Lajme nga vendi
Bashkëpunimi RMV-Slloveni, paralajmërohet realizimi i shumë projekteve të përbashkëta
Ministri i Ekonomisë dhe Zhvillimit Teknologjik të Sllovenisë, Matjezh Han gjatë qëndrimit të tij në Shkup nënvizoi raportet e mira bilaterale mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Sllovenisë, duke nënvizuar thellimin edhe më të madh të këtij bashkëpunimi dhe realizimin e shumë projekteve të përbashkëta nga fusha ekonomike, me theks të veçantë atë energjetike.
“Mund të konstatoj se kishim një diskutim shumë të frytshëm dhe konkret dhe besoj se do ta thellojmë edhe më shumë bashkëpunimin me Republikën e Sllovenisë. Do të realizojmë shumë projekte të përbashkëta në të ardhmen”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
“Dua të theksoj se marrëdhëniet bilaterale me republikën e Maqedonisë dhe Republikës së Sllovenisë janë shumë të mira, tradicionalisht kanë qenë të mira edhe në të kaluarën. Sllovenia është vend miqësor me RMV, kështu edhe do të mbetet edhe në të ardhmen, do t’ju mbështesim në rrugën tuaj drejtë BE-së”, tha Matjezh Han, ministër i Ekonomisë dhe Zhvillimit Teknologjik të Sllovenisë.
Lajme nga vendi
Të dhëna shqetësuese për goditjen në tru, rreth 5000 brenda një viti
Çdo vit në vend regjistrohen rreth pesë mijë raste të reja të goditjes në tru, një ndër sëmundjet më të rënda dhe njëkohësisht shkaku më i shpeshtë i mortalitetit. Nga Klinika e Neurologjisë bëjnë të ditur se goditja në tru nuk përjashton asnjë moshë, ndërsa kanë trajtuar pacientë të moshës 14 vjeçare. Sipas mjekëve, ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në shfaqjen e goditjeve në tru janë sëmundjet kardiovaskulare, duhani, stresi kronik, si dhe ndotja e ajrit.
“Në Maqedoni kemi rreth 5 mijë raste të reja në vit të goditjeve në tru që do të thotë jemi vend me incidencë mesatare, kjo do të thotë 200 deri në 300 të goditjeve në tru në 100 mijë banorë, apo raste të reja të goditjeve në tru… Asnjë nga moshat nuk është i mbrojtur nga goditja në tru, mund të paraqitet edhe në moshë fëmijërore për fat të keq. Ne në klinikë i trajtojmë rastet mbi moshën 14 vjeçare, që për fat të keq edhe ato kanë qenë pacientët tanë më të rinj”, tha Anita Arsovoska, mjeke neurologë.
Aktualisht në Klinikën e Neurologjisë ka mungesë të rezonancës magnetike, ku si pasojë pacientët incizimet e tyre i kryejnë në Klinikën e Radiologjisë.
“Në lidhje me diagnostikimin e goditjeve në tru kemi bashkëpunim me Institutin e Radiologjisë. Megjithatë, duke marrë parasysh numrin e pacientëve, jo gjithmonë marrja e rezultateve është e shpejtë. Në këtë drejtim kemi një ide që të furnizohemi me një magnet në Klinikën e Neurologjisë, pasi ata pacientë që kanë nevojë për rezonancë magnetike momentalisht incizohen vetëm në Institutin e Radiologjisë”, deklaroi Jovan Bozhinovski, drejtor në Klinikën e Neurologjisë.
Me rastin e ditës botërore të goditjes në tru, Klinika e Neurologjisë organizoi ditë të hapur ku qytetarët për dy orë kryen kontrolle pa pagesë, në mënyrë që të rritet vetëdijesimi për këtë sëmundje. Vetëm për një ore rreth 50 pacientë kanë shprehur interes për kontrolle mjekësore. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Sulmoi fizikisht ciceronin turistik, afër ‘Xhamisë së Larme’, arrestohet tetovari
Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë njoftojnë se gjatë ditës së djeshme kanë arrestuar një 68-vjeçar nga Tetova, pasi i njëjti, kishte sulmuar fizikisht një ciceron turistik, por sipas Policisë, kishte tentuar t’i shponte gomat e autobusit që po barte turistë.
“Më 27.10.2025 në ora 11:35 në rrugën “Ilinden” në Tetovë, punonjës policie nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria personin N.A. (68) nga Tetova, duke vepruar sipas një denoncimi paraprak se rreth orës 11:20 në Tetovë, kishte sulmuar fizikisht personin K.D. (42) nga Velesi – një ciceron turistik, ndërsa priste që turistët të dilnin nga Xhamia e Pashës (Xhamia e Larme) në Tetovë. Sipas denoncimit, ai ishte përpjekur me një send të shpojë gomat e autobusit me të cilin transportoheshin turistët dhe kishte kërcënuar edhe shoferin e autobusit. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të vijojë kallëzim përkatës”.
Lajme nga vendi
Shumë familje përdorin peleta po përballen me mungesë në treg dhe rritje të çmimeve
Sezoni i ngrohjes në Maqedoni ka filluar me panikë. Shumë familje që përdorin peleta janë përballur me mungesë në treg dhe rritje të çmimeve.
Depot raportojnë se peletat shiten menjëherë sapo mbërrijnë kamionët, ndërsa kërkesat janë shumë më të larta se furnizimi. Situata është përkeqësuar pasi importi nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja pothuajse ka ndalur – disa fabrika atje kanë mbyllur prodhimin për shkak të kostove të larta, raporton denar.mk.
Në vend ekziston vetëm një fabrikë e madhe për prodhim peletash, që nuk e përmbush dot kërkesën në rritje. Ndërkohë, çmimi i një thesi 15 kg ka arritur rreth 330 denarë, nga 245–260 denarë vitin e kaluar. Ekspertët paralajmërojnë se çmimet mund të vazhdojnë të rriten për shkak të shpenzimeve më të larta të transportit dhe energjisë.
Ekonomistët thonë se situata po përsëritet çdo vit: mungesë prodhimi vendas, mungesë importi dhe kërkesë gjithnjë në rritje. Shumë qytetarë tani po mendojnë të kthehen tek mënyra më të kushtueshme e më pak efikase për t’u ngrohur – ndërsa dimri sapo ka nisur.

