Lajme nga vendi
Shukova: Është koha të zgjidhet statusi i grumbulluesve joformal të mbeturinave
Qeveria nuk do të heqë dorë nga gjetja e zgjidhjes përfundimtare për grumbulluesit joformal të mbeturinave. Këta janë një grup qytetarësh të cilët kanë të drejta si edhe të gjithë të jerët në shtet. Është koha që çështja e tyre të zgjidhet dhe ata të marrin statusin që e meritojnë, tha sot ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova.
Siç theksoi Shukova, ka pasur tentime në të kaluarën përmes ndërmarrjeve publike komunale ky grup i qytetarëve të kyçet në sistemin formal, por procesi po shkon shumë vështirë.
“Kjo nuk do të thotë se do të heqim dorë dhe se nuk do të tentojmë në kuadër të sistemeve rajonale për menaxhim me mbeturina të gjejmë zgjidhje përfundimtare që ky sektor joformal të bëhet pjesë e atij formal. Ata janë grup qytetarësh, të cilët, gjithsesi, kanë të drejta si edhe të gjithë të tjerët në këtë shtet. Me të vërtetë është koha që edhe kjo çështje të zgjidhet dhe ky grup i qytetarëve ta marrë statusin që e meriton dhe të jenë pjesë e sektorit formal”, theksoi Shukova, duke u përgjigjur në pyetje pas fjalimit në konferencën “Vizione për të ardhme të gjelbër: Partneritet për qarkullim” që e organizon CIVIL.

Në pyetjen për grumbulluesit e mbeturinave u ndërlidh edhe zëvendëskryeministri për çështje ekoomike, Fatmir Bytyqi, i cili gjithashtu mori pjesë në konferencë.
“Ata janë joformal sepse ndoshta nuk kanë mjaft besim në sistemin dhe besim se nuk do të lihen vetëm nëse bëhen pjesë e grumbulluesve formal. Ky është një ndryshim i plotë i mënyrës sonë se si u qasemi disa problemeve”, tha Bytyqi.
Lajme nga vendi
Kasami: Me investim prej 200 mijë euro transformuam rrugën e Potokut
Kandidati i VLEN-it, për komunën e Tetovës, Bilall Kasami, në një deklaratë për media, ka thënë se Tetova dëshmoi se e vlerëson punën dhe dëshiron që ky zhvillim të vazhdojë edhe më fuqishëm.
“Sot jemi në Rrugën e Potokut, ku bashkë me rrugën 134 dhe Prohorpçinski u asfaltuan tërësisht dhe sipas standardeve bashkëkohore.
Ndërtuam rrugë të re moderne në gjatësi gati një kilometër, asfaltim i rrugës diku mbi 5.000 m2. Me investim gati 200 mijë euro apo rreth 12 milionë denarë e transformuam këtë lagje pranë çerdhes së Potokut, duke i dhënë pamje evropiane. Të dashur qytetarë të Tetovës,
Tetova e meriton këtë transformim. Tetova meriton rrugë moderne, shkolla, çerdhe, pishina dhe të gjitha kushtet për një qytet funksional, të pastër dhe modern. Punët e mira për Tetovën duhet të vazhdojnë edhe më shumë, edhe më mirë, edhe më fuqishëm me Kapitullin e Dytë të zhvillimit”, ka deklaruar Kasami.
Lajme nga vendi
Uji në Tetovë vazhdon të mos jetë i pijshëm, priten analiza më të detajuara mikrobiologjike
Në Tetovë uji vazhdon të mos jetë i pijshëm. Analizat kanë treguar se i njëjti nuk preferohet për pije, ndërsa burimi i Leshnicës vazhdon të jetë jashtë funksionit, shkaku se uji është i turbullt.
Sipas drejtorit të NPK Sharri, Valon Zeqiri, për momentin kemi 240 litra ujë në sekondë, ndërsa mungesë ka në lagjen 146 ku tash më 24 orë nuk kanë ujë për pije.
“Gjendja në Tetovë vazhdon të jetë e njëjtë. Uji vazhdon të mos jetë i pijshëm, në bazë të analizave që i kemi marr dje dhe sot nuk e preferojmë që të pihet pasi që presim analiza më të detajuara mikrobiologjike që i kemi bërë dhe ata analiza presim që nesër t’i marrim rezultatet dhe të dalim me rezultate konkrete.
Për sasinë e ujit kemi 240 litra ujë në sekondë së bashku me puset që i kemi aktivizuar dhe filtër stacioni vazhdon të jetë akoma jashtë funksionit, pasi që kemi ujë të turbullt dhe në bazë të reshurve që kanë rënë mbrëmë kemi ujë të turbullt nga burimet e Leshnicës”, tha për “TV21” Valon Zeqiri – Drejtor i NPK Sharri.
Lajme nga vendi
Grabitja në Gostivar/ Paraburgim për dy policët
Policëve të dyshuar për grabitjen në artarinë e Gostivarit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve. Për personat e tjerë të përfshirë në krim, vazhdojnë hetimet. Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku për të dëmtuar provat dhe për të ndikuar në hetim, prandaj dy nëpunësve policorë i ka caktuar masa kujdesi.
Ndërkohë hetimet vazhdojnë për të identifikuar personat e tjerë. Jo zyrtarisht në mesin e tyre që kanë ndihmuar policët të grabisin 18 kilogram ari ka edhe shtetas të huaj. Të gjitha pistat e hetimit janë të hapura.
“Janë thirrur disa persona në biseda informative. Aktualisht procedurë ka ndaj atyre për të cilët ka dëshmi”, thonë nga Prokuroria.
Grupi hetimor ka arritur të zbardh disa elemente nga ngjarja. Duke parë incizimet nga kamerat e sigurisë, hetimi ka treguar se dy ditë para grabitjes të dyshuarit e përfshirë i kanë treguar trajektoren e lëvizjes grabitësve dhe në ditën e grabitjes i kanë përcjell me vetura të policisë dy automjetet me të cilët u krye grabitja, njëra prej të cilave më pas u gjet e djegur disa kilometra larg vendit të krimit, ndërsa tjetra veturë u gjet e braktisur në hyrje të Kërçovës.
As policia dhe as organi i akuzës nuk ka dhënë më shumë informacione pas bastisjes së kryer në disa lokacione. Nuk dihet nëse është gjetur ose jo sasia e arit të vjedhur. Grabitja ndodhi më 10 tetor. Personat ishin maskuar dhe kanë arritur të marrin sasinë e arit duke kërcënuar me armë pronarin e artarisë. Ndaj policëve pritet të merren masa ndëshkuese edhe nga Kontrolli i Brendshëm i MPB-së./ Alsat.mk

