Lajme nga vendi
Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë iniciativën për mospërdorimin e “bombave” të Zaevit si provë në gjykatë
Gjykata Kushtetuese vendosi të mos inicojë procedurë për vlerësimin e nenit 110 të Ligjit për Prokurorinë Publike, i cili përcakton se akuza nuk mund të bazohet në materiale të përgjuara në mënyrë të paligjshme, përveç rasteve të ish-Prokurorisë Speciale Publike (PSP) të cilat janë dorëzuar në gjykatat kompetente deri më 30 qershor 2017, përcjell KlanM.
“Nga analiza e bërë dhe gjendja faktike e paraqitur, rezultoi se ligjvënësi në mënyrë të qartë, precize dhe pa mëdyshje ka përcaktuar mënyrën e përdorimit dhe asgjësimit të materialeve dhe transkripteve nga materialet e përgjuara në mënyrë të paligjshme, duke specifikuar afatet për asgjësimin e tyre, duke udhëzuar kategorikisht Prokurorinë Publike se çfarë duhet bërë në akuzat dhe çështjet konkrete të nisura dhe të papërfunduara në lidhje me materialet e përgjuara në mënyrë të paligjshme”, thuhet në njoftimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese.
Dy nisma që kundërshtojnë nenin 110 të Ligjit për Prokurorinë Publike janë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese. Njëri është nga Kongresi Botëror Maqedonas dhe i dyti nga avokati Vlatko Ilievski. Dispozita e kontestuar parashikon se Prokuroria Publike nuk mund ta bazojë akuzën në materialet e përgjuara në mënyrë të paligjshme, me përjashtim të rasteve të PSP-së të dorëzuara në gjykata deri më 30 qershor 2017.
Për rastet e nisura pas datës 30 qershor 2017, bombat mund të përdoren vetëm si pista dhe mbi to nuk mund të bazohet asnjë aktakuzë apo propozim aktakuzë dhe nuk mund të propozohen dhe të përdoren si prova në procedurë. Sipas kërkuesëve, deri në paraqitjen e nismës, ende nuk ishte vërtetuar se kush e kishte urdhëruar përgjimin e materialeve që përdoreshin nga PSP-ja si materiale provuese për akuzat e paraqitura deri më 30 qershor 2017.
“Megjithatë, ajo që e bën këtë pretendim të pabazë është se ka një ndryshim midis termave ‘marrje’ dhe ‘krijimi i provave’. Lidhur me pretendimin e dytë është mbajtur qëndrim se dispozitat e kontestuara nuk kanë efekt prapaveprues në dëm të qytetarëve ndaj të cilëve më parë janë ngritur akuza”, theksojnë nga Gjylkata Kushtetuese.
Përmbajtjen e bisedave të përgjuara në mënyrë të paligjshme në vitin 2015 e ka bërë publike lideri i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev, duke akuzuar VMRO-DPMNE-në në pushtet për keqpërdorim të pozitës dhe përgjim të paligjshëm të mbi 20 mijë qytetarëve. Me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, u krijuar e ashtuquajtura Qeveria e Përzhinos, dhe pas zgjedhjeve të parakohshme u krijua Prokuroria Speciale Publike, e cila kishte për qëllim shqyrtimin e përmbajtjes së të gjitha “bombave” dhe procedimin e keqpërdorimeve të zbuluara nga zyrtarët. Akuzat e PSP-së ishin kundër zyrtarëve të lartë të atëhershëm të VMRO-DPMNE-së, përfshirë ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, ish-drejtorin e DSK-së Sasho Mijalkov, ish-ministrat Gordana Jankulovska, Mile Janakieski, Spiro Ristevski e shumë të tjerë
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

