Lajme nga vendi
BE-ja miratoi 13 milionë euro ndihmë për Armatën e Maqedonisë së Veriut
Këshilli i BE-së gjatë ditës së djeshme mori vendim për miratimin e ndihmës në kuadër të Fondit Paqësor Evropian (EFP), në vlerë prej 13 milionë eurove, që synojnë përforcimin e kapaciteteve dhe aftësive të Armatës në Republikën e Maqedonisë së Veriut (ARMV).
“Masa për ndihmë do t’i përforcojë kapacitetet e Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrjen e saj në operacionet dhe misionet në kuadër të politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së dhe misioneve tjera ndërkombëtare”, kumtoi Këshilli i BE-së.
Në kumtesë theksohet se ky vendim shtesë e ilustron lidhjen në rritje të BE-së me vendin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Kjo e reflekton përkushtimin e vazhdueshëm të partnerëve për avancimin e bashkëpunimit të tyre në këtë fushë politike, duke marrë parasysh harmonizimin e plotë të Maqedonisë së Veriut me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së”, shtohet në kumtesën.
Sipas vendimit, EPF për ARMV do të sigurojë teknologji të destinuara për inteligjencë, mbikëqyrje, zbulim, luftë elektronike dhe inteligjencë sinjalistike, pastaj pajisje logjistike dhe inxhinierike, si dhe sisteme komunikimi dhe informative, kurse do të ofrojë edhe trajnime teknike për përdorimin e pajisjeve.
Fondi Paqësor Evropian është themeluar në mars të vitit 2021 për financimin e aktiviteteve në kuadër të politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së të synuara për parandalimin e konflikteve, ruajtjen e paqes dhe përforcimin e sigurisë ndërkombëtare dhe stabilitetit.
Përmes EPF-së, BE financon aktivitete të synuara për përforcimin e kapaciteteve të vendeve të treta dhe organizatave rajonale dhe ndërkombëtare të lidhura me çështje ushtarake dhe mbrojtjes.
Lajme nga vendi
Besnik Xhemaili zgjidhet zëvendëskryetar i Antikorrupsionit
Anëtari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Besnik Xhemaili, është zgjedhur zëvendëskryetar i KSHPK-së, funksion që do ta kryejë gjashtë muaj.
Zgjedhja e zëvendëskryetarit të KSHPK-së është kryer sipas parimit të rotacionit, dhe renditja u përcaktua sipas rendit alfabetik të mbiemrave të anëtarëve të KSHPK-së, shpjegoi kryetari Adem Çuçuli.
“Mandati i zëvendëskryetares aktuale të KSHPK-së, Sofija Spasova Medarska, përfundon më 18 gusht, ndërsa mandati i zëvendëskryetarit të ri, Besnik Xhemaili, do të fillojë më 19 gusht të këtij viti”, theksoi Çuçul, propozimi i të cilit u pranua unanimisht.
Në seancën e sotme të KSHPK-së, kryetari Çuçul informoi se Komisioni ka evidentuar 30 persona të zgjedhur, të emëruar ose mandati i të cilëve ka përfunduar në prill, të cilët nuk e kanë përmbushur detyrimin ligjor për të paraqitur deklaratën e gjendjes pronësore dhe konfliktit të interesit brenda afatit ligjor. Për të gjithë personat, theksoi Çuçul, do të iniciohen procedura kundërvajtëse dhe shqiptohen gjoba.
Anëtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sot morën 51 vendime për të njëjtin numër rastesh nga ankues të njohur ose të panjohur në KSHPK.
Lajme nga vendi
Uji në Gostivar mbetet vetëm për përdorim teknik, nuk lejohet për pirje
Uji nga ujësjellësi në Gostivar mbetet vetëm për përdorim teknik dhe ende nuk ka rekomandim që të përdoret për pirje ose gatim, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Sipas tij, arsyeja është paraqitja e një bakteri rezidual në instalimet e ujësjellësit, për shkak të të cilit uji vazhdon të jetë i ndaluar për konsum.
Duke komentuar akuzat ndaj Qeverisë se nuk ka ndërmarrë masa për të parandaluar ndotjen e ujit në Gostivar, Mickoski tha se në vitin 2021, kur lideri i SDSM-së, Venko Filipçe, ishte ministër i Shëndetësisë, ishin regjistruar mbi 400 ankesa për cilësinë e ujit në Gostivar.
Kryeministri i bëri thirrje Prokurorisë që t’i verifikojë këto pretendime, të hapë procedurë dhe të kryejë kontrolle në Institutin e Shëndetit Publik dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Sipas Mickoskit, institucionet kompetente duhet të sqarojnë pse, edhe pse kanë pasur mundësi të reagojnë, nuk kanë ndërmarrë masa për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të Gostivarit.
Lajme nga vendi
Skandal me provimin e Stomatologjisë: Studentja i pagoi ryshfet profesorëve, policia kapi mijëra euro
Njësia për Krim Financiar pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal ndaj tre personave të dyshuar për përfshirje në një skemë korruptive lidhur me përfitimin e paligjshëm të certifikatës për provimin profesional në stomatologji.
Gjatë kontrolleve te dy prej të dyshuarve, policia ka sekuestruar shuma të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme.
Sipas MPB-së, A.T. (27) nga Manastiri, studente e stomatologjisë, gjatë dhjetorit 2025 ka komunikuar disa herë përmes aplikacionit Viber me S.Ç. (56) nga Gostivari, profesor në Fakultetin e Stomatologjisë dhe ish-nënkryetar i Odës së Stomatologëve.
Siç njofton MPB-ja, pasi arritën marrëveshje, studentja i ka transferuar para në llogarinë bankare profesorit, me qëllim që ai të përdorte ndikimin e tij për t’i mundësuar marrjen e certifikatës si punëtore shëndetësore, edhe pse nuk i plotësonte kushtet e nevojshme.
Sipas kallëzimit penal, profesori më pas ka ndërhyrë te S.E. (63) nga Shkupi, i cili në atë periudhë ishte kryetar i Komisionit për Provimin Profesional pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
Më 17 dhjetor 2025, studentja është paraqitur para komisionit, ka kaluar provimin dhe më pas ka marrë certifikatën shtetërore.
Gjatë aksionit, zyrtarët policorë nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë kanë kryer kontrolle në banesat e të dyshuarve të dytë dhe të tretë, ku janë sekuestruar 65.280 euro, 29.840 franga zvicerane dhe 161.500 denarë.
“Në bazë të provave të siguruara, A.T. dyshohet për veprën penale dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, S.Ç. për marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, ndërsa S.E. për marrje ryshfeti”, njoftoi MPB.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e të gjitha rrethanave që lidhen me skemën e dyshuar korruptive.

