Lajme nga vendi
VLEN-i kërkon Kod penal që s’guxon më të shërbejë si amnisti!
Koalicioni VLEN akuzon ish-pushtetin BDI–LSDM se kanë keqpërdorur kalimin e ligjeve me të ashtuquajturin flamur evropian. Nga VLEN thonë se “nën maskën e “harmonizimit me BE-në”, ata votuan ndryshime në Kodin Penal që sot po ia shohim sherrin e gjithë shoqëria”
“Ky nuk ishte ligj për standarde evropiane, por ofertë amnistie për kapjen e shtetit, e nënshkruar nga BDI në emër të shqiptarëve, por në interes të Gruevskit, Mijallkovit dhe klikave që kanë plaçkitur edhe shqiptarët, edhe Maqedoninë e Veriut. Ky vend ka nevojë për drejtësi të vërtetë, jo për ligje të qepura sipas hallit të politikanëve që tremben nga përgjegjësia. Përpilimi i Kodit të ri Penal kërkon analizë të thelluar, harmonizim profesional dhe përfshirje të ekspertizës më të mirë juridike, prandaj VLEN mbështet qasje të përgjegjshme dhe të mbështetur në parime evropiane. Qasja jonë është e qartë vendi ka nevojë për një Kod Penal modern, të ndërtuar mbi parimin e barazisë para ligjit dhe me kapacitet të vërtetë për të siguruar ndëshkim efektiv për korrupsionin dhe abuzimet me pushtetin. VLEN ka qenë e para që ka kërkuar rritje të përgjegjësisë për korrupsionin e lartë, përmes amendamentit kushtetues. Prioriteti ynë është i thjeshtë, një sistem penal që mbron qytetarët dhe drejtësinë, jo ata që për vite të tëra e përdorën ligjin për të pastruar vetveten nga skandalet”, thonë nga VLEN.
Lajme nga vendi
Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali takoi Ambasadorin e Republikës së Kosovës, Florian Qehaja
Sot, në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër për Çështje Evropiane, z. Bekim Sali, priti në takim Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin e Republikës së Kosovës, z. Florian Qehaja.
Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin dypalësh ndërmjet dy vendeve, projektet e përbashkëta që i lidhin institucionet tona, si dhe për proceset e integrimit evropian dhe avancimin e agjendës evropiane në rajon.
Të dyja palët theksuan rëndësinë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimit të përvojave në funksion të stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit evropian.

Lajme nga vendi
Babai dyshohet për dhunë seksuale ndaj vajzës së tij 13-vjeçe
Prokuroria e Kavadarit hap hetime për dy raste të përdhunimit të fëmijëve: Kërkohet paraburgim për të dyshuarit
Prokuroria Themelore Publike në Kavadar ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore për dy raste të ndara, në të cilat ekzistojnë dyshime për veprën penale – Përdhunim i fëmijës që nuk ka mbushur 15 vjeç, sipas nenit 188 të Kodit Penal.
Rasti i parë: Negotinë
Në rastin e parë, të dyshuar janë dy persona madhorë nga Negotina, të cilët fillimisht kanë kryer veprën penale – Kënaqja e pasioneve seksuale para tjetrit (neni 190 i Kodit Penal). Ata kanë kryer marrëdhënie seksuale para një fëmije të mitur, i cili i ka filmuar me telefon celular.
Gjatë korrikut të vitit të kaluar, kur fëmija ishte 14 vjeç, njëri nga dy të dyshuarit e ka shtyrë disa herë të miturin të kryejë marrëdhënie seksuale me të, për çka i ka dhënë shuma të caktuara parash. Prokurori publik ka propozuar masën e paraburgimit për të dyshuarin për dhunim të fëmijës, vepër për të cilën parashihet dënim me burg prej së paku 8 vjetësh.
Rasti i dytë: Kavadar
Prokuroria e Kavadarit po zhvillon procedurë dhe ka propozuar masën e paraburgimit edhe ndaj një babai nga Kavadari, i dyshuar për veprime të tjera seksuale ndaj vajzës së tij 13-vjeçare.
Ai, në gjendje të dehur, e ka prekur vajzën në disa raste, me çka ekziston dyshimi se ka kryer vepër penale nga paragrafi 5 i nenit 188, për të cilën parashihet dënim me burg prej së paku tri vjetësh.
Lajme nga vendi
Mashtrim prej 15 mijë eurosh: 70-vjeçari nga Tetova denoncon rast në polici
Një 70-vjeçar nga një fshat i Tetovës ka raportuar më 12.01.2026 në SPB Tetovë se ai dhe vëllai i tij janë mashtruar për një shumë prej 15.000 eurosh nga një person me inicialet L. nga Tetova.
Siç raporton Tetovasot, gjatë vitit 2024 i dyshuari u kishte ofruar ndihmë për realizimin e pensionit nga një shtet i huaj, duke u kërkuar para si “depozitë” dhe duke i detyruar të nënshkruanin dokumente blanko. Pasi procedura nuk u realizua, ata kuptuan se ishin mashtruar. Policia po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit.

