Lajme nga vendi
RMV, funksionarët do të marrin paga më të larta për rreth 1000 euro
Krerët e shtetit, të Kuvendit dhe të Qeverisë brenda pak ditësh do të marrin paga më të larta për rreth 70 mijë denarë. Pagat e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të nënkryetarëve të Kuvendit do të rriten për rreth 60 mijë denarë, ndërsa të ministrave dhe deputetëve për rreth 56 mijë denarë, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.
Pas pak ditësh zyrtarët do të fillojnë të marrin paga më të larta për rreth 1000 euro, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit pagat e funksionarëve mund të rriten për gati 80 për qind.
Pagat e funskionarëve llogariten duke shumëzuar bazën me një koeficient të caktuar në varësi të pozicionit. Ligji për pagat e zyrtarëve parasheh që bazë të jetë paga mesatare e vitit paraprak, por për vite me radhë është ngrirë në nivel më të ulët. Më 21 mars, gjykata vendosi të heqë ngrirjen, pas së cilës pagat do të rriten ndjeshëm.
Paga më të larta nga funksionarët kanë presidenti i shtetit, Kuvendit dhe Qeverisë. Ligji parashikon që ata të marrin pagë në masën e pagës mesatare të vitit të kaluar shumëzuar me koeficientin 4.5. Paga mesatare bruto e paguar në vitin 2022 është rreth 47 mijë denarë. Kësaj i shtohet një rritje prej gjysmë për qind për çdo vit stazh pune.
Sipas këtij vendimi, presidenti Stevo Pendarovski, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski për disa ditë do të kenë rritje të pagave prej rreth 70 mijë denarë. Deri më tani kanë marrë rreth 90 mijë, e tash e tutje rreth 160 mijë denarë.
Presidenti Stevo Pendarovski është i vetmi nga zyrtarët që ka paralajmëruar përllogaritje të detajuar të pagës aktuale dhe ka protestuar kundër rritjes së madhe.
Llogaritja e pagës aktuale të Presidentit të Shtetit, sipas Kabinetit të tij
Baza: 4,5 x 26,755,00 MKD = 120,398,00 MKD
Puna e kaluar: 18% e 120,398,00 mkd = 21,672,00 mkd
Gjithsej bruto: 142,070,00 mkd
Kontributet totale: 49.129,00 mkd
Paga neto: 92.941,00 mkd
Sipas përllogaritjes së Radios Evropa e Lirë, paga e rritur e presidentit, me vendim të Gjykatës Kushtetuese, do të jetë 164.817 denarë neto.
Llogaritja e pagës së presidentit të shtetit
Baza: 4,5 x 47,637 MKD = 214,366,5 mkd
Puna e kaluar: 18% e 214,366,5 mkd = 38,585,97 mkd
Totali bruto: 252,952.47 mkd
Totali i kontributeve: 70.826 mkd
Pagesa neto: 164.817 mkd
Sipas përllogaritjeve të Radios Evropa e Lirë, kryeministri Dimitar Kovaçevski do të marrë pagë prej 156.482 denarë, ndërsa kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, 166.207 denarë. Paga mujore e zyrtarëve më të lartë në vend është disi më e lartë se çmimi i një metër katror sipërfaqe banimi në zonën qendrore të kryeqytetit.
Paga mesatare neto në Maqedoni tani është rreth 34 mijë denarë, ndërsa nga ky muaj paga minimale është ngritur në 20.185 denarë. Një punëtor me pagë minimale do të duhej të punonte tetë muaj për të fituar atë që do të fitonte një kryeministër apo president në një muaj. Një rrogëtari mesatar do t’i duheshin gati pesë muaj për të fituar pagën e Kryeministrit ose Presidentit.
Pas pagave të zyrtarëve më të lartë, sipas ligjit, me paga pasojnë kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe nënkryetarët e Kuvendit, të cilët kanë koeficientin 4 dhe tani do të marrin pagë rreth 140 mijë denarë nga 80 mijë duke supozuar se kanë 30 vjet stazh.
Deputetët, ministrat, guvernatori i Bankës Popullore, gjyqtarët kushtetues, kryetarja e komunës së Shkupit, avokati i popullit dhe sekretarët e Qeverisë dhe Kuvendit kanë koeficientin e llogaritjes së pagave 3.7. Paga e tyre do të rritet nga rreth 70 mijë në rreth 126 mijë denarë, duke supozuar se kanë 20 vite stazh pune.
Përjashtim bën vetëm ministri i Punëve të Brendshme, i cili ka 20 për qind shtesë në pagë për kryerjen e detyrës, pra paga e tij është pothuajse e njëjtë me atë të kryeministrit. Kështu, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski do të ketë pagë prej 153.037 denarë.
Çdo funksion pasues ka një koeficient pak më të ulët. Për shembull, një kryetar komune me më pak se 10 mijë banorë ka koeficientin 2.7.
Deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pagat bruto të zyrtarëve ishin llogaritur në atë mënyrë që koeficienti i përcaktuar për secilën pozitë shumëzohej me 26.755 denarë, në vend që të merrej paga mesatare bruto e paguar në vitin paraprak.
Gjykata Kushtetuese deklaroi se nuk ka vendosur për shumën e pagave, por është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së dispozitave të veçanta. Është vlerësuar si antikushtetuese ngrirja e bazës deri më tani.
Presidenti Pendarovski i bëri thirrje Qeverisë që këtë çështje ta rregullojë me zgjidhje ligjore. Ai mendon se është “e papëlqyeshme rritja e pagave nga buxheti i shtetit në kohë krize ekonomike”.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, zyrtarët e qeverisë thanë në fund të marsit se do të punohet për korrigjime, që pagat të mos jenë aq të larta, por gjithçka ka mbetur në premtime. Atëherë kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen, sepse janë përfundimtare.
Autoritetet kanë siguruar prej muajsh se me ligjin e ri të pagave do të vendoset rend me pagat e zyrtarëve.
Zëvendëskryeministrja për qeverisje të mirë, Sllavica Gërkovska tha se ligji duhet të vendosë një sistem të pagesës së drejtë dhe të drejtë të pagave.
“Ka disa muaj që ministritë kanë punuar intensivisht për ligjin, momenti i parë, sapo të jetë në fazën përfundimtare, sigurisht që do të vihet në inspektim publik për diskutim. Dhe pas atij momenti do të dimë se cilat janë propozimet në këtë drejtim”, tha Gërkovska së fundi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Ndër zv.kryeministrat ajo ka rrogën më të lartë, sepse ka stazh më të madh pune. Gërkovska duhet të marrë pagë prej rreth 130 mijë denarë. Pas saj vjen zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, me rreth 127 mijë denarë. Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi dhe ministrat e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes, Bujar Osmani dhe Sllavjanka Petrovska, do të kenë pagë prej rreth 125 mijë denarë, sepse kanë të njëjtin stazh pune. Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, do të ketë pagë rreth 3000 denarë më pak se ata.
Qeveria nuk i është përgjigjur REL-it për shkallën e rishikimit të paralajmëruar të mundësive për uljen e koeficientëve për llogaritjen e pagave.
Qeveria publikon në faqen e saj pagat e kryeministrit dhe ministrave. Por atje akoma qëdrojnë ministrat e vjetër dhe pagat e vjetra, megjithëse disa ministra dhe zëvendësministra u zëvendësuan në fund të shkurtit dhe fillim të marsit, pasi qeveria mori partner të ri koalicioni.
Banka Botërore kërkoi nga Qeveria që të rishqyrtojë vendimin për rritjen e pagave, sepse “në kohë krize kjo rritje nuk është e drejtë”. Nga atje shpresojnë që Qeveria ta korrigjojë.
Lajme nga vendi
Pjesa më e madhe ujit të pijshëm në Tetovë zhduket rrugës për në destinacionin e planifikuar
Mbi 35 për qind e ujit për pije nga burimet e Sharrit, nuk arrin në destinacionin e duhur, përkatësisht humbet. Sipas autoriteteve humbjet ndodhin për shkak të keqpërdorimit të ujit në pjesën e poshtme të qytetit. Situata ka nxitur Ndërmarrjen komunale “Sharri”, që të kërkoj edhe studim fizibiliteti për zgjidhjen e problemit.
“Një pjesë e madhe e ujit bëhet sidomos në pjesët e lagjeve Drenoc e Dereboj ku bëhen vaditje të baçeve apo parqeve, që keqpërdorin ujin për këtë arsye. Nga ardhja ime unë kam insistuar madje edhe lavazhet mos e shfrytëzojnë ujin për pije për larje të veturave sepse paraqet keqpërdorim të madh të shfrytëzimit të ujit. Ka edhe shumë kyçje të egra që janë krijuar në lagjet e reja ku më shumë na humbet uji,” deklaroi Valon Zeqiri, Drejtor i NPK “Sharri”.
Si pasojë e kësaj humbjeje, komuna vendosi që amvisëritë të pajisen me orëmatës inteligjentë të ujit, me qëllim që të ketë kontroll mbi harxhimin dhe pagesën e ujit. Por kjo nismë hasi në reagime të shumta nga këshilltarët e opozitës, të cilët akuzuan për shitje apo privatizimi të ujësjellësit. Megjithatë kreu i komunës së Tetovës këmbëngul se nuk bëhet fjalë për shitje.
“Nga ekspertë të jashtëm del që mënyra më e mirë e zgjidhjes së këtij problemi është mundësia e partneritetit privat publik, që nuk nënkupton as shitjen e ujit as shitjen e menaxhimit me ujë të pijshëm, por kyçjen e partnerit privat për futjen e teknologjie të re dhe menaxhimin me gjithë sistemin që të marrim njohuri dhe ta zgjidhim këtë problem në mënyrë më të shpejtë dhe më të mirë,” tha Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës
Kasami thotë se miratimi i partneritetit publik-privat të ujësjellësit do varet nga këshilltarët dhe pëlqimi i tyre. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Ministria e Drejtësisë nuk është dikasteri i vetëm që saboton Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve
Ministria e Drejtësisë nuk është dikasteri i vetëm që saboton Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, përkatësisht gjuhën shqipe. Inspektori Fitim Ramadani gjatë intervistës në Alsat tha se Ministria e Financave nuk bashkëpunon aspak me inspektoratin, veprim që i pamundëson inspektorëve të hyjnë për kontroll dhe të konstatojnë nivelin e zbatimit të gjuhës shqipe.
Fitim Ramadani, Inspektor në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve (10:00….)
“Këtu dua të theksoj vetëm Ministrinë e Financave. Gjatë mbikëqyrjes kontrolluese në Ministrinë e Financave nuk ka qenë raporti institucion-inspektor. Dhe neve nuk na është mundësuar qasja në dokumentacionin e ministrisë. Për këtë arsye për Financat ka procedurë kundërvajtëse, jo për mos zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, por për mosbashkëpunim me inspektorët”.
Gjuha shqipe nuk respektohet as nga Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev. Sipas Ramadanit, mbi bazën e denoncimeve që kanë bërë gazetarët për deklaratat e Minçevit, ka procedurë kundër tij, ndërsa kontrolli planifikohet gjatë vitit 2026. Dyshohet se Minçev nuk zbaton gjuhën shqipe në asnjë akt nënligjor.
Fitim Ramadani, Inspektor në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve (13:05….)
“Iniciativa ka qenë për deklaratat në opinion që i jep ministri. Mendoj se edhe iniciativa ka qenë nga gazetarët, kanë qenë vetëm në gjuhën maqedonase. Ne kemi konstatuar se ato nuk janë në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe lënda është në Gjykatën kompetente në Shkup”.
Aktualisht 53 lëndë të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve ndodhen në Gjykatën Penale në Shkup. Të gjitha i referohen institucioneve dhe udhëheqësve të institucioneve që nuk kanë respektuar dhe zbatuar gjuhën shqipe në përputhje me ligjin. Së fundi Inspektorati adresoi vërejtje ndaj ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov mbi mos zbatimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës. Brenda 30 ditësh, Fillkov obligohet t’i harmonizojë dispozitat ligjore. Nëse nuk harmonizohet ligji brenda afatit, Ministria e Drejtësisë është e detyruar të zbatojë dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
VLEN NJË PARTI – KUVENDI THEMELUES NË MAJ, MË PAS KONGRESI?!
Kuvendi themelues në maj, e më pas edhe Kongresi.
Kjo është trajektorja e parashikuar sipas së cilës koalicioni aktual i përbërë nga Lëvizja Besa, Lidhja Demokratike, Alternativa dhe ASH të shkrihen në një parti të vetme – VLEN.
Ditë më parë liderët e partive u ulën në një tavolinë të përbashkët për t`i harmonizuar qëndrimet rreth mënyrës së funksionimit të VLEN-it si një subjekt i vetëm politik. Takimi ishte i mbyllur dhe ende nuk janë publikuar detaje.
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, nuk deshi të prononcohej për këtë temë duke preferuar që Dita e Ekologjisë të shënohet në mënyrë dinjitoze në Komunë e Tetovës.
Ndërkohë zëdhënësi I koalicionit VLEN, Albi Qamili, për Tv Koha, tha se në takimin e fundit liderët janë dakorduar për krijimin e një grupi të punës I cili do të punojë në përafrimin e platformave të subjekteve politike dhe strukturimin e subjektit të ri politik të unifikuar.
Por, si u zhvillua kronologjia?
Pas Prekazit në konakun e Bacit Rifat, në Prishtinë tek kryeministri Albin Kurti. VLEN-i një! – ishte një postim nëpër rrjetet sociale që u shpërnda në të njëjtën kohë nga liderët e partive që përbëjnë koalicionin VLEN. Postimi daton nga aktivitetet e shënimit të Epopesë së UÇK-së në Kosovë.
Por, “mesazhet e koduara” nëpër rrjetet sociale nuk u ndalën me kaq!
Në ditën e dytë të festës së Fitër Bajramit, një nga eksponentët kryesor të koalicioni VLEN, Izet Mexhiti, shkroi në Facebook mesazhe uniteti me kryefjalën “VLEN është bashkimi që nuk ndalet”.
“Nuk ka më hapësirë për interesa të ngushta, për pazare në kurriz të qytetarëve, apo për politikë që na mban të ndarë. Nga sot, zëri shqiptar do të jetë një – i fortë, i qartë dhe i pandalshëm.
Ky është momenti ynë. Ose bashkë, ose të humbur. Sepse kur shqiptarët bashkohen, askush nuk mund t’i ndalë.” – shkroi mes tjerash Izet Mexhiti.
Pas takimit të fundit të liderëve të koalicionit, thuhet se është gjithnjë e më e sigurt që partia e re do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, do të ketë dy nënkryetarë dhe një sekretar të përgjithshëm, duke reflektuar në mënyrë të drejtë përfaqësimin e partnerëve në udhëheqjen e ardhshme partiake. Si bashkëkryetarë përmenden Izet Mexhiti nga Lëvizja Demokratike dhe Bilall Kasami nga BESA; për sekretar të përgjithshëm Bekim Sali nga Alternativa; ndërsa për pozitat e nënkryetarëve deputetja Mimoza Musa nga fraksioni i ASh-së dhe deputeti nga Vetëvendosje, Bekim Qoku.
Në rrugën drejt bashkimit mbetet për t’u diskutuar edhe përfaqësimi në përqindje i partive që përbëjnë koalicionin aktual, në organet e ardhshme partiake.
Një marrëveshje e tillë ende nuk është arritur. Ka pasur mendime dhe kërkesa të ndryshme – nga ideja që secili subjekt të përfaqësohet me 20% ose 25% në organet partiake, deri te varianti që partitë kryesore të kenë nga 35%, ndërsa pjesa tjetër të shpërndahet mes partnerëve të tjerë.
Megjithatë, nga VLEN liferojnë se procesi i bashkimit nuk duhet të lërë përshtypjen se dikush është dëmtuar apo është përfaqësuar më pak në partinë e ardhshme.
Shkrirja e koalicionit në një parti të vetme pritet të përkojë me periudhën kur është paralajmëruar një rikonstruim i mundshëm i Qeverisë.
Ndryshimet brenda VLEN-it dhe disa mosmarrëveshje publike të shfaqura kohët e fundit pritet të kenë ndikim edhe në riformatimin e përbërjes qeveritare.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga bota2 months agoGjermania në krizë për punëtorë të kualifikuar, spitalet dhe shkollat kanë mungesa të mëdha

