Lajme nga vendi
22 vjet nga marrëveshja për paqe mes Maqedonisë dhe kryengritësve shqiptarë
Më 5 korrik të vitit 2001, Qeveria e Maqedonisë dhe kryengritësit shqiptarë arrijnë marrëveshjen për paqe.
Shkatërrimi i RSFJ-së dhe mëvetësimi i Republikës të Maqedonisë shkaktoi ndryshime të thella politike, shoqërore dhe ekonomike asokohe. Pluralizmi manifestohej me formimin e partive politike të cilat, në vend të atij ideologjik, kishin karakter të fuqishëm etnik.
Si rezultat i këtij tranzicioni, një pjesë e madhe e popullsisë mbetet pa punë, kurse varfëria, korrupsioni, kriminaliteti dhe kriza ekonomike marrin përmasa shumë të mëdha, shkruan Kosova Press.
Ekonomia e shkatërruar, aferat dhe skandalet politike, korrupsioni dhe marrëdhëniet e keqësuara ndëretnike edhe më shumë e destabilizuan vendin.
Duhet të theksohet fakti se me Kushtetutën e vitit 1991, shqiptarët i humbën të drejtat të cilat, formalisht, i gëzonin me Kushtetutën e vitit 1974. Për këto shkaqe Kushtetuta u miratua pa votat e deputetëve shqiptarë në Parlament.
Periudha e viteve 2000-2001 në Maqedoni, karakterizohet me papunësi të madhe (400.000 persona të aftë për punë janë të papunësuar kurse 80.000 familje marrin ndihma sociale) dhe me procesin e papërfunduar të privatizimit i shoqëruar me procedura për falimentim për shumë ndërmarrje.
Jeta politike karakterizohet me parti një etnike, ndërsa Qeveria udhëhiqej nga parti nacionaliste. Qeverisja ishte e centralizuar, kurse sistemi juridik dhe ligjet nuk ishin të përfunduara (nuk ishin miratuar ligjet e nevojshme, ndërsa ato të miratuarat shpesh ndryshonin dhe gjykatat shumë ngadalë vendosin për lëndët).
Edhe pse në Parlament kishte përfaqësues shqiptarë dhe në koalicionin qeveritar kishte ministra-shqiptarë, në administratë dhe strukturat shtetërore, shqiptarët nuk ishin proporcionalisht të përfaqësuar. Partitë politike të shqiptarëve në RM publikisht vazhdojnë të tregojnë pakënaqësinë nga statusi i tyre në jetën politike dhe publike në vend.
Tensionimi i marrëdhënieve ndëretnike vjen në shprehje gjatë protestave të shqiptarëve me kërkesë për rritjen e të drejtave kolektive ku ndëshkohen dhe konfrontohen me policinë si dhe gjatë protestave të maqedonasve kundër shtimit të të drejtave të shqiptarëve.
Konflikti i armatosur, filloi në rrethinën e fshatit Tanushë të Shkupit, në shkurt të viti 2001. Aktivitetet luftarake zhvilloheshin në rajonin e Kumanovës dhe Lipkovës, atë të Tetovës dhe Shkupit.
Gjatë konfliktit UÇK-ja i sulmonte forcat e sigurimit të Republikës së Maqedonisë, mobilizoi një pjesë të popullatës shqiptare për të marrë pjesë në aktivitetet luftarake dhe aktivitete kundër popullatës civile.
Forcat e sigurimit i sulmonin pozitat UÇK-së me armatim të rëndë, përgatitnin prita për anëtarët e UÇK-së, arrestonin qytetarë që dyshohej se ishin anëtarë dhe bashkëpunëtorë të UÇK-së, bënin aktivitete kundër popullsisë civile. Në rajonet e krizës dhe përreth ishin vendosur postblloqe policore.
Shumë njerëz i lëshuan vatrat e tyre në rajonet e krizës dhe si refugjatë ose si të zhvendosur të brendshëm, vendoseshin në vende tjera, brenda dhe jashtë vendit.
Në të dyja anët kishte viktima në njerëz, kurse në rajonet e krizës kishte edhe dëme materiale ndaj shtëpive dhe pronës së popullatës, si dhe shkatërrime të objekteve fetare dhe kulturore-historike.
Bashkësia ndërkombëtare ishte aktive që nga fillimi i konfliktit të armatosur edhe pse pjesëmarrja e saj nuk ishte e barabartë. Në fillim ajo i dënonte aktivitetet e UÇK-së dhe i shpalli si terroriste, kurse më vonë kërkonte nga Qeveria dhe Parlamenti që t’i marrin parasysh kërkesat e tyre.
Nën ndikimin e bashkësisë ndërkombëtare formohet edhe qeveria e koalicionit të gjerë e përbërë nga katër partitë më të mëdha, në të cilën përveç VMRO-DPMNE-së dhe PDSH-së hynë edhe LSDM-ja dhe PPD-ja.
Përmes përfaqësuesve të saj të emëruar nga BE dhe SHBA, Bashkësia ndërkombëtare merrte pjesë në formulimin e Marrëveshjes Kornizë dhe e stimulonte nënshkrimin e së njëjtës. Menjëherë pas kësaj, vëzhgojnë dhe stacionohen forca të NATO-së në territorin e Republikës së Maqedonisë.
Përmbajtja e marrëveshjes kornizë për zgjidhjen e situatës politike e të sigurisë në Maqedoni, që të hënën edhe zyrtarisht, në gjuhën angleze e nënshkruan kryetari i Republikës së Maqedonisë, Boris Trajkovski, lideri i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministër Lubço Georgievski, liderët e LSDM-së Branko Cërvenkovski, të PPD-së Imer Imeri dhe PDSH-së Arbën Xhaferi. Në dokument, nënshkrime si dëshmitarë zyrtarë i vunë edhe lehtësuesit ndërkombëtar në dialog – Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju.
Lajme nga vendi
TETOVA NË VAPËN AFRIKANE – SI FRYMON QYTETI NË 40 GRADË?
Tetova këto ditë po përballet me temperaturat e larta të vapës afrikane. Termometri i afrohet 40 gradëve Celsius, ndërsa qyteti duket sikur ngadalëson ritmin dhe kërkon hije, freski dhe pak ajër.
Tetova në këto temperatura është një qytet që vazhdon të jetojë, por me një ritëm tjetër. Një tabelë e Drejtorisë për Punë Hidrometelereologjike tregon se në orën 14.00 në Tetovë janë matur 34.1 gradë Celsius. Por, në qytet vapa afrikane dhe netët tropikale tashmë janë bërë përditshmëri.
Rrugët në orët më të nxehta janë më të zbrazëta. Qytetarët shmangin daljet gjatë mesditës dhe, kur është e domosdoshme të dalin, kërkojnë rrugët me hije, freskojnë veten me ujë dhe përpiqen të kryejnë punët sa më shpejt.
Edhe tregtarët dhe punëtorët që janë të detyruar të qëndrojnë jashtë duhet ta përshtatin ritmin e punës. Uji, pushimet e shpeshta dhe shmangia e diellit bëhen domosdoshmëri.
Vapa ndryshon edhe zakonet. Takimet shtyhen për pasdite, aktivitetet sportive zhvendosen në orët e vona, ndërsa shumë familje preferojnë të qëndrojnë në ambiente të mbyllura gjatë pjesës më të nxehtë të ditës.
Daljet gjatë orëve të nxehta shtyhen për më vonë, pazaret dhe obligimet kryhen herët në mëngjes, ndërsa shëtitjet në qytet bëhen kryesisht në mbrëmje. Për shumë tetovarë, vera nuk është më vetëm një stinë pushimi, por një periudhë ku dita duhet planifikuar sipas temperaturës.
Në 40 gradë, qyteti nuk ndalet, në pritje të shiut, thjesht mëson të marrë frymë më ngadalë./Tv Koha/
Lajme nga vendi
DREJTORIA E GJIMNAZIT PËRGËNJESHTRON “LEVICËN”
Drejtoria e Gjimnazit „Kirili Pejçinoviq“ – Tetovë reagon ashpër ndaj informacioneve të publikuara lidhur me funksionimin e shkollës.
Drejtoria e Gjimnazit të Tetovës i ka përgënjeshtruar pohimet e një komunikate të partisë “Levica” ku ata pretendojnë se po nënçmohet gjuha maqedonase dhe se klasat janë të stërmbushura me nxënës.
Nga Drejtoria thonë se do ta kuptonin këtë gjuhë të “Levicës” nëse vendi ishte në fushatë zgjedhore, por duke prezantuar fakte përgënjeshtrojnë pohimet e partisë në fjalë.
Dje, faqja e internetit e shkollës u hakua në të tri gjuhët – maqedonisht, shqip dhe anglisht. Ekipi i IT-së së shkollës punoi intensivisht për zgjidhjen e problemit dhe arriti ta rikthejë funksionimin e saj. Faqja e internetit tashmë është në funksion dhe në të janë publikuar listat e nxënësve të pranuar në afatin e regjistrimit të qershorit.
Shpërndarja e nxënësve në paralele bëhet në përputhje me konkursin për regjistrimin e nxënësve në Gjimnaz, të publikuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, numrin e nxënësve të regjistruar dhe kapacitetet hapësinore të dy objekteve ku nxënësit e ndjekin mësimin në turnin e paradites.
Po ashtu, si tërësisht të pavërteta I kanë hedhur poshtë pretendimet se 50 nxënës do ta ndjekin mësimin në një klasë.
Drejtoria e shkollës është e përkushtuar për krijimin e shërbimeve dhe kushteve më të mira dhe më cilësore për zhvillimin e pandërprerë dhe të vazhdueshëm të procesit arsimor.
Sipas tyre, pikërisht informacione të tilla të paverifikuara, të pabazuara dhe të pasakta krijojnë kaos në arsim./Tv Koha/
Lajme nga vendi
BDI: Me dy vjet vonesë dhe 30 milionë euro më shtrenjtë, VLEN vazhdon projektin e BDI-së Shkup- Bllacë
Pas dy vitesh humbje kohe, VLEN sot po e paraqet si sukses vazhdimin e autostradës Shkup- Bllacë, projekt i përfunduar më 2 maj 2023 dhe i tenderuar po atë vit nga qeveria e kaluar, me një vlerë prej rreth 183 milionë eurosh.
Dy vjet më parë, VLEN dhe partnerët e tyre politikë e sulmonin projektin si “tepër të shtrenjtë” dhe “të papërshtatshëm”. Sot, pa ndryshuar as trasenë dhe as projektin, duke e vonuar pa asnjë nevojë për mbi dy vite, të njëjtën autostradë prej rreth 10 kilometrash do ta ndërtojnë për rreth 210 milionë euro, apo afërsisht 21 milionë euro për kilometër.
Pra, projekti që e kritikuan nuk është ndryshuar as për 0,1 për qind. Traseja është e njëjtë, projekti është i njëjtë, autostrada është e njëjtë.
Të vetmet gjëra që kanë ndryshuar janë dy vite vonesë dhe rreth 30 milionë euro më shumë nga paratë e qytetarëve.
VLEN duhet t’i përgjigjet opinionit: pse u bllokua për dy vjet një projekt i gatshëm dhe pse sot i njëjti projekt kushton rreth 30 milionë euro më shumë? Ku përfundojnë këto para dhe cili është arsyetimi për këtë shtrenjtim?
Shqiptarët humbën dy vite për një autostradë jetike, ndërsa qytetarët do të paguajnë dhjetëra milionë euro më shumë. Dy vite vonesë, 30 milionë euro më shtrenjtë dhe asnjë ndryshim në projekt, kjo është fatura e paaftësisë dhe keqmenaxhimit të VLEN-it.

