Lajme nga vendi
Shtetet evropiane përgatiten të ndalojnë mediat sociale për të miturit
Disa ditë pasi ligjvënësit francezë votuan për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez premtoi të mbrojë fëmijët e Spanjës “nga Perëndimi i Egër digjital”.
“Fokusi i veçantë mbi të miturit vjen për shkak të rrezikut të shtuar të dëmeve afatgjata, pasi ata ende po zhvillohen kognitivisht,” i tha DW Paul O. Richter, bashkëpunëtor i lidhur me think tank-un Bruegel me bazë në Bruksel. “Ekziston shumë hulumtim që tregon korrelacione të forta midis përdorimit të mediave sociale dhe problemeve të shëndetit mendor.”
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjithashtu ka shprehur mbështetje për një kufi moshe në të gjithë BE-në, në përputhje me një ligj të ri australian që vendosi kufirin e moshës 16 vjeç për përdorimin e rrjeteve sociale.
Por si mund të zbatohet një ndalim i tillë ― dhe a do të funksiononte vallë?
Cilat vende evropiane po mendojnë të ndalojnë rrjetet sociale për fëmijët?
Në Francë, projektligji do të dërgohet tani në senatin e parlamentit francez për votim.
Në Spanjë, pritet që Këshilli i Ministrave të miratojë ndalimin
“Sot, fëmijët tanë janë të ekspozuar ndaj një hapësire që kurrë nuk ishte menduar ta lundronin vetëm, një hapësirë varësie, abuzimi, pornografisë, manipulimit dhe dhunës,” tha Sanchez ndërsa njoftoi ndalimin e propozuar.
Edhe vende të tjera evropiane po konsiderojnë një ndalim të rrjeteve sociale për fëmijët .
Në fund të vitit 2025, Danimarka vendosi të mbrojë fëmijët dhe të rinjtë nga keqtrajtimi online dhe “të krijojë një kuadër më të mirë ligjor për jetën e tyre digjitale.”
Italia ka prezantuar gjithashtu një projektligj në parlamentin italian për të vendosur kufizime në mediat sociale, përfshirë edhe për influencuesit fëmijë nën moshën 15 vjeç.
Orët e shfletimit të përmbajtjeve jan të dëmshme po riformatojnë trurin e të rinjve dhe shkaktojnë ankth e rreziqe për shëndetin, thonë ekspertët.
Javën e kaluar, Portugalia paraqiti një projektligj që kërkon pëlqimin e prindërve për fëmijët nën moshën 16 vjeç për të aksesuar përmbajtjen e rrjeteve sociale.
Austria gjithashtu po shqyrton një ndalim të rrjeteve sociale, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka nisur një proces konsultimi mbi këtë çështje.
Ndërkohë, parlamentarët evropianë nëntorin e kaluar (2025) rekomanduan një ndalim të mediave sociale në të gjithë Evropën për fëmijët nën moshën 16 vjeç, ndërsa sugjeruan që adoleshentët 13 deri në 16 vjeç të mund të kenë qasje me pëlqimin e prindërve.
Një ide që po diskutohet për verifikimin e moshës është një ID digjitale në të gjithë BE-në. Richter, bashkëpunëtor i lidhur me Bruegel, tha se ID-ja digjitale e BE-së parashikohet si një mjet që do të verifikonte moshën e përdoruesit pa kompromentuar të dhënat personale.
“Do t’u lejonte njerëzve të verifikonin në mënyrë digjitale se janë mbi një moshë të caktuar pa pasur nevojë për të regjistruar asnjë të dhënë personale shtesë, si data e lindjes, emri, adresa ose numri i identifikimit. Kjo do të lehtësonte zbatimin e një kufizimi moshor digjital,” tha Richter.
Eksperti: Ndalimi i mediave sociale nuk do të lehtësonte ‘problemet strukturore’
Richter u pajtua se mungesa e kërkimeve të mjaftueshme e bën të vështirë të argumentohet në mënyrë përfundimtare për një moshë specifike si kufiri optimal.
Vetëm BE-ja mund të detyrojë platformat online të bëjnë ndryshime sistematike
Bashkimi Evropian ka mbështetur një moshë madhore digjitale, por ka paralajmëruar shtetet anëtare që të mos shkelin Ligjin e tij për Shërbimet Digjitale (DSA), i cili kërkon nga kompanitë teknologjike të zbusin rrezikun lidhur me algoritmet dhe ndikimin te të miturit.
“DSA dhe Komisioni i BE-së janë entitetet e vetme që mund të vendosin detyrime shtesë mbi platformat shumë të mëdha,” u tha gazetarëve Thomas Regnier, zëdhënësi i Komisionerit për Teknologjinë.
Para një jave, Elon Musk, pronari i platformës së mediave sociale X, e etiketoi kryeministrin e Spanjës “një tiran dhe tradhëtar të popullit të Spanjës,” pasi ky i fundit njoftoi planet e tij për të ndaluar mediat sociale për fëmijët.
Lajme nga vendi
Mickoski: S’do të befasohesha nëse vijmë edhe deri te 100 tonë marihuanë të sekuestruar! Çështja do të jetë shumë më e madhe
Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi kontrolle shtesë nëpër kompanitë që merren me prodhimin e kanabisit mjekësor. I pyetur sasa marihuanë është sekuestruar nga aksionet e fundit, Mickoski tha:
“Disa dhjetëra tonë, nuk do të befasohesha nëse vijmë edhe deri te 100 tonë marihuanë të sekuestruar”, tha Mickoski.
I pyetur se kush ka qenë ministër i Shëndetësisë gjatë periudhës kur këto kompani kanë marrë licencë, Mickoski tha:
“Dihet kush ka qenë. Mund të paramendoni që në periudhë të caktuar ministër atje është edhe Venko Filipçe, por licencat janë punë tjetër. Puna e dytë është se është sjellë rregullore që është akt nën ligjor, me të cilin lejohet të prodhohet lule kanabisi, që nuk i plotëson normat GMP, dhe këtë kanë qenë të vetëdijshëm që e kanë bërë dhe nëse nuk i plotësojnë ato norma, është e logjikshme se gjatë përdorimit të ekstraktit nuk mund të licencohet dhe të gjendet në…të lëshohet për shitje”, tha Mickoski.
Kryeministri tha se janë siguruar shumë prova për këtë skandal dhe se “çështja do të jetë shumë më e madhe”.
“Kjo është vetëm fillimi, është vetëm fillimi nga ajo që e kemi si indikacione, por edhe nga ajo që MPB po e bën në hetim, disa celularë, disa biseda, dhe kështu me radhë, prova të tjera. Çështja do të jetë shumë më e madhe, shumë më e madhe”, theksoi Mickoski.
Lajme nga vendi
Kasami në takim me studentët: Provimi i jurisprudencës do jepet edhe në gjuhën shqipe
Kryetari i komunës së Tetovës dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, ka realizuar takim me nismëtarët e iniciativës për dhënien e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Kasami thotë se ka siguruar studentët që provimi në fjalë do të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
“Bashkë me zv/kryetarin Albi Qamili, mirëpritëm sot nismëtarët e iniciativës për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, në krye me studentin Mevlan Ademi.
Diskutuam gjerësisht për këtë problematikë dhe e sigurova sërish se provimi i jurisprudencës do të jepet edhe në gjuhën shqipe. Shumë shpejt kjo çështje do të marrë edhe zgjidhje adekuate ligjore.
Përkrahim studentët në këtë iniciativë dhe do të përkujdesemi që Kushtetuta të zbatohet në çdo fushë”, ka shkruar Kasami.
Lajme nga vendi
Mickoski thotë se ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe: Jam i gatshëm ta rregullojmë
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se pret që sot të përfundojë debati mes ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov dhe zëvendëskryeministrit të parë Bekim Sali, në lidhje me kërkesën për provim të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe. Mickoski tha se ka vullnet politik që kjo çështje të zgjidhet dhe tha se gjatë ditës së nesërme do t’i ftojë në takim palët e përfshira.
“Kushtetuta është e qartë dhe precize. Kushtetuta thotë se gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Maqedonisë dhe në përdorim ndërkombëtar është gjuha maqedonase, por gjithashtu, me përshkrimin më poshtë, ashtu thotë neni, gjuhë zyrtare në këtë rast është edhe shqipja, respektivisht bashkësia që është më tepër se 20%. Në këtë rast është gjuha shqipe. Dhe në një pjesë të amendamentit 5 që e zëvendëson nenin 7 të Kushtetutës shumë qartë qëndron, thotë komunikimi në institucionet shtetërore mund të zhvillohet edhe në gjuhën. në këtë rast të bashkësisë që është më tepër se 20%, pasi që kjo të rregullohet me ligj, dmth ne duhet që këtë proces të provimit fillimisht ta përcaktojmë me ligj. Ligji kështu siç është, nuk lejon provim të tillë, unë jam i gatshëm që këtë ta rregullojmë me ligj, dhe jo vetëm për gjuhën shqipe, por edhe për gjuhët e të gjithë popujve që janë përmendur në preambulën. Nëse duam që kjo të ndodhë, duhet të bëhet ligj. Unë jam i gatshëm që të bëhet ligj, të dorëzohet në Komisionin e Venecias, nëse ligji është në përputhje me Kushtetutën ose jo. Fakt është se kur është bërë Ligji për Gjuhët, Komisioni i Venecias, për pjesën e gjyqësorit dha mendim negativ”, deklaroi Mikcoski.

