Lajme nga rajoni
Arrestohen dhjetë persona në Greqi! Instaluan softuer në pika karburanti që tregonte më shumë karburant sesa mbushej nëpër automjete
Nga mëngjesi i sotëm, në Greqi po zhvillohet një aksion policor në më shumë rajone të vendit për shkatërrimin e një organizate kriminale që kishte instaluar një softuer të veçantë në pikat e karburantit për të dhënë sasi më të vogla karburanti se ato të shfaqura.
Policia greke njoftoi se deri tani janë arrestuar dhjetë persona, ndërsa aksioni po zhvillohet në rajonin e Atikës (përreth Athinës), në Selanik, Tesali, si dhe në Greqinë qendrore, veriore dhe verilindore.
“Anëtarët e organizatës, me softuer të paligjshëm të instaluar në pikat e karburantit, mashtronin qytetarët duke u dhënë sasi më të vogla karburanti se ato të shfaqura”, informoi policia.
Aksione të ngjashme për zbulimin e organizatave kriminale që, përmes softuerit të veçantë, në thelb “vidhnin” karburant nga qytetarët, janë zhvilluar edhe gjatë vitit të kaluar.
Në mars u arrestuan mbi 55 persona, anëtarë të dy organizatave kriminale, dhe u zbulua se softueri ishte instaluar në mbi 50 pika karburanti në gjithë Greqinë, ndërsa dy muaj më vonë u mbyllën pesë pika karburanti në Selanik dhe Athinë.
Lajme nga rajoni
Në Zvicër nis gjyqi ndaj imamit biznesmen nga Kosova! Dyshohet për mashtrim, pastrim parash dhe evazion fiskal
Në Dietikon të Zvicrës ka nisur një proces gjyqësor, ku i akuzuar kryesor është një imam dhe biznesmen kosovar 57-vjeçar nga Aargau, i dyshuar për një sërë veprash të rënda ekonomike.
Sipas 20min.ch, aktakuza prej mbi 200 faqesh përfshin gjithsej 20 pika, mes tyre mashtrim, shpërdorim detyre, pastrim parash, evazion fiskal, falsifikim dokumentesh dhe jo vetëm.
Dhe sipas prokurorisë, dëmi financiar arrin në disa milionë franga.
Siç theksohet më tej, i pandehuri nuk u paraqit në seancë, duke deklaruar se ndodhet në një klinikë psikiatrike dhe është i paaftë për t’u marrë në pyetje, çka detyroi gjykatën të urdhërojë një kontroll mjekësor zyrtar.
Të pandehurit janë një drejtor menaxhues dhe imam 57-vjeçar kosovar, ish-gruaja e tij (51), vajza e tij (27), tre djemtë e tij të moshës 27 dhe 35 vjeç, dhe dy bashkëpunëtorë të tjerë – gjithsej tetë persona.
Siç shkruan 20min.ch, ai u prezantohet gati 4500 ndjekësve të tij si një imam i devotshëm, ndërsa zyra e prokurorit publik e konsideron atë “një kriminel ekonomik”.
Prokuroria pretendon se përmes kompanive ndërtimore dhe firmave fiktive janë përfituar kredi bankare për shpenzime private dhe janë futur qëllimisht kompani në falimentim.
Gjithashtu, ai dyshohet se ka deklaruar paga fiktive për familjarët, për të siguruar leje qëndrimi.
Prokuroria kërkon për të një dënim prej 7.5 vitesh burg dhe dëbim nga Zvicra për 15 vjet, ndërsa për të tjerët parashikohen dënime më të lehta.
Vendimi përfundimtar pritet në fund të muajit janar./20min.ch
Lajme nga rajoni
Vuçiq: Nuk arritët vitin e kaluar të më rrëzonit nga pushteti, unë nuk jam Sllobodan Millosheviç
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një video postim në Instagram dërgoi një mesazh duke theksuar se, siç thotë ai, “Liria është gjëja më e rëndësishme për një serb”
“Bëtë gjithçka vitin e kaluar për të më rrëzuar nga pushteti, me shumë faktorë të tjerë të jashtëm, miliarda euro të investuara, nuk ia arritët. Unë nuk jam Slobodan Millosheviç, as nuk jam naiv apo budalla që t’ju besoj”, tha Vuçiq.
Lajme nga rajoni
Përmbyten banesat dhe bizneset në Rrogozhinë, banorët për TCH: Është shkatërruar çdo gjë, dëmi është kolosal
Banorët e zonës në një prononcim për Top Channel, shprehen se dëmet janë shumë të mëdha dhe se disa u janë dëmtuar bizneset.
“Kam ndenjur gjithë natën me kova në duar pasi nuk ka pasur energji elektrike, nuk punonin pompat. As hidrovori. Po nuk e tërhoqi hidrovori ta çojë në det, kështu do shkonte. Hidrovori është përmbytur vetë. Tani bashkia të marrë masa dhe të rregullojë ngjarjen.”, shprehet një qytetar.
Një qytetare shprehet se supermarketi në pronësi të saj është nën ujë, ndërsa disa të tjerë bëjnë me faj mos pastrimin e kanalit.
“Jemi përmbytur komplet. Unë këtë e kam supermarket, me këtë ushqehem. Tani është komplet nën ujë, drita s’ka, nuk dimë si ta heqim. Kërkojmë ndihmë. Çdo gjë është shkatërruar, dëmi është kolosal”, shprehet një qytetare.
“Niveli i ujit ka shkuar në 80-90 cm. Nuk kishim mundësi të shmangnim përmbytjen, shkak mbetet moti i keq. Mbase dhe hidrovori nuk ka punuar. Dëmet janë të madha.”, tha një qytetar të cilit i është përmbytur hoteli.
“Është përmbytur thuajse gjysma e lagjes, për shkak të mungesës së pastrimit të kanalit. Ka nja pesë vjet as ferrën s’e kanë hequr, për 200 m kanal është përmbytur lagjja.”, tha një tjetër qytetar i prekur nga përmbytjet.

