Lajme nga vendi
Nga viti 2013 deri në 2021, çdo vit kanë migruar rreth 2500 kuadro me arsim të lartë

Në Kuvend sot seancë do të mbajë Komisioni për çështje ekonomike, punë dhe politikë energjetike.
Në seancën e këtij komisioni do të shqyrtohet Raporti përfundimtar për revizionin e kryer të suksesit me temën “Efektiviteti i masave për parandalimin e ikjes së kuadrove profesionale dhe me arsim të lartë” i përgatitur nga Enti Shtetëror i Revizionit.
ESHR në raport konkludon se me revizionin e kryer dhe Metodologjinë e aplikuar të revizionit, evidenca e mbledhur e revizionit, ka fituar bindje se aktivitetet e Qeverisë si bartës i politikave për menaxhim me migrimin nuk janë efektive për uljen e ikjes së kuadrit me arsim të lartë nga shteti. Vlerësimet nga analiza e kryer e ekspertit të angazhuar të ESHR-së tregojnë se në periudhën e vitit 2013-2021 nga shteti mesatarisht migrojnë rreth 2.500 kuadro me arsim të lartë, për të cilët shteti mesatarisht në vit ka investuar rreth 5 miliardë denarë ose gjithsej për periudhën e analizuar ka shpenzuar 44,7 miliardë denarë. Theksohet se ikja e kuadrove me arsim të lartë i kushton shtetit 0,8 për qind nga PBB-ja e vitit.
“Efekti total i kostos oportune në lidhje me PBB-në e humbur i cili nuk është gjeneruar për shkak të migrimit vjetor të popullatës së përgjithshme nga shteti vlerësohet në 5,15 për qind të PBB-së në nivel vjetor. Nëse në këtë shtohet investimi i humbur real në arsim në këto kuadro e cila mesatarisht arrin 3,19 për qind në vit nga PBB-ja, efekti i përgjithshëm ekonomik negativ reflekton humbje të përgjithshme prej 8,34 për qind të PBB-së në nivel vjetor, thuhet në raport.
Nga Revizioni theksojnë se pas skadimit të periudhës së vlerës të Strategjisë Nacionale për rrjetëzim dhe bashkëpunim me kuadrot profesionale dhe me arsim të lartë të vitit 2013-2020 nuk është miratuar një dokument i ri strategjik i cili e përfshin problemin e lidhur me ikjen e trurit përkatësisht strategjia gjithëpërfshirëse për migrim ekonomik, me masa dhe aktivitete lidhur me uljen e ikjes së kuadrit me arsim të lartë, me të cilën mund të ulen edhe efektet negative në fushën e zhvillimit ekonomik të vendit dhe veprimtarisë shkencore hulumtuese.
“Masat e strategjisë nuk janë implementuar plotësisht. Nuk është vendosur një sistem funksional për ndjekjen e menaxhimit me migrimin intelektual dhe bazën gjithëpërfshirëse të të dhënave për migrim nga shteti. Mungojnë analizat për krijimin real të politikës së regjistrimit, që synon harmonizimin e ofertës dhe kërkesës, dhe mënyra e vendosur e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë të studimeve jashtë vendit nuk siguron shfrytëzim efikas të mjeteve të paguara dhe përfitimeve për shtetin. Monitorimi i zbatimit të masave dhe aktiviteteve nga Strategjia nuk është vendosur dhe as nuk janë vlerësuar efektet e zbatimit të masave”, theksojnë nga Enti Shtetëror i Revizionit.
Nga ESHR rekomandojnë që universitetet dhe fakultetet publike ta shqyrtojnë mundësinë e përmirësimit të funksionalitetit të Qendrave për karrierë përmes ndarjes së mjeteve financiare për zbatimin e aktiviteteve të parashikuara, me qëllim të lidhshmërisë së sektorit privat dhe studentëve.
Lajme nga vendi
KOALICIONI VLEN SHPALLI FITORE NË POLLOG

Kryetari i ardhshëm i komunës së Tetovës do të zgjidhet në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale respektivisht më 2 nëntor. Në raundin e dytë në garrë do të jenë Bilall Kasami nga Koalicioni VLEN dhe Bajram Rexhepi nga Aleanca Kombëtare për Integrim. Në raundin e parë Kasami ka marrë 19028 vota, Rexhepi morri 15 272 vota. Diferenca e Kasamit ndaj Rexhepit është 3756 vota. Pas mbylljes së procesit zgjedhor, mbrëmë në qendër të Tetovës Koalicioni VLEN shpalli fitore në shumicën e komunave në rajonin e Pollogut. Në ndërkohë, Kasami në fjalimin e tij para simpatizantëve të tubuar fitoren e VLEN-it tha se do të vazhdojnë të zgjidhin problemet dhe hallet e qytetarëve. Deklarata KasamiPas daljes së rezultateve kandidati për Tetovën Bajram Rexhepi nga Aleanca Kombëtare për Integrim përmes një postimi falënderoi për votat që siç tha ai të pastra dhe me zemër.“Falënderoj çdo aktivist, çdo qytetar, për punën e palodhshme dhe besimin e dhënë.Beteja për Tetovën vazhdon. Me më shumë përkushtim, me më shumë forcë dhe me të njëjtin ideal, për një Tetovë me dinjitet” shkroi Bajram Rexhepi nga Aleanca Kombëtare për Integrim.Ndërkaq,në zgjedhjet e djeshme, Katka Bozhinovska nga partia E Majta, ka marrë 3298 vota, STEVICA SARKOSKI nga VMRO-popullorja ka marrë 1625 vota, SAMKA IBRAIMOSKI ka marrë 253 vota dhe Izet Zejneloviq ka marrë 115 vota. Poashtu, KSHZ ka publikuar rezultatet e para edhe për këshillin komunal në Komunën e Tetovës. Nga 92.56 përqind e votave të procesuara për këshillin komunal, koalicioni VLEN do të ketë 13 këshilltarë , Aleanca Kombëtare për Integrim 12 këshilltarë, VMRO-DPMNE-ja do të ketë 3 këshilltarë, LSDM-ja, E Majta dhe Më mirë për Tetovën do të kenë nga një këshilltarë.
Lajme nga vendi
VLEN: Shqiptarët folën qartë dhe fuqishëm

Koalicioni VLEN shpreh mirënjohje të thellë ndaj qytetarëve për besimin e madh që treguan në zgjedhjet lokale që u mbajtën gjatë ditës së djeshme (19.10.2025).
Sipas VLEN kjo është fitorja më e madhe ndonjëherë në historinë e zgjedhjeve lokale, një fitore që u arrit në çdo cep ku jetojnë shqiptarë.
“Shqiptarët folën qartë dhe fuqishëm, referendumi i BDI-së nuk kaloi. Ky ishte verdikti i popullit ndaj një politike që për vite me radhë ka abuzuar me besimin qytetar dhe ka ndërtuar pushtet mbi frikën e përçarjen.
VLEN e konsideron këtë rezultat si një kthesë historike për politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Tani është momenti që liderët e AKI-së të marrin përgjegjësi dhe të japin dorëheqje, sepse qytetarët ua kanë thënë fjalën përfundimtare. Fitorja e 19 tetorit është fitorja e shpresës, e bashkimit dhe e dinjitetit. VLEN është dhe do të mbetet NJË ZË, zëri i qytetarëve, zëri i ndryshimit”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.
Lajme nga vendi
Spanja propozon heqjen përhershme të ndërrimit të orës në vendet e BE-së

Qeveria spanjolle njoftoi se do t’i propozojë Bashkimit Evropian heqjen e përhershme të ndërrimit të orës dhe kalimit në kohën dimërore, e cila duhet të ndodhë fundjavën e ardhshme, duke e quajtur këtë “praktikë të vjetruar”, raportojnë mediat spanjolle.
Siç raportohet, kjo ndryshim më nuk kontribuon në kursimin e energjisë, ndërsa njëkohësisht shkakton efekte negative për shëndetin, raportoi televizion RTVE.
Në një postim video në platformën X, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez theksoi se “ndërrimi i orës dy herë në vit nuk ka më kuptim”, prandaj Spanja do të propozojë heqjen e kësaj praktike.
– Në të gjitha anketat që kemi kryer, shumica e qytetarëve spanjollë dhe evropianë janë kundër ndërrimit të orës. Për më tepër, shkenca na tregon se kjo nuk kursen më energji dhe se dy herë në vit shqetëson ritmin biologjik, shpjegoi Sanchez.
Ai kujtoi se gjashtë vjet më parë BE-ja kishte votuar për heqjen e ndërrimit të orës dy herë në vit në të gjitha vendet anëtare, dhe se atëherë ishte theksuar se vendimi ishte marrë pas konsultimeve publike, ku morën pjesë 4.6 milionë qytetarë, nga të cilët 84% ishin pro heqjes së kësaj praktike.
Parlamenti Evropian në vitin 2019 gjithashtu mbështeti këtë vendim, me 63% të votave.
Megjithatë, vendimi përfundimtar nuk u mor për shkak të mungesës së konsensusit mes vendeve anëtare, pasi për miratimin e tij kërkohet shumicë e kualifikuar në Këshillin e BE-së.
Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Teresa Ribera, për televizionin spanjoll deklaroi se evropianët mbështesin idenë e një kohe të vetme dhe se “tani është momenti i duhur për ta realizuar atë”.
Sanchez theksoi se për këtë arsye Spanja do të dorëzojë një propozim formal në takimin e sotëm të Këshillit Evropian për transportin, telekomunikacionet dhe energjinë, ku do të marrin pjesë ministrat e të gjitha 27 vendeve anëtare të BE-së.
Burime raportojnë se tani është moment i favorshëm që Parlamenti Evropian të votojë për heqjen e kësaj praktike në vitin 2026, pasi cikli aktual pesëvjeçar i planifikimit të Komisionit Evropian skadon vitin tjetër.