Lajme nga rajoni
Festimet e 112-vjetorit të pavarësisë, Tirana pret mbi 10 mijë pjesëmarrës në “Paradën Shqiptare”
Kryeqyteti shqiptar feston sot 112-vjetorin e pavarësisë.
Bashkia e Tiranës ka parashikuar edhe një kalendar të pasur me aktivitete dhe ngjarje kulturore.
Në mesditë, duke nisur nga ora 12:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do të zhvillohet “Parada e Shqiptarëve”, ku Tirana pritet të vishet e gjitha kuq e zi. Të pranishëm në paradë pritet të jenë mbi 350 grupe artistike nga anë e mbanë kudo ku flitet shqip. Në paradë do të jenë të pranishme përfaqësues nga 150 qytete, ndërsa llogariten mbi 10 000 të pranishëm.
Pjesëmarrësit dhe grupet artistike do të nisin përgatitjet prej orës 9 me 28 Nëntor për të nisur aktivitetin e Paradës Shqiptare në orën 12 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
“Parada kuqezi” nis nga sheshi “Nënë Tereza”, midis Pallatit të Koncerteve dhe Presidencës dhe do të përshkojë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u mbyllur në sheshin “Skënderbej”. Parada do të realizohet për të dytin vit radhazi, duke i dhënë kryeqytetit rolin e një qendre të përbashkët për kremtimin e Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë.
Parada Shqiptare për festat e Nëntorit synon të rikthejë vëmendjen tek vlerat e kostumeve popullore, riteve, traditave por dhe trashëgiminë e historisë së kombit te brezat e rinj.
Pas paradës do të zhvillohet dhe ceremonia e ngritjes së flamurit, e parashikuar në orën 13:40.
Paralelsiht me zhvillimet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do të zhvillohen edhe aktivitete të tjera si Panairi i Artizanëve, që do të zhvillohet te Pazari i ri, zona e Markatës së Gjelbër.
“Festivali i Artizanatit dhe Qeramikës” do të shfaqë dhe mbështesë diversitetin dhe aftësitë e jashtëzakonshme të artizanëve lokalë në disiplina të ndryshme artizanale. Ky festival synon të krijojë një treg plot jetë ku artistët, zejtarët dhe krijuesit mund të shfaqin punën e tyre, të angazhohen me publikun dhe të nxisin vlerësimin për mallrat e punuar me dorë.
Festivali do të shfaqë një shumëllojshmëri produktesh të punuar me dorë, duke përfshirë qeramikë, bizhuteri, tekstile, punime druri, punime metalike, artikuj lëkure dhe më shumë. Çdo artizan do të ketë një zonë ekspozimi ku vizitorët mund të shikojnë dhe blejnë krijimet e tyre. Tregu do të ofrojë artikuj unikë, të veçantë, duke promovuar idenë e mbështetjes së talenteve vendase mbi produktet e prodhuara në masë.
Në të njëjtën datë, është teatri “Linda” që shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar, ndërsa koncerti “Eloquent Echoes” do të jepet në ambientet e Kishës Katolike në kryeqytet. “Ky projekt synon të paraqesë përpara publikut të kryeqytetit instrumentistë të rinj, si dhe pedagogë në Real Conservatorio Superior de Musica de Madrid, si dhe Korin “Siparantum”, një ndër koret më të mira aktualisht në rajon./atsh
Lajme nga rajoni
Aksident tragjik në Rumani,ku humbën jetën shtatë tifozë të klubit grek PAOK mes tyre edhe dy shqiptarë (video)
Ende nuk dihet gjendja e tyre, ndërsa raportohet se nga aksidenti kanë humbur jetën 7 persona, dhe 3 kanë mbetur të plagosur.
Aksidenti ndodhi në Rumani, kur një furgon me tifozë të ekipit grek PAOK të Selanikut, të cilët udhëtonin drejt Francës për të ndjekur ndeshjen kundër Lionit në Europa League, por fatkeqësisht u përfshi në aksident në autostradën pranë qytetit Lugoj.
Të gjithë tifozët ishin të moshës 25 deri në 30 vjeç.
Sipas autoriteteve rumune, furgoni tentoi të parakalonte një kamion-cisternë, por gjatë rikthimit në korsi u përplas fillimisht me të dhe më pas kaloi në krahun e kundërt të rrugës, ku u përplas me një kamion tjetër. Në aksident u përfshinë gjithsej katër mjete.
Gjashtë nga viktimat humbën jetën në vend, ndërsa një tjetër ndërroi jetë gjatë transportit drejt spitalit. Helikopterët e emergjencës nuk mundën të ndërhyjnë për shkak të kushteve të këqija atmosferike, ndërsa të plagosurit u dërguan në spitalin e qytetit Lugoj.
Ministria e Jashtme e Greqisë dhe ambasada greke në Bukuresht ndodhen në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet rumune, për identifikimin e viktimave dhe mbështetjen e familjarëve.
Klubi i PAOK ka shpallur zi dhe ka njoftuar se do të mbulojë të gjitha shpenzimet për kthimin e trupave dhe ndihmën ndaj të plagosurve.
Ndërkohë kërkesa për anulimin e ndeshjes nuk është pranuar nga federata europiane Futbollit.
Lajme nga rajoni
Pas rreth 27 viteve gjendet trupi i Rasim Mehmet Kocit, i zhdukur gjatë luftës në Kosovë
Pas rreth 27 vjet të përfundimit të luftës është gjetur trupi i pajetë i Rasim Mehmet Kocit, i cili ishte zhdukur më 1 prill të vitit 1999 në afërsi të fshatit Osek Hylë.
Siç ka njoftuar familja, ai ishte arrestuar nga forcat serbe dhe më pas ishte vrarë e trupi tij ishte zhdukur.
Eshtrat e tij janë identifikuar dhe do t’i dorëzohen familjes të premten, më 30 janar, raporton Kp.
“Familja Koci është një nga familjet që ka pësuar humbje të rënda gjatë luftës në Kosovë. Përveç Rasim Mehmet Kocit, kjo familje ka dhënë edhe dy martirë të tjerë: Afrim Idriz Koci dhe Besim Idriz Koci, të cilët u vranë brutalisht më 25 mars 1999 nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe.
Homazhet për martirin e luftës Rasim Mehmet Koci do të mbahen më 31 janar 2026, nga ora 12:00 deri në 13:00, në Pallatin e Kulturës në Gjakovë, ndërsa varrimi do të bëhet në ora 13:30, në Varrezat e Dëshmorëve në Qabrat”, thuhet në njoftimin e familjes së Rasim Kocit.
Lajme nga rajoni
Furgonët e Policisë nisen nga Prizreni burgjet kanë vend të mjaftueshëm për ‘dallavergjitë’ e votave, 800 shtretër të lirë
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se aktualisht në institucionet korrektuese janë në mbajtje gjithsej 1 mijë e 758 të burgosur, ndërsa kapacitetet ekzistuese lejojnë akomodimin e rasteve të reja.
Sipas këtij institucioni, në dispozicion janë rreth 800 shtretër të lirë, duke hedhur poshtë pretendimet për mungesë kapacitetesh, transmeton Klankosova.tv.
“Institucionet korrektuese kanë hapësira të mjaftueshme për pranimin e rasteve të reja, prandaj pretendimet për mungesë kapacitetesh nuk qëndrojnë”, thuhet në njoftim.
Shërbimi Korrektues i Kosovës thekson se ky sqarim bëhet me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik dhe parandalimit të keqinformimit.
“Ky njoftim bëhet me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik dhe parandalimit të keqinformimit. Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Policia e Republikës së Kosovës kanë marrëveshje mirëkuptimi për bashkëveprim institucional, në kuadër të së cilës, varësisht nga situatat e krijuara, mund të shfrytëzohen përkohësisht objektet e njëra-tjetrës”, thotë SHKK. /Klankosova.tv

