Lajme nga vendi
Prokuroria jep detaje për arrestimin e Muhsin Arifit – Premtoi ndihmë për shtrimin e një pacienti në spital nëse shpërblehet me 100.000 euro
Një prokuror publik nga Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit sot ka lëshuar Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër dy personave, prej të cilëve njëri dyshohet për veprën penale – Marrje ryshfeti sipas nenit 357 paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 2 të Kodit Penal, ndërsa tjetri për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale.
I dyshuari i parë, si person zyrtar – drejtor i ISHP Spitali i Specializuar për Mjekësi Geriatrike dhe Paliative në Shkup, në periudhën nga 19.03.2025 deri më 08.04.2025, në disa raste ka kërkuar drejtpërdrejt përfitim material të konsiderueshëm për vete që të kryejë një veprim zyrtar që kishte për detyrë ta kryente.
Ryshfeti e ka kërkuar nga dëshmitarja në procedurë – kujdestare me kontratë për përkujdesje të përjetshme për një person i cili vuante nga disa gjendje shëndetësore dhe për të cilin, sipas rekomandimeve mjekësore, ishte e nevojshme të shtrohej në spitalin e lartpërmendur. Kur dëshmitarja u drejtua në institucion për shkak se gjendja e pacientit ishte përkeqësuar, ajo u informua se pacienti ishte vendosur në listën e pritjes për pranim.
Pas disa ditësh, ajo mori një telefonatë nga i dyshuari i dytë, i cili caktoi takim me drejtorin e Institucionit më 19.03.2025 në orët e mbrëmjes, në një lokal në Shkup.
Gjatë takimit, i dyshuari i parë i ka thënë personalisht se e di që pacienti është mirë i qëndruar financiarisht dhe kishte informacione për pronën e paluajtshme që zotëronte. Ai premtoi ndihmë për shtrimin e tij në spital nëse shpërblehet me 100.000 euro. Gruaja – dëshmitare ka reaguar se kjo është një shumë shumë e madhe, ndërsa drejtori ka propozuar që shuma të sigurohet përmes shitjes së banesës së pacientit, e cila nuk ishte opsion sepse banesa ishte përfshirë në kontratën për përkujdesje të përjetshme.
Më 03.04.2025 është realizuar një takim mes dëshmitares dhe ndihmësit, si person në të cilin drejtori kishte besim të plotë, ndërsa më 04.04.2025 dëshmitarja është takuar sërish me të dy të dyshuarit. Është rënë dakord që dëshmitarja të japë 20.000 euro si garanci për shtrimin e pacientit në spital, dhe nëse i dyshuari i parë, përmes “verifikimeve”, konstaton se pacienti ka edhe ndonjë pronë tjetër të paluajtshme, ajo të shitet për të siguruar shumën e kërkuar prej 100.000 eurosh.
Sipas këtij marrëveshjeje, më 08.04.2025 dëshmitarja është takuar me të dyshuarin e dytë, i cili hyri në automjetin e saj dhe në emër të drejtorit pranoi drejtpërdrejt shumën prej 20.000 eurosh, pas çka u kap në vendngjarje nga zyrtarët e policisë.
Prokurori publik i dorëzoi gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dy të dyshuarit.
Lajme nga vendi
RAMAZANI: OFERTË SOLIDE – FUQIA BLERËSE NË RËNIE TË NDJESHME!
Iftarë e syfyr do të jenë vaktet ku amviset e shtëpive duhet të përgatitin ushqimet për familjet e tyre. Ramazani vjen me begati, por edhe me sofra që duhet të jenë më të mbushura.
Në Tregun e Tetovës mund të gjesh gjithcka, varësisht xhepit. Ofertat tashmë janë shtuar në prag të Ramazanit dhe kështu pritet të jetë gjatë gjithë këtij muaji të bekuar.
Nuk mungojnë pemët e perimet, por nuk mungojnë edhe hurmat e ullinjtë pjesa e pandashme e sofrës së iftarit apo syfyrit.
Jemi në prag të Muajit të Bekuar të Ramazanit, kurse tregtarët tashmë kanë shtuar ofertat e tyre për konsumatorët. Por, fuqia blerëse e qytetarëve është në rënie ndaj çmimeve që ofrohen. Por, c`thonë qytetarët, si ju duken ofertat dhe çmimet në prag të nisjes së Ramazanit?
“Si gjithmonë, çmimet janë çmime, kanë hip pak, kanë zbrit pak, da ta kalojmë edhe këtë”
“Cmimet shumë të bukura. Pak me peshë më të madhe, por mirë janë. Unë nuk kam dalë për çmimet, port a humbi kohën se s`kemi pare për këto. 500 denarë një kg groshë”
“Unë vij ng fshati. Në fshat janë katastrofë cmimet, për atë shkak vijmë në qytet për cmime më të ulëta”
Shitësit thonë se cmimet janë të njëjta dhe se nuk ka rritje të tyre për Ramazan. Thonë se k shumë pak të interesuar për të blerë, por se do të vazhdojnë me ofertat e tyre.
“Çmimet janë të volitshme, të mesme, nuk janë të shtrenjta”
“Nuk kanë lëviz çmimet, janë si përpara dhe tash. Për ne s`ka interesim, shumë dobët shitja, s`kanë pare njerëzit”
“Njerëzve cfarë ju duhet marrin. Ndonjë hurma, ndonjë ullinj”
Nëse ndalen tek pemët e perimet, qytetarët sikurse anashkalojnë mishtoret. Mish shpatulle – 800 denarë, muskuj – 750, mish butke – 950 denarë, mbase janë cmime të papërballueshme për një kategori të madhe të qytetarëve.
Edhe Restoranet tashmë kanë publikuar të ashtuquajturat menytë e Iftarit. Çmimet lënë shumë për të dëshiruar, por sipas praktikës së vitit të kaluar, restoranet do të kenë shumë punë, mbase për shkak të një tradite të re në këtë nënqiell që iftaret e përbashkëta familjare të bëhen nëpër restorane e jo nëpër shtëpi.
Po hyjmë në Muajin e Bekuar të Ramazanit, në kohën kur fuqia blerëse e qytetarëve është në rënie të ndjeshme, në kohën kur një përqindje e madhe e familjeve kanë vështirësi me “idaren”.
Por, Rajoni I Tetovës cdoherë ka dëshmuar fuqinë e solidaritetit dhe humanitetit. Kjo padyshoim se nuk do të mungojë as edhe këtë muaj, madje me aktivitete të shtuara. TV KOHA
Lajme nga vendi
Kryeministri e quan të mirëseardhur konsolidimin e VLEN-it në një parti politike
Kryeministri Hristijan Mickoski nuk deshi të komentojë zhvillimet brenda koalicionit VLEN, përcjell TV21. Mickoski tha se ideja që VLEN të bëhet parti politike është e mirëseardhur dhe shtoi se ka komunikim të rregullt me liderët e koalicionit.
“Unë nuk do të mund të komentoj se cilat janë zhvillimet në koalicionin VLEN, unë mund vetëm të them se kam komunikim jashtëzakonisht korrekt me secilin anëtar të qeverisë që vjen nga koalicioni VLEN, do të thosha shumë të suksesshëm, të drejtpërdrejt. Kam komunikim të rregullt me kryetarët e partive politike që janë pjesë e VLEN-it, kështu që konsolidimi i tillë në një subjekt politik është i mirëseardhur në skenën politike të Maqedonisë, por për zhvillimet e brendshme nuk është kulturë që unë të komentoj”, tha Mikcoski.
Lajme nga vendi
Pas jurisprudencës edhe instruktorët e autoshkollave kërkojnë provim në shqip, heshtje në MPB
Një grup instruktorësh të autoshkollave kërkon që testi profesional për marrjen e licencës për instruktorë të auto-shkollave të jepet edhe në gjuhën shqipe përveç asaj maqedonase, megjithatë nga Ministria e Punëve të Brendshme heshtin, nuk tregojnë nëse do e ofrojnë provmin edhe në shqip, shkruan Portalb.mk.
Grupi i instruktorëve thekson se para pesë viteve u është premtuar se testi për licencë për instruktorë do të ofrohet edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, ky premtim nuk është realizuar deri më sot.
“Tani, kur testi do të mbahet këtë vit dhe afati është i afërt, situata bëhet edhe më shqetësuese. Kandidatët shqiptarë po përballen me padrejtësi dhe trajtim të pabarabartë, pasi testi për licencë për instruktorë vazhdon të mos ofrohet në gjuhën shqipe. Kërkojmë zgjidhje urgjente para mbajtjes së testit dhe marrjen e masave konkrete nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që kjo e drejtë ligjore të respektohet pa shtyrje të mëtejshme”, thuhet në kërkesën e instruktorëve.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme edhe pse të pyetur nga Portalb.mk, nuk tregojnë se pse nuk e ofrojnë këtë provim në shqip dhe nëse e kanë në plan të njëjtën.
Kujtojmë që para pak ditëve MPB-ja njoftoi kandidatët për ushtrimin e veprimtarisë si ligjërues dhe shofer -instruktor në autoshkollë, kontrollor, pyetës sipas programit mësimor të rregullave dhe rregulloreve të komunikacionit (pjesa teorike) dhe pyetës sipas programit mësimor të drejtimit të mjetit (pjesa praktike) në qendër të provimit, se dhënia e provimit profesional për aftësim për punë me qëllim të pajisjes me licencë për punë do të zhvillohet në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht në Qendrën e Trajnimit në Idrizovë.
“Kandidatët që kanë dorëzuar dokumentacion të plotë do të njoftohen, në përputhje me afatin e paraparë me ligj, për datën dhe orën e zhvillimit të provimit profesional”, tha MPB.
Ndryshe, kohën e fundit aktuale ka qenë edhe kërkesa e studentëve për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, e cila shkaktoi reagime dhe përplasje politike.

