Connect with us

Lajme nga vendi

S’ka ligj që dënon abuzimin seksual përmes imazheve dhe videove

Published

on

Një nga format më të zakonshme të dhunës seksuale dixhitale është publikimi i imazheve, videove apo përmbajtjeve audio me konotacion seksual, ndërsa situata është ndërlikuar edhe më tej me shfaqjen e inteligjencës artificiale, e cila mundëson krijimin e lehtë të imazheve false, të njohura si “deepfake”.

Kjo formë e dhunës seksuale në Maqedoninë e Veriut ende nuk është e përcaktuar në mënyrë specifike si krim derisa ekspertët ligjor vlerësojnë se rregullimi ligjor i kësaj forme të dhunës është dukshëm prapa. Këtë e ka konfirmuar edhe Martina Draganovska Martinova, hulumtuese juridike si dhe autore e raportit “Forcimi i mbrojtjes ligjore kundër dhunës seksuale përmes imazheve dhe teknologjisë “deepfake”, raport i cili së fundmi u prezantua në një panel diskutimi. Sipas saj, dispozitat ekzistuese të Kodit Penal mbulojnë vetëm pjesërisht dhe rastësisht këtë lloj të dhunës, pa një drejtim apo dispozitë të caktuar ligjore që do ta trajtonte këtë problem në mënyrë sistematike. “Kur i analizova dispozitat ligjore ekzistuese, arrita në përfundim se dhuna seksuale përmes imazheve mbulohet vetëm pjesërisht nga disa dispozita të izoluara, pa një rregullim të qartë ligjor që do ta trajtonte këtë lloj dhune. Kjo nënkupton se ligjvënësi nuk i ka kushtuar rëndësi të veçantë këtyre problemeve”, u shpreh Draganovska Martinova.

Në panel ajo theksoi gjithashtu se viktimat më të shpeshta të kësaj dhune janë femrat, ndërsa dhunuesit zakonisht janë meshkuj. Një dhunë e tillë ndodh nëpërmjet rrjeteve sociale, e-maileve ose mesazheve celulare ndërsa viktimat përballen me pasoja të rënda si ankthi, depresioni dhe humbja e vendeve të punës.

“Pasojat për viktimat janë të gjera, shumë prej tyre përballen me frikën e largimit nga shtëpitë e tyre, vuajnë nga sulme paniku dhe depresioni dhe shpesh kanë probleme në gjetjen e punës. Kjo është një nga arsyet pse është e nevojshme të kriminalizohet kjo lloj dhune përmes imazheve, si dhe krijimi dhe përdorimi i teknologjisë ‘deepfake’”, shtoi ajo.

Si përfundim kryesor i analizës së saj, ajo tha se nevojitet një dispozitë e re dhe e specializuar ligjore që do të kriminalizojë përdorimin e imazheve dhe videove me përmbajtje seksuale pa pëlqimin e personit në fjalë, pa pasur nevojë të vërtetohet qëllimi i kryerësit. “Ne kemi nevojë për një dispozitë ligjore e cila në mënyrë të qartë ndalon publikimin e përmbajtjeve seksualisht eksplicite, pa pëlqimin e viktimës, ndërsa dispozita duhet të zbatohet në detyrë zyrtare për të siguruar që autorët të ndiqen penalisht”, përfundoi ajo.

Advertisement

Që rregullimi ligjor për dhunën digjitale në Maqedoninë e Veriut është i paplotë u pajtua edhe profesoresha e të drejtës penale, Aleksandra Deanovska Trendafilova, e cila theksoi se është e nevojshme të bëhen ndryshime në ligjet që do të rregullojnë këtë fushë.

“Vendi ynë ende nuk është vonë, pasi edhe në kontekstin global, pak vende e trajtojnë “deepfake” si një krim më vete. Por, është e nevojshme të merren masa urgjente në këtë drejtim, sepse kjo lloj teknologjie paraqet kërcënim serioz për privatësinë dhe sigurinë e qytetarëve”, theksoi Deanovska Trendafilova.

Sipas MPB-së, deri më tani nuk ka raportime për raste të dhunës digjitale përmes “deepfake”. Megjithatë, ekspertët bëjnë thirrje për rritjen e ndërgjegjësimit dhe parandalimit, veçanërisht në mesin e popullatës së re, e cila më së shpeshti është e ekspozuar ndaj rreziqeve të tilla. (koha.mk)

Advertisement

Lajme nga vendi

Filantropi tetovar Lazim Destani dhuron shqiponjën për Kukësin (VIDEO)

Published

on

Me një ceremoni solemne në Kukës të Shqipërisë, është inauguruar simboli i
shqiponjës që është një dhuratë nga filantropi tetovar Lazim Destani. Monumenti
“Shqiponja”, u vendos në këtë pikë tek e cila kryqëzohen rrugët që lidhin Kukësin
me Rrugën e Kombit poashtu përmes kërij rreth rrotullimi realizohen edhe hyrje
daljet nga Rruga e Kombit të qytetarëve të Hasit. Në ceremoninë e sotme solemne,
krahas donatorit Lazim Destani me bashkëpuntorët e tij ishte i pranishëm edhe
kryetari i bashkisë së Kukësit Albert Halilaj dhe deputeti i zonës së Kukësit
Pandeli Majko.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, pas prerjes së shiritit, filantropi tetovar Lazim
Destani tha se ndihet krenar që shqiponja tash e tutje do të qëndrojë në këtë vend
pasi që është simboli ynë që na bën krenar. Ai tha se vjen nga një fshat i malësisë
së Tetovës, Bozovcë, ku është rritur dhe me Kukësin i ndan vetëm një kodër.
Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Kukësit Albert Halilaj tha se Kukësi është qyteti
që i bashkon të githë shqiptarët përmes rrugës së Kombit.
Në shenjë vlerësimi për dashurinë dhe kontributin e tij të vazhdueshëm për
Kukësin, filantropit Lazim Destanit i është dorëzuar çelësi e Qytetit, simbol i
mirënjohjes dhe respektit të përbashkët. Çelësi i është ndarë nga ana e kryetarit të
Bashkisë së Kukësit Albert Halilaj. Për Destanin ky është një moment i veçantë në
jetën e tij,
Ky monument është dhuruar në Tiranë për nderë të 100 vjetorit të pavarësisë së
shtetit shqiptar dhe prej sot do të qëndrojë në trekëndshin e tre shteteve, Shqipëri,
Kosovë dhe Maqedoni. Shqiponja poashtu do të ketë edhe aksesorët ndihmës dhe
sistemin e ndriçimit dekorativ./TV KOHA /

Continue Reading

Lajme nga vendi

Raundi i dytë zgjedhor, KSHZ-ja hedh poshtë të gjitha ankesat

Published

on

Qeveria do të emërojë të besuarit e saj në komunat ku nuk u zgjodhën kryetarë komunash në zgjedhjet lokale. Kjo do të bëhet menjëherë pasi KSHZ zyrtarisht t’i mbyllë zgjedhjet dhe do të informojë Qeverinë. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se ende nuk kanë mbajtur asnjë bisedim me partnerët e koalicionit për atë se kush do të përzgjidhet si ushtrues detyre.

“Fillimisht duhet zyrtarisht KSHZ ti përfundojë zgjedhjet dhe ta informojë qeverinë. Kjo pres të ndodhë javën e ardhshme. Më pas Qeveria ka afat prej 15 ditëve të veprojë dhe ta informoj KSHZ-në dhe Kuvendin që Kuvendi në afat prej 60 ditëve të mbajë zgjedhje të reja në ato komuna ku ishin të pa suksesshme… Kështu që unë pres gjatë javës së ardhshme kur ti marrim të ulemi me partnerët e koalicionit dhe ti propozojmë emrat se cilët do të jenë të besueshmit e qeverisë në ato komuna ku zgjedhjet ishin të pa suksesshme”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.

Të pa suksesshme zgjedhjet lokale ishin në Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë e Rostushë. Në zgjedhjet që do të përsëriten në këto komuna, nuk do të vlejë censusi dhe nuk do të kenë mundësi që përsëri të dështojnë. Ndërkohë nga KSHZ refuzuan të gjitha 16 ankesat për procesin e votimit të rrethit të dytë dhe presin nëse dorëzuesit e ankesave do të ankohen edhe në Gjykatën Administrative. Ankesa pati për komunat Karposh, Shuto Orizare dhe Bërvenicë. Në Shuto Orizare u dorëzuan 13 ankesa prej të cilave dhjetë nga koalicioni “Maqedonia jote” e VMRO-DPMNE-së dhe tre nga “Lidhja e Romëve”. Dy ankesa pati nga koalicioni “Përvoja për sukses” në Karposh dhe një ankesë pati kandidati i VLEN në Bërvenicë, Haqim Ramadani. /Alsat.mk

Continue Reading

Lajme nga vendi

Mela merrë pozitën e “krye-timonierit” të Dibrës

Published

on

Pas ceremonisë së pranim-dorëzimit të mandatit nga ish-kryetari Hekuran Duka, Fisnik Mela mori sot zyrtarisht detyrën e Kryetarit të Komunës së Dibrës.

Në fjalën e tij, Mela e cilësoi këtë moment si një përgjegjësi të madhe dhe një emocion të veçantë, duke theksuar se mandati që i është dhënë nga qytetarët përfaqëson më shumë se një detyrë politike – një angazhim moral për të shërbyer me ndershmëri, transparencë dhe përkushtim.

“Dibra meriton institucione që dëgjojnë, që veprojnë dhe që sjellin zhvillim të vërtetë. Bashkë do ta ndërtojmë një komunë të mundësive, të bashkëpunimit dhe të mirëqenies për të gjithë”, deklaroi Mela.

Në fund, kryetari i ri i Dibrës uroi: “Zoti e bekoftë Dibrën dhe qytetarët e saj.”

Continue Reading

Më të lexuarat