Lajme nga vendi
AUV: Pronarët e qenve ta respektojnë ligjin dhe t’u vendosin mikroçipa kafshëve të tyre shtëpiake
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) u bënë thirrje pronarëve të kafshëve shtëpiake (qenve), që të përmbushin detyrimin ligjor për identifikimin e kafshëve të tyre me mikroçip dhe regjistrimin e tyre në modulin për kafshët shtëpiake në Sistemin Informativ të Agjencisë. Pas regjistrimit kryhet edhe lëshimi i pasaportës për kafshën shtëpiake.
AUV sqaron se aplikimi i mikroçipit është procedurë që bëhet një herë, dhe kafsha e mban çipin deri në fund të jetës.
“Mikroçipimi është baza për përcaktimin e pronësisë së kafshës shtëpiake, për sigurimin e kujdesit të shëndetit të kafshëve në kohë dhe me cilësi, si dhe për një siguri më të madhe për pronarët, nga aspekti i transmetimit të sëmundjeve ngjitëse nga kafshët tek njerëzit. Pronarët që tashmë kanë mikroçipuar kafshët e tyre shtëpiake, kujtohen se kanë detyrimin ligjor të njoftojnë çdo ndryshim të të dhënave për kafshën ose për pronarin tek shoqata veterinare kompetente, e cila duhet të përditësojë bazën elektronike të të dhënave”, thonë nga AUV.
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari thekson se në bazën e të dhënave duhet të regjistrohen edhe vdekja, humbja ose shitja e kafshëve.
“Mikroçipimi i kafshëve shtëpiake ka për qëllim identifikimin e përhershëm të kafshëve, parandalimin e braktisjes së tyre dhe kontrollin e shumimit të tyre, si dhe lehtësimin e gjetjes së tyre në rast të humbjes ose vjedhjes”, thonë nga AUV.
Lajme nga vendi
Së shpejti do të dal edhe një subjekt i ri politik në krye me Fatmir Limanin “Lidhja Europiane”!
Zhvillimet e fundit në skenën politike shqiptare në Maqedonia e Veriut sinjalizojnë një rikonfigurim të ri brenda spektrit opozitar.
Sipas TV Gurra, në sipërfaqe së shpejti do dal subjekt i ri politik me në krye Fatmir Limanin, ministrin aktual të punëve sociale, rinisë dhe demografisë.
Partia e re do mbaj emrin “LE – Lidhja Europiane”, që siç thuhet synon të ofrojë një alternativë të re me orientim euro-integrues, reforma të brendshme dhe përfaqësim më dinamik politik.
Sipas burimeve, këto zhvillime pasojnë pas përplasjeve të fundit në Lëvizjes BESA.
Lajme nga vendi
Në xhamiat e vendit dhe rajonit mbrëm u fal namazi i parë i teravisë me rastin e filimit të muajit të Ramazanit
Në vendet e rajonit, besimtarët myslimanë u mblodhën në xhami për të falur namazin e parë të teravisë me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, raporton Anadolu.
Në shumë qytete u regjistrua pjesëmarrje e madhe e besimtarëve, të cilët mbushën xhamitë, ndërsa në disa vende u fal edhe në oborre e hapësira përreth, pavarësisht motit të ftohtë.
Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, besimtarë të shumtë u dyndën për të falur namazin e teravisë në Xhaminë e Shkupit, e ndërtuar nga Fondacioni i Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV). Xhamia, e cila hapi dyert për teravinë e parë, priti mijëra besimtarë, ndërsa shumë prej tyre u rreshtuan edhe jashtë saj.
Në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, shumë besimtarët falën namazin e teravisë në Xhaminë e Namazgjasë, e ndërtuar nga Turqia dhe e hapur më 10 tetor 2024 me pjesëmarrjen e presidentit Recep Tayyip Erdogan. Përveç Namazgjasë, besimtarët u dyndën edhe në xhamitë e tjera të vendit.
Në xhamitë e Kosovës po ashtu u fal namazi i teravisë së parë me prani të një numri të madh të besimtarëve. Xhamia e Madhe në Prishtinë, “Sulltan Mehmet Fatih”, u mbush nga besimtarë të shumtë të cilët erdhën enkas të falin namazin e jacisë dhe teravisë.
Në kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës, Sarajevë, besimtarët myslimanë u mblodhën për teravinë e parë të Ramazanit në xhamitë e qytetit, në radhë të parë në xhaminë historike Gazi Husrev-beg.
Në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, namazi i teravisë u fal në Xhaminë Bajrakli, e vetmja xhami në qytet, ndërsa besimtarët u mblodhën gjithashtu edhe në xhamitë e rajonit të Sanxhakut, ku jeton kryesisht popullsi boshnjake.
Në Mal të Zi dhe Kroaci, besimtarët myslimanë gjithashtu mbushën xhamitë për namazin e parë të teravisë, duke shënuar fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
Lajme nga vendi
Aksidentohet eskorta e kryeministrit të Malit të Zi
Tre oficerë policie u plagosën në një aksident trafiku që ndodhi në qytetin Skrbushë në Mal të Zi, në rrugën Mateshevo-Kolashin, ndërsa po shoqëronin kryeministrin malazez Milojko Spajiç.
Policia konfirmoi se kryeministri, si person i mbrojtur, nuk ndodhej në automjetin e përfshirë në aksident, por në një makinë tjetër eskorte.
Sipas raportimeve të medias, oficerët e policisë pësuan lëndime të rënda, por jo kërcënuese për jetën. Pas aksidentit, ata u transportuan në Qendrën Klinike të Malit të Zi, ku morën ndihmë mjekësore.
Aksidenti ndodhi rreth orës 16:30. Mjeti tjetër, një BMW me targa të huaja, mbante në bord një shtetas ukrainas 21-vjeçar me inicialet VS.
Sipas informacioneve të para nga policia, dyshohet se drejtuesi i BMW-së, duke lëvizur përgjatë rrugës rajonale R-13 nga drejtimi i Podgoricës drejt Kolashinit, në pjesën ku ndalohet tejkalimi për shkak të vijës së plotë, për arsye të panjohura ka kaluar në korsinë e kundërt të trafikut dhe me pjesën e përparme të automjetit ka goditur Mercedesin zyrtar të shoqëruesit të Kryeministrit, i cili po vinte nga drejtimi i kundërt.
Mjeti i parë nga shoqëruesit e Kryeministrit, i drejtuar nga oficeri i policisë MK , u përfshi në aksident, dhe në makinë ndodheshin dy policë të tjerë. Të tre u plagosën dhe u trajtuan në spital.

