Lajme nga vendi
Bakiu: Kundërkandidati ynë do të humb nga Izet Mexhiti edhe në mëhallën e tij, Zhaku: Opozita nuk ka kandidat ideal për president
Bashkim Bakiu, shef i shtabit të kandidatit për president nga VLEN, Arben Taravari, tha se kundërkandidati i tyre nga radhët e BDI-së, Bujar Osmani do të pësoj humbje në lagjen e tij nga Izet Mexheti që siç thotë ai, në bazë të hulumtimeve Taravari është në avantazh.
Ndërkohë, Memet Zhaku, shef i shtabit të kandidatit për president, Bujar Osmani, tha se ky i fundit, plotëson të gjitha kriteret për pozitën e presidentit duke pasur parasysh edhe përvojën e tij në skenën politike dhe në diplomaci.
“Në bazë të informacioneve tona që i kemi sepse normal merremi edhe me pjesën e hulumtimit, kundërshtari ynë do të humb nga Izet Mexhiti edhe në mëhallën e tij. Të dhënat dhe informacionet rreth hulumtimeve tona të opinionit publik edhe të BDI-së, edhe tonat edhe të LSDM-së tregojnë se Arben Taravari është në një avantazh të mjaftueshëm për të siguruar jo vetëm fitore por edhe mundësi për të garuar në raundin e dytë, thjesht është njeriu që nuk ka pësuar humbje”, tha Bakiu
“Në mungesë të një CV të plotë të një kandidati ideal presidencial, u morën me hulumtime dhe anketime… Zotëri Osmani është një figurë që i plotëson të gjitha kriteret që i parasheh një pozicion i tillë duke qenë kredibil në vend dhe jashtë vendit. Kurora e gjithë suksesit të zotëri Osmanit në diplomaci do të thoja është lansimi i dialogut strategjik me SHBA-të, me zotëri Blinken më konkretisht”, tha Zhaku.
Lajme nga vendi
E gënjeu se do të bëhej baba, ai i dërgoi 18 mijë euro Gruaja nga Gostivari e bindte partnerin nga Kosova se ishte shtatzënë
Një 33-vjeçare nga fshati Debresh i Gostivarit përballet me kallëzim penal, nën dyshimin se përmes një gënjeshtre për shtatzëni i ka marrë 18 mijë euro partnerit të saj nga Kosova.
SPB Tetovë ka paraqitur kallëzim penal kundër E.R., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “mashtrim”.
Sipas informacioneve të policisë, gruaja e kishte bindur partnerin e saj se ishte shtatzënë dhe se fëmija ishte i tij. Duke i besuar, burri i kishte dërguar asaj para në disa raste përmes transferimit të shpejtë të parave. Në total, ai i kishte transferuar 18 mijë euro.
Pasi kishte marrë paratë, sipas policisë, gruaja kishte pranuar se e kishte gënjyer partnerin duke i thënë se ishte shtatzënë dhe se fëmija ishte i tij, me qëllim që ai të vazhdonte t’i dërgonte para.
Pas zbardhjes së rastit, policia ka paraqitur kallëzim penal, ndërsa për vazhdimin e procedurës do të vendosin institucionet kompetente.
Lajme nga vendi
RRITEN ÇMIMET E DERIVATEVE TË NAFTËS – “DIZELI” TEJKALON 100 DENARËSHIN!
Çmimi me pakicë i benzinës EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 rritet për 1,50 denarë për litër. Çmimi me pakicë i EURODIZELIT (D-E V) rritet për 3,50 denarë për litër. Çmimet e naftës tekalojnë tashmë shifrën prej 100 denarëve.
Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) ka marrë vendim për rritjen e çmimeve me pakicë të derivateve të naftës, mesatarisht me 2,62%, krahasuar me vendimin e datës 17.08.2026.
Çmimet referente të derivateve të naftës në tregun botëror, krahasuar me përllogaritjen e mëparshme, kanë shënuar rritje mesatare:
Nga 25 gusht 2026, në ora 00:01, çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:
EUROSUPER BS-95: 93,00 denarë/litër
EUROSUPER BS-98: 95,00 denarë/litër
EURODIZEL BS (D-E V): 101,50 denarë/litër
Vaj ekstra i lehtë 1 (EL-1): 100,50 denarë/litër
Mazut M-1 NS: 45,576 denarë/kilogram
Çmimi me pakicë i vajit ekstra të lehtë për amvisëri (EL-1) rritet për 2,00 denarë për litër.
Ndërsa çmimi i mazutit M-1 NS rritet për 1,850 denarë për kilogram, dhe tani do të kushtojë 45,576 denarë për kilogram.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 23 Gusht
Dje, në ora 09:50, në SPB Tetovë nga Qendra Urgjente e Tetovës është raportuar se te ta është pranuar një i mitur me lëndime dhe në gjendje të rëndë shëndetësore, i cili për shkak të seriozitetit të lëndimeve është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup. Pas ndërmarrjes së masave dhe kontrolleve të kryera, është konstatuar se rreth orës 08:30, në rrugën “Kiro Ristevski Drnc” në Tetovë, një 42-vjeçar nga Tetova, duke lëvizur mbrapa me automjetin e udhëtarëve “Volksvagen Touareg”, pa targa regjistrimi, me rrotën e pasme ka përplasur dhe ka kaluar mbi djalin e tij gjashtëvjeçar. Në vendngjarje ka kryer ekspertizë një ekip i SPB Tetovë, ndërsa po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
Dje, në ora 14:35, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 45-vjeçar, duke vepruar pas një denoncimi të mëparshëm nga një 37-vjeçar nga Tetova, se ai fizikisht kishte sulmuar djalin e tij të mitur. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të pasojë kallëzim përkatës.
Dje, në ora 14:00, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 39-vjeçar nga fshati Tearcë, Tetovë. Ai dyshohet se më 21.08.2026 ka marrë një automjet “Renault Clio”, me targa të Tetovës, në pronësi të një 37-vjeçari nga fshati Xhepçisht, nga para shtëpisë së tij në Xhepçisht. Automjeti është gjetur dhe i është kthyer pronarit. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të pasojë kallëzim përkatës.
Dje, në ora 23:15, në Policinë në Gostivar, një 35-vjeçar nga Gostivari ka raportuar se djali i saj i mitur, për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëparshme, është sulmuar fizikisht nga një person mashkull. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
Dje, në ora 13:40, në Policinë në Gostivar, një 57-vjeçarnga fshati Trebishte, Gostivar, ka raportuar se në fshat është sulmuar fizikisht nga një 53-vjeçar nga fshati Trebishte, për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëparshme. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
Dje, në ora 18:45, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 25-vjeçar nga fshati Bogovinë. Gjatë një kontrolli të komunikacionit rrugor në rrugën lokale Pirok–Tetovë, policia ka ndaluar një motoçikletë “Yamaha” pa targa regjistrimi, të cilën e drejtonte personi pa dokumentacionin përkatës dhe pa pasur të dhënë më parë provimin për patentë shoferi. Motoçikleta është sekuestruar dhe, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të pasojë kallëzim përkatës.
Dje, në ora 18:30, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një të mitur 16-vjeçar nga Tetova. Gjatë kontrollit të komunikacionit, në bulevardin “Ilindenska” në Tetovë, policia ka ndaluar një moped me targa të Tetovës, të cilin i mituri e drejtonte pa pasur të dhënë më parë provimin për patentë shoferi, përkatësisht pa leje drejtimi. Mjeti është sekuestruar dhe, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj të miturit do të pasojë kallëzim përkatës.
Dje, në ora 18:35, zyrtarë policorë nga Departamenti për Punë të Brendshme Gostivar kanë privuar nga liria një të mitur 15-vjeçar nga Gostivari. Gjatë kontrollit të komunikacionit, policia ka ndaluar një moped “Pezho” me targa të Shtipit, të cilin i mituri e drejtonte pa pasur të dhënë më parë provimin për patentë shoferi, përkatësisht pa leje drejtimi. Mjeti është sekuestruar dhe, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të pasojë kallëzim përkatës.

