Lajme nga vendi
Toshkovski: Po stabilizohet gjendja me dhënien e dokumenteve personale
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot e vizitoi Departamentin për punë civile, ku u mbajt takim pune me ndihmës ministrin Jovan Altanxhiev, lidhur me kompetencat e Departamentit
Siç publikoi ministri Toshkovski në profilin e tij në Fejsbuk, në përgjithësi është krijuar kaos dhe pakujdesi nga menaxhmenti i mëparshëm, si në raport me qytetarët ashtu edhe në raport me punëtorët.
“Që në ditën e parë si ministër e kam theksuar se shërbimet administrative duhet të jenë fytyra e Ministrisë së Brendshme dhe e shtetit në përgjithësi. Puna atje duhet të bëhet prestigj, jo dënim. Duhet të jetë nder të punosh në shërbim të qytetarëve dhe të kënaqësh shpejt dhe me efikasitet nevojat e tyre me shërbime të shpejta dhe cilësore”, ka shkruar ministri resor i FB-së.
Në të ardhmen, siç paralajmëroi në FB, do të iniciojë rritje të pagave të punëtorëve, përmirësim të kushteve të punës në çdo zyrë dhe në çdo sportel të vendit.
“Konstatuam konkretisht se situata me dhënien e dokumenteve personale po stabilizohet. Presim brenda një muaji që dhënia e dokumenteve të kthehet në afatet ligjore. Do t’i rrisim kapacitetet në pjesën e përpunimit të kërkesave për pasaporta të dorëzuara në DPK, në mënyrë që diaspora të marrë dokument udhëtimi sa më shpejt. Jemi duke siguruar sasi të reja formularësh për dokumente personale që do t’i plotësojnë nevojat për periudhën e ardhshme“, ka shkruar Toshkovski.
Ai ka sqaruar se termin për procedurë urgjente mund të merret brenda një dite, ndërsa për procedurë të rregullt në maksimum 10 ditë.
Sipas tij, në pikën e Idrizovës nuk ka më interes për caktimin e termineve dhe siç ka shkruar në FB, ajo do të mbyllet pasi e përmbushi qëllimin me pranimin e rreth 25 mijë kërkesave.
Ministri informoi se ka nisur auditimi dhe kontrolli i punës së komisioneve përgjegjëse për dhënien e miratimit për blerjen e armëve.
“Nga njëra anë, armët nuk mund të posedojnë persona që nuk plotësojnë kushtet ligjore. Nga ana tjetër, u konstatua se vetëm nga viti 2020 e në vazhdim nuk janë zgjidhur 5800 kërkesa. Sa më shpejt që të jetë e mundur, pas auditimit të punës, do të gjejmë një zgjidhje dhe një metodologji për veprimin e tyre. Nuk do të ketë më vend për korrupsion“; publikoi ministri i Punëve të Brendshme.
Gjithashtu, një fokus i veçantë do t’i kushtohet Ligjit për Armët dhe Ligjit për Trafikimin e Lëndëve Eksplozive për Përdorim Civil në drejtim të pajtueshmërisë me rregulloret evropiane.
Në pjesën e qarkullimit dhe automjeteve, njoftoi, është konstatuar një situatë me mungesë të referentëve në stacionet e kontrollit teknik, gjë që vështirëson punën e tyre. Një grup i të punësuarve tashmë ka filluar trajnimin, sqaroi Toshkovski, me qëllim që të gjitha personat juridikë të jenë të barabartë në treg në një kohë sa më të shkurtër.
Në takimin e punës u diskutua edhe për gjendjen me kërkesat e dorëzuara për shtetësi të maqedonasve nga Shqipëria, të cilat për arsye të panjohura nuk janë zgjidhur me vite.
“Do të inicohet një takim pune me përfaqësues nga shoqatat maqedonase për të kanalizuar më lehtë procedurën. Në sferën e azilit, sipas komenteve të Komisionit Evropian, do të fillojmë një proces qëllimi përfundimtar i të cilit do të jetë zëvendësimi i dokumenteve në letër të lëshuara nga Sektori i Azilit me ato biometrike”, publikoi ministri Toshkovski në Fejsbuk.
Lajme nga vendi
Një emigrante nga Kina ka vdekur, ndërsa 7 emigrantë të tjerë janë lënduar në një aksident me kamion në Maqedoni
Një kamion me targa të Serbisë u përmbys sot në mëngjes në rrugën Valandovë–Dojran, ku si pasojë një emigrante nga Kina humbi jetën, ndërsa shtatë të tjerë u lënduan, njofton Sektori i Punëve të Brendshme (SPB) Strumicë, përcjell TV21.
“Sot rreth orës 04:20, kamioni doli nga rruga dhe u përmbys në rrugën Valandovë–Dojran. Nga lëndimet e marra në aksident, ka ndërruar jetë një emigrante nga Kina”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Trupi i viktimës është dërguar për obduksion. Shtatë migrante të tjerë nga Kina kanë marrë lëndime trupore, pasi dyshohet se kishin hyrë në rimorkion e kamionit pa dijeninë e shoferit.
“Shoferi S.M. është ndaluar në spitalin e Gjevgjelisë për t’i dhënë ndihmë mjekësore”, bëjnë me dije nga SPB Strumicë.
Zjarrfikësit e Strumicës raportojnë se sot rreth orës 08:00 morën pjesë në një aksion për nxjerrjen e personave nga automjeti i përmbysur.
Lajme nga vendi
Fetai: Akrobacionet e Selës nuk përbëjnë befasi
Akrobacionet e Ziadin Selës nuk përbëjnë më asnjë befasi.
Ajo që po shohim është thjesht kapitulli i fundit i një rruge të nisur mbrapsht që në fillim. Rrugë të cilën e hapi vetë Ziadin Sela, dhe e shtroi Arben Taravari.
Të dy zgjodhën t’i shërbejnë agjendës së Ali Ahmetit, duke harruar një të vërtetë historike: votuesi i Aleancës është antipodi i BDI-së dhe kurrë, për asnjë çmim, nuk pranon të bëhet patericë e saj.
Sot nuk ka më dilema. Kur tradhton parimet, strukturat dhe votën anti-BDI për t’u bërë pjesë e planeve të Ahmetit e të Grubit, fundi është i pashmangshëm: saltoja morale bëhet mortale, dhe të mbaron karriera politike.
Para vetëm dy vitesh, votuesi i Aleancës mori një vendim të qartë si kristali: JO me Ahmetin, JO me Grubin.
Këtë e dinin shumë mirë si Taravari, ashtu edhe Sela. Megjithatë, ata tentuan ta merrnin atë votues me vete, ta mashtronin, t’ia thyenin dinjitetin.
Por votuesi i Aleancës nuk është plaçkë që kontrabandohet sipas qejfit të dikujt. Ata dështuan sepse votuesi ynë nuk nënshtrohet kurrë.
PO-ja për VLEN-in mori 107 mijë vota dhe më pas, 10 komuna. Ne nuk devijuam asnjë milimetër. Ne ruajtëm atë që është më e çmuar: besimin e njerëzve që duan ndryshimin dhe që refuzojnë me kokëfortësi kthimin te e vjetra, te modeli kriminal i BDI-së.
Dera e Aleancës mbetet e hapur. E hapur për të gjithë ata që u lënduan, e hapur për ata që u mashtruan dhe që sot ndjehen të tradhtuar, e hapur për ata që besuan, që duruan dhe që kurrë nuk e ulën kokën, edhe kur të tjerët tentuan t’i thyenin.
Ne ecim drejt. Ne ecim fort. Dhe kjo rrugë nuk ka kthim.
*Status facebook’u i zëvendëskryeministrit Arben Fetai
Lajme nga vendi
VLEN pas largimit të ASH-së: AKI si koalicion pa kauzë tanimë po shpërbëhet!
Koalicioni AKI, i ndërtuar pa kauzë, pa vizion dhe pa orientim të qartë politik, po hyn në fazën e shpërbërjes së pashmangshme. Ajo që ndodhi dje me largimin e ASH-së së Ziadin Selës dhe largimi i Krenar Llogës nga ky koalicion tregojnë qartë krizën e thellë të brendshme, mungesën e kohezionit dhe dështimin për të ndërtuar një ofertë politike të qëndrueshme, thonë nga VLEN.
“Moskordinimi i tyre i vazhdueshëm është bërë tashmë model i dështimit, jo vetëm që nuk arrijnë të formësojnë një drejtim të përbashkët, por çdo ditë dëshmojnë se ky koalicion ka funksionuar vetëm si strehë e interesave të ngushta personale, jo si projekt politik për shqiptarët.
VLEN mbetet forca e vetme e konsoliduar, me program, me vizion dhe me strukturë të qartë shtetndërtuese. Ndërsa AKI po shpërbëhet pjesë-pjesë, qytetarët dhe figura të rëndësishme politike po rikthehen aty ku gjendet stabiliteti, serioziteti dhe perspektiva e vërtetë.
VLEN do të vazhdojë të punojë me përgjegjësi dhe transparencë, duke mbrojtur interesin e përgjithshëm dhe duke ndërtuar një të ardhme të sigurt për qytetarët, ndërsa të tjerët merren me shpërndarjen e një koalicioni që asnjëherë nuk e pati një kauzë të vetën”, thonë nga VLEN.
-
Lajme nga vendi3 weeks agoBilall Kasami : Mega projekti që po bëhet realitet investim prej 70 milionë denarëve Tetova po transformohet
-
Lajme nga rajoni2 months agoTirana mirëpret në tetor Forumin e parë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor
-
Lajme nga vendi2 weeks agoUniversiteti i Tetovës shpreh ngushëllime për vdekjen e studentes Daorsa Spahija

