Lajme nga vendi
Prej sot “shkrihen” çmimet e produkteve bazë në RMV, nuk pritet shtrenjtim
Prej sot pushon së qeni i vlefshëm vendimi i qeverisë me të cilin ishin të ngrira çmimet e disa produkteve bujqësore, bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë, miellit, vajit për gatim, vezëve, orizit, pastave, qumështit dhe produkteve të qumështit. “Shkrihen” edhe çmimet e pelenave për fëmijë, letrës higjienike, pecetave të lagura dhe pecetave higjienike.
Autoritetet sigurojnë se nuk do të ketë rritje të çmimeve të këtyre produkteve dhe nëse kjo ndodh, menjëherë do të merren masat e duhura. Situata monitorohet në baza ditore dhe vlerësimi është se për momentin nuk ka vend për luhatje të mëdha çmimesh.
Sipas të dhënave që disponojmë, çmimet e shumicës së produkteve janë edhe më të ulëta se niveli i ngrirjes që kishim më parë. Nëse nga dita kur vendimi për ngrirjen nuk do të vlejë do të ketë abuzime nga tregtarët, sigurisht që do të pasojnë masa të ndryshme, tha ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
Sipas tij, mosvazhdimi i masës për çmimet e ngrira të produkteve bazë, ndër të tjera, vjen si pasojë e rënies së theksuar të inflacionit në vend, veçanërisht për produktet ushqimore.Pritjet e Ministrisë së Ekonomisë janë që inflacioni në qershor të jetë më i ulët se 10 për qind dhe Bekteshi është optimist se inflacioni total për gjithë vitin do të jetë më i ulët se ai i parashikuar.
Edhe zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, vlerëson se nuk ka kushte për rritjen e çmimeve të produkteve pas shkrirjes. Ai gjithashtu shton se Qeveria do të reagojë nëse ka nevojë.
“Janë krijuar të gjitha parakushtet që çmimet të mbeten në të njëjtin nivel, ndoshta edhe të jenë më të ulëta, të gjitha kushtet e mëparshme që u krijuan për rritjen e çmimeve tani janë zhdukur dhe rryma nuk është me çmimin që ka qenë. Çmimi i lëndëve të para në bursat botërore është ulur. Kjo do të thotë se edhe ata që prodhojnë, edhe ata që tregtojnë, i kanë kushtet që realisht të mbajnë çmimet e ulura, siç kanë qenë çmimet e ngrira, edhe nëse janë ulur. Kemi parë që në tregun e perimeve natyrisht që kanë rënë për 40 për qind të çmimeve të ngrira dhe për këtë është marrë vendimi për shkrirjen e tyre”, tha sot Bytyqi.
Vendimi i parë për ngrirjen e çmimeve është marrë më 28 shkurt, kur çmimi i bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë është ngrirë në 33 denarë, ndërsa më 16 mars Qeveria ka marrë vendim për ngrirjen e çmimeve të disa pastave dhe produkteve të qumështit. Më 21 mars hyri në fuqi vendimi për ngrirjen e çmimeve të orizit dhe vezëve, ndërsa më 5 prill u ngrinë edhe çmimet e 11 llojeve të frutave dhe perimeve.
Lajme nga vendi
SHOK TEMPERATURASH NË MAQEDONI: Pas të ftohtit të pazakontë dhe borës, këtë javë deri në 38°C
Pas valës së pazakontë të të ftohtit që solli reshje bore në Malin Sharr dhe në Pelister të premten, më 24 korrik, si dhe pas mëngjesit të sotëm jashtëzakonisht të freskët për muajin korrik, Maqedoninë e pret një tjetër ndryshim i fortë i motit.
Meteorologu Sllavço Poposki njofton se nga fillimi i javës vendi do të përfshihet nga një masë shumë më e ngrohtë ajrore që vjen nga jugu, përkatësisht nga Afrika.
“Që nga e hëna dhe gjatë ditëve në vijim, temperaturat do të shënojnë rritje të shpejtë. Në pjesën më të madhe të Maqedonisë ato do të kalojnë 30 deri në 35 gradë Celsius, ndërsa në rajonin e Povardarisë dhe në pjesën juglindore të vendit do të arrijnë deri në 38 gradë Celsius”, thekson Poposki.
Sipas tij, vetëm gjatë ditës së hënë, më 27 korrik, priten dukuri lokale të paqëndrueshme të motit, të shoqëruara me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të përforcuar.
Nga e marta, më 28 korrik, moti do të stabilizohet plotësisht dhe do të mbizotërojë mot me diell, i qëndrueshëm dhe me vranësira të pakta lokale.
Poposki paralajmëron se këto ndryshime të menjëhershme dhe të mëdha të temperaturave mund të kenë ndikim negativ, veçanërisht te personat e ndjeshëm ndaj ndryshimeve të motit.
Lajme nga vendi
Sërish shtrenjtohen karburantet nga mesnata
Çmimet e shitjes me pakicë të benzinave EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 rriten për 3,00 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i EURODIZELIT (D-Е V) rritet për 4,50 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i Vajit Ekstra të Lehtë për Amvisëri (ЕL-1) rritet për 5,00 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i Мazutit М-1 SU rritet për 2,726 denarë për kilogram.
Nga data 28.7.2026, nga ora 00:01, çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:
Benzinë motori EUROSUPER BS – 95 93,00 (denarë/litër)
Benzinë motori EUROSUPER BS – 98 95,00 (denarë/litër)
Naftë motori EURODIZEL BS (D-E V) 98,50 (denarë/litër)
Vaj për Djegie Ekstra i Lehtë 1 (EL-1) 98,00 (denarë/litër)
Mazut М-1 SU 48,099 (denarë/kilogram)
Lajme nga vendi
“TETOVA N`FESTË”: “KREJT E THIRRIN REXHËN” NË ATMOSFERË VERORE!
Nën qiellin e hapur të Banjës së Tetovës, qytetarët patën mundësinë të ndjekin shfaqjen e filmit “Krejt e Thirrin Rexhën”, në kuadër të manifestimit Vera Tetovare, Tetova n’Festë.
Një mbrëmje e bukur kinematografike, e mbushur me emocione, humor dhe atmosferë të veçantë, që bëri bashkë qytetarë të të gjitha moshave.
Tv Koha takoi edhe Artistin e ri nga Tetova, Ledion Mulaku, i cili hapat e parë në aktrim i ka bërë që në moshë të hershme, duke qenë pjesë e disa projekteve filmike dhe serialeve të rëndësishme në rajon, duke përfshirë filmat “Dashuria s’mjafton” dhe “Shkëmbimi”, serialin ndërkombëtar Sunrise, si dhe projektin e fundit “Krejt e thirrin Rexhen”, ku ai interpreton një nga rolet protagoniste dhe është vlerësuar me çmimin Best Young Actor.
Suksesi i tij është një shembull frymëzues për të rinjtë e Tetovës dhe një dëshmi e potencialit të madh që ka rinia jonë.
Vera tetovare riktheu në Tetovë filmin “Krejt e Thirrin Rexhën” me një mbrëmje të veçantë kushtuar artit dhe kinematografisë shqiptare.
Ambienti I hapur në Banjë të Tetovës u bë arenë e gërshetimit të brezave dhe interesimit të jashtëzakonshëm të publikut tetovar.
U shijua së bashku një film I jashtëzakonshëm në një atmosferë të bukur verore, ku sipas organizatorëve, “Tetova N`Festë” vazhdon të sjellë kulturë, art dhe argëtim në çdo cep të qytetit.
/Tv Koha/

