Lajme nga vendi
(VIDEO) Tetova me mungesë të ujit të pijshëm për shkak të ndotjes
Në këto temperatura të larta, qyteti I Tetovës do të furnizohet me më pak ujë për shkak se si pasojë e reshjeve të shiut në fundjavë në Malësinë e Tetovës, uji që vjen nga burimet e Leshnicës është turbulluar dhe ka arritur nivel të ndotjes përtej normales.Kështu kanë bërë të ditur nga Ndërmarrja Publike Komunale Sharri në Tetovë.Për shkak të kësaj situate, autoritetet e komunës së Tetovës janë të detyruar të ndërpresim përkohësisht shfrytëzimin e këtij burimi derisa të kryhet pastrimi i plotë, proces që kërkon kohë.Aktualisht, Tetova do të furnizot nga burimet e vjetra nga Kodra e Diellit, të cilat ofrojnë prurje prej 350 litra ujë në sekondë.Bëhet fjalë për burime të hapura ndërsa ndotja vazhdon të jetë prezente edhe gjatë kësaj fillimjave. Kjo situatë ka bërë që të shfaqen probleme me furnizimin me ujë të pijshëm në disa lagje të qytetit të Tetovës. Nga Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” thonë se kur qyteti nuk furnizohet me ujë nga burimet e Leshnicës atëherë ka probleme me ujin e pijshëm.“Para dhjetë ditëve ne i kemi kyçur edhe burimet e Leshnicës për shkak të temperaturave të ulta, dhe kemi furnizuar qytetin e Tetovës me 450 litra ujë në sekondë, sasi e mjaftueshme për qytetin gjatë muajve të verës, kurse gjatë dimrit nevojiten deri në 320 litra ujë në sekondë për të furnizuar normalisht qytetin me ujë. Shpresojmë që gjatë ditës së hënë ose gjatë ditës së martë do të stabliziohet gjendja me ujin dhe parametrat e ndotjes do të jenë normale”, tha drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale “Sharri” Lulzim Shaqiri.Sipas tij, janë kyçur edhe dy puse por nga kjo ndërmarrje thonë se kjo nuk e përmirëson gjendjen e përgjithshme, por janë aktivizuar vetëm për të mbajtur në kondicion sistemin e ujësjellësit. Nga komuna e Tetovës ndërkohë kanë apeluar që të mos keqpërdoret uji në këtë periudhë.“Kjo sasi nuk është e madhe, por është e mjaftueshme për të përballuar këtë situatë të vështirë, nëse të gjithë bashkëpunojmë dhe kursejmë ujin.Çdo pikë uji që kursejmë sot, është një investim në të ardhmen tonë të përbashkët. Ky është momenti kur ne, si qytetarë të devotshëm dhe të përgjegjshëm, duhet të tregojmë solidaritet dhe kujdes” thuhet në apelin e lëshuar nga komuna e Tetovës. TV KOHA
Lajme nga vendi
Digjitalizohen procedurat për lejet e armëve
Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut ka paralajmëruar zgjerimin e shërbimeve elektronike me qëllim që procedurat për lëshimin dhe vazhdimin e lejeve për armë të jenë më të shpejta dhe më efikase. Edhe pse me ndryshimet e reja ligjore afati i vlefshmërisë së lejeve do të shkurtohet nga 10 në 5 vjet, nga MPB-ja sigurojnë se digjitalizimi do ta lehtësojë ndjeshëm procesin për qytetarët.
Në periudhën e ardhshme parashihet vendosja e mundësisë për paraqitjen elektronike të kërkesave për leje armësh, si për personat fizikë ashtu edhe për personat juridikë. Gjithashtu, në formë elektronike do të jetë e qasshme edhe vërtetimi për armët e kategorisë D.
Ndihmësministri Jovan Altanxhiev njoftoi se gjatë një viti e gjysmë janë zgjidhur rreth 15.000 lëndë, që paraqet një rritje shumëfish më të madhe krahasuar me mesataren e viteve të kaluara. Sipas tij, ky rezultat është arritur falë digjitalizimit të pjesshëm dhe lidhjes së evidencave të MPB-së me institucionet gjyqësore.
Lajme nga vendi
Tensione në kufi! Paralajmërohen bllokada në pikat kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë
Të dielën pritet të ketë bllokime të përkohshme në disa pika kufitare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, pasi organizata bullgare “Maqedonia” ka paralajmëruar një aksion protestues që do të zgjasë rreth dy orë, raportojnë mediat bullgare.
Sipas njoftimeve, protestat do të zhvillohen në pikat kufitare Deve Bair, Dellçevë dhe Novo Sellë. Organizatorët pretendojnë se për mbajtjen e tyre kanë siguruar lejen e nevojshme nga Ministria e Punëve të Brendshme e Bullgarisë.
Ky paralajmërim vjen vetëm një ditë pas incidentit të ndodhur pranë Ambasadës së Bullgarisë në Shkup, ku u dogjën dy automjete me targa diplomatike. I dyshuari për rastin u identifikua dhe u arrestua menjëherë, ndërsa ngjarja u dënua si nga autoritetet maqedonase ashtu edhe nga ato bullgare.
Lajme nga vendi
RIFORMATIMI QEVERITAR: TAKIMET NISIN TË PREMTEN DHE TË SHTUNËN!
Kryeministri Hristijan Mickoski informoi se të premten dhe të shtunën pritet të mbahen takime me partnerët e koalicionit nga VLEN dhe ZNAM, ku do të diskutohet për rikonstruimin e paralajmëruar të Qeverisë.
Siç deklaroi sot Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, pas vizitës në Spitalin e Përgjithshëm të rikonstruktuar në Komunën e Strumicës, bashkëpunimi mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it vazhdon si deri më tani.
HRISTIJAN MICKOSKI – Kryeministër
“Për të premten dhe të shtunën janë caktuar takimet me partnerët e koalicionit nga VLEN dhe ZNAM. Tani nuk jemi para zgjedhjeve, por në gjysmën e dytë të mandatit. Kemi një bashkëpunim jashtëzakonisht korrekt dhe miqësor me VLEN-in dhe pres që të vazhdojmë në të njëjtën frymë. Pas realizimit të bashkëpunimit tonë pas zgjedhjeve të vitit 2024, pasuan zgjedhjet lokale ku ata fituan bindshëm në 10 komuna, prandaj nuk shoh asnjë pengesë që ky bashkëpunim të mos vazhdojë”, theksoi Mickoski
Mickoski kishte deklaruar më herët se me rikonstruimin do të merret pas përvjetorit të partisë. Kjo nënkupton se takimet me partnerët qeveritarë VLEN dhe ZNAM mund të nisin që ditën e ardhshme, me qëllim rikonfigurimin e kabinetit qeveritar.
Kryeministri ka theksuar se fokusi gjatë rikonstruimit do të jetë më shumë te cilësia dhe përmbajtja sesa te numri i ndryshimeve.
Në këtë drejtim do të zhvillohen bisedime me bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, si dhe me liderin e ZNAM-it, Maksim Dimitrievski.
Mickoski ka përsëritur disa herë se, përveç zëvendësimit të disa ministrave, janë të mundshme edhe rokada të resorëve ndërmjet partnerëve të koalicionit, nëse në tavolinë paraqiten propozime më cilësore kadrovike se ato aktuale.
Paralelisht me rikonstruimin e Qeverisë, në opinion po qarkullojnë edhe spekulime për zgjedhje të parakohshme parlamentare në pranverën e vitit 2027, megjithëse kryeministri ka theksuar vazhdimisht se është për zgjedhje të rregullta në vitin 2028, përveç rasteve kur, siç ka thënë ai, “opozita e provokon një gjë të tillë”./Tv Koha/

