Lajme nga vendi
MUSA NËNKRYETARE E VLEN, FETAHI JASHTË QEVERISË PAS QERSHORIT
Mimoza Musa do të jetë një nga nënkryetaret e VLEN-it ndërsa Azir Aliu po punon në rregullimin e statusit të partisë, i cili është një nga pesë anëtarët e komisionit për shndërrim të koalicionit në subjekt politik. Këtë sot e pohoi vetë Azir Aliu nga grupacioni i ASH-së që është pjesë e qeverisë, duke shtuar se po punojnë intenzivisht dhe se të gjitha gjërat do të marrin jetë më 9 maj, kur edhe do të mbahet kongresi i partisë.
Aliu tha se ende mbajnë komunikim me Arben Fetahun, pavarësisht se politikisht i kanë rrugët e ndara, duke lënë të nënkuptohet se Fetahu pas rikosntruimit të qeverisë nuk do të mbajë më postin e zv/kryeministrit.
Kujtojmë se ASH-ja u përça në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024, kur Arben Taravari u nda nga Ziadin Sela, për tu reshtuar në VLEN kundrejt Selës që u rreshtua në Frontin Europian. Më pas, para zgjedhjeve lokale të vitit 2025, Tarvari vendosi ta lëshojë qeverinë dhe t’i bashkëngjitet koalicionit të BDI-së, pjesë e të cilit ishte edhe Sela, por Azir Aliu së bashku me Arben Fetahin vazhduan të qëndrojnë në VLEN duke mbajtur kështu edhe postet ministrore që u takonin. Me vendimin e krerëve që VLEN që partia në formim të funksionojë vetëm me 2 kryetarë e jo me 4 kryetarë më rotacion siç thuhej në fillim, Arben Fetahi dhe dhe disa të tjerë dolën si të pakënaqur nga ky vendim, me çka edhe u distancuan nga Azir Aliu i cili pranoi këtë mënyrë funksionimi të VLEN-it, ku grupacionit të ASH-së nuk i takon posti i kryetarit por vetëm i nënkryetarit.
Lajme nga vendi
TETOVË: SHËNOHET 8 PRILLI – DITA NDËRKOMBËTARE E ROMËVE!
Para Komunës së Tetovës u ngrit flamuri rom, me çka Komuna e Tetovës nisi solemnitetin për 8 Prillin – Ditën Botërore të Romëve.
Nga Komuna e Tetovës u zotuan se do të vazhdojnë të përkrahin këtë komunitet për një zhvillim më të mirë dhe më të qëndrueshëm.
Kreu I Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, pranoi se gjatë elaborimit të sotëm kishte mësuar shumë për sfidat dhe angazhimet e komunitetit rom, por edhe për historinë e tyre.
Ne si Komunë do të vazhdojmë të angazhohemi përmes njësisë së veçantë që e kemi themeluar për këtë komunitet, e cila është më riorganizim e sipër, jemi në komunikim me shumë anëtarë, pjesëtarë të komunitetit rom, të cilët fatmirësisht kanë edhe shkollim universitar, me të cilët po punojmë shumë afër, për një zhvillim më të qëndrueshëm dhe më të mirë të këtij komuniteti.
Padyshim se prioritet do t`i jepet edhe gjuhës rome nëpër shkolla.
Jemi duke punuar bashkë me njësinë për komunitetin rom që të krijojmë kushte që ky komunitet së paku në formë fakultative, por pse jo edhe me mësim të rregullt të mësojë në gjuhën e vet amtare.
Në Kosovë ekziston Institucioni i Romanologjisë. Synimi I tyre është arsimimi dhe edukimi I romëve por edhe integrimi I tyre në sistemet e shtetit ku jetojnë.
Romanologu Kryeziu thotë se 55 vjet prej Kongresit të parë të Romëve nuk kemi përparuar aq, cdo “betejë” që bëhet niset nga fillimi. Kërkon më tepër mbështetje institucionale.
“Më tepër kemi angazhim në shkollim, ne nuk jemi arsimtarë për të mësuar gjuhën rome, ne përmes institucionit dëshirojmë që arsimtarëve t`u japim diploma dhe ta nxjerrim gjuhën rome si gjuhë amtare sepse një njeri që nuk e di gjuhën e vet ai nuk ka vlerë. Nuk është vetëm gjuha, neve na duhet edhe arsimi që nxënësit të shkollohen jo vetëm në gjuhën rome por edhe në gjuhët tjera.
Por, nga OJQ-të rome thonë se punët kanë ndryshuar – për të mirë, falë mbështetjes së Komunës së Tetovës.
NEZIR HUSEINI – Drejtor i Shoqatës “Sonce
“Dua t’ju sqaroj sepse punët kanë ndryshuar, nuk janë më si kanë qenë, si më parë, kur kemi pasur shumë pengesa derisa jemi inkuadruar në shoqëri. Kemi punuar në drejtim të arsimimit të fëmijëve, kemi punuar në drejtim të punësimit. Ne si Shoqatë joqeveritare ‘’Sonce’ kemi kontribuar shumë për komunitetin tonë , gjithashtu edhe për Komunën e Tetovës.E falënderoj Kryetarin e Komunës së Tetovës për bashkëpunimin që ajo vazhdon edhe më tutrje dhe besoj se do të arrijë që t’ua bëjë jetën më të mirë të komunitetin tonë“
Komuna e Tetovës u ndau mirënjohje pjesëtarëve të komunitetit rom, të cilët me aktivitetet dhe punën e tyre kanë kontribuar për avancimin dhe zhvillimin e këtij komuniteti.
Ndryshe, më 8 Prill 1971 në Londër filloi Kongresi i Parë i Romëve. 10 vite më vonë OKB-ja shpalli 8 Prillin si Ditë Ndërkombëtare të Romëve me qëllim që të nxitet afirmimi i kulturës rome por edhe të ngritet vetëdija për problemet me të cilat përballet ky komunitet. TV KOHA
Lajme nga vendi
SPB ; Kronika e zezë për ditën e djeshme 07 Prill Tetovë dhe Gostivar
Dje, në ora 12:20, në rrugën “Goce Delçev” në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 18-vjeçar nga Tetova. Gjatë një kontrolli në trafik, punonjësit e policisë kanë ndaluar një motoçikletë me targa të Tetovës, të cilën ai e drejtonte, ku është konstatuar se po e drejtonte pa dhënë provimin për shofer. Motoçikleta i është konfiskuar dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të vijojë parashtresë përkatëse.
…….Dje, në ora 15:15, në rrugën “Ilinden” në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria pnjë 56-vjeçar nga Gostivari. Pas një aksidenti trafiku të ndodhur më parë mes një automjeti zyrtar policor “Peugeot” dhe një automjeti pasagjerësh “Mercedes” me targa të Gostivarit, janë kryer verifikimet dhe është konstatuar se 56-vjeçari drejtonte automjetin pa leje drejtimi. Sipas nenit 297-a të Kodit Penal, automjeti është konfiskuar.
……Dje, në ora 16:25, në udhëkryqin e rrugës “Nikola Tesla” dhe bulevardit “Ilinden” në Tetovë, zyrtarët policorë kanë ndaluar një motoçikletë të drejtuar nga një i mitur 13-vjeçar nga Tetova, i cili nuk posedonte leje drejtimi. Me udhëzim të Prokurorit Publik, motoçikleta i është konfiskuar, ndërsa në prani të prindit, përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale dhe inspektorit për të mitur, me të miturin është kryer bisedë zyrtare. Pas dokumentimit të rastit do të vijojë kallëzimi përkatës.
…….Dje, në ora 14:45, në SPB Tetovë është denoncuar se në periudhën prej datës 04.04 deri më 06.04.2026, në një xhami në fshatin Saraqinë të Tetovës, me përdorimin e një mjeti të forte është kryer vjedhje e rëndë, me ç’rast nga kasaforta janë marrë mjete monetare nga donacionet vullnetare. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
……Dje, rreth orës 16:00, në Stacionin Policor të Mavrovës, një 40-vjeçar nga Shkupi ka denoncuar se në udhëkryqin e Mavrovës, pas një debati paraprak për detyrat e punës, është sulmuar fizikisht nga punëdhënësi i tij nga Shkupi. Pas dokumentimit të plotë të ngjarjes, do të dorëzohet parashtresë përkatëse.
……Sot në mëngjes, në ora 06:40, zyrtarë policorë nga DPB Gostivar kanë ndaluar një 41-vjeçare nga Shkupi, duke vepruar sipas një denoncimi paraprak se në një objekt hotelier në Gostivar, ajo është sjellë në mënyrë agresive dhe ka dëmtuar një pjesë të inventarit. Ajo po mbahet në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje, në ora 21:00, në DPB Gostivar është denoncuar se në rrugën rajonale Gostivar-fshati Gradec ka ndodhur një aksident trafiku mes një automjeti pasagjerësh “Fiat Punto” me targa të Gostivarit, i drejtuar nga një 38-vjeçar nga fshati Vërbjan dhe një motoçiklete me targa të Tetovës, e drejtuar nga një 23-vjeçar nga Tetova. Në aksident, lëndime të rënda trupore ka pësuar drejtuesi i motoçikletës, të konstatuara në Qendrën Urgjente në Gostivar.
Lajme nga vendi
DJALOSHI NGA ÇEGRANI PJESË E MISIONIT HËNOR “ARTEMIS II” TË NASA-s!
Ish-Studenti, Alumni, i Universitetit të Evropës Juglindore, Albon Rexhepi, po kontribuon në një nga projektet më të rëndësishme të hulumtimit hapësinor në botë.
Rexhepi, i cili aktualisht ka funksion drejtues në kompaninë DEWETRON në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është pjesë e ekipit të kompanisë që kontribuon në misionin Artemis II të NASA.
Me origjinë nga Çegrani i Gostivarit, ish-studenti i UEJL-së, Albon Rexhepi, ka bërë krenar çdo shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Nëpër rrjetet sociale “vlojnë” përgëzimet për suksesin e tij që vijnë nga Gostivari me rrethinë dhe jo vetëm.
Djaloshi nga Çegrani i Gostivarit, është pjesë e ekipit të kompanisë që kontribuon në misionin Artemis II të NASA.
“Në DEWETRON, jemi krenarë që jemi një furnizues i besueshëm që mbështet teknologjinë pas këtij misioni – duke ndihmuar inxhinierët të sigurojnë të dhëna të sakta dhe të besueshme në disa nga mjediset më sfiduese që mund të imagjinohen”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kjo kompani.
Rrjeti televiziv amerikan “12 News” i ka kushtuar një storje Albon Rexhepit.
Ishte një eufori e vërtetë pranë Kennedy Space Center në Florida javën e kaluar, kur misioni Artemis II nisi me sukses udhëtimin drejt Hënës. Ndër ata që festuan këtë moment historik ishte edhe Albon Rexhepi, i cili tha se ky është kulmi i viteve të tëra pune për ekipin e tij.
“Që raketa të niset me sukses… është një përjetim shumë surreal,” u shpreh Redzepi.
Ai dhe ekipi i tij prej 23 personash punojnë nga një zyrë në South County Trail. Sipas Rexhepit, teknologjia e tyre është një nga sistemet kyçe që ndihmon në kthimin e sigurt të astronautëve në Tokë.
“Një sistem ndodhet në kapsulë dhe një tjetër në Tokë; ato janë të lidhura përmes GPS-it, duke mundësuar ndjekjen në kohë reale të vendndodhjes dhe duke siguruar që kapsula, si gjatë nisjes ashtu edhe gjatë kthimit, të ulet aty ku duhet,” shpjegoi ai.
Sipas një njoftimi për shtyp nga kompania, dega e tyre në Rhode Island zhvillon gjithashtu mjete matëse që u mundësojnë inxhinierëve dhe astronautëve të analizojnë me saktësi performancën, qëndrueshmërinë dhe rezistencën e komponentëve thelbësorë në kushte ekstreme.
“Siç thonë, është vërtet shkencë raketore,” shtoi Redzepi.
Rexhepi, i diplomuar në Westerly High School, tha se kurrë nuk e kishte imagjinuar se do të arrinte të ishte pjesë e një projekti të tillë.
“Kur isha i vogël, shikoja E.T. the Extra-Terrestrial dhe filma të tjerë për hapësirën, ndaj kjo është jashtëzakonisht emocionuese,” tha ai.
Tani ai shprehet krenar që edhe një copëz e vogël nga Rhode Island është pjesë e një misioni kaq të madh historik.
Ai pret me padurim të vazhdojë punën në programin Artemis dhe fazat e tij të ardhshme, ndërsa NASA synon të nisë ndërtimin e një baze në sipërfaqen e Hënës që nga viti 2028.
“Edhe nga një shtet i vogël dhe një kompani e vogël, mund të bëhesh pjesë e diçkaje shumë të madhe,” përfundoi ai.
Nuk ka munguar edhe përgëzimi nga Universiteti i Evropës Juglindore.
Ky angazhim përfaqëson një arritje të rëndësishme profesionale dhe një shembull pozitiv për studentët dhe të rinjtë, duke dëshmuar se alumnit e UEJL-së janë pjesë e projekteve globale me ndikim të madh – thuhet në komunikatë.
-
Lajme nga bota2 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni2 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Lajme nga vendi2 months ago20-vjecari nga fshati Novo Sellë е Tetovës drejtonte mjetin pa leje i sekuestohet përkohësisht “BMV”

