Lajme nga vendi
LSDM-ja akuzon pushtetin për mungesën e terapive biologjike në Klinikën e Onkologjisë

LSDM-ja opozitare vazhdon me akuzat ndaj pushtetit për mungesën e terapive biologjike në Klinikën e Onkologjisë. Sipas tyre, derisa pacientët në Klinikën e Onkologjisë po luftojnë për jetën e tyre, Qeveria e VMRO-DPMNE-së dhe zyrtarët e saj të paaftë po tregojnë mosinteresim të plotë për shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Për një javë e tërë Klinika ka mbetur pa barna bazë për terapi biologjike dhe personat në gjendje kritike janë të detyruar të kërkojnë mënyra për të shpëtuar veten. Kjo është një fatkeqësi që është rezultat i qasjes jashtëzakonisht amatore dhe të çorganizuar të qeverisë. Ata akuzojnë drejtorin e Fondit Shëndetësor, Sasho Klekovski se në vend që të kërkojë zgjidhje urgjente po përdorë të njëjtën histori arsyetimesh. Një gjë është e qartë: paaftësia dhe mosinteresimi i kësaj qeverie rrezikon drejtpërdrejt jetë njerëzore. Çdo ditë vonesë do të thotë jetë të humbura. Është koha për veprim dhe përgjegjësi urgjente – kjo nuk është më vetëm çështje politike, por çështje jete a vdekjeje, thuhet mes tjerash në reagimin e LSDM-së. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Rama në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Shkup: Kurrë më afër anëtarësimit se sot

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Shkup, ku po merr pjesë në Samitin dyditor mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili është fokusuar në zbatimin e Planit të Rritjes për rajonin.
Në një prononcim të shkurtër për mediat, në nisje të samitit, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se vendet e Ballkanit janë sot më afër se kurrë realizimit të aspiratës për anëtarësim në BE.
“Kurrë nuk kemi qenë më afër realizimit të një aspirate shumë shekullore dhe më vjen mirë që ka një atmosferë pozitive në këtë drejtim. Jemi shumë afër anëtarësimit dhe besoj fort që do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona. Plani i përbashkët do të realizohet plotësisht,” u shpreh Rama.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se mbrëmjen e së hënës kanë pasur një darkë në Shkup, ku me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë diskutuar mbi Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian.
Ai para mediave tha se është kënaqësi ta vizitojë Shkupin, vend që bashkërisht me shtetet e tjera synon anëtarësimin në BE.
Kurti përmendi edhe marrëveshjet mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut mbi pikat e përbashkëta të kontrollit.
“Me këtë rast kemi pasur një darkë paraprake mbrëmë, ku kemi diskutuar për Planin e Rritjes. Kënaqësi të vij në Shkup, tash kur kemi pika të përbashkëta kontrolli. Ajo Han i Elezit – Bllacë, që më 12 prill u funksionalizua dhe ajo Glloboçicë-Jazhincë, që më 28 maj u funksionalizua. Si rezultat i marrëveshjeve të përbashkëta me Qeverinë Mickovsksi, më 18 nëntor në Prishtinë, në mbledhjen e përbashkët”, ka thënë ai.
Gjatë samitit, pritet që liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian të diskutojnë mbi zbatimin e Planit të Rritjes, një nismë që synon të afrojë më shumë vendet e rajonit me tregun e përbashkët evropian dhe të nxisë zhvillimin ekonomik.
Në sesionin hapës, pjesëmarrësve iu drejtuan me fjalë përshëndetëse kryeministri i RMV-së Hristian Mickoski dhe Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos.
Samiti pritet të ketë dy panele diskutimi:
Në panelin e parë me temë “Plani i Rritjes: Vlerësimi, hapat e ardhshëm dhe komunikimi”, liderët e rajonit, përfshirë kryeministrin Rama, do të diskutojnë mbi përparimin dhe zbatimin e iniciativave kryesore të Planit të Rritjes, veçanërisht ato të Shtyllës 1 që përfshin turizmin, mbrojtjen e konsumatorit dhe lehtësimin e qarkullimit në kuadër të “Autostradës” së Tregut të Përbashkët.
Ndërkohë, paneli i dytë, i titulluar “Thellimi në Shtyllat e Planit të Rritjes”, do të mbledhë ministrat për Çështjet e BE-së, përfaqësues të institucioneve evropiane, organizatave rajonale dhe partnerëve zbatues, për të analizuar detajet teknike të secilës shtyllë dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm drejt integrimit.
Lajme nga vendi
Kos: Ka konsensus për zgjerim, por mundësia të mos jetë e përhershme

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka thënë se shtetet e Bashkimit Evropian kanë konsensus për zgjerim tani.
“Ka konsensus për zgjerim tani. Por dritarja e mundësisë, mund të mos jetë aty përherë. Po shohim përparim”, ka thënë ajo në samitin rajonal BE-Ballkani Perëndimor në Shkup, teksa ka theksuar përparimin e Shqipërisë me hapjen e negociatave muajve të fundit.
Për Kosovën ka thënë se po presin formimin e qeverisë së re “për t’u fokusuar me energji të plotë në procesin e anëtarësimit”.
Tek ka folur për Planin e Rritjes për shtetet e Ballkanit Perëndimor, rreth 6 miliardë euro në formë granti nga BE-ja dhe një pjesë në formë kredie, ajo ka thënë se tani gjithçka është në duart e shteteve të Ballkanit.
Kosova parashihet të marrë rreth 900 milionë euro nga kjo pako. Procesi është bllokuar në mungesë të konstituimit të Kuvendit.
Në samit po merr pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
BE-ja ka njoftuar se Samiti do të jetë mundësi për të diskutuar fusha të reja bashkëpunimi në mbrojtjen e konsumatorit, turizmit.
“Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon të nxisë ekonominë e rajonit dhe të ndihmojë vendet e tij të bashkohen me BE-në. Ai siguron 6 miliardë euro fonde për reforma dhe investime në fusha si energjia, transporti dhe transformimi digjital, me qëllim rritjen e prosperitetit dhe stabilitetit në rajon”, thuhej në njoftimin e BE-së.
Lajme nga vendi
Mickoski: Ballkani Perëndimor nuk është më një dhomë pritjeje, por një rajon në zhvillim

Jemi të vendosur të ecim drejt një të ardhmeje evropiane më të fortë, më elastike dhe më të integruar, sepse Ballkani Perëndimor nuk është më një dhomë pritjeje, por një rajon në zhvillim, tha sot Kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij në Takimin e Liderëve BE-Ballkan Perëndimor.
“Rajoni ynë është një pjesë jetësore e Evropës dhe një pjesë integrale e së ardhmes së saj. Ballkani Perëndimor është një rajon i pasur me potencial dhe ambicie, megjithëse shumë shpesh ka narrativa përçarjeje. Por kur shikoj përreth, mund të shoh se ka një histori tjetër. Rajoni përcaktohet nga fryma e tij dhe refuzon të lihet pas dore. Zonja dhe zotërinj, ky Samit i kushtohet një vizioni të përbashkët, një vizioni ku investimet lulëzojnë dhe inovacioni ofron mundësi për të gjithë. Një vizion ku Ballkani Perëndimor nuk është më një dhomë pritjeje, por një rajon që është në zhvillim”, tha Mickoski.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve