ka në lagjen 146 ku tash më 24 orë nuk kanë ujë për pije.
“Gjendja në Tetovë vazhdon të jetë e njëjtë. Uji vazhdon të mos jetë i pijshëm, në bazë të analizave që i kemi marr dje dhe sot nuk e preferojmë që të pihet pasi që presim analiza më të detajuara mikrobiologjike që i kemi bërë dhe ata analiza presim që nesër t’i marrim rezultatet dhe të dalim me rezultate konkrete.
Për sasinë e ujit kemi 240 litra ujë në sekondë së bashku me puset që i kemi aktivizuar dhe filtër stacioni vazhdon të jetë akoma jashtë funksionit, pasi që kemi ujë të turbullt dhe në bazë të reshurve që kanë rënë mbrëmë kemi ujë të turbullt nga burimet e Leshnicës”, tha për “TV21” Valon Zeqiri – Drejtor i NPK Sharri.
Lajme nga vendi
Grabitja në Gostivar/ Paraburgim për dy policët
Policëve të dyshuar për grabitjen në artarinë e Gostivarit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve. Për personat e tjerë të përfshirë në krim, vazhdojnë hetimet. Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku për të dëmtuar provat dhe për të ndikuar në hetim, prandaj dy nëpunësve policorë i ka caktuar masa kujdesi.
Ndërkohë hetimet vazhdojnë për të identifikuar personat e tjerë. Jo zyrtarisht në mesin e tyre që kanë ndihmuar policët të grabisin 18 kilogram ari ka edhe shtetas të huaj. Të gjitha pistat e hetimit janë të hapura.
“Janë thirrur disa persona në biseda informative. Aktualisht procedurë ka ndaj atyre për të cilët ka dëshmi”, thonë nga Prokuroria.
Grupi hetimor ka arritur të zbardh disa elemente nga ngjarja. Duke parë incizimet nga kamerat e sigurisë, hetimi ka treguar se dy ditë para grabitjes të dyshuarit e përfshirë i kanë treguar trajektoren e lëvizjes grabitësve dhe në ditën e grabitjes i kanë përcjell me vetura të policisë dy automjetet me të cilët u krye grabitja, njëra prej të cilave më pas u gjet e djegur disa kilometra larg vendit të krimit, ndërsa tjetra veturë u gjet e braktisur në hyrje të Kërçovës.
As policia dhe as organi i akuzës nuk ka dhënë më shumë informacione pas bastisjes së kryer në disa lokacione. Nuk dihet nëse është gjetur ose jo sasia e arit të vjedhur. Grabitja ndodhi më 10 tetor. Personat ishin maskuar dhe kanë arritur të marrin sasinë e arit duke kërcënuar me armë pronarin e artarisë. Ndaj policëve pritet të merren masa ndëshkuese edhe nga Kontrolli i Brendshëm i MPB-së./ Alsat.mk

