Lajme nga vendi
Prokuroria me detaje për vdekjen e 42-vjeçarit nga Tetova
Prokuroria Themelore ka dhënë detaje në lidhje me 42-vjeçarit nga Tetova i cili u gjet pa shenja jete në veturën e tij.
Prokuroria tha se është dhënë urdhër për autopsi dhe se gjurmët nga vendi i ngjarjes do t’i nënshtrohen ekspertizës.
“Është kryer kontroll në vendin e ngjarjes, janë dhënë disa udhëzime dhe urdhra me qëllim zbulimin e kryerësve, për shkak të dyshimeve se vdekja është rezultat i një vepre penale. Është dhënë urdhër për autopsi, urdhër për tërheqjen e automjetit dhe gjurmëve të tjera nga vendngjarja që do t’i nënshtrohen ekspertizës, urdhër për sigurimin e incizimeve nga kamerat e vëzhgimit, si dhe prova të tjera. Po veprohet sipas urdhrave”, thonë nga Prokuroria Themelore.
Lajme nga vendi
Kryetari Mendi Qyra pret kapësin e Kryqit të Shenjtë: Mesazh uniteti dhe bashkëjetese nga Struga
Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, sot realizoi një takim me kapësin e Kryqit të Shenjtë, Petar Çakareski, i cili së bashku me shokët e tij ndau gëzimin e festës së madhe të krishterë – Ujit të Bekuar.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të këndshme dhe miqësore, ku kryetari Qyra i uroi Petarit një vit të mbarë, të shëndetshëm dhe të suksesshëm. Ai theksoi se ngjarje të tilla kanë rëndësi të veçantë për komunitetin dhe për ruajtjen e vlerave tradicionale.
Sipas kryetarit, festat fetare dhe traditat janë ura që lidhin njerëzit dhe forcojnë bashkëjetesën, duke e bërë Strugën shembull të respektit dhe harmonisë mes besimeve dhe kulturave të ndryshme.
Komuna e Strugës do të vazhdojë edhe në të ardhmen të kultivojë mirëkuptimin, respektin dhe unitetin, si themele të një shoqërie të fortë dhe të bashkuar.
Lajme nga vendi
Gripi po bënë “kërdinë”, gjysmëvjetori në Tetovë filloi me mungesën e shumë nxënësve
Gjysmëvjetori i dytë nëpër shkollat e Tetovës filloi me mungesën e qindra nxënësve, për shkak të virusit stinor. Drejtoresha e shkollës “Liria” në Tetovë thotë se kanë dezinfektuar hapësirat, ndërsa kërkojnë nga prindërit, që fëmijët me simptoma të mos i dërgojnë në Shkollë.
“Sipas të dhënave që sot kemi pa prezencën e nxënësve, nëpër disa klasa kemi pasur numër që mungojnë nga 13 nga pesë, pra kemi mungesë të nxënësve. Kemi bë dezinfektimin e hapësirave dhe gjithë objektit dhe përgatitur për ti pritur nxënësit. Apelojmë gjithë prindërit që nëse fëmijët e tyre rezultojnë me simptoma të gripit, është mirë që fëmijët mos dorëzohen në shkollë”, tha Farije Idrizi Kasami, drejtoreshë e Sh.F. “Liria” Tetovë.
Nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës thonë se pos nxënësve, në disa shkolla në fillim të gjysmëvjetorit të dytë për shkak të gripit mungojnë edhe mësimdhënës.
“Gjitha masat janë ndërmarr dhe është bë dezinfektimi i shkollave, parapërgatitjet paraprake për mbarëvajtje të procesit mësimor. E dimë se jemi në kushte të temperaturave të ulëta dhe një numër i konsiderueshëm i nxënësve mungojnë, por është mirë që të respektohet rekomandimi i Ministrisë së Shëndetësisë që ata fëmijë që janë me viroza mos të lëshohen në shkollë ndërsa mungesa e tyre do arsyetohet me vërtetim mjekësor që fëmija ka qenë me viroz”, deklaroi Nazmi Dauti, sektori për Arsim/komuna e Tetovës.
Dauti thotë se është siguruar mjaftueshëm edhe lëndë djegëse për ngrohje të shkollave, me theks të veçantë në shkollat e malësisë së Sharrit, ku ditëve të fundit, temperaturat rezultojnë deri në minus 12. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Lloga: Regjistri Qendror simbol i diskriminimit institucional prej më shumë se 35 vitesh
Ish ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka reaguar publikisht përmes një postimi në Facebook, duke akuzuar Regjistrin Qendror për diskriminim të vazhdueshëm institucional ndaj komuniteteve jo-shumicë informon Tetovasot.
“Mbi 50 pozita udhëheqëse – zero. Tre sektorë – zero. 21 njësi – zero. 27 zyra rajonale – zero. Regjistri Qendror është një nga institucionet që ka alergji ndaj udhëheqësve nga komunitetet jo-shumicë”, ka shkruar Lloga.
“Për më shumë se 35 vjet, Regjistri Qendror ka funksionuar me dyer hermetikisht të mbyllura për komunitetet jo-shumicë. Kjo është diskriminim i strukturuar dhe i toleruar nga sistemi”, ka theksuar ai.
Reagimi i ish ministrit ka ngjallur diskutime në opinion për përfaqësimin e drejtë dhe gjithëpërfshirës në institucionet publike të vendit.

