Lajme nga vendi
Lloga “shuplakë” Siljanovskës: Shqipja nuk është gjuhë minoriteti, mjaft me mentalitet ish-jugosllav!
Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Presidentes Gordana Siljanovska-Davkova lidhur me provimin e jurisprudencës, duke i cilësuar argumentet e saj si të pasakta dhe ligjërisht të tejkaluara.
Postimi i plotë i tij:
“Mbrëmë në emisionin e TV21, znj. Siljanovska, duke tentuar t’i bëj bisht diskutimeve lidhur me provimin e jurisprudencës, paraqiti disa qëndrime tashmë të tejkaluara si problematike.
Së pari, nuk ka pasur dhe nuk ka nevojë të ketë dy komisione për dhënien e provimit, pasi një praktikë e tillë është tejkaluar që nga janari i vitit 2024, kur Ministria e Drejtësisë formoi një komision të ri konform ligjit me anëtarë dhe zëvendësanëtarë maqedonas dhe shqiptarë, si dhe anasjelltas. Prandaj, ky argumentim është nul.
Së dyti, mundësia që provimi të jepet edhe në gjuhën shqipe është paraparë me propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për Provimin e Jurisprudencës (me pëlqimin e Sekretariatit Ligjvënës), të përgatitur nga MD dhe dorëzuar nga Qeveria në Kuvendin e RMV-së po në janar të vitit 2024. Ky propozim u tërhoq më pas nga shumica e re parlamentare, përkatësisht nga VMRO-VLEN.
Kjo procedurë nuk është as risi dhe as përjashtim: praktika të tilla ekzistojnë në vende si Finlanda, Belgjika, Zvicra, Kanadaja dhe një sërë demokracish të avancuara perëndimore.
Ekziston edhe një dallim thelbësor që kjo klasë politike ish-jugosllave, e përfaqësuar nga znj. Siljanovska, duhet ta kuptojë: gjuha shqipe nuk është “gjuhë minoriteti”, siç pretendon ajo ‘gabimisht’ në vazhdimësi, por është gjuha e rreth një të tretës së popullsisë së këtij vendi dhe e njërit prej popujve shtetformues bashkë me maqedonasit.”(INA)
Lajme nga vendi
Presion ndaj studentëve shqiptarë – Reagon ashpër Forumi për të Drejtat e Njeriut
REAGIM ZYRTAR nga Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut
dhe në emrin e Kryetarit të Nderit, Idriz Sinani
Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut reagon ashpër ndaj veprimeve të fundit të pushtetit sllavo-maqedon, i cili përmes thirrjeve në “biseda informative” po ushtron presion të drejtpërdrejtë ndaj studentëve organizatorë të protestave legjitime.
Ftesa në polici e njërit nga organizatorët e protestave të studentëve të Jurisprudencës, Mevlan Ademi, si dhe marrja në pyetje e kolegut të tij Jon Selimi, përbën një akt shqetësues dhe të papranueshëm, që bie ndesh me standardet ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut, veçanërisht me të drejtën për organizim, shprehje të lirë dhe protestë paqësore.
Ne e konsiderojmë këtë veprim si përpjekje për frikësim dhe heshtje të zërit studentor, i cili është themeli i një shoqërie demokratike.
Forumi ynë i jep përkrahje të plotë dhe të fuqishme protestës së studentëve dhe deklaron se do të jetë gjithmonë në krah të tyre, në mbrojtje të çdo kërkese të drejtë dhe legjitime që ata parashtrojnë.
I bëjmë thirrje institucioneve shtetërore që të respektojnë Konventat Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, ku parimi themelor është barazia e të gjithë qytetarëve pa dallim. Çdo formë diskriminimi, presioni apo trajtimi i pabarabartë është në kundërshtim të plotë me këto norma universale.
Është e papranueshme që shqiptarët të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë. Kushtetuta aktuale, e cila i kategorizon shqiptarët si “pakicë”, duhet të rishikohet urgjentisht në frymën e barazisë së plotë shtetformuese.
Pa barazi të vërtetë dhe pa respekt të dinjitetit të popullit shqiptar, nuk mund të ketë stabilitet, drejtësi dhe të ardhme të qëndrueshme për shtetin.
Ne kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të presioneve ndaj studentëve dhe garantimin e të drejtave të tyre themelore.
Idriz Sinani
Kryetar Nderi
Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Prill 2026
Lajme nga vendi
KASAMI IRONIZON ME LETRËN E AHMETIT: E DËRGOI EDHE NË HËNË
Bilall Kasami nga Koalicioni VLEN ka ironizuar me letrën e kreut të BDI-së Ali Ahmeti, drejtuar ndërkombëtarëve. Sipas Kasamit, letra e Ahmetit është dërguar edhe në Hënë, me anijen kozmike Artemis II, duke shtuar se këtë letër ai e ka bërë pas 20 vitesh dështim me menaxhimin e institucioneve dhe qeverisë.
“Unë dëgjova se një letër të tillë e ka nisur për në Hënë, për Artemis. Ali Ahmeti ka mbetur duke kundërshtuar vetveten. Për 20 vite dështime, sot është zgjuar nga gjumi. Mirë që është zgjuar, por duhet t’i tregojë dikush se është në jerm e jo në realitet,” u shpreh Kasami.
Kujtojmë se dje kryetari I BDI-së, Ali Ahmeti, ka përcjellë letrën e tij të hapur komunitetit ndërkombëtarë të akredituar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe liderëve botërorë dhe personaliteteve të shquara ndërkombëtare.
Në hyrje, Ahmeti thekson përkushtimin e vazhdueshëm të BDI-së ndaj zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, ndërtimit të një shteti demokratik dhe multietnik, si dhe integrimit euroatlantik të vendit. Ai shpreh shqetësimin për zhvillimet e fundit politike që prekin këto arritje, përfshirë heqjen e mekanizmit të balancuesit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të komuniteteve, sfidat në funksionimin e institucioneve që zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe iniciativat për minimin dhe kontestimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese.
Përmes kësaj letre, Kryetari Ahmeti kërkon angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë për ruajtjen e arritjeve të Marrëveshjes së Ohrit, forcimin e stabilitetit dhe avancimin e perspektivës euroatlantike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Lajme nga vendi
Irani: Ngushtica e Hormuzit e hapur me kushte, tarifë 2 milionë € për çdo anije! Paralajmërohet rritje e çmimeve edhe në Maqedoni
Zëvendësministri i punëve të jashtme të Iranit deklaroi se Ngushtica e Hormuzit është e hapur për të gjithë, madje edhe për anijet që lundrojnë nën flamurin amerikan.
Duke folur për televizionin britanik ITV News, Said Hatibzadeh tha se megjithëse ngushtica është e hapur, mjetet civile lundruese duhet të kërkojnë udhëzime nga autoritetet iraniane për të kaluar në mënyrë të sigurt përmes ngushticës.
Këto udhëzime janë të nevojshme sepse Irani ka vendosur mina detare në rrugën ujore, së bashku me masa të tjera që Irani ka ndërmarrë gjatë luftës, të cilat ende janë në fuqi, tha ai.
Hatibzadeh shtoi se Irani disponon harta të zonave të minuara për të siguruar kalim të sigurt të anijeve.
“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm për sigurinë dhe mbrojtjen e tankerëve dhe mjeteve të tjera lundruese. Këto kufizime teknike janë të lidhura ngushtë me kushtet ushtarake dhe nevojitet kohë që ato të hiqen, për të siguruar kalim të sigurt. Ngushtica e Hormuzit është e hapur, por sigurisht çdo tanker dhe çdo anije duhet të bëjë marrëveshjet e nevojshme me autoritetet iraniane që të mund të kalojë në mënyrë të sigurt përmes ngushticës”, tha Said Khatibzadeh – zv/ministër i jashtëm i Iranit.
Por, disa raporte thonë se Irani së bashku me Omanin do të vendosin një tarifë për kalimin e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit gjatë armëpushimit dyjavor. Sipas raporteve, Irani kërkon kompensim prej 2 milionë dollarësh për anije për kalim të sigurt përmes kësaj rruge strategjike ujore, përmes së cilës kalon rreth një e katërta e tregtisë globale detare të naftës. Kjo nuk i pëlqen Donald Trumpit.
“Irani po bën një punë shumë të keqe, të pandershme do të thoshin disa, kur bëhet fjalë për lejimin e naftës të kalojë përmes Ngushticës së Hormuzit. Kjo nuk është marrëveshja që kemi!”, u shpreh Donald Trump, president i SHBA.
Pasi u bë e ditur se SHBA-të dhe Irani janë dakorduar për një armëpushim dyjavor, çmimi i naftës në bursat botërore ra ndjeshëm. Megjithatë, pasi u bë e qartë se tensionet rreth Ngushticës së Hormuzit vazhdojnë, çmimet nisën sërish të rriten.
“Prilli do të jetë shumë më i keq se marsi. Pse? Do t’ju shpjegoj. Në mars ende kishte furnizime me naftë dhe gaz, të mbetura në det para luftës, që arrinin në porte, vazhdonin të sillnin naftë, gaz të lëngshëm dhe të tjera. Në mars, pra, patëm përfitim nga kjo. Në prill, nuk ka asgjë nga këto”, tha Fatih Birol – kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.
Duke pasur parasysh se furnizimet që janë bërë në mars po shterojnë gradualisht, kriza e mungesës së naftës, sidomos në vendet evropiane, po fillon të ndihet. Kjo krizë sigurisht që do të reflektohet edhe në Maqedoni. Por, nëse arrihet një paqe e qëndrueshme, goditjet në çmime mund të përfundojnë deri në fund të këtij viti.
“Në kushte të parandalimit të përshkallëzimit, në kushte të përfundimit të shpejtë të konfliktit, efekti në çmime që do ta shohim do të jetë relativisht i kufizuar. Në një situatë të tillë presim që përhapja eventuale që do ta shohim në një masë të caktuar në muajt e ardhshëm, do të përfundojë relativisht shpejt, dhe ai shok i çmimeve në një situatë të tillë do të përfundonte deri në fund të këtij viti”, deklaroi Marjan Petreski – profesor universitar .
Sipas profesorit Petreski, në çdo skenar tjetër goditjet e çmimeve do të ishin më të mëdha dhe do të përhapeshin edhe në vitin e ardhshëm.
-
Lajme nga bota2 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni2 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Lajme nga vendi2 months ago20-vjecari nga fshati Novo Sellë е Tetovës drejtonte mjetin pa leje i sekuestohet përkohësisht “BMV”

