Lajme nga vendi
Rasti Ristov dëshmi e gjallë e sistemit të kalbur të (pa)drejtësisë!
Shprehja popullore “edhe muret flasin” ka qenë gjithmonë metaforë për fshehtësitë që ishte vetëm çështje kohe për tu kuptuar. Por me rastin e fundit të gjyqtarit Gjoko Ristov, kjo thënie nuk është më vetëm metaforë është bërë dëshmi e gjallë e sistemit të kalbur të (pa)drejtësisë, shkruan Zhurnal.
Çfarë është rasti Rsitov?
350 mijë euro të fshehura në murin e shtëpisë së prindërve të gjyqtarit, Gjoko ristov, nuk janë thjesht para të padeklaruara. Ato janë simbol i një drejtësie të burgosur dhe një sistemi institucional të kalbur. Ato janë gjurmë konkrete të një mekanizmi ku vendimet nuk janë shkruar me ligj, por me tarifa të padukshme.
Në një vend ku qytetarët e zakonshëm përballen me procedura të pafundme, ku drejtësia vonohet deri në varfërim financiar e dëshpërim e zhgënjim psikologjik, zbulimi i një thesari të paligjshëm në murin e një gjyqtari është dëshmi se shumë dosje nuk janë humbur rastësisht ato janë varrosur qëllimisht.
Ironia është kjo se drejtësia që duhet të jetë transparente u muros. Dhe u muros nga ata që kishin detyrë ta çlirojnë. Ky rast është më shumë se një skandal individual është një pasqyrë reale që reflekton mbi një praktikë të heshtur që qytetarët e dinë prej kohësh, që ka të bëjë me vendime të blera, ndikime politike në gjyqësi, dënime selektive, e më e rënda pafajësi të shitura me çmim të lartë.
Duhet një gjë ta themi qartë dhe zëshëm që paratë e gjetura në mur nuk janë vetëm korrupsion financiar, ato janë korrupsion me pasoja njerëzore. Çdo euro e fshehur mund të përfaqësojë një vendim të shtrembëruar, një familje të shkatërruar, një jetë të ndalur padrejtësisht. Nëse një gjyqtar i Apelit fsheh pasuri në mure, sa vendime janë marrë për të ndërtuar atë mur?
Sa njerëz kanë paguar lirinë e dikujt tjetër me burgun e tyre?
Rasti Ristov shkatërron një mit të rrezikshëm atë se korrupsioni në gjyqësor është i padukshëm dhe i paprovueshëm. Jo, duket që ka formë, ka peshë, ka aromë myku dhe pluhuri muri. Ky korrupsion ruhet si plaçkë lufte nëpër shtëpi private, ndërsa publikut i shitet drejtësia si teatër procedural.
Ky moment duhet të shërbejë si pikë kthese, jo si lajm i radhës që harrohet, por si aktakuzë publike ndaj një kulture të pandëshkueshmërisë. Sepse kur një gjyqtar korruptohet, nuk bie vetëm ai bie besimi kolektiv tek shteti.
Nëse sistemi nuk reagon me ndëshkim shembullor dhe me verifikim të thellë të pasurisë së gjyqtarëve, atëherë muret do të vazhdojnë të flasin por qytetarët do të pushojnë së besuari. Dhe një shtet ku drejtësia flet nga muret e fshehjes dhe jo nga gjykatat, nuk është më shtet ligjor është një ndërtesë me themele të kalbura që pret vetëm shembjen.
Kujtojmë që, ky është rasti i parë i kësaj natyre që ka ndodhur në vendin tonë dhe nuk duhet assesi të lejojmë që të harrohet nga ndonjë skandal tjetër. Duhet presion publik i hatashëm në mënyrë që të marrin mësim të gjithë ata që ndajnë drejtësi se herët a vonë një ditë të gjithë do të dalin zbuluar. /Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
10 nga 70 fëmijë në Kozle janë në mbështetje me oksigjen .Gripi ka mbushur spitalin, mbi 200 pacientë po ekzaminohen çdo ditë.
Në Klinikën Universitare për Sëmundjet Respiratore tek Fëmijët në Kozle, aktualisht janë të shtruar në spital 70 fëmijë, nga të cilët rreth 10 janë në mbështetje me oksigjen. Midis tyre, 15 fëmijë kanë konfirmuar virusin e gripit të tipit A dhe kanë zhvilluar komplikime, tha për MIA-n drejtoresha e Klinikës, Prof. Dr. Katerina Boškovska.
Ajo tregoi se Klinika ekzaminon midis 150 dhe 200 fëmijë çdo ditë. Simptomat e gripit zakonisht fillojnë papritur, me temperaturë të lartë trupi, dhimbje fyti, dhimbje muskujsh dhe kyçesh, sekrecion nazal dhe kollë të thatë.
Prof. Boškovska dha rekomandime për prindërit: të shmangin grumbullimet në hapësira të mbyllura, të ruajnë higjienën personale duke larë duart shpesh, duke dezinfektuar rregullisht sipërfaqet, duke konsumuar fruta dhe perime të freskëta dhe duke qëndruar në ajër të pastër.
– Nëse shfaqen simptoma, fëmijët nuk duhet të çohen në kopsht, t’i izolojnë, të sigurojnë hidratim të mirë dhe t’u japin ilaçe për temperaturën. Nëse simptomat zgjasin më shumë se tre deri në katër ditë ose përkeqësohen, me kollë intensive, frymëmarrje të shpejtë ose të mundimshme, duhet të kërkohet ndihmë e menjëhershme nga një mjek familjar ose në urgjencën pediatrike. Nëse gjendja është serioze, fëmijët referohen për trajtim spitalor në institucionin tonë – shtoi drejtori.
Lajme nga vendi
Gjysëm vjetori i dytë filloi pa vonesë Janevska është e kënaqur që mësimi vazhdoi pavarësisht gripit
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, deklaroi se është e kënaqur që gripi nuk ka arritur në një nivel që do të kërkonte zgjatjen e pushimeve dimërore dhe se nxënësit e kanë filluar gjysmën e dytë të vitit shkollor pa probleme sot.
Në një intervistë për Radio Televizionin Maqedonas, Janevska theksoi se sistemi arsimor duhet të jetë më i rregullt, veçanërisht duke pasur parasysh që nxënësit në vend tashmë kanë më pak klasa krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre në Evropë.
Mesazhi i saj vjen pas dilemave aktuale publike ditët e fundit, kur u ngrit pyetja nëse pushimet dimërore do të zgjaten për shkak të numrit të shtuar të rasteve të gripit.
Sipas Janevskës, të gjitha hulumtimet relevante, si vendase ashtu edhe ndërkombëtare, tregojnë se qëndrimi më i gjatë i fëmijëve në shkollë ndikon drejtpërdrejt në rezultate më të mira, më shumë njohuri dhe zhvillimin e aftësive dhe kompetencave.
“Nxënësit tanë deri në moshën 15 vjeç kanë rreth 900 orë mësimore më pak se bashkëmoshatarët e tyre në Bashkimin Evropian, standardet e të cilëve duam të arrijmë dhe familjet e të cilave aspirojmë t’i bashkohemi. Prandaj, është e rëndësishme që si prindërit ashtu edhe të rriturit të jenë të vetëdijshëm se rendi në arsim duhet të respektohet”, tha ministrja.
Nxënësit filluan sot semestrin e dytë të vitit shkollor 2025/2026, pas pushimeve tre-javore të dimrit.
Lajme nga vendi
4 persona u shtruan në spital për shkak të klorit në pishinën e hotelit në Ohër
Një defekt teknik në sistemin e qarkullimit të ujit, shkaktoi avull të fortë dhe kollë, tek klientët në një pishinë hoteli në Ohër. Katër persona u dërguan në Spitalin e Përgjithshëm të Ohrit pas një arome të fortë dhe depërtuese e klorit, që u ndje në një pishinë hoteli në qytet, që u shoqëruar me avull të shtuar.
Incidenti u paraqit nw Sektorin e Policisë së Ohrit, më 19 janar rreth orës 17:30. Sipas informacioneve, personat që ndodheshin aty i kaploi kola e fortë, gjë pas së cilës u kërkua ndihmë mjekësore.
Të lënduarit u mbajtën në spital për trajtim, por, siç informojnë autoritetet, ata janë jashtë rrezikut.
Pas kontrolleve të ndërmarra, u përcaktua se kishte një problem teknik në sistemin e qarkullimit të ujit të pishinës. Një kompani e autorizuar ndërhyri dhe zëvendësoi pjesën difektoze të sistemit, gjë që e vuri situatën nën kontroll.
Shërbimet kompetente njoftuan se masat për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes po vazhdojnë, pas së cilës do të paraqitet një raport përkatës. (plusinfo.mk)

