Lajme nga vendi
BDI i reagon Filipçes: Po përpiqen të mbijetojnë politikisht! Po mbjellin frikën te maqedonasit, se shqiptarët janë armiku i tyre
“BDI ndër vite ka mbartur njollën e korrupsionit! LSDM është distancuar qartë”, kështu tha kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaratë për të cilën reagoi Bashkimi Demokratik për Integrim. BDI tha se, LSDM po përpiqet për të mbijetuar politikisht, që siç e quan BDI, është një përpjekje e dështuar.
BDI tutje tha se, partitë maqedonase po mbjellin mbjellin frikën te qytetarët maqedonas, se shqiptarët janë armiku i tyre po siç thotë, kërcënimi i vërtetë i maqedonasve janë ata që mohojnë kishën e tyre, gjuhën e tyre, identitetin e tyre.
“Në një përpjekje të dëshpëruar për të mbijetuar politikisht, LSDM ka zgjedhur të shfrytëzon valën e albanofobisë, duke ndjekur rrugën e VMRO-DPMNE-së.
Në vend që të përballet me krizën e vet dhe të marrë përgjegjësinë për dështimin e tyre, ajo po kërkon shpëtim duke i ushqyer maqedonasve një armik të rremë: shqiptarët.
Por e vërteta është e thjeshtë: maqedonasit nuk e urrejnë BDI-në se kinse paska korrupsion – ata e urrejnë sepse BDI fuqizoi shqiptarët dhe ndryshoi ekuilibrat e vjetër të pushtetit dhe prishi monopolet etnike.
Ata nuk e shohin BDI-në si problem të krimit, sepse vetë partitë maqedonase kanë sunduar këtë vend për 30 vjet duke e plaçkitur dhe degraduar.
Maqedonasit sot po manipulohet të besojnë se shqiptarët janë kërcënimi i tyre ekzistencial.
Por kush po e mbjell këtë ide?
Sot, partitë maqedonase, duke pasur në krye të qeverisë eksponentë të ‘botës serbe’, po mbjellin tek maqedonasit frikën se shqiptarët janë armiku i tyre.
Në realitet, shqiptarët nuk kanë qenë dhe nuk janë kërcënimi ekzistencial i maqedonasve.
Kërcënimi i tyre i vërtetë janë ata që mohojnë kishën e tyre, gjuhën e tyre, identitetin e tyre.
Ata që duan ta mbajnë Maqedoninë e Veriut të dobët, të izoluar dhe të përçarë, janë ata që po injektojnë këtë psikologji frike. Albanofobia nuk është një ndjenjë spontane e maqedonasve – ajo është një projekt politik, i nxitur dhe i financuar nga interesa të huaja për ta mbajtur Maqedoninë e Veriut peng të konfliktit dhe pasigurisë.
Dhe fatkeqësisht, partitë maqedonase, në vend që të udhëheqin popullin e tyre drejt një të ardhmeje të përbashkët dhe të sigurt, po zgjedhin ta përdorin këtë ndjenjë për përfitime të ulëta politike.
Gjatë periudhës kur LSDM ishte në opozitë, deri në vitin 2017, kjo parti kishte bërë një fushatë të fuqishme kundër BDI-së, duke e akuzuar për shërbyerjen si “patericë e VMRO-së.”
Ata tani po ndjekin të njëjtin udhëzim, duke përdorur albanofobinë si një mjet për të fituar pikë politike.
Por koha e këtyre lojërave po mbaron. Shqiptarët nuk do të pranojnë të bëhen kurban i politikave të dështuara të LSDM-së apo DPMNE-së apo i agjendave të huaja që punojnë kundër Maqedonisë së Veriut.
Ky vend nuk ka të ardhme mbi urrejtjen dhe ndarjet etnike.
Ata që sot zgjedhin të nxisin përçarje, nesër do të mbeten vetëm në rrënojat e një politike të djegur”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe periudha me diell. Do të ketë jostabilitet lokal me shira të rrëmbyeshëm, bubullima, erëra të forta dhe kushte për stuhi të izoluara me breshër. Do të ketë erëra të dobëta deri në mesatare, dhe përgjatë lumit Vardar herë pas here të forta nga veriu.
Në pjesët perëndimore do të fryjë erë e dobët deri në mesatare, herë pas here e fortë perëndimore. Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 12 deri në 21 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë 27 deri në 33 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe periudha me diell. Në pjesë të luginës do të ketë jostabilitet me shira të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erëra të forta. Temperatura minimale do të bjerë në 17, ndërsa maksimale do të arrijë 30 gradë.
Lajme nga vendi
Dogana kap bizhuteri “Swarovski” me vlerë rreth 5.400 euro
Dogana e Maqedonisë së Veriut ka sekuestruar bizhuteri të markës “Swarovski” me vlerë prej 333 mijë denarësh në Pikën Kufitare të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, pasi ato u zbuluan gjatë kontrollit të detajuar të një udhëtareje që po hynte në vend.
“Bëhet fjalë për një shtetase të Maqedonisë së Veriut, e cila mbërriti me një fluturim nga Zagrebi. Me qëllim që të shmangte pagesën e detyrimeve doganore, ajo u drejtua në korridorin e gjelbër në vend të atij të kuq. Gjatë kontrollit, udhëtarja deklaroi se nuk kishte asgjë për të paraqitur. Pas skanimit me rreze X dhe kontrollit të bagazhit, u zbuluan 23 copë bizhuteri të markës ‘Swarovski’”, njoftojnë nga Dogana.
Sipas autoriteteve doganore, rasti i është dorëzuar Departamentit të Hetimeve pranë Sektorit për Kontroll dhe Hetime, i cili ka ngritur kallëzim penal për veprën penale “kontrabandë”, e dënueshme sipas Kodit Penal.
Lajme nga vendi
Ministria e Brendshme: U dëmtuan vetura, objekte të ministrive, si dhe 10 persona u lënduan
Ministria e Punëve të Brendshme informon se zyrtarët e policisë janë vazhdimisht në terren dhe po veprojnë sipas të gjitha raporteve që lidhen me pasojat e stuhisë së fortë, në koordinim me institucionet e tjera kompetente. MPB informoi se aktivitetet janë duke u zhvilluar për të siguruar sigurinë publike, pastrimin e dëmeve dhe normalizimin e trafikut dhe funksioneve publike.
Pasojat më të mëdha u regjistruan në zonën e Sektorit për Punë të Brendshme Shkup. Deri në orën 22:00 të djeshme, u regjistruan 117 automjete pasagjerësh të dëmtuara, 35 çati të dëmtuara, 189 pemë të rrëzuara, shtatë semaforë të dëmtuar, pesë zjarre dhe 10 persona të lënduar.
“Stuhia shkaktoi dëme edhe në disa institucione shtetërore dhe objekte me rëndësi jetike. Dëme u regjistruan në objektet e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, kompleksin “Vili Vodno”, Bazën Policore të Aeroportit Petrovec, ndërtesën “Nova Makedonija”, si dhe në objektet e Ministrisë së Financave, Ministrisë së Bujqësisë dhe Prokurorisë Publike”.
“Në Kumanovë u raportuan nëntë automjete të dëmtuara dhe tre çati të dëmtuara, ndërsa pesë raste u regjistruan në zonën e SPB Tetovë – tre automjete të dëmtuara dhe dy struktura çatie të dëmtuara. Në Gostivar nuk u raportuan dëme ose persona të lënduar”.
“Në zonën e SPB Veles u regjistruan dy automjete të dëmtuara për shkak të pemëve të rrëzuara, ndërsa në Shtip u raportuan 14 makina të dëmtuara dhe gjashtë çati të dëmtuara”.
“Në Strumicë, erërat e forta rrëzuan shtylla elektrike në fshatrat Dobroshinci dhe Gradosorci, gjë që shkaktoi edhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në fshatin Svidovicë”.
“Nuk u regjistruan pasoja të mëdha në rajonin e Manastirit, përveç një ere të fortë afatshkurtër në zonën e Makedonski Brod, pa dëme materiale”, thanë nga MPB.
Ministria e Brendshme njoftoi se ekipet e policisë mbeten në terren dhe vazhdojnë të pastrojnë pasojat dhe të sigurojnë sigurinë e qytetarëve. përcjell Zhurnal.mk .

