Lajme nga vendi
Ambasadori Tahir Shabani e uron Televizionin Koha
Ambasadori i Paqes dhe Presidenti i Institutit për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Francë dhe Gjenevë, Z. Tahir Shabani e ka uruar televizionin e parë në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, TV Koha në 30-vjetorin e themelimit.
Z. Tahir Shabani ka shprehur mirënjohje për themeluesin dhe stafin e Televizionit Koha, për merita dhe kontributin e dhënë në informacione të sakta, si dhe autor i shumë programeve në cilësi të lartë.
“Autor i emisioneve dhe kronikave të nivelit profesional, meritoni vlerësime dhe ju falënderojmë për angazhimet për respekt të Kodit të Etikës së Gazetarisë, së bashku me stafin e mrekullueshëm nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim me seli në Francë dhe Gjenevë”, thotë mes tjerash Z. Shabani.
Po ashtu në urim veçohet kontributi i dhënë për realizimin emisioneve me atmosferë pozitive dhe argëtuese dhe për Festivalin për Fëmijë “Bletëza”, duke promovuar vlerat kombëtare shqiptare dhe të mërgimtarëve për integrimin e tyre në mbarë diasporën.
“Nderime dhe vlerësime për 30-vjetorin e themelimit të Televizionit Koha Z. Mevaip ABDIU, vërtetë jeni ambasador i paqes botërore dhe vlerave kulturore, së bashku me stafin e mrekullueshëm dhe program të nivelit profesional, meritoni çdo konsideratë dhe falënderime për promovimin e shqiptareve të suksesshëm dhe imazhin e kombit në diasporë”, thuhet në urimin e Z. Shabani.
Lajme nga vendi
Sa kompani kanë licencat për kultivim të kanabisit në Maqedoni dhe si u dhanë ato?
Pas aksionit të madh të Ministrisë së Brendshme dhe sekuestrimit rekord të marijuanës rreth 27 tonë, në opinionin publik janë nxitur debate se sa licenca dhe si janë dhënë për kompanitë që kultivojnë kanabis për përdorim mjekësor.
Kompanitë që merren me kultivim dhe përpunim të bimëve mjekësore duhet të kenë marrë licencë nga Ministria e Shëndetësisë, me miratimin paraprak të Qeverisë. Që nga ligji i vitit 2017, rreth 60 kompani në Maqedoninë e Veriut kanë marrë leje për kultivim të kanabisit për qëllime mjekësore.
Sipas të dhënave të fundit, deri më tani 14 prej këtyre kompanive u janë marrë licencat, duke nxjerrë në pah mungesën e kontrollit të rreptë dhe shqetësime për mënyrën se si janë dhënë lejet.
Opozita e asaj kohe kishte akuzuar se licencat shpesh i janë dhënë personave të zgjedhur dhe ka sugjeruar se për to është paguar nga 300.000 deri në 500.000 euro. Madje disa media kishin raportuar se disa licenca janë dhënë edhe për shtetas serbë me lidhje me botën kriminale.(INA)
Lajme nga vendi
PROTESTAT KUNDËR “SAFE CITY”: PROTESTUESI KËRKON FALJE PUBLIKE!
Personat që kanë protestuar nëpër shumë qytete të vendit, pasi policia ua kishte konfiskuar automjetet për shkak të mospasjes së lejeve të vozitjeve, do të ndiqen për shkaktimin e urrejtjes dhe organizimit të rezistencës, ka njoftuar Prokuroria Publike.
Ndërkohë, Rafet Memishovski, një ndër romët që kishte protestuar në Manastir dhe ishte kërcënuar me rrahje dhe vrasje, publikisht i ka kërkuar falje kreut shtetëror.
Një një video-mesazh të xhiruar në ambient shtëpiak, të publikuar nga “Roma Pres”, Memishovski tha se kishte bërë gabime dhe se kjo nuk do të përsëritet.
RAFET MEMISHOVSKI – PROTESTUES NË MANASTIR
“I kërkoj falje gjithë Qeverisë dhe Ministrisë, Presidentit, që bëra gabimin dhe që u kërcënova. Kjo nuk do të poërsëritet. Isha I nervozura për shkak se kushëririt ia morën veturën dhe të gjithë ishim të stresuar dhe protestuam. Nuk do të kërcënohemi më”
Ditëve të kaluara romët në Manastir, Shtip dhe Prilep disa herë protestuan duke bllokuar rrugë dhe duke ndezuar zjarre. Ata kërkojnë që të shfuqizohen ndryshimet ligjore për marrjen e automjetit për shkak të mospasjes së patent shoferit.
Kryeministri Hristijan Mickoski pas protestave deklaroi se e kishte urdhëruar Ministrin e Brendshëm, Pançe Toshkovski, që policia ashpër t`u përgjigjet ngjarjeve të këtilla të jashtëligjshme.
Gjatë protestave romët pohuan se nuk kanë mundësi të pajisen me leje të vozitjeve për shkak të kushteve financiare por edhe mungesës së shkollimit.
Por, Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, deklaroi se fëmijët romë regjistrohen në shkollë dhe nuk ndjekin mësimet.
Sipas saj, Ministria e Arsimit dhe Shkencës punëson dhe paguan rreth 40 ndërmjetës romë për të rritur përfshirjen e fëmijëve romë në shkolla, por për fat të keq, ata nuk ndjekin mësimet.
Protestat e romëve shkaktuan edhe përplasje politike. Derisa VMRO-DPMNE akuzon LSDM-në se qëndron pas protestave kundër ligjeve të reja në komunikacion, socialdemokratët thonmë se nuk janë kundër dënimeve, por kërkojnë zgjidhje për qytetarët që nuk kanë mundësi të japin provimin për patent shofer.
Lajme nga vendi
BDI: Ministri i Drejtësisë po cenon rendin kushtetues dhe barazinë gjuhësore me përgjigjen e tij ndaj peticionit të studentëve
Bashkimi Demokratik për Integrim në një kumtesë për media dënon qëndrimin dhe deklarimet të ministrit të Drejtësisë, në lidhje me kërkesën e studentëve të juridikut, që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Nga BDI thonë se “në mënyrë brutale dhe të papranueshme, ministri ka injoruar kërkesat legjitime juridike të studentëve shqiptarë për mbajtjen e provimit tëjurisprudencës në gjuhën shqipe, një e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe ligj”.
“Ky veprim përbën precedent të rrezikshëm institucional, ku Ministri i Drejtësisë vendos veten mbi Kushtetutën, mbi ligjin, mbi Qeverinë dhe mbi çdo institucion tjetër të vendit, duke cenuar rëndë parimet e shtetit të së drejtës. BDI vlerëson se kjo qasje jo vetëm që cenon barazinë gjuhësore dhe juridike, por godet drejtpërdrejt themelet e rendit kushtetues dhe bashkëjetesës ndëretnike”.
“Bashkimi Demokratik për Integrim i bën thirrje Qeverisë që të mos lejojë Ministrin e Drejtësisë të vendoset mbi ligjet dhe mbi Kushtetutën, portë ndërmarrë masa konkrete për t’u mundësuar studentëve shqiptarë mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, gjuhë në të cilën kanë kryer studimet dhe gjuhë që është zyrtare sipas rendit kushtetues të shtetit”.
“Rikujtojmë se pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, gjatë qeverisjes së kaluar, ishte përgatitur një zgjidhje ligjore që e mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, por shumica aktuale qeveritare e hoqi atë nga procedura e miratimit, pa asnjë shpjegim plotësues, duke mos e rikthyer asnjëherë më për miratim”, thonë nga BDI.

