Lajme nga vendi
Dita e Gruas apo një ditë urimesh pa ndikim?!
Kërkesat për barazi gjinore dhe të drejtat e grave janë çështje që diskutohen vazhdimisht, sidomos në ditën e 8 Marsit. Gjatë kësaj dite, shpesh dëgjohen mesazhe urimi dhe deklarata për përparimin e gruas në shoqëri dhe politikë, si dhe marshime kundër diskriminimit dhe seanca parlamentare që theksojnë arritjet e vitit. Megjithatë, përkundër këtyre mesazheve, realiteti mbetet i ndryshëm.
Në Maqedoninë e Veriut, gratë përballen me pengesa të vazhdueshme, dhe shpesh herë, 8 marsi bëhet thjesht një ditë urimesh bosh, pa pasur një ndikim të vërtetë në përmirësimin e kushteve të jetesës së grave. Pavarësisht ndryshimeve ligjore dhe përmirësimeve të mundësive për barazi gjinore gjatë dy dekadave të fundit, shifrat dhe përfaqësimi i grave në sektorët kyç si arsimi, puna dhe politika tregojnë se ende ka shumë punë për të bërë për të arritur barazinë e plotë.
SFIDAT NË EMANCIPIMIN E GRAVE KRAHASUAR ME BALLKANIN
Siada Selmani, një mjeke e shkolluar gjatë viteve 80-90, e cila ka përjetuar ndryshimet e shumta në trekëndëshin e sistemit arsimor dhe shoqëror të Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë, ka ndarë mendimet e saj lidhur me ecurinë e emancipimit të grave në këto tri shtete. Ajo për gazetën KOHA ka theksuar se përpjekjet për shkollimin e grave dhe mundësitë e barabarta për arsim, gjithashtu janë një faktor ndikues në zhvillimin e tyre në të gjitha fushat.
“Në Maqedoninë e Veriut, qasja e grave në çdo institucion shtetëror nuk ka qenë sfidë e vështirë vetëm për ta, por edhe për meshkujt. Rrethanat politike dhe mospranimi i shqiptarëve në mënyrë të barabartë në institucione kanë bërë që shumë pak shqiptarë të shkollohen. Për kundër kësaj, zgjidhja ishte në Kosovë, ku universiteti ekzistonte që nga viti 1974, mundësitë për arsim ishin më të lehta, por gjithashtu kërkohej edhe emancipimi i familjeve dhe i shoqërisë në përgjithësi. Ndërsa, në Shqipëri, gjatë viteve të 90-ta, gratë kishin mundësi të shkolloheshin dhe të zhvillonin karriera në profesione të ndryshme”, tha ajo duke shtuar se ndryshimi ka qenë i dukshëm sa i përket nivelit të shkollimit dhe përfaqësimit të grave në nivelet e ndryshme të arsimit.
Ndërsa përballeshin me pengesa si diskriminimi në familje, të cilat vinin nga perceptimi se djemtë duhet të shkollohen para vajzave, Selmani thekson se emancipimi i duhur i familjeve ka qenë një faktor kyç për të mundësuar shkollimin e grave. “Këto pengesa i kemi vendosur vetë. Përparimi varet nga ndryshimi i qëndrimeve dhe praktikave shoqërore ndaj gruas. Në Shqipëri dhe Kosovë, gratë janë tashmë konkurrente të fuqishme në tregun e punës dhe arsimimin, por ende kërkohet më shumë punë për të arritur një barazi të plotë. Unë shpresoj që edhe Maqedonia e Veriut të arrijë një nivel të ngjashëm, ku gratë të jenë të fuqishme dhe të ndihen të barabarta në shoqëri”, shtoi mjekja.
PËRFAQËSIMI I ULËT I GRAVE NË INSTITUCIONET SHTETËRORE
Për sa i përket përfaqësimit të grave në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, situata ka pësuar disa ndryshime. Për herë të parë, Maqedonia e Veriut ka një presidente grua, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila gjatë fjalimit të saj inauguruar ka theksuar rëndësinë e emancipimit të gruas dhe largimin e stereotipave ndaj grave, e cila shprehu angazhimin e saj për të përmirësuar rolin e gruas dhe për të kontribuar në barazinë gjinore.
Megjithatë, deri tani, pjesëmarrja e grave në vendimmarrje është ende shumë e kufizuar, sidomos grave shqiptare, ashtu siç vërehet në mungesën e grave të përfshira në pozitat udhëheqëse të ekzekutivit. Në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, gratë kanë fituar vetëm 41 ulëse nga 120, duke përbërë një përqindje prej 34 për qind. Ndërsa në nivel lokal, përfaqësimi i grave është ende shumë i ulët, me vetëm 35 për qind të përfaqësimit në nivelet shtetërore dhe 26 për qind në komunat e drejtuara nga shqiptarët.
PROTESTË KUNDËR DHUNËS NDAJ GRAVE
Dhuna ndaj grave në vend është një problem i theksuar dhe i shpeshtë. Rreth 80 për qind e viktimave të dhunës në familje janë gra, ndërsa autorët janë kryesisht meshkuj. Raportet e fundit të dhunës në familje janë rritur me 61 për qind në vitin 2022 krahasuar me vitin 2018, por vetëm 1 për qind e autorëve të dhunës janë dënuar me burg. Ky raport tregon se, ndonëse ka shumë raporte të dhunës, dënimet për dhunuesit janë të pakta dhe ky është një aspekt që kërkon përmirësim të menjëhershëm.
Ndërkohë, për të shënuar 8 marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, organizatat e shoqërisë civile për të drejtat e grave në Maqedoninë e Veriut do të mbajnë një protestë në Shkup. Protesta do të fillojë në orën 13:00 para Sallës Universale dhe do të përfundojë në parkun “Gruaja Luftëtare”. Aktivistët kërkojnë më shumë se thjesht lule dhe fraza simbolike, ata kërkojnë liri, autonomi dhe fund të sistemit shtypës që kufizon mundësitë dhe jetën e grave.
“Këtë 8 mars bojkotojmë dhe marshojmë. Nuk është koha për gjeste simbolike, por për një luftë feministe për liri, solidaritet dhe autonomi. Ne jetojmë në një sistem shtypës që kufizon jetët tona dhe mundësitë. Këtë 8 mars, po bëjmë thirrje për bojkot të supermarketeve dhe punëve të shtëpisë, duke qëndruar kundër këtij sistemi. Gratë do të pushojnë nga blerja, gatimi, pastrimi dhe kujdesi për fëmijët. Kjo është dita për të ndalur vrullin e këtij sistemi, të paktën për një ditë”, thonë organizatorët. Ndër të tjera, protesta mbështetet nga organizata të ndryshme si Reaktor, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Tiiitt! Inc, Rrjeti Stella, Koalicioni Margjinal, ndërsa përkrahet nga aktivistë të ndryshëm. (koha.mk)
Lajme nga vendi
SHOK TEMPERATURASH NË MAQEDONI: Pas të ftohtit të pazakontë dhe borës, këtë javë deri në 38°C
Pas valës së pazakontë të të ftohtit që solli reshje bore në Malin Sharr dhe në Pelister të premten, më 24 korrik, si dhe pas mëngjesit të sotëm jashtëzakonisht të freskët për muajin korrik, Maqedoninë e pret një tjetër ndryshim i fortë i motit.
Meteorologu Sllavço Poposki njofton se nga fillimi i javës vendi do të përfshihet nga një masë shumë më e ngrohtë ajrore që vjen nga jugu, përkatësisht nga Afrika.
“Që nga e hëna dhe gjatë ditëve në vijim, temperaturat do të shënojnë rritje të shpejtë. Në pjesën më të madhe të Maqedonisë ato do të kalojnë 30 deri në 35 gradë Celsius, ndërsa në rajonin e Povardarisë dhe në pjesën juglindore të vendit do të arrijnë deri në 38 gradë Celsius”, thekson Poposki.
Sipas tij, vetëm gjatë ditës së hënë, më 27 korrik, priten dukuri lokale të paqëndrueshme të motit, të shoqëruara me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të përforcuar.
Nga e marta, më 28 korrik, moti do të stabilizohet plotësisht dhe do të mbizotërojë mot me diell, i qëndrueshëm dhe me vranësira të pakta lokale.
Poposki paralajmëron se këto ndryshime të menjëhershme dhe të mëdha të temperaturave mund të kenë ndikim negativ, veçanërisht te personat e ndjeshëm ndaj ndryshimeve të motit.
Lajme nga vendi
Sërish shtrenjtohen karburantet nga mesnata
Çmimet e shitjes me pakicë të benzinave EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 rriten për 3,00 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i EURODIZELIT (D-Е V) rritet për 4,50 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i Vajit Ekstra të Lehtë për Amvisëri (ЕL-1) rritet për 5,00 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i Мazutit М-1 SU rritet për 2,726 denarë për kilogram.
Nga data 28.7.2026, nga ora 00:01, çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:
Benzinë motori EUROSUPER BS – 95 93,00 (denarë/litër)
Benzinë motori EUROSUPER BS – 98 95,00 (denarë/litër)
Naftë motori EURODIZEL BS (D-E V) 98,50 (denarë/litër)
Vaj për Djegie Ekstra i Lehtë 1 (EL-1) 98,00 (denarë/litër)
Mazut М-1 SU 48,099 (denarë/kilogram)
Lajme nga vendi
“TETOVA N`FESTË”: “KREJT E THIRRIN REXHËN” NË ATMOSFERË VERORE!
Nën qiellin e hapur të Banjës së Tetovës, qytetarët patën mundësinë të ndjekin shfaqjen e filmit “Krejt e Thirrin Rexhën”, në kuadër të manifestimit Vera Tetovare, Tetova n’Festë.
Një mbrëmje e bukur kinematografike, e mbushur me emocione, humor dhe atmosferë të veçantë, që bëri bashkë qytetarë të të gjitha moshave.
Tv Koha takoi edhe Artistin e ri nga Tetova, Ledion Mulaku, i cili hapat e parë në aktrim i ka bërë që në moshë të hershme, duke qenë pjesë e disa projekteve filmike dhe serialeve të rëndësishme në rajon, duke përfshirë filmat “Dashuria s’mjafton” dhe “Shkëmbimi”, serialin ndërkombëtar Sunrise, si dhe projektin e fundit “Krejt e thirrin Rexhen”, ku ai interpreton një nga rolet protagoniste dhe është vlerësuar me çmimin Best Young Actor.
Suksesi i tij është një shembull frymëzues për të rinjtë e Tetovës dhe një dëshmi e potencialit të madh që ka rinia jonë.
Vera tetovare riktheu në Tetovë filmin “Krejt e Thirrin Rexhën” me një mbrëmje të veçantë kushtuar artit dhe kinematografisë shqiptare.
Ambienti I hapur në Banjë të Tetovës u bë arenë e gërshetimit të brezave dhe interesimit të jashtëzakonshëm të publikut tetovar.
U shijua së bashku një film I jashtëzakonshëm në një atmosferë të bukur verore, ku sipas organizatorëve, “Tetova N`Festë” vazhdon të sjellë kulturë, art dhe argëtim në çdo cep të qytetit.
/Tv Koha/

