Lajme nga vendi
Moti sot do të jetë i vranët, me reshje të kohëpaskohshme shiu
Moti sot do të jetë i vranët, me reshje të kohëpaskohshme shiu, të cilat do të jenë më të rrëmbyeshme në pjesët perëndimore të vendit, ku pritet të tejkalojnë 30 litra për metër katror.
Do të fryjë erë mesatare, ndërsa në disa vende herë pas here e përforcuar nga drejtimi jugor. Temperatura e mëngjesit do të lëvizë nga -1 deri në 4 gradë Celsius, ndërsa ajo ditore nga 5 deri në 12 gradë, njofton Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM).
Në Shkup dhe rrethinë moti do të jetë i vranët, me reshje të kohëpaskohshme shiu. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga drejtimi jugor. Temperatura e mëngjesit do të jetë 0 gradë, ndërsa ajo ditore do të arrijë deri në 8 gradë Celsius.
Sipas DPHM-së, deri të dielën moti do të jetë kryesisht i vranët, me reshje të cilat në disa vende do të jenë më të rrëmbyeshme, mbi 30 litra për metër katror në 24 orë, ndërsa gjatë gjithë kësaj periudhe pritet të tejkalojnë edhe 80 litra për metër katror.
Për shkak të depërtimit të një mase të ftohtë ajrore nga veriu, gjatë fundjavës reshjet në disa nga vendet më të larta do të jenë në formë shiu dhe bore, ndërsa në male do të ketë vetëm reshje bore, ku pritet të krijohet shtresë e re dëbore.
Nga fillimi i javës së ardhshme të punës, moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe periudha me diell. Mëngjeset do të jenë të ftohta, me temperatura që do të zbresin edhe nën zero gradë Celsius, bëjnë të ditur nga DPHM.
Lajme nga vendi
Për herë të parë, provimi për revizorë të autorizuar shtetërorë u mbajt edhe në shqipe, certifikatat u ndanë në dy gjuhë
Enti Shtetëror për Revizion në Maqedoninë e Veriut, nën drejtimin e drejtorit Orhan Ademi, ka organizuar mbajtjen e provimit profesional për pajisjen me certifikatë të revizorit të autorizuar shtetëror, duke mundësuar që i gjithë procesi të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, krahas asaj maqedonase.
Në një hap të rëndësishëm drejt respektimit të barazisë gjuhësore dhe krijimit të mundësive të barabarta për kandidatët, provimi profesional për revizorë të autorizuar shtetërorë është organizuar në të dyja gjuhët zyrtare, shqip dhe maqedonisht.
Risi në këtë proces nuk është vetëm mundësia që kandidatët ta japin provimin në gjuhën shqipe, por edhe trajtimi i plotë i të gjitha procedurave administrative në të dyja gjuhët. Kështu, shpallja publike për provimin, kërkesa për aplikim, si dhe certifikatat e lëshuara, janë përgatitur dhe ofruar në gjuhën shqipe dhe maqedonase.
Po ashtu, kandidatëve shqiptarë u është mundësuar që në gjuhën shqipe të zhvillojnë të dyja pjesët e provimit, atë teorike dhe praktike, duke garantuar mundësi të barabarta gjatë gjithë procesit të certifikimit profesional.
Provimi është mbajtur në Agjencinë për Administratë, ku nga gjithsej 65 kandidatë pjesëmarrës, 27 kanë qenë shqiptarë.
Me këtë organizim, Enti Shtetëror për Revizion krijon mundësi që edhe kandidatët shqiptarë të avancojnë profesionalisht dhe të certifikohen në fushën e revizionit shtetëror duke ushtruar të drejtën e përdorimit të gjuhës së tyre në të gjithë procesin. përcjell Zhurnal.mk .
Lajme nga vendi
Maqedonia pret 75 milionë euro shtesë nga BE-ja, qytetarët pritet të përfitojnë roaming me tarifa vendore
Kryeministri Hristijan Mickoski pret që Maqedonia të përfitojë edhe 75 milionë euro shtesë në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, ndërsa në fokus të takimeve në Bruksel ishte edhe integrimi në modelin evropian të roamingut „Roam Like at Home“.
Pas takimit me liderët evropianë në kuadër të Samitit BE–Ballkani Perëndimor, Mickoski deklaroi se është diskutuar për të ashtuquajturin „top-up“, odnosno plotësim i paketës financiare të Agjendës së Reformave.
Sipas tij, Maqedonia pret rritje prej 10 për qind të paketës së paraparë prej 750 milionë eurosh, që do të nënkuptonte edhe 75 milionë euro shtesë.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte zbatimi i modelit „Roam Like at Home“, përmes të cilit qytetarët e Maqedonisë do të mund të përdorin shërbimet telekomunikuese në vendet e BE-së me tarifa të njëjta si në vend, pa pagesa shtesë për roaming.
Në lidhje me procesin e eurointegrimeve, Mickoski tha se Qeveria vazhdon me realizimin e reformave, por kërkoi që procesi të mos kushtëzohet më nga çështje bilaterale, por të vlerësohet mbi bazën e meritave dhe rezultateve të arritura.
Pas takimeve me liderët evropianë, Mickoski vazhdoi pjesëmarrjen në Samitin BE–Ballkani Perëndimor përmes një darke pune.
Lajme nga vendi
Filipçe e konfirmon: Bytyqi do të jetë nënkryetar i LSDM-së
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipce, konfirmoi se Fatmir Bytyqi do të jetë nënkryetari i ri i partisë, në një paraqitje në 4TV, duke folur për përfaqësimin e komuniteteve të ndryshme etnike dhe konceptin e “Një shoqëri për të gjithë”.
“Do të kemi një nënkryetar, Fatmir Bytyqi, i cili është shqiptar”, tha Filipçe, duke theksuar se partia ka edhe një anëtar shqiptar të Bordit Ekzekutiv, si dhe një deputet nga komuniteti vllah.
Ai theksoi se LSDM mbetet e përkushtuar ndaj konceptit “Një shoqëri për të gjithë” dhe se etnia nuk duhet të jetë masë e vlerës dhe aftësive të një personi.
“Pavarësisht nëse je maqedonas, shqiptar apo turk, nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është se çfarë lloj personi je, sa i vlefshëm je, sa i arsimuar je, sa shumë kontribuon në shoqëri”, tha Filipçe.
Duke folur për marrëdhëniet ndëretnike, kreu i LSDM-së tha se maqedonasit dhe shqiptarët nuk janë kombe armike.
“Ne nuk jemi kombe armike, kështu që politika duhet të ndërhyjë, të na qetësojë”, tha ai.
Sipas Filipçes, bashkëjetesa e maqedonasve dhe shqiptarëve në vend mund të jetë një shembull në botë. Ai shtoi se politikat duhet të krijojnë kushte që qytetarët të përparojnë sipas arsimit, njohurive dhe aftësive profesionale.
Si krahasim, ai përmendi Zvicrën, ku, sipas tij, kur fitohet një punë e paguar mirë, kualifikimet dhe njohja e gjuhëve janë të rëndësishme, jo kombësia.
“Kjo është ajo për të cilën unë dhe LSDM po luftojmë”, tha Filipçe.
Kur u pyet për rihapjen e temave të balancuesit, shumicën e Badinterit dhe përdorimin e gjuhës shqipe, ai vlerësoi se këto ishin çështje që më parë ishin mbyllur. Ai shprehu dyshim se kthimi i tyre në debatin politik shërben për të larguar vëmendjen nga problemet e tjera.
“A është logjike të pyesim nëse kjo nuk është e qëllimshme, sepse nuk ka përgjigje për pyetjet e tjera?” tha Filipçe./Telegrafi/

