Lajme nga vendi
Lidhja e nxënësve të shkollave të mesme: Maturë shtetërore duhet të ketë në afatin e paraparë

Lidhja e nxënësve të shkollave të mesme përkujton se mbajtja e maturës shtetërore është obligim ligjor dhe që këtej, siç theksojnë, shteti ka obligim ta zbatojë në afatin e paraparë ligjor.
“E drejta e grevës gjithsesi se është e garantuar me kushtetutë, por e drejta e arsimit njëjte është pjesë e Kushtetutës. Ligji për shkolla të mesme e konsideron mbajtjen e provimit të maturës në fund të çdo viti shkollor për detyrë të institucioneve. Siç thamë edhe më parë, nëse nuk mbahet matura shtetërore, do të krijohen probleme të mëdha për këtë gjeneratë të maturantëve të cilët planifikojnë të studiojnë në arsimin e lartë. Mosmbajtja e mundshme e maturës shtetërore më së shumti do t’i dëmtojë maturantët të cilët planifikojnë të studiojnë jashtë vendit, ndërsa sipas analizave tona ky numër është 12 për qind nga secila gjeneratë. Mu për këtë arsye e përkujtojmë opinionin për angazhimin tonë në muajin mars për adaptim adekuat të maturës shtetërore në interes të të gjithë nxënësve të shkollave të mesme dhe e përsërisim thirrjen tonë që të rriturit të mos e sjellin në pikëpyetje të ardhmen e këtyre maturantëve”, thekson në kumtesë Lidhja e nxënësve të shkollave të mesme.
Lidhja i njofton maturantët dhe tërë opinionin se, sipas informatave me të cilat disponon, me siguri do të ketë sukses në përpjekjen që provimi i parë ekstern të mbahet më 27 maj, siç është planifikuar.
“Lidhja e përshëndetë këtë. Apelojmë për maturi dhe seriozitet dhe u bëjmë thirrje kompetentëve që maturën shtetërore ta mbajnë në afatet tashmë të caktuara”, theksojnë nga Lidhja e nxënësve të shkollave të mesme.
Lajme nga vendi
Zherovjan, asfaltohet rruga në hyrje të fshatit nga bizneset lokale (VIDEO)

Në mungesë të investimeve nga institucionet lokale dhe qendrore, banorët e fshatit Zherovjan të komunës së Bogovinës, me ndihmën e afaristëve kanë asfaltuar vet rrugën në hyrje të fshatit. Hyrja në këtë fshat ishte lënë pasdore dhe ishte dëmtuar shumë ndër vite dhe kjo detyroi që banorët të vet organizohen dhe afaristët e fshatit kontribuan me rreth gjashtë mijë euro duke asfaltuar këtë pjesë të rrugës në hyrje të fshatit Zherovjan.
“ Ishte një iniciativë e shumë bizneseve që kanë kontribuar në bashkëpunim me Bashkësisë Lokale për ta rregulluar këtë rrugë, ose me mirë të themi një plagë që me vite qëndron e hapur këtu dhe është një rrugë që lidh dy regjione, pra pjesën e fshatrave rrëzë Malit Sharr dhe pjesën e fshatrave rreth Malit të Thatë, ose konkretisht I lidh dy komuna, atë të Bogovinës dhe Bërvenicës dhe është një nyje që lidhet me autostradën Tetovë-Gostivar. Ishte kjo një iniciativë e Bashkësisë Lokale, bizneseve dhe njerëzve të vullnetit të mirë, të cilët kanë financiuar asfaltimin e rrugës dhe uroj ta shfrytëzojnë të gjithë banorët e këtij rajoni dhe jo vetëm banorët e fshatit Zherovjan”, deklaroi Ismail Ferati, Kryetar i Bashkësisë Lokale të fshatit Zherovjan.
Por, infrastruktura në këtë fshat ka nevojë për ndërhyrje tjera. Nënkalimi për hyrje në fshatit Zherovjan është vetëm për një veturë. Kjo krijon kaos të vërtetë gjatë tërë kohës pasi që vozitësit janë të detyruar të presin derisa të lirohet nënkalimi dhe më pas të hyjnë ose dalin prej fshati. Situata paraqitet edhe më e rëndë gjatë muajve të verës, kur kolonat e veturave janë të gjata në këtë pritje për të kaluar nënkalimin.
“Është këtu një rrugë njëkahshe, ku sipër nënkalimit është hekurudha. Është ndërtuar në vitet e 50 ndoshta dhe tash nuk I përshtat aspak zhvillimit të fshatit apo rajonit dhe kështu me rradhë. Kemi pasur disa kërkesa deri tek Ministria e Transportit dhe drejtoritë përkatëse, do t`i drejtohemi edhe kompanisë e cila aktualisht punon në Korridorin 8 në segmentin e autostradës Tetoë-Gostivar të gjejnë një zgjidhje. Këtu gjatë verës bëhet një kaos i vërtetë. Nëse eventualisht ndërtohet edhe një nyje tjetër afër këtu, kjo do ta rëndojë edhe më shumë kaosin në hyrje të fshatit” deklaroi Ferati.
Banorët shpresojnë se do të hasin në mirëkuptim nga institucionet sepse ky nënkalim njëkahësh shkakton probleme për shumë fshatra, duke përfshirë fshatin Bogovinë, Zherovjan, Radiofcë, Tenovë, fshatra që lidhen përmes një rruge të vetme por që detyrimisht duhet të kalojnë përmes këtij nënkalimi. Nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen të organizohen edhe protesta nga banorët për të gjetur zgjidhje për këtë nënkalim problematik.
Lajme nga vendi
Në gjimnazin “7 Marsi” në Tetovë është regjistruar vetëm një nxënës

Në gjimnazin “7 Marsi” në Tetovë është regjistruar vetëm një nxënës. Udhëheqësia e shkollës pret që me uljen e kritereve në afatet tjera, të shtohet numri i nxënësve. Por, edhe pse është një ndër shkollat më të bukura dhe më të pajisura nga të tjerat, si me kabinete, amfiteatro dhe kushte moderne, megjithatë në gjimnazin “7 Marsi”, interesimi i nxënësve për t’u regjistruar është tejet i dobët. Arsye për mos interesimin e nxënësve është distanca dhe vendndodhja e kësaj shkolle. Drejtori thotë se vitin e ardhshëm do të ndërtohet objekt i ri në lokacion tjetër. Ismail Vllashi beson se në afatet tjera do të ulen kriteret dhe do të rritet numri i nxënësve.
“Në fillim patëm 14 nxënës që u paraqitën dhe vetëm njëri ka plotësuar kushtet për tu pranuar në shkollën tonë pra kishte mbi 60 pikë, dhe në aplikimin e dytë ka më tepër pak të interesuar. Gjithsej kemi paraparë 242 nxënës që kemi paraparë për tetë paralele, ndërsa e dini vetëm një nxënës është pranuar deri tani”, tha Ismail Vllashi, drejtor i gjimnazit “7 Marsi”.
Ndryshe nga gjimnazi “7 Marsi”, në shkollën e mesme të mjekësisë, interesimin është tejet i madh.
“Interesimi është shumë i madh, në afatin e parë kemi pranuar 403 nxënës. Drejtimi për motër infermiere është mbyllur më aplikimi si dhe kozmetika. Vende të lira ka në teknik, farmacie, fizioterapi, teknik dhëmbësh asistent dentar dhe laborant”, tha Malësore Ramadani, drejtoreshë e SH.M.M “Nikolla Shtejn”.
Ndryshe, në gjitha shkollat e mesme të Tetovës kanë mbetur edhe rreth 730 vende të lira për regjistrimin e nxënësve, shumica prej tyre në “7 Marsi” dhe shkollat profesionale.
Lajme nga vendi
Nga viti i ardhshëm, dëftesat shkollore do të shpërndahen vetëm në mënyrë elektronike

Nga viti shkollor 2025/2026, dëftesat për arsimin fillor nuk do të jenë më të shtypura, por do të lëshohen në formë elektronike. Ato do të jenë të qasshme në mënyrë digjitale për shkollat e mesme, kur nxënësit do të aplikojnë për regjistrim. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, e cila tha se sistemi për lëshimin e dëftesave elektronike është tashmë funksional përmes ditarit elektronik, por zbatimi i plotë do të nisë nga viti i ardhshëm për të lejuar kohë informimi dhe përgatitjeje për prindërit dhe nxënësit.
“Fëmijët dhe prindërit realisht nuk kanë nevojë ta kenë dëftesën në dorë – është më shumë një dokument simbolik për të festuar ose për të reflektuar. Nuk po e zbatojmë këtë vit jo sepse nuk mundemi, por sepse shumë prindër dhe nxënës, sidomos në zonat rurale, nuk kanë pajisje ose qasje në internet. Njohuritë digjitale duhet të përmirësohen. Besoj se vitin e ardhshëm mbi 90% do të jenë në gjendje ta përfundojnë këtë proces në mënyrë elektronike”, deklaroi Janevska.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve