Lajme nga vendi
Debakël i Përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut në futboll në Kopenhagë– REAGIME KUNDËR SEDLOSKIT!
Tifozët nga Maqedonia e Veriut ishin e vetmja pikë e ndritshme në disfatën e thellë kundër Danimarkës në Kopenhagë.
Me këtë rast, një falënderim I sinqertë sot në mëngjes është publikuar nëpër rrjetet sociale nga FFM-ja me dedikimin se mbështetja e tyre është një motiv që të bëhemi më të fortë.
Futbolldashësit në Maqedoninë e Veriut janë tepër të zhgënjyer nga performansa e futbollistëve, vendosja taktike dhe përzgjedhja e 11-shit të parë.
Seleksionuesi Goce Sedloski pas ndeshjes deklaroi se analizat nuk do t`i bëjë me “kokë të nxehur”, por ditëve në vijim pasi të ulen tensionet.
Por, kanë nisur të shfaqen edhe reagimet e para.
Një mesazh që qarkullon nëpër rrjetet sociale është e bashkëshortes së futbollistit Aleksandar Trajkovski, i cili të rikujtojmë para katër viteve shënoi golin historik kundër Italisë në Palermo. Sipas saj, Trajkovskit iu pamundësua ta bëjë paraqitjen e 99-të në fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut.
Ajo mes tjerash në Facebook ka shkruar.
“Kur do të ndalemi t`i vlerësojmë vlerat e vërteta, kur do të harrojmë kush ka ndërtuar dhe kush ka dhënë, atëherë nuk e humbim vetëm lojtarin. Humbim fytyrën, Humbim arsyen” – ka shkruar bashkëshortja e Trajkovskit, duke aluduar me faktin që dyshja sulmuese Trajkovski – Miovski nuk u inkuadrua në 11-shin e parë.
Seleksionuesi Sedloski mbrëmë deklaroi se është e palejueshme që rënia taktike dhe fizike në pjesën e dytë të ndeshjes dhe kjo nuk guxon të ndodh në të ardhmen.
Topi është tek Sedloski për të vlerësuar se kush gaboi, kush ra fizikisht dhe taktikisht dhe për cilin s`ka vend në vizionin e tij futbollistik.
Shihemi në Dablin…
Lajme nga vendi
Gjykata e shpalli grevën e kontrollorëve të paligjshme, M-NAV njoftoi për kallëzim penal
Gjykata Themelore Civile në Shkup e ka ndaluar përsëri grevën e Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror (SKT), e cila ishte paralajmëruar për fundin e tetorit, si të paligjshme. Një kallëzim penal është ngritur kundër kryetarit të Sindikatës, Aleksandar Tasevski, për shpërdorim të detyrës, si dhe është vërtetuar identiteti i punonjësit që i zbuloi sekretet afariste portalit “Burevesnik”, njoftoi në konferencën e djeshme për shtyp përfaqësuesi ligjor i Navigacionit Maqedonas (M-NAV), avokati Goran Nikollovski.
Nikollovski shpjegoi se gjykata e ndaloi grevën për shkak të mungesës së kërkesave për mbrojtjen e të drejtave të punës, moskryerjes së një procedure të detyrueshme pajtimi dhe për shkak se SSKL nuk ka legjitimitet ligjor për të organizuar në mënyrë të pavarur greva.
“Edhe një herë, Gjykata Themelore Civile në Shkup e ka ndaluar grevën e paralajmëruar nga dega e SKT si të paligjshme. Greva është e ndaluar për tre arsye, përkatësisht kërkesa për grevë nuk përmban asnjë kërkesë sindikale, përkatësisht kërkesa për mbrojtjen e të drejtave të punësimit, nuk është zhvilluar një procedurë e detyrueshme pajtimi dhe përfundimi përfundimtar i gjykatës është se SKT, si degë, nuk ka legjitimitet ligjor për të organizuar dhe zhvilluar në mënyrë të pavarur greva”, deklaroi Nikollovski.
Për shkak të njoftimeve për greva të reja, M-NAV ka filluar edhe një procedurë të veçantë gjyqësore, duke kërkuar një përcaktim se SKT, në përgjithësi, nuk ka të drejtë të veprojë dhe të organizojë në mënyrë të pavarur aktivitete të tilla. Kjo kërkesë, siç theksoi avokati, bazohet në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës dhe statutin e Sindikatës së Pavarur për Transport dhe Komunikacion.
Lajme nga vendi
Zgjidhen katër prokurorë të rinj për Krim të Organizuar dhe Korrupsion
Këshilli i Prokurorëve Publikë, në seancën e 40-të të sotme, vendosi të zgjedhë Engjëllushe Kadriu-Leshi, Aleksandar Markovski, Ana Gogovska-Jakimovska dhe Ana Stojkoviq-Dimitriovska si prokurorë të rinj publikë në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Kryetari i Këshillit, Bashkim Selimi, fillimisht informoi se tetë kandidatë kanë paraqitur aplikime në konkursin për pesë prokurorë publikë në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ndërsa Trajçe Pelivanov dhe Artan Ajro kanë tërhequr kandidaturat e tyre dhe nuk do të merren në konsideratë.
Pas shqyrtimit të kandidaturave, Këshilli nuk votoi për kandidatët Marija Gorgjieva, Valentina Bislimovska, Suzana Mirçeska-Kuzmanovska dhe Ivana Aleksovska-Trajçevska në një votim publik.
Prokurori Publik i Shtetit Nenad Saveski tha se nuk ka marrë pjesë në intervista, por i ka studiuar materialet për të gjithë tetë kandidatët, i njeh të gjithë dhe është i njohur me punën e tyre, duke treguar se do të votojë për tre kandidatët që nuk vijnë nga Prokuroria Publike, duke pasur parasysh, siç tha ai, qëndrimin e tij se duhet t’u jepet një shans.
Lajme nga vendi
Gjashtë vjet anëtare e NATO-s: Maqedonia e Veriut kontribuon aktivisht për paqen dhe sigurinë
Republika e Maqedonisë së Veriut u bë zyrtarisht anëtarja e 30-të e NATO-s më 27 mars 2020, duke realizuar një nga prioritetet strategjike të politikës së jashtme të vendit, raporton Anadolu.
Përkushtimi ndaj integrimit euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut daton që nga viti 1993, kur Kuvendi miratoi një Rezolutë që përcakton prioritetet e politikës së jashtme të vendit, anëtarësimin në NATO dhe BE.
Më 15 nëntor 1995, me emrin e atëhershëm, Republika e Maqedonisë nënshkroi Dokumentin Bazë për bashkimin në programin “Partneritet për Paqen” dhe në të njëjtën kohë u pranua në Këshillin e Bashkëpunimit të NATO-s, më vonë i njohur si Këshilli i Partneritetit Euro-Atlantik.
Zyra Ndërlidhëse e NATO-s në Shkup u hap më 14 qershor 1996 ndërsa Misioni i Përhershëm në selinë e NATO-s në Bruksel në fund të vitit 1997. Në samitin e NATO-s në Washington në prill 1999, Republika e Maqedonisë mori statusin e kandidatit për anëtarësim, pas së cilës filloi përgatitja dhe zbatimi i Planit të Veprimit për Anëtarësim.
Në Deklaratën përfundimtare të Samitit të NATO-s në Bukuresht më 2008, Aleanca vendosi që vendi të merrte ftesë për anëtarësim pasi të zgjidhej çështja e emrit me Greqinë. Deklaratat e samiteve të mëvonshme (Lisbonë 2010, Çikago 2012, Uells 2014 dhe Varshavë 2016) përsëritën formulimin e Bukureshtit se ftesa për anëtarësim do të dërgohej menjëherë pas arritjes së një zgjidhjeje të pranueshme reciprokisht për emrin brenda OKB-së.
– Ndryshimi i emrit të vendit për shkak të problemit me Greqinë
Megjithëse kishte ndërprerje disa-vjeçare në negociatat për zgjidhjen e çështjes së emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, ato vazhduan herë pas here.
Pas 25 vjetësh nga pranimi i Maqedonisë në OKB, Greqia dhe Maqedonia me ndërmjetësimin e OKB-së zhvilluan negociata, pas të cilave më 17 qershor 2018 u nënshkrua Marrëveshja e Prespës në fshatin grek Nivici, në bregun e Liqenit të Prespës.
Sipas marrëveshjes, e njohur si zgjidhje për emrin dhe marrëveshje për partneritet strategjik, Maqedonia do të ndryshonte emrin në “Maqedonia e Veriut”. Për këtë qëllim, në shtator 2018 u mbajt referendum në vend.
– Anëtarja e 30-të e NATO-s më 27 mars 2020
Në Samitin në Bruksel më 11-12 korrik 2018, Këshilli i Atlantikut të Veriut në nivel të kryetarëve të shteteve dhe qeverive vendosi ta ftojë Republikën e Maqedonisë së Veriut të fillonte negociatat për anëtarësim në Aleancë.
Më 18-19 tetor 2018, në një takim në selinë e NATO-s në Bruksel, Republika e Maqedonisë së Veriut përfundoi me sukses negociatat për anëtarësim.
Më 6 shkurt 2019, në selinë e NATO-s në Bruksel, përfaqësuesit e 29 vendeve anëtare, në praninë e Sekretarit të Përgjithshëm dhe ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, u nënshkrua Protokolli për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Aleancë.
Pas ceremonisë zyrtare në Bruksel, filloi procesi i ratifikimit nga të gjitha 29 vendet anëtare, i cili përfundoi më 19 mars 2020, kur Ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në Washington dorëzoi instrumentin e ratifikimit të Marrëveshjes së Washingtonit, duke përfunduar kështu fazën e tretë dhe të fundit të procesit të aderimit.
Për të siguruar vijimësi të qetë të procesit të integrimit, më 11 shkurt 2020, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ratifikoi njëzëri Traktatin e Atlantikut të Veriut ndërsa më 20 mars 2020, presidenti nënshkroi instrumentin e ratifikimit të Protokollit për anëtarësim.
Më 27 mars 2020, përmes Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Washington, instrumenti për bashkimin me Traktatin e Atlantikut të Veriut u depozitua në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, duke bërë që vendi të bëhet zyrtarisht anëtar i 30-të i NATO-s.
– “Maqedonia e Veriut, një aleate e fortë dhe e çmuar”
Gjatë vizitës së tij në vend më 3 mars 2026, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e përshkroi Maqedoninë e Veriut si “aleate të fortë dhe të çmuar”, duke theksuar rritjen e angazhimit për mbrojtje, kontributin në krahun lindor të Aleancës dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën.
“Maqedonia e Veriut luan rol kyç në ruajtjen e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor”, nënvizoi Rutte, duke theksuar se NATO mbetet fuqishëm e përkushtuar për parandalimin e ndonjë vakumi të sigurisë në rajon.
“Pavarësisht sfidave të shumta të sigurisë me të cilat përballemi, siguria e Ballkanit Perëndimor mbetet prioritet për NATO-n”, shtoi ai.
Sot, Republika e Maqedonisë së Veriut kontribuon aktivisht në misionet e sigurisë të NATO-s, BE-së dhe OKB-së, në rajon dhe në botë, duke mbështetur paqen dhe sigurinë.
Roli aktiv në bashkëpunimin rajonal të sigurisë përmes Kartës SHBA-Adriatike gjithashtu konfirmon kontributin e rëndësishëm të vendit për zhvillimin e një rajoni të qëndrueshëm, të sigurt dhe ekonomikisht prosperues.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga vendi2 months agoVLEN: Me Fetain në krye, nis goditja reale ndaj pasurisë së paligjshme

